Dritëro Agolli, liriku i madh i të gjitha kohërave

1199
Sigal

Kulti panteist i
natyrës në veprën e shkrimtari të shquar

 

Prof. Roland Zisi, Rektor i
Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë

 


këtë 85 – vjetor të lindjes, Dritëroi ynë, vjen mes nesh me modelin madhështor
të njeriut të thjeshtë dhe krijuesit të thjeshtë me një vepër madhështore.  Me vullnetin individual dhe aftësitë artistike
ia ka dalë të farkëtojë portretin e shkrimtarit cilësor dhe popullor, të robit
dhe zotit të fjalës shqipe, të figurës dhe mendimit, krijuesit të frymëzimit filozofiko-metafizik
dhe vlerave universal. Dritëro Agolli është një lirik i madh i të gjitha
kohërave, në një radhë me De Radën, Naimin dhe Lasgushin; një ligjërues filozofik
e refleksiv, i thjeshtë por jo i thjeshtëzuar; prozator origjinal i fabulës dhe
rrëfimit, romancier e tregimtar nga më të spikaturit e letërsisë sonë, mjeshtër
i detajit jetësor, i humorit dhe groteskut, autor i kryeveprave “Shkëlqimi dhe
rënia e shokut Zylo” dhe “Arka e djallit”, autor i disa novelave dhe dhjetra
tregimeve antologjike, përkthyes virtuoz, gazetar e publicist profesionist, dramaturg,
fabulist, kritik letrar etj. Në rrafshin individual e social e pati dhe ende e
ka kurojon intelektuale të luajë rolin e njeriut të angazhuar fuqishëm në
proceset politike, shoqërore e kulturore të popullit dhe kombit të cilit i
takon, mendimtar dhe veprimtar shoqëror e politik mendjehapur, dialektik e
progresist. Njeri politik në gjithë jetën e vet, por në pjesën dërmuese të veprës
jo i politizuar, njëherazi dhe realist dhe utopist, ëndërrimtar dhe i
zhgënjyer, me kulturë politike të majtë por jo ekstremist dhe dogmatik,
revolucionar iluminist që i beson librit, bibliotekës e kulturës dhe jo dhunës,
zyrtar i lartë i shtetit komunist por njeri epikurian, miqësor dhe liberal, mik
dhe mbrojtës i djemve dhe vajzave shqiptare që aspironin kulturën, shefi i
shkrimtarëve shqiptarë nën diktaturë për dy dekada radhazi por çuditërisht edhe
ai me vepra të ndaluara, shkrimtar i glorifikuar dje por i kritikuar edhe ai për
gabime ideologjike. Mbi të gjitha njeri dhe shkrimtar që asnjëherë nuk fabrikoi
alibi për të kaluarën e tij prandaj mbetet një mik i sinqertë i shqiptarëve, i mirëpritur
e i vlerësuar dhe sot nga kolegët dhe kritika. Sipas mendimit tonë, tri shenjat
kryesore mbi të cilat Dritëro Agolli ka projektuar veprën e vetë janë Njeriu,
Ideologjia dhe Natyra. Në veprën e tij këto shenja dhe derivatet e tyre
kulturore janë shndërruar në kulte, në burime parësore frymëzimi, në referenca apo
kategori të fuqishme praktike shkrimi. E gjithë krijimtaria e tij inicohet dhe
zhvillohet nën trysninë natyrale të këtyre kulteve por kulti i natyrës dominon
mbi dy të parat aq sa shumë herë i pakënaqur nga prapësitë e Njeriut dhe zhgënjimet
Ideologjike i drejtohet Natyrës, të vetmit kult, tek i cili gjen ngushëllim dhe
paqe.

