E ardhmja e popujve dhe moscenimi i kufijve

199

Arian Starova

President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë

Ky fundgusht përfshiu si pa u kuptuar në politikën mbarëshqiptare dhe atë ndërkombëtare një debat të nxehtë publik përreth deklaratës së Presidentit Thaçi të Kosovës mbi mundësinë e “korrigjimit të kufijve” të Kosovës me Serbinë si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet këtyre dy vendeve e cila do të sillte pas vetes edhe njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia. Dhe si gjithnjë, në këtë debat u përfshinë me dashje dhe pa dashje, me shqetësim të ndershëm dhe dëshirë protagoniste të pandierë, me nxitjen e medias dhe pa nxitjen e saj, lloje të larmishëm të analistëve me kokë e pa kokë, të patriotëve të pa kërkuar, të klientëve të përhershëm të politikës së përfitimeve afatshkurtër në luftën për pushtet, të kripto shërbëtorëve të interesave joshqiptare, të mbushësve rastësorë të ekraneve televizivë etj.

Së pari, shumica e këtyre aktorëve debatues shprehin shqetësimin mbi shkeljen e parimit të paprekshmërisë së kufijve, frikën e pamenduar prej të ashtuquajturave ngjarje që nënkupton togfjalëshi i tej përdorur deri në bezdi si “hapje e kutisë së Pandorës”, parandjenjat ogurzeza mbi rishfaqjen e luftërave në Ballkan, parashikimet ëndërrimtarë mbi mundësinë që Rusia ta përdorë një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi për interesat e saj gjeopolitikë etj. Para së gjithave, ndjekja me vëmendje e zhvillimeve, për të cilat po flasim tregon qartë se Presidenti Thaçi nuk është shprehur mbi “korrigjimin e kufijve” si një njeri i udhëhequr nga ndjenjat, apo mendimet e tij të çastit. Të kuptuarit si duhet të qëndrimit zyrtar amerikan dhe evropian do të mjaftonte si argument mbështetës. Sh.B.A. u shpreh qartë se, nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, pa asnjë forcë detyruese mbi ta dhe pa shkaktuar asnjë konflikt, atëherë ajo është në të drejtën e tyre si shtete sovranë për ta bërë. Edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur nga Përfaqësuesja e tij e lartë Mogherini dhe Komisioneri Hahn është i njehtë në thelb me atë amerikan. Këtu nuk vlejnë fjalëzimet politikë pragmatistë mbi nevojën që Presidenti Thaçi duhej të ishte këshilluar me institucionet e Kosovës. Kush e njeh mirë politikën dhe historinë e saj, e kupton mirë se kështu ecet në politikë. Idetë e reja mund të jepen edhe nga aktorët politikë dhe, më pas, natyrisht, do të kalojnë nëpër procesin miratues ligjor të institucioneve.

Së dyti, arsyetimet me togfjalëshin “kutia e Pandorës” [se gjoja do të vijojë një proces-zinxhir i korrigjimit të kufijve edhe në shtete të tjerë në Ballkan] nuk vlejnë fare, sepse politika dhe institucionet ndërkombëtarë e kanë pranuar faktin se Kosova ka qenë “rast unik” [i papërsëritshëm] dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje do t’i qëndrojnë fort këtij parimi. Në Bosnje-Hercegovinë nuk mund të kërkohet ndarje e të ashtuquajturës Republika Serbska, jo vetëm sepse nuk ka mbështetje nga Serbia, por edhe sepse nuk e lejon faktori ndërkombëtar, që është i pranishëm edhe ushtarakisht në rajon. Në Maqedoni, nuk ekziston asnjë interes shqiptar për ripërcaktim të kufijve mbi interesa etnikë, sepse pas ndryshimeve të fundit politikë atje e ardhmja e vendit është euroatlantike dhe shumë premtuese si për shqiptarët edhe për maqedonasit. Atëherë çfarë mbetet për t’u shqetësuar?!

Së treti, në kohën e sotme të globalizimit dhe të shkëmbimeve të larmishëm të përbotshëm popullsitë janë shumë më të rëndësishme sesa hapësirat tokësorë. [Edhe përpara globalizimi të fuqishëm këtë të vërtetë e ka provuar Japonia, si vendi që u zhvillua në mënyrë të papërsëritshme në histori edhe pa pasur burimet e mjaftueshëm pasurorë.] Nëse Kosova dhe Serbia do të arrinin në marrëveshje, që shqiptarët e Preshevës dhe të zonave shqiptare përreth do t’i bashkëngjiteshin Kosovës, kundrejt një veprimi të njehtë për pjesët e ngjashme në veri të Kosovës dhe kjo gjë do të merrte miratimin e ligjshëm nga vendet përkatës, atëherë cila do të ishte e keqja këtu?! A nuk do të kishim thuajse të menjëhershëm anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe përshpejtimin e integrimeve të saj Euroatlantikë?! A nuk do të krijohej një hapësirë bashkëpunimi edhe më e gjerë mes popujve shqiptar dhe serb në dobi të tyre dhe të së ardhmes të të gjithë Ballkanit Perëndimor?!

Së katërti, është e mirënjohur tashmë ideja se bota e sotme përballet me rreziqe të shumtë dhe të paparashikueshëm të sigurisë. Si rrjedhojë, është në interesin e shqiptarëve, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor që të interesohen për rritjen e sigurisë së tyre. Përfundimi sa më parë i një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, që nënkupton njohjen e Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj të shpejtë në NATO. A mund të ketë arritje më të madhe, sesa kjo për Kosovën, po të mbajmë parasysh se NATO është aleanca më e fuqishme dhe më e suksesshmja që ka parë ndonjëherë historia e njerëzimit?! Për të gjitha këto arsye le të urojmë dhe të shpresojmë se bisedimet shqiptaro-serbe do të shkojnë në drejtimin e duhur duke qenë të bindur se si shqiptarët e Kosovës edhe serbët i kanë burimet e tyre njerëzorë të aftë për ta bërë vetë këtë. Mjaft më me “patriotizma” të shtirur, sepse askush prej shqiptarëve nuk mund të thotë se e do vendin e tij më shumë se të tjerët, përveç të shiturve të vërtetë. Që prej Presidentit Thaçi deri te shqiptari më i zakonshëm i krejt hapësirës mbarëshqiptare i duan trojet, popullin traditat dhe të ardhmen e bukur të tyre.