Drejtësia dhe ekspertët e pavarur

961
Nga Miltiadh M. MUÇI

Drejtësi, ekspertimi i pavarur ligjorë nga “specialistë” jo ligjorë
Me ndryshimet politike të vitit ’90 pritej të ndodhnin edhe ndryshimet juridike, në sistemin dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë, të prokurorisë e gjykatës, për të qenë sa më të pavarur nga strukturat e tjera të shtetit, legjislativë dhe ekzekutivë. Edhe pse kaluan 27 vjet diskutohet për reformat në drejtësi, midis të tjerash për ndryshimet në legjislacion, sidomos atij procedurial penal. Reforma më e fundit ne sistemin e drejtësisë “nisi me disa ndryshime në legjislacionin e së Drejtës Penale e Civile, për të cilat edhe pse nuk u kërkua aspak mendimi i ekspertëve të fushës së kriminalistikës, të mjekësisë, të sigurisë rrugore, etj, të cilat janë më të kërkuarat për prokurorët e gjyqtarët, në proceset e ndryshme penale dhe pse jo për çështjet civile, ekspertët e pavarur vazhdimisht janë treguar më të interesuarit, dhe kanë kërkuar që veprimtaria e tyre të mbështetet në ligj të veçantë, sikurse veprimtaria e avokatëve, noterëve e përmbaruesve. Ajo qe ka ndodhur me ekspertimin jo vetëm ka cenuar pavarësinë e ekspertëve, por nga prokuroria dhe sidomos gjykata me këtë cilësi thirren specialistë të fushave të rëndësishme, të pa përgatitur posaçërisht me njohuri të domosdoshme të së drejtës penale apo civile, sidomos të veprimeve në vendin e ngjarjes, të kërkimit, zbulimit, marrjes e shfrytëzimit të gjurmëve e prova materiale, të dokumenteve, etj. Për t’u bërë pjesë e diskutimeve dhe ndryshimeve në sistemin e drejtësisë, për t’u shkëputur nga sistemi i kaluar juridik i kontrolluar nga politika apo shteti ose pushteti, ekspertët e pavarur morën nismën dhe përgatitën draftin për “Ekspertimin e Pavarur Ligjor”, të të gjitha fushave të ekspertimeve më të kërkuara nga prokurorët e gjyqtarët dhe kapitullin “Mbi ekspertimin” në Kodin e Procedurës Penale dhe Civile. Qëllimi i ligjit të veçantë është se do të garantojë paanë- sinë e mendimit të ekspertit të pavarur nga të strukturave shtetërore, do të zhvillojë veprimtarinë të mbështetur në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale e Civile, në këtë dhe çdo ligj tjetër që lidhet me Ekspertimin e Pavarur, të institucionalizuar. Ndërsa objekti i ligjit është të përcaktojë mënyrën e funksionimit të Ekspertimit të Pavarur, të organizimit të veprimtarisë së ekspertit të pavarur, kriteret që duhet të kenë personat që do të ushtrojnë profesionin e ekspertit të pavarur, statusin me të drejtat dhe detyrimet, detyrat dhe përgjegjësitë, masat disiplinore, tarifat e marrë- dhëniet me strukturat e institucioneve shtetërore, me subjektet fizikë e juridikë privatë. Përgatitja e projekti është mbështetur në përkufizime e nocione mbi kuptimin e ekspertit dhe ekspertimit, të ligjit e veprimtarisë ligjore, të pavarësisë, institutit dhe institucionalizimit që rrisin vlerat shkencore juridike të tyre. Pjesë të rëndësishme, të domosdoshme, të ngutshme të ligjit janë dhe dispozitat që kanë të bëjnë me fushat e zbatimit, mënyrën e funksionimit, subjektet e Ekspertimit të Pavarur Ligjor, statusin ligjor e papajtueshmërinë, të cilat edhe pse janë të parashikuara pjesërisht në dispozita të veçanta të Kodit të Procedurës Penale apo Civile, nuk e kanë “forcën” apo detyrimin ligjor, sepse ekzistojnë si fragmentare