Natyra,
mitra e veprës letare të Agollit

Ka
një lidhje organike mes poetit dhe natyrës aq sa mund të themi se natyra është
mitra e veprës letare të Agollit, sepse për të natyra është zanafillë, kult dhe
muzë, një kusht për krijim dhe destinacion përjetimi, një kategori e pangjashme
me asgjë tjetër. E frymëzuar nga principet më të larta të njerëzimit dhe të
botës shqiptare, nga humanizmi dhe dashuria për të ngjashmin e për tjetrin, atdheun,
historinë, gjuhën shqipe, truallin dhe këngën shqiptare, për doket dhe zakonet
e mrekullueshme etnike, vepra e Agollit reflekton dhe realizon estetizimin e
ndjenjave më të larta të shpirtit njerëzor deri edhe estetizimin e botës rurale
shqiptare; baltës, pyjeve, maleve, fushave, kafshëve dhe shpendëve të cilat i
kthen në shenja domethënëse e përfaqësuese të qytetërimit tonë të vjetër e të
ri. Në veprën e tij manifestohet
qartë fakti se ai është një krijues i lirshëm, i pjekur, i matur me fjalën dhe
mendimin, i kujdesshëm ndaj vlerave etiko-morale kombëtare e universale, ndaj
hapësirës kulturore shqiptare, përfshirë dhe natyrën. Tek krijimtaria e Agolli,
në prozë dhe në poezi, mbizotërojnë dashuria e pakufishme për zakonet, psikikën
dhe kulturën e veçantë shqiptare, respekti për brezat e shkuar, gjyshërit e
baballarët, nderimi e adhurimi ndaj kulturës materiale e shpirtërore të krijuar
në shekuj prej tyre. Shquan dhe spikat dukshëm nderimi që ai ka për
marrëdhëniet e të parëve të tij me natyrën, bujarinë dhe mistikën e saj.  Ky nderim e bën atë udhtar të përjetshëm të
viseve arbërore, shtegtar të natës dhe të ditës, ndryshe nuk mund të bëhej poet
modern i tokës shqiptare, i plisit dhe ugarit, poeti i fshatit dhe fshatarit që
rron me natyrën, në gjirin e së cilës gjen harmoninë e vërtetë sociale.
Dritëroi ynë është një këngëtar i thjeshtë i botës bimore e shtazore, adhurues,
deri në njësim, i kafshëve shtëpiake, sidomos i kuajve, të cilët i ka kthyer në
një ikonë. Ndërkaq Agolli është promovues i sfondit industrial e
tekniko-shkencor por dhe rikrijues origjinal e modern i arketipit njeriunatyrë.
Vendlindja, fëmijëria e kaluar në hapësirë rurale, kënga popullore e
lindur mes qiellit dhe tokës, gjyshja vjershëtore, janë disa nga faktorët dhe
burimet që mbrujtën njeriun dhe krijuesin që adhuron natyrën dhe e përdor atë
në funksion të frymëzimit dhe artit të vetë. Mes natyrës dhe këngës popullore Agolli
kreu shkollën fillestare artistike dhe këto dy entitete arketipale ndoshta janë
shkaqet më të dukshme që formësuan karakterin e tij krijues. Duke folur për
këtë moment të rrugëtimit kulturor, vetë ai shprehet se, “Unë erdha në poezi
nga kënga popullore. Pastaj hyra në libra. Poezinë popullore, përrallën,
humorin dhe kulturën popullore nuk e mësova, por e jetova…”. Pas kësaj faze,
kohë më vonë erdhën leximet, letrat, doktrinat dhe filozofitë, sidomos bektashizmi,
Naimi i madh, Rusoi, Rumiu, Bërnsi, Uitmani, të gjithë anëtarë të klubit
panteist. Por Agolli kishte një arsye më shumë për të qenë i tillë, për të qenë
panteist. Ishte ateist dhe panteizmi në këtë kuptim është pak a shumë një formë
dinake e ateizmit. Në mungesë të një apo disa perëndive që duhet të adhuronte
atij i duhej të shpikte një të tillë për të qenë korrekt shpirtërisht edhe
estetikisht. Ndodh rëndom tek
artistët që bota të shtrembërohet për hir të një emocioni njerëzor apo vetë emocioni
të marrë formën e një elementi të saj. Kështu që kulti panteist i natyrës,
erdhi dhe u bë për Agollin një gjendje karakteriale, emocionale dhe artistike.

