Drejtësia në udhëkryq

54
Nga Vasil Bendo

Janë mbushur më shumë se katër vite, kur në mënyrë të “kamufluar”, të “spërdredhur”, “jopublike”, “fshehur”, “ta hodha, ma hodhe” u ftillua mendimi progresiv për një reformë të thelluar në drejtësi dhe modernizimin e politikës ligjvënëse të vendit, nën presionin e vazhdueshëm ndërkombëtar. Koha kaloi, hapat u shtuan nga muaji në muaj dhe publiku filloi dalëngadalë të kuptojë se nuk bëhej fjalë për një reformë kalimtare. Bëhej dhe bëhet fjalë për reformën kushtetuese më të thellë të të gjithë historisë ligjvënëse 70-vjeçare të shtetit shqiptar. Them 70 vjet sepse reforma e parë e pasçlirimit të vendit është bërë në vitin 1946, e dyta në vitin 1974, e treta në vitin 1991, e katërta në vitin 1994, e pesta dhe e fundit në vitin 1998. Janë hedhur edhe disa “mballoma-ndryshime” gjatë këtyre 18 viteve të fundit që më shumë e kanë përkeqësuar sesa e kanë përmirësuar regjimin kushtetues të vendit tonë, sidomos ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 por edhe ato të mëvonshme. Po ashtu, po mbushen dy vite dhe ekzekutimi i reformës së dekriminalizimit të tri pushteteve kushtetuese në vend, Kuvendit, Gjyqësorit, Ekzekutivit si dhe administratës publike të lartë e vendore shqiptare nuk po përfundon, megjithëse ligji “sipërfaqësor” kushtetues dhe akti kuvendor janë miratuar. Por, kush mundet dhe duhet ta ekzekutojë këtë reformë? Klasa politike aktuale ka një objektiv afatshkurtër: “Mos na prekni derisa të pastrojmë të zezat tona mbi popullin shqiptar, mos u merrni me krimet tona, mos u merrni me pazaret dhe paratë tona të pista, mos u merrni me bizneset tona të dyshimta që na futën në politikë. Na lejoni t’ia hedhim edhe kësaj here deri në largimin normal nga politika pa gjemb në këmbë. Na lejoni, o njerëz të thjeshtë dhe të varfër shqiptarë, të shfrytëzojmë mekanizmat politikë që i zotërojmë në kurrizin tuaj, t’i përdorim për interesat tona, të pastrojmë dhe të ruajmë pasuritë tona të vëna në mënyrë të kundërligjshme. Të dalim pa lagur nga kjo luftë e pashembullt që na kanë shpallur ndërkombëtarët për korrupsion penal, politik, privat, moral dhe kriminal”. Turpi është i zotërinjve politikanë shtetarë dhe ish-shtetarë, por kurrsesi nuk është turpi i popullit tonë të thjeshtë dhe drejtësidashës. Ndërkombëtarët kanë rënë, bien dhe do të vazhdojnë të bien në grackën politike shqiptare e cila paramendon disa strategji të vobekta zhvillimi: “Të shtyjmë sa më tepër reformimin e shtetit tonë për aq kohë sa të mos na hyjë asnjë gjemb në këmbë për asnjërin prej nesh, për aq sa kohë jemi në pushtet! Të shpëtojmë neve sot dhe pastaj le të ndodhë përmbysja nesër! Të ndodhë e çfarë të ndodhë sot, të jemi zot politik sot dhe, të ndodhë e çfarë të ndodhë nesër kur nuk do të jemi në pushtet!.Të pengojmë reformimin shtetëror sot për fajet tona të së djeshmes dhe, të shohim çfarë del për të përfituar në të ardhmen, kur të ri-vijmë në pushtet !”. Këto janë katër parime antikombëtare që implementojnë në vendin tonë tri partitë politike pushtetmbajtëse, janë katër pazare që rëndojnë mbi kurrizin popullor, janë katër qëllime që zhysin në varfëri njerëzit e thjeshtë shqiptarë në ardhmërinë e tyre duke shfrytëzuar mandate dhe pushtete të rrjedhur nga një sistem politiko-zgjedhor jo vetëm të pa përshtatur me standardet e qytetërimit evropian por të pa përshtatur edhe me specifikat politike të vendit. Populli i zgjuar shqiptar që shumëkush e quan “lopçar” do të thotë ndershmërisht: “Po më pyete, të jap përgjigje”. E pra, ti si politikë shqiptare dështove, sepse përfitove në kurriz të popullit dhe u desh ndërhyrja ndërkombëtare për të ta sjellë mendjen në vend. Nuk ka rëndësi dështoi e majta apo dështoi e djathta shqiptare, rëndësi ka fakti që palët politike nuk bashkuan popullin në reformën e tyre të dështuar. Pse them reformë e dështuar? Për disa arsye që kompromentojnë strategjitë tona të zhvillimit kombëtar dhe të partneritetit ndërkombëtar. 

