E kujt është kjo administratë?

603
Enver CAKAJ
A e dini se shumica e zyrtarëve që punojnë në administratën e shtetit nuk e dinë ç’është administrata? Nuk e dinë, se kujtojnë që e kanë fituar atë vend pune për interes të tyre jo të popullit dhe shtetit. Nuk është hamendësim, po një realitet i hidhur. Po ta dinin do t’i gjeje gjithmonë në krye të detyrës, të gatshëm për të pritur popullin e halleve të rënda. Nëse të shpie halli në administratën e shtetit, lipset të shtrëngosh nervat, se mund të bësh dhe ndonjë skandal. Dhe ndëshkimin e merr ti, pavarësisht se e shkakton zyrtari i shtetit me veprime anti shtetërore. E para e punës, duhet të durosh fytyrën e vrazhdët të punonjësve me të cilën të presin syulur, sikur të gjitha zararet e botës i ke bërë ti. Punonjësit e shtetit, ku hyjnë edhe pastrueset, përfaqësojnë shtetin dhe lipset të shprehin fytyrën e shtetit. Ai hallexhi që hyn në zyrat e shtetit e ka një shqetësim, por fatkeqësish, le atë hall nuk e zgjidh dot , po ia shtojnë dhe zyrtarët me pritjen e tyre brutale dhe sorollatëse. Mbase nuk e keni provuar, po të kesh punë me zyrat e shtetit, i ke hyrë një pune shumë të vështirë. Që të bindeni lexoni këto vargje të rapsodit vlonjat Feti Brahimi: 

“Hidhu vetë e çaje detin,
Se nuk ke punë me shtetin,
Se shteti që ta marrësh vesh,
Nuk të jep po do t’i shpiesh.”

Mbase nuk do të besoni, po nuk ka asnjë punonjës administrate në shtet, që nuk e vjedh shtetin. U ndodha në një zyrë shteti në Berat. Një nga punonjësit i tha kolegut, se do të shkoj të pi një kafe. Shoku aprovoi, po e porositi të mos pinte aty rrotull, se e shikonin, po sa më larg. Me kafe u justifikua ai, po një orë e ca sa isha unë atje nuk u kthye më, kur hallexhinjtë prisnin tek dera e zyrës. Shteti ka caktuar një orë pushim për administratën që të pinë kafe ose të pushojnë, por, si duket, kjo kohë nuk u del. Dhe këta kafexhinj ,kur shkojnë të marrin rrogat të plota, kanë guxim të firmosin edhe hajdutërinë e tyre. Fatkeqësisht punonjësit e administratës shtetërore e fillojnë dhe mbarojnë punën nëpër pijetoret e qytetit, veç sa më larg punës. Të shkretët njerëz i kërkojnë gjithë ditën dhe kur i shikojnë të ulur nëpër lokale druajnë t’u thonë ndonjë fjalë, se i sikterrisin. Puna nuk është angari, por përgjegjësi. Shteti të paguan për tetë orë punë, jo sorollatje. Çuditërisht këta biçim punonjësish kanë guxim dhe të kundërvihen kur ndëshkohen se nuk janë gjetur në vendin e punës. Në qytetin e Çorovodës ,kur e ndëshkuan një punonjës, se nuk e gjetën në punë, u shpreh: “Pse në burg jam unë, që të mos lëviz?!” Ky njeri harron,se veprimi i tij të shpie dhe në burg, se ke vjedhur shtetin duke mos qenë në krye të detyrës kur duhesh. Të njëjtën gjë bëri dhe një punonjës i zjarrfikëses,që e pushuan nga puna, se në momentin e duhur nuk ishte në vendin e punës. Ky vend pune është specifik,se për një minutë duhesh. Kur edhe atë minutë nuk je në detyrë, përse i duhesh shtetit?

Nëse i vjen ndonjë e keqe qeverisë, kjo do t’i vijë nga administrata e papërgjegjshme. Hallexhinjtë nuk kanë punë me qeverinë e madhe, se të gjitha problemet lidhen me administratën publike. Shumë,shumë mund të bëjnë ndonjë letër-ankesë në qeveri për neglizhencat e lokalëve. Nëse shteti nuk e disiplinon administratën,siç po zotohet kryeministri, qeveria është e rrëzuar. Mos u çuditni kur nën derën e shtëpisë të futet një zarf dhe të kërkon të paguash taksën e makinës që nuk e ke. Iu desh një vit sorollatje një banori në Çorovodë të shkonte lart e poshtë në Berat për ta sqaruar. Sa lekë harxhoi nga këto sorollatje do të kishte blerë një makinë. Zyrtarët e Beratit ja faktonin me data e me targa ekzistencën e makinës,kur ai nuk kishte as biçikletë në shtëpi. I kërkonin llogari dhe e kërcënonin hallexhiun,se përtonin të hapnin regjistrat për ta gjetur atë makinë që rezultonte e një tjetri! Hallexhiut nuk iu dëmshpërblye asgjë nga ato shpenzime e sorollatje. Mendojmë se edhe ligji ka një vakum për këtë çështje. Punëtori në uzinë ose bujqësi ndëshkohet dhe e paguan skarcitetin në punë,po këta kapadainj përse të mos i zhdëmtojnë sorollatësit? Në sistemin që lamë pas më qëlloi të punoja ca ditë në një gazetë qendrore. Kur hapa sirtarin e pashë një tufë shkrime skarco të gazetarëve rrogëtarë,më bëri përshtypje,që ajo gazetë shkruante për skarcitetet nëpër ndërmarrje dhe ato të tyret nuk i shikonin për të cilat ishin paguar, kishin marrë madje dhe djeta. Si duket do të kemi një shkundje të fuqishme në administratën e shtetit. Por kam frikë se do të heqin ca militantë ,që kanë brohoritur nëpër mitingje dhe do të vendosin ca të tjerë të këtij lloji. Nëse ndodh kështu, qeveria nuk do të jetë jetëgjatë. Tani ka dalë një farë konkursi, ku kalohen në sitë kuadrot, por të mos harrojmë se disa prej konkurrenteve mund te mbajnë gjithë ditën me llafollogji, por në esencë u mungon kultura shtetërore dhe qytetare e shërbimit. Pelivanët janë mjeshtër për të marrë çdo kala, por kopaçet bien mbi hallexhinjtë, që kanë frikë të hyjnë nëpër zyrat e shtetit, ku të mbyt aroma e rakisë dhe tymi i duhanit. Nëse duhet ndonjë model, merreni tek bashkitë e Tiranës dhe Çorovodës. Atje ku ka disiplinë ka dhe punë dhe këto dy bashki e kanë fituar qytetarinë shtetërore. Shembull keni edhe administratën e firmave private, ku të presin me kulturë të vërtetë njerëzore, kur duhet të ndodhte e kundërta. Këto ditë Kryeministri na paraqiti ca shifra për punonjësit e administratës që i ka denoncuar populli. Shumë mirë. Po këta punonjës kush i futi në punë? Në postet drejtuese dhe administratë hyn me konkurs. Po ata që përbënin komisionin e konkurseve të ç’niveli ishin? A do t’i zërë ndonjë spërkë edhe ata, apo më parë do të shikohen se cilës forcë politike i përkasin? Në këtë derexhe që është katandisur kjo administratë, detyrohesh të ndalësh një copë herë në rrugë e të pyesësh veten: E kujt është kjo administratë në mes të shtetit? Një gjë e kemi të qartë, vetëm e popullit nuk është.
Sigal