dhe jo të lidhura ngushtësisht në tërësinë e tyre, të kërkesave ligjore të ekspertimit dhe të atyre që e ushtrojnë, pra të Ekspertëve të Pavarur Ligjor. Prandaj në Ligjin për Ekspertimin e Pavarur janë parashikuar dispozita të tjera të detyrueshme si veprimtari që duhet të kryhen, të: këshillimit ose konsulencës; informimit, njohjes e studimit të materialeve që paraqiten; ekzaminimit dhe ekspertimit të materialeve të paraqitura; përgatitjes së aktit të ekspertimit pasi eksperti të ketë arritur në konkluzionin përfundimtar; të përgatitjes së tabelës fotografike si metodë ekzaminimi apo ekspertimi, njëkohësisht ilustrimit të aktit të ekspertimit kur është e domosdoshme; këqyrjes së vendit të ngjarjes, të dokumenteve, të provave materiale kur thirret nga gjyqtari, prokurori, përfaqësuesi ligjor, personi fizikë ose juridikë privat; rindërtimit ose të vendit të ngjarjes dhe eksperimentimit hetimor, kur kërkohet nga gjyqtari, prokurori, përfaqësuesi ligjor e të tjerë; të çdo veprimi tjetër të kërkuar për njohuritë, metodat, mjetet e shkencës, të teknikës dhe fushave të tjera të veçanta. Mjaft të rëndësishme janë dispozitat që kanë të bëjnë me licencimin ku Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Ekspertimit të Pavarur Ligjor është autoriteti që i jep licencën personit që kërkon të ushtrojë veprimtarinë si ekspert i pavarur, në përputhje me rregullat funksionale dhe organizative të ligjit. Asnjë person nuk mund të fitojë titullin, as të ushtrojë funksionin si ekspert i pavarur, pa u pajisur me licencën përkatëse të Këshillit Drejtues. Për këtë personi do të plotësojë kushtet e licencimit: të jetë shtetas shqiptar; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; arsimimin e lartë sipas fushës së ekspertimit; eksperiencë pune me pagesë të paktën 5 vjet në fushën që do të ushtrojë; të ketë punuar për dy vjet asistent; të të mos ketë qenë i dënuar për çfarëdo vepër penale me vendim të formës së prerë. Këto kërkesa janë të domosdoshme për fushat më të kërkuar të ekspertimit nga prokurorët, gjyqtarët, subjektet juridikë e fizikë, si të ekspertimeve kriminalistike, mjekësore, sigurisë rrugore, vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, elektronike etj, pasi t’i jenë nënshtruar provimit të kualifikimit para komisioni të vetëm, i përbërë nga specialistët më të mirë të këtyre fushave të ekspertimit, në bashkëveprim dhe përkujdesjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë. Eksperti i Pavarur Ligjor fitues, vetëm pas zhvillimit të provimit regjistrohet me kërkesë të tij, në regjistrin e ekspertëve të pavarur, të gjykatës dhe prokurorisë. Së fundi, kërkesa me rëndësi të dispozitave për Ekspertimin dhe Ekspertët e Pavarur Ligjorë janë edhe ato që kanë të bëjnë me kualifikimin dhe përgatitjen në vazhdimësi për ushtrimin e profesionit të ekspertit të pavarur, programet për përgatitjen dhe trajnimin profesional në vazhdimësi të ekspertëve të pavarur. Kurrsesi nuk mund të jetë e pranueshme që eksperti i pavarur i kujtdo fushe të ekspertimit ligjor, të mos këtë njohuri të domosdoshme të legjislacionit, në veçanti të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale apo Civile, të metodave dhe rekomandimeve teknike, taktike e metodike kriminalistike. Vetëm nëpërmjet këtij ligji do të kemi ekspertë të pavarur ligjorë dhe jo “specialistë” jo ligjore.
Sigal