Dritan Borshi: KQZ hap thesin, 3 miliardë lekë për 12 parti

567
Ja si janë ndarë 2.9 miliardë lekë për 12 partitë politike parlamentare e jo parlamentare, PS 1.1 miliardë, PD merr 872 milionë lekë
KQZ “gostit” 12 parti me 2.9 miliardë lekë për fushatën 2017, nuk u jep pensionet invalidëve
Ndërkohë që FMN. la dje si ultimatum ndaj qeverisë “Rilindja”, detyrën për kujdesin ndaj financave kombëtare, për të mos thelluar gropën e zezë borxheve që ka lënë Shqipërinë “kolateral” fajdesh e bankash nëpër botë, qeveria lejon Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të “hapë thesin” e të shpërndajë taksat e shqiptarëve për propagandë elektorale të partive politike në zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. KQZ, me një vendim të marrë dje, ka akorduar 290 milionë lekë të reja ose më saktë 2.9 miliardë lekë. Ua ka dhënë si “dhuratë” 12 partive politike, si atyre që kanë dhe atyre që s’kanë deputetë në parlament, që kanë e që s’kanë anëtarë por vetëm kryetarë e sekretare! Këto miliarda me vlera sa 3 shkolla 9 vjeçare, janë nxjerrë nga buxheti i shtetit, që realisht janë taksa të popullit ose bizneseve apo borxhe, të cilat paguhen prej shqiptarëve! Këto miliarda të dhëna për fushatën elektorale të partive në zgjedhjet e 18 qershorit 2017, janë një çmenduri, mbasi shteti shqiptar që nuk ka lekë të mbajë me një kafshatë bukë as pleqtë e azileve, apo jetimët, apo që nuk ka lekë as të paguajë as 30% të trajtimit shëndetësor të fëmijëve me aftësi të kufizuara, çuditërisht jep 2.9 miliardë lekë për mitingjet e partive kryesore, por edhe për partitë kukulla që nuk kanë anëtarë as pjesëtarët e familjeve të tyre e që nuk votohen as nga bashkëshortët dhe fëmijët e tyre! Bëhet kjo çmenduri 2.9 miliardësh, kur në rafinerinë e Naftës në Fier, 150 minatorëve nuk u jepen 19 milionë lekë paga të 4 muajve, kur nuk u paguhen sigurimet shoqërore. Kur në azilet e pleqve nuk pranohen me të moshuar të braktisur, mbasi qeveria nuk shton dot edhe 5 milionë lekë supë në muaj, kur qendrat sociale nuk financohen as me 1 milionë lekë në muaj, por dalin e lypin ushqime e batanije nëpër biznese! Kur në qendrat shëndetësore të zonave, nuk çohen as 10 mijë lekë shiringa e aspirina, sepse i përpijnë tenderët e kupolës së ministrisë. Ndodh kështu, kur familjeve me ndihmë ekonomike nuk po u jepet lëmosha mujore! Mirëpo u jepen miliarda partive që të mbajnë mitingje me premtime false, shumica e të cilave nuk japin asnjë shpjegim se si i konsumojnë këto miliarda që marrin prej buxhetit të shtetit ose që nuk i kthejnë përsëri kur nuk marrin as votat e familjarëve të tyre! Dhe kjo çmenduri justifikohet me Ligjin “Për partitë politike”, sipas të cilit hapet thesari i shtetit e ju jepen miliarda krerëve të partive politike për të na mashtruar në fushata! Sipas këtij ligji, 70% e fondit të parashikuar si mbështetje financiare për partitë, shpërndahet sipas numrit të deputetëve që partitë politike kanë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar; 20% e fondit ndahet në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 %, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 % të votave në shkallë vendi.
Ja si janë ndarë 2.9 miliardë lekë për 12 partitë politike parlamentare e jo parlamentare 
1. Partia Socialiste e Shqipërisë 112.453.783 lekë
2. Partia Demokratike 87.274.533 lekë
3. Levizja Socialiste për Integrim 31.405.453 lekë
4. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 11.474.913 lekë
5. Partia Republikane Shqiptare 10.122.643 lekë
6. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 6.304.503 lekë
7. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë 6.304.503 lekë
8. Fryma e Re Demokratike 5.326.333 lekë
9. Partia Demokracia Sociale 4.833.333 lekë
10. Partia Socialdemokrate 4.833.333 lekë
11. Partia Demokristiane e Shqipërisë 4.833.333 lekë
12. Aleanca Kuq e Zi 4.833.333 lekë
Sigal