Së pari, tri partitë tona politike udhëheqëse nuk kanë sinqeritet dhe ndershmëri në reformat shtetërore që propagandojnë; 
Së dyti, tri partitë tona politike udhëheqëse janë të zhytura në një llum moçalor aq të thellë sa nuk ka zot ti nxjerrë nga gjoli; 
Së treti, populli ynë konsiderohet nga politika si “mushkë” por populli nuk është “joprodhimtar”, ne pjellim dhe do të pjellim zhvillim kombëtar; 
Së katërti, pse nuk e pyet këtë popull që të ka bërë lider të tij? Ke frikë për humbje pushteti apo humbje të kredencialeve ndërkombëtare? 

Cilado qoftë nga këto arsye të dështimit të reformës shtetërore, ka një fund të këndshëm dhe një fund të pakëndshëm. Fundi i këndshëm është që reforma kushtetuese e ndërmarrë tashmë prej dy vitesh të përfundojë me një votim numerik trafikor në një parlament të trazuar me deputetë jo përfaqësues të drejtpërdrejtë të zgjedhësve. Fundi i pakëndshëm është pazotësia e politikës shqiptare për të bërë një reformë të domosdoshme dhe të detyrueshme që të ndërgjegjësojë të gjithë qytetarët shqiptarë për vetë reformimin e tyre. Reformat e thella shtetërore mund të kryhen vetëm nëpërmjet një ndërgjegjësimi të përgjithshëm popullor dhe jo akteve politike ndërpartiake të paramenduara. Reformat nuk kanë data dhe afate ultimative për t’u kryer, ato mund dhe duhet të kenë programime dhe parashikime afatgjata të zhvillimit kombëtar. Të gjithë duhet të dimë se parimisht vendos populli dhe jo politika që ai pjell nga tifozllëku i sëmurë politik dhe trashëgimia e kaluar politike. Gjatë gjithë kësaj periudhe të fundit mbi 27-vjeçare të zhvillimit të vendit tonë, e quajtur si periudha e “demokratizimit”, fatkeqësisht jemi drejtuar nga “kukulla politike” të vendosur nga “kukulla politike”. Kanë ardhur, kanë ikur, kanë ri-ardhur, kanë ri-ikur, padyshim, pothuajse të gjithë që kanë hipur dhe zbritur në pushtet kanë pasur një qëllim: “Rrëmbe, përla, shfrytëzo sa të mundësh, për brezat pasardhës mos mendo”. Njerëzit e brezit të ri dhe të mesëm shqiptar sot nuk dinë ku janë dhe ku do të shkojnë, janë të dëmtuar civilisht, moralisht, mentalisht dhe materialisht nga “kukullat” tona drejtuese. Ka ardhur një kohë që të fillojmë të mendojmë seriozisht për njerëz drejtues seriozë, të ndershëm, profesionalë, të besueshëm, socialë, të ngrohtë, të njohur, të respektuar. Neve nuk na duhen njerëz që marrin votën tone dhe hipin në makinë, e pastaj na kthejnë krahët apo na mbyllin celularët. Neve na duhen njerëz sa më tepër popullorë, sa më shumë të lidhur me votuesit, na duhen deputetë qe na njohin dhe i njohim, na duhen deputetë “live”. Deputetët e listave partiake ja fusin jo vetëm votuesve shqiptarë, por edhe atyre që i vënë në listat e mbyllura zgjedhore, këta deputete shit-blihen. Sistemi aktual zgjedhor largon zgjedhësit nga qeverisja e vendit, prandaj