Dr. Vasfi Baruti: E pabesueshme, por e vërtetë!

E pabesueshme: Që Qeveria Rama dhe Ministria e Arsimit të motivojë nxënësit e klasës së parë të shkollës 9-vjeçare të bëhen shkencëtarë, me lëndë të veçantë mësimore!; E pabesueshme, ama e vërtetë: është po ministre Nikolla përgjegjëse që në klasën e parë të kësaj shkolle zhvillohet lënda “Dituri Natyre 1”, dhe që në katër rreshtat e para motivon nxënësit: Si të bëshesh shkencëtar.

(Figura 1Preambula “Si të bëhesh shkencëtar”- një fantazi e shthurur deri në skajet fundore të saj.

 

 

Është konsideruar standard i ri cilësor futja e teksteve Perëndimore në arsimin para universitar. Kryeministri u pa të ishte në apogjeun e lumturisë, teksa raportonte në Kuvend për buxhetin e vitit të ardhshëm, për futjen në shkollë të tre teksteve alternative nga eksperienca e  universiteteve të shtypit Perëndimor (ata të Mbretërisë) dhe 15 teksteve të tjerë të këtij lloji në periudhën vijuese. I referohem tekstit “Dituri Natyre 1, 2015”, me autorë Terry Hydson, Alan Haigh, Deborah Roberts, Geraldine Shaw”, është tekst me ngjyra, me 107 faqe, me realizim shtypi tepër cilësor, i botuar nga “Botime Pegi”, sipas marrëveshjes me Oxford University Press për të njëjtin tekst me titull (në origjinal) “Oxford International Primary Science 1, 2014” dhe po ata autorë. Në referim nga botuesi i Oxford-it teksti është shkruar për moshat 5 - 6 vjeç (“Age 5 - 6”) dhe kjo grup moshë është me diferencë të madhe me ne: 5 - 6 vjeç fëmijët shkojnë në kopshte, kurse në shkollë nga mosha 6 vjeç, por në Britani, siç duket, është një situatë tjetër, që nuk munda ta njoh mirë. Pra s’dihet statusi i fëmijëve që mësojnë me këtë tekst: është një tekst masiv apo për fëmijë elitë, a diç tjetër. E nëse ai grup-moshe i fëmijëve të atjeshëm është i afërt me atë tekst, përndryshe ai është i huaj për nxënësit shqiptarë. “Dituri Natyre 1” ofron dy argumente, më të paktat.

 

Argumenti 1. Në kapakun e pasmë të tekstit, në mes të katër paragrafëve kujtues për mësues e nxënës lexohet edhe ky: “Ky libër është plot ... me hulumtime për ta bërë shkencën sa më praktike.” Por “Dituri Natyre 1” për fillim të faqes 2 feks me një “preambol” joshëse deri mahnitje intelektuale: “Si të bëhesh shkencëtar. Shkencëtarët studiojnë si funksionojnë gjërat. Ata përpiqen  të zbulojnë botën rreth nesh. Këtë e bëjnë me anë të kërkimit shkencor.” Vajmedet! Me shumë gjasa gjashtëvjeçarët në qytet e fshat teksa dëgjojnë mësuesen entuziazmohen apo shastisen! Dhe “preambula” vazhdon me hapat e nxënësve për t’u bërë shkencëtar: Diagrami ka të vizatuar gjashtë hapa të kërkimit shkencor:

“Filloj këtu. Unë pyes”; “Unë mendoj se ...”; “Unë mendoj se ...”; “Unë do të ...”; “Unë po kërkoj ...”; “Unë kam gjetur ...; “Kjo do të thotë që ...””/ (Figura 1)

      Tema “Rritja e bimëve” (f. 91) në fillim të faqes ka të shkruar me shkronja të dukshme: “Ideja kryesore. Në shkencë ne i matim dhe i regjistrojmë gjërat.” dhe autorët bëjnë edhe konstatimin për nxënësit: “Shkencëtarët nuk bëjnë vetëm matje dhe regjistrim të gjërave.” dhe u jepet detyra: “Rretho fjalët shkencore” dhe në një figurë lule janë shkruar fjalët: “vazo emërtoj krahasoj pica makina kafe”. Është një test përcaktues nëse rrethon apo vizaton dy fjalët shkencore për fitimin e “certifikatës” shkencore. Një marrëzi deri në absurditet- futja në shkollë e kësi kurrikula me kërkesa për t’i bërë vogëlushët gjashtëvjeçarë shkencëtarë, që ndofta as e kanë dëgjuar ndonjëherë si fjalë e as kuptimin s’ia dinë! Mësuesi/prindi ua kanë shpjeguar nxënësve/fëmijëve duke iu referuar fjalorëve gjuhësorë a enciklopedive apo sipas formimit të tyre, dosido! Sido të jetë, tash për tash juristët zënë vendin e parë, kurse në “Shqipëria e një gjenerate tjetër” shkencëtarët do të jenë në rend të parë, natyrisht pas Mbretërisë. Nga ata atje, lart e më lart, më vjen “mat” me një lëvizje: Është botim i Oxford University Press. Tani qepe! Ama është edhe postulati në përgjigjen të tyre: “Çdo gjë që shihet, nuk është ashtu siç duket.” E s’ka pedagogji, didaktikë, politikë, qeverisje, filozofi, të promovojë, nxisë, të gjithë nxënësit shkencëtarë; mundet një klasë, e shumta një shkollë e sprovuar me nxënës elitë për t’i futur në rrugën e shkencës. E pabesueshme, ama e vërtetë dhe merr jetë kurrikula e tekstit për t’i bërë vogëlushët shkencëtarë! Ama, “dale dale, se  s’kini parë gjë akoma”, argumenti 2.

