Edhe Mustafa Nano më në fund u bind se Akademia e Shkencave duhet të reformohet !

879
Artan FUGA
Mustafai (Nano) gjithmonë më bën të buzëqesh miqësisht, më sjell në hare, tek e kundroj që kujton se mund të ndërtojë argumente thjesht mbi ato që lexon në plan të parë, pa parë se çfarë ka mbrapa shkronjave, dhe i dalin gjithmonë gjërat e çuditshme, pa u munduar të shohë se çfarë ka pas tyre, pa investiguar në këtë rast për gjendjen e lirisë të mendimit në institucione. Mirë bën që thotë se akademia e shkencave duhet reformuar rrënjësisht madje. Kaq faleminderit Much! Argumentet e mia të kanë bindur. Të tjerat nuk kanë pikë rëndësie. Ji i pranishëm si gazetar në datën 4 shtator në seancën e zgjedhjeve farsë dhe do të shohësh se gjithçka kam ngritur e ngre prej kohësh është e saktë dhe ulëritëse! Po vazhdoj për qejf e kënaqësi tani! Kam pak kohë! Nuk prish punë se ti nuk kupton që të tërsëllimosh kërrkënd qoftë edhe virtualisht, edhe si anonims, kur ai është duke ushtruar funksionin e vet publik, është pengesë për të kryer detyrën, veçanërisht kur ai tërsëllimuesi të thotë: Pusho ose largoju këndej! Njësoj sikur ata që të paguajnë ty ku boton, të thonë: Përkrahe Fugën ose largoju! ose njësoj kur drejtori i një gazete të thotë: Me masakruan profesionalisht, sepse donin të më censuronin, edhe ai llasticë është!

Ç’a po të bëjmë mo burrë!
Edhe kur dikush e bën këtë duke u përpjekur me mjetet që ka të më mbylli gojën ti, i akordon rrethana lehtësuese për shkak se atij ndoshta i prishet rutina e ngrënies mëngjes nga kritikat e mia. Në vend të mbrosh fjalën e lirë nga çdo anonims! Je pozicionuar keq miku im, mbron pa dashje ose jo xhelatët e fjalës së lirë që e ndrydhin atë me çdo mjet e mënyrë që kanë. Ke marrë anën e së keqes këtë radhë Much! Anonimsi deshi ta lija komentin e tij ndonëse acarohej nga kritikat e mia, unë e botova për t’ia plotësuar dëshirën, se unë nuk jam si ata, duke e trajtuar si një presion kërcënues. Por, ti Muçi edhe fjalën “kërcënim” e trajton gabim edhe kur mbështetesh në fjalor. Sepse ti kujton se fjalori është tërësia e kuptimeve absolute që një fjalë ka në jetën e përditshme të një shoqërie. Ky është serioz, si defekt yti metodologjik Muç, në filozofinë e semantikës, por bisedojmë ndonjëherë kur të pimë kafe ose çaj. Ky është problemi yt! Dëgjomë mua si mik! Se e vë re edhe herë të tjera! Merr shkronjën për objektin që ajo do të duhej të simbolizonte. Tekstin e shkruar e merr për provë finale! Ka një boshllëk semantik në formimin tënd, miku im! Sinjalin duhet ta dallosh nga objekti që sinjalizohet! Kërcënimin e quan kur të kërcënojnë me jetë, jo kur të kërcënojnë me prerje rroge, me heqje, me përjashtime. Aq ndjeshmëri ke treguar, çfarë të them! Sigurisht nuk botova vazhdimet e atyre mesazheve sepse nuk doja ta ndyja më shumë faqen time facebook. Ndofta Mustafai, i pandjeshëm, i pallastuar, si gjithmonë kujton se të kërcënosh, intimidosh, fyesh është vetëm kur dikush të vjen me ndonjë copë huri dhe të thotë: Ta futa kokës po hiq dorë nga teza, se shqiptarët nuk provohet që vijnë nga ilirët! Ose: Të hyra më shqelma ose prano se gruaja e Skënderbeut është me origjina serbe! Ka metoda të tjera Muç, por mbase ti nuk i ndjen! Gjithsesi me Muçin kurrë nuk mërzitem, sepse e vlerësoj sportivitetin e tij ekstrem, që sigurisht nuk ka lidhje me gazetarinë e faktit, në fakt ai bën gazetarinë e opinionit dhe deklaratave, post-truth journalism, dhe pa bërë investigimet e duhura, flet me opinione të lira, të lira si eraaaa! Aq shumë merr shkronjën për realitet sa më identifikon mua me zhurmën që u bë për atë kërcënim. Unë shkrova duke i lënë hapësirë kërcënuesit anonims, kurse Muçi kujton se unë aty ndenja, duke ngrënë thonjtë. Jo ore Much xhani jo, unë vazhdova ditën time të punës dhe të qejfit pa t’u llastuar sidomos ty, dhe as kam lidhje me atë që u debatua nga të tjerë. Por, Muchi i shërben çështjes si gjithmonë gati. Në vend të merret me faktin, sesi një akademik censurohet prej vitesh brenda akademisë dhe detyrohet të dalë publikisht, censurim që është një formë represioni, merret me gjëra fluturake dhe të sipërfaqshme, jo llastica jo fjalori. Sa keq Much ! Gjen edhe qëllimet e mia se përse botova atë kërcënim. Je i fortë miku im Mustafa! Puna është se e flasim këtë çështje në kohë të lirë të të rrëfej më gjatë represione dhe privacionet e vërteta për shkak të mendimit kritik. Në institucione. Se deri tani nuk t’i kam thënë për të mos … t’u llastuar! Ika tani se është problemi i akademisë dhe i kërkimit shkencor që debatohet dhe jo etiketat e tua ndaj meje dhe as debatet horizontale që në këto çaste nuk më interesojnë fare.

Miqësisht, Much !
Nga Fuga
Sigal