Njëlloj si panteizmi edhe vepra
letrare e tij është një sistem që reflekton ndërgjegjësimin dhe besimin në
forcën e jetës dhe forcën e elementeve të thjeshta të natyrës. Prandaj
krijimtaria e Agollit dominohet nga krahasimi, personifikimi, animizmi, antropomorfizimi,
zoomorfizimi dhe estetizimi, përmes të cilave na propozon të besojmë atë që ai
vetë e beson: se natyra dhe objektet natyrore kanë shpirt pse jo edhe vetëdije.
Për Agollin të gjitha këto koncepte ushqejnë një modul mendimi: nëse ka perëndi
jeni të lirë ta besoni, nëse s’ka atëherë natyra duhet nderuar si një e tillë
sepse përfaqësn kozmosin dhe rruzullin tokësor. Panteizmi është një doktrinë
fetaro-filozofike e përdorur gjerësisht nga një grup poetësh të cilët mendonin
se Zoti është kudo në natyrë, se Universi (Natyra) dhe Perëndia janë identike.
Ata nuk besojnë në një zot personal, antropomorf apo krijues. Në këtë grup
krijuesish të shquar si Rumi,
Coleridge, Ëordsëorth, Kijts, Taylor, Shell e Uitman bën pjesë edhe Dritëroi ynë. Në
veprën e secilit prej tyre natyra është një motiv i shpeshtë, një kryetemë, një
instrument poetik me të cilën identifikohen dhe përdallohen. Bota e gjelbër e
Agollit, bota e gjethit, e cicërimave dhe blegërimave është bota e vërtetë, e
shëndetshme, plot dritë dhe muzikalitet, harmonioze. Në krijimtarinë e tij në
saj të koncepteve antropomorfizuese dhe zoomorfizuese, pulëbardha ka të drejtë
të bëhet pjesë e familjes njerëzore, cjapi të kthehet në intelektual dhe
akademik, deputet dhe ministër, keci mund të vizitojë pallatin e shkrimtarëve,
(pse jo dhe Akademinë e Shkencave), macja të jetë një vajzë me zemër të
pikëlluar, mëzi patjetër duhet të jetë një djalosh sqimatar, plepi, pisha dhe
pika e ujit të shndërrohen në balerinë, lopa të shpallet mis etj. Ndërkaq vetë
poeti mund të shndërrohet në pëllumb, pulëbardhë e veçanërisht në një kalë. Sipas
poetit tonë të shquar, kjo është republika e natyrës, shteti i natyrës, ku
njeriu dhe elementet e saj janë të barabartë dhe mund të këmbejnë vendet dhe rolet.
Në këtë pikë Agolli duket se i shkon pas aventurës panteiste dhe humaniste të
Rusoit i cili midis ekstremit brutal të kafshëve të egra dhe egërsisë së
qytetërimit dekadent, mes plogështisë së shtetit primitiv dhe botës egocentriste
moderne, zgjidhte, besonte dhe propozonte të parën.

Në gjurmët e Rusoit

Njëlloj si Rusoi edhe Dritëroi ynë e beson
këtë përfundim. Madje ka shkruar faqe brilante ku na tregon se natyra është një
terapi e shkëlqyer për përfaqësues të botës egocentriste. Një rast i tillë
gjendet në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, në pjesën me titull ‘Shoku
Zylo shkruan ese dhe eskize për të hequr mendjen nga andrallat: shoku Zylo është
zhvendosur nga republika e qytetërimit modern në republikën e natyrës, nga bota
e intrigës, thashethemit dhe arrivizmit në oazin e qetë të një fushe me jonxhë
dhe përballë një mëzi që lodron gjithë hare’. Zyloja dhe mëzi lodrojnë,
dëfrejnë, bisedojnë, janë të dy të barabartë, njomëzak dhe të pafajshëm. Në
këtë pjesë të romanit, si në asnjë rast tjetër, Zyloja është një njeri i
vetmuar, larg katrahurës së kryeqytetit, zyrës, problemeve, xhelozive dhe
andrallave të karrierës. Kjo është proza e Zylos lirik, e mëzit lirik dhe e
jonxhës lirike, proza e harmonisë së kozmosit personal dhe natyrës. Veprimet e
tij fizike dhe gjendja shpirtërore kondicionohen nga mëzit. Deri sa është në
gjirin e natyrës ai është njeri normal. Për këtë lexuesi habitet dhe sheh një
Zylo pak a shumë normal, larg skemës: qëllime të mira – veprime e mjete të
gabuara, komike. Në fund të pjesës, aty ku zë fill degradimi i Zylos, pela dhe
mëzi zhduken, nuk janë më. Këtu ndryshon ritmi i prozës, i Zylos, pelës dhe
mëzit. Të gjitha elementet e tjera: fusha, jonxha, tërfili, misrat, shalqinjtë,
pjeprat, kanalet, qielli, janë aty, por jo pela dhe mëzi. Janë larguar që të
mos asistojnë në uverturën e rënies së Zylos. Një aspekt shumë i rëndësishëm i
veprës së Agollit, në funksion të çështjes që diskutojmë (kultit të natyrës)
është leksiku rural (pastoral). Ky aspekt meriton një studim të gjerë e të
thellë. Por paraprakisht mund të përmendim 10 grupime të mëdha fjalësh:
leksiku
që lidhet me tokën dhe ujërat; leksiku i bimëve dhe drurëve natyror; leksiku i
bimëve dhe drurëve të kultivuara; leksiku i që lidhet me rrugën dhe relievin; leksiku
që lidhet me shtëpinë si objekt banimi dhe territorin rreth saj; leksiku i
orendive shtëpiake; leksiku i veglave të punës; leksiku i kafshëve dhe
shpendëve shtëpiakë; leksiku i kafshëve dhe i shpendëve të egra dhe leksiku i
insekte të gjithfarëllojshme. Në historinë e letërsisë shqipe, pas N. Frashërit,
D. Agolli është autori që aplikon në poezinë e tij gjithë florën dhe faunën e
botës shqiptare, gjithë bagëtinë dhe bujqësinë e saj.