larg listave, larg cubave, larg mashtruesve, larg “kukullave” që pastrohen me mandate të pamerituara dhe të vjedhura padrejtësisht nga populli. Ka ardhur një kohë kur ne duhet të ngremë kokën tonë dhe ti themi Evropës: “Edhe ne dimë të vetë-asistohemi por na ndihmoni të jemi të standardizuar”. Nuk ka asnjë dyshim për votën popullore rreth vetë-reformimit shtetëror por duhet vullnet dhe guxim politik ti thuash njerëzve: “Më besoni mua apo jo? Kam punuar mirë apo keq për ju? Të vazhdoj të punoj për ju? T’i bëjmë këto reforma apo të rrimë në vendnumëro? T’ia lemë vendin opozitës t’ju drejtojë apo ta mbaj unë pushtetin?”. Kjo është ndershmëria e drejtimit politik dhe kjo është e mundshme të zhvillohet në çdo kohë në republikën tonë të brishtë parlamentare. Gjithmonë, kurdoherë, kur preken interesat e shtetasve nëpërmjet reformave madhore shtetërore, njerëzit pyeten me referendum mbarëpopullor. Përndryshe ata do kërkojnë atë për çfarë nuk i pyet, do bëjnë gjyqin ndaj politikanëve drejtues, do vendosin me votën e tyre drejtësinë popullore dhe politikën udhëheqëse, por kjo nuk do të jetë mënyra më e mirë e politikës drejtuese reformative në vend. Prandaj, ka kohë akoma për thirrjen e popullit në pjesëmarrjen në reformimin e drejtësisë dhe qeverisjen e vendit. Reformimi i drejtësisë bëhet së bashku me popullin që e mbart në kurrizin e tij të kërrusur varfërinë që rrjedh prej paaftësisë dhe korrupsionit të kahershëm të politikës që e udhëheq. Reformat kushtetuese bëhen te harmonizuara politikisht, teknikisht dhe publikisht. Natyrisht, ka koordinatorë kombëtarë dhe asistues ndërkombëtarë që nuk kanë munguar, përkundrazi kanë dhënë maksimumin. Pse nuk bëhen këto reforma themelore që vetë-reformojnë sistemin e drejtimit të shtetit demokratik shqiptar? Ka një përgjigje, por ajo është tepër rrëqethëse. Dy apo tri palët politike komanduese në vend duan të shpëtojnë nga përgjegjësitë ndaj popullit të tyre të tej varfër. Ato duan të dalin të “pa lagura” nga “gjëmat shkatërruese” që i kanë bërë këtij vendi të varfër. Të jenë të sigurta se nuk shpëtojnë sepse e drejta gjithmonë triumfon pavarësisht valëvitjeve të drejtimit të ndryshueshëm politik të vendit. Si po manovrojnë palët politike për t’u shmangur nga përgjegjësitë e tyre? Shumë thjesht. Herë njëra palë nxjerr një sebep me demek parimor dhe pala tjetër e kundërshton. Në vazhdim, pala e dytë sfidon duke hedhur një sebep tjetër që e di shumë mirë që pala e parë nuk e pranon. Procesi “ngec”. Te dy palët pranojnë në heshtje “ngecjen”. Me sa duket kështu do të vazhdojmë, “ngecja njëra-tjetrës, ta shtyjmë së bashku paqësisht, të mos na hyjë gjemb në këmbë, prit gomar të mbijë barë”. Kur do te mbijë bari? Bari do të mbijë kur ne të ndërgjegjësohemi dhe të ndërgjegjësohemi në vetë-ligjvënie dhe vetëqeverisje.