Vazhduesi
i Naimit

Ashtu
si Naimi edhe Agolli është një poet këmbësor që udhëton dhe shtegton në male,
fusha, kodra, përrenj, pyje, lëndina. pikturon portretin e atdheut me
virtuozitet, dashuri dhe respekt. Në epiqendër të këtij leksiku është njeriu,
fshatari shqiptar i paraqitur si etnitet dhe cilësi kombëtare. Duke ditur se
fjalori rural ishte përdorur rëndom dhe në mënyrë defektoze, në poezinë e
viteve ’50, Agolli rrezikonte të binte në monotoni leksikore. Por nuk ndodhi
kështu për shumë arsye, të cilat duhen studiuar më thellë, por arsyeja
kryesorja është se Agolli zgjeroi dhe modernizoi fushën tematike dhe semantike të
leksikut rural duke iu shmangur rrezikut të konvencioneve leksikore të poezisë
paraardhëse, rutinës dhe shabllonizmit të emërtimit të drejtpërdrejtë të
realitetit.Për të kuptuar më qartë modernitetin e këtij poeti në fushë të
leksikut, shqyrtojmë, p.sh., fjalën dhe-në, përdorur nga autori në vargun ‘Ky shkencëtar që njihte dhenë’, në poemën “Poemë
për babanë dhe për vete”. Edhe poeti ynë i madh Naim Frashëri e përdor këtë
fjalë në poemën “Bagëti e Bujqësi”, konkretisht në vargun: Qiellin e zbukuruar,
dhenë me lule e me dritë. Duke krahasuar përdorimin e kësaj fjale në vargjet e
dy poetëve tanë, vihet re se, në rastin e Naimit, fjala dhe-në përdoret me
kuptimin e drejtpërdrejt, domethënë kjo fjalë shenjon koren e rruzullit
tokësor, një pjesë të saj, vendin ku lëvizin e jetojnë njerëzit. Këto kuptime
të tilla i jep me saktësi “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”[1],
rreth 9 kuptime të para, të drejtpërdrejta dhe 20 apo 25 kuptime të dyta,
figurative. E reja leksikore në rastin e përdorimit të kësaj fjale nga Agolli
është se ai e zgjeron fushën leksikore dhe semantike të fjalës dhe-u-në. Në
vargun e cituar nga poema, kjo fjalë ka një ngarkesë kuptimore të tillë: ai
njihte dhe-në, domethënë jo thjesht tokën, koren e tokës apo një pjesë të saj,
por njihte botën, shoqërinë njerëzore dhe jetën, ligjësitë, funksionimin dhe të
fshehtat e tyre, tamam si një shkencëtar. Ky është panteisti ynë, Dritëroi ynë.
Kemi filluar t’i drejtohemi kështu, herë për arsye të krenarisë së ligjshme që
ndjejmë për të, herë për shkak
të idesë sonë meskine pronësore e (sh)përdoruese dhe herë për shkak të frikës,
se ai, një ditë të bukur, mund ta braktisë grigjën tonë zevzeke, të shndërrohet
papritmas në një kalë dhe të zhvendoset në republikën paqësore të kuajve, (të
natyrës), siç na ka paralajmëruar, qysh në shekullin e kaluar, me vargjet e
poezisë ‘Dobësia ime për kuajt’:

“Sikur të
ndodhin në jetë mrekullira/Që njeriu të kthehej në një qenie tjetër të gjallë/ Dhe
mua të më pyetnin se ç’dëshiroja të isha/Unë sigurisht do përgjigjesha: kalë!…”
[2]

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


[1] “Fjalori i gjuhës ë sotme shqipe”,
Akademia e shkencave, botimi i parë, Tiranë, 2000, f. 399-400

[2] D.
Agolli, Udhëtoj i menduar, bot. “Naim
Frashëri”, Tiranë, 1985, f. 168.