 

Argumenti 2Në ditën e parë të fillimit të shkollës në shpirtin e fëmijëve gëlon gëzimi për abetaren, por në një nga ditët e javës së parë (Dituri Natyre bëhet një herë në javë) nxënësit kthehen në shtëpi me një gazim të padëgjuar ndonjëherë më parë: Do bëhem shkencëtar! Shkencëtare! Shkencëtar! [Ime mbesë, Aura: Gjysh ndërrova mendje, do bëhem shkencëtare...!] Dhe teksa hapin “Dituri Natyre 1”, në faqen 2, pushtohen nga tundim i madh shumë, ata (shumica) s’mund të lexojnë asnjë fjalë në tekst dhe kësisoj shëndeti mendor, moral, psikologjik i tyre plagoset, merr plagë të rëndë dhe dhimbja është më fort e dhimbshmja nga sa e njohim së jashtmi, me indiferencë. Përse? Teksti “Dituri Natyre” është me shkronja të vogla shtypi dhe mësimi i tyre për t’i shkruar e lexuar nis pas 15 tetorit! E pabesueshme, por e vërtetë: nxënësve teksti u kërkon të përgjigjen me gojë për pyetje e detyra të shumta dhe t’u përgjigjen me shkrim detyrave të tekstit, ama nxënësit s’dinë të lexojnë kërkesat e tekstit, po ashtu as dinë të përgjigjen me shkrim, përse? Sepse teksti është me shkronja shtypi të vogla dhe nxënësit s’i kanë mësuar ato, mësimi i tyre nis nga 15 tetori, siç thamë më parë! Por edhe sikur t’i kishin mësuar ato, tekstet e Dituri Natyre janë tepër të vështira për t’u përtypur nga nxënësit dhe këtë s’mund ta arrijnë as me mbarimin e abetares, në klasën e dytë po, por me vështirësi. Teksti u kërkon nxënësve përgjigje me gojë apo me shkrim, por nxënësit s’mund të përgjigjen pse për gati dy muajt e parë nuk njohin shkronjat, edhe kur i kanë mësuar ka vështirësi të tjera. Në Figura 2 para nxënësve shtrohet kërkesa: Gjej dhe rretho fjalët (f. 9). Është një lloj kriptogami në formë katërkëndëshi me 100 kuti dhe në secilën një shkronjë e alfabetit, thuajse të gjitha. A mund ta kryejnë këtë detyrë nxënësi, që s’ka mësuar asnjë shkronjë të vogël shtypi! Ose detyra e faqes 23, kërkesa në tabelë është shtruar gabim, për variablën pambuku!

      Problemi. S’ka pikë dyshimi se nxënësit s’mund ta lexojnë tekstin “Dituri Natyre 1” deri 15 tetor, kur nxënësit nisin që të mësojnë shkronjat e vogla të shtypit dhe kjo punë vazhdon afro dy muaj, por edhe paskësaj ata s’mund që s’mund të lexojnë mësimet e tekstit “Dituri Natyre” prej vështirësive në të lexuar e mësuar mësimet apo për të kryer detyrat me gojë e me shkrim dhe lënda mbetet formale, por duhet të shtojmë dhe argumentin absurd- për t’i stimuluar nxënësit me ushtrime e detyra  të shumta për t’u bërë shkencëtarë! Kjo lëndë është kot së koti dhe e vetmja rrugëzgjidhje është heqja fare e saj nga kurikula e shkollës. Problem është edhe se ç’do të bëhet me këtë lëndë vitin tjetër, pse të pamundurat për zgjidhje mbeten, një ekuacion i pazgjidhshëm. Nxënësit, që janë me mijëra, mësuesit po ashtu, po edhe prindërit mirëpresin një ndjesë publike nga Ministrja e Arsimit, Nikolla, për shqetësimet me brambullima nga “Dituri Natyre” dhe jo vetëm, siç jepen telegrafisht në vijim.

 

Argumenti 3[Në vijim të argumentit 1.] Kurrikula e Ministrisë mëton të gjejë dhe zgjidhjen e munguar për historiografinë tonë që s’po gjen ekuilibër, madje edhe më shumë rrëshqet me gjithfarë mënyra për të promovuar historinë politike partiake të së shkuarës që lamë pas, madje me firma Prof, Dr e emra të tjerë publikë. “Historia 4, 2015”, nga Albas, me botues Latif Hajrullai e Rita Petro, në kreun e parë nis me metodologjinë e studimit të historisë, edhe një kandidat për master sigurisht do të merrte një notë të mirë me ç’ka ai kre (kapitull) në 5 mësime: “Çfarë është historia? Pse e studiojmë historinë? Si të mësoj për historinë? Të punojmë si historianë. Matja e kohës, kalendarët e parë. Përse shërbejnë burimet historike? Çfarë janë burimet historike, llojet e burimeve historike, ku i gjejmë burimet historike. Historia gojore, çfarë është ajo? Hartat dhe si t’i lexojmë ato? Edhe për “baballarë” të historisë: Herodoti, Jul Qezari.. .” Një tematikë e pamundur të përtypet nga nxënësit, por edhe lënda e një temë mësimi do të të kërkonte afër 45’, kur mësuesi më mjeshtër vë në punë afër 20’ të orës së mësimit. [P.sh, tema “Çfarë është historia” ka tre faqe mësimi.]

 

Argumenti 4. [Rikthim tek argumenti “Dituri Natyre”, por këtu klasa 4.] Dhe për mungesë vendi e shumta vjen në të paktën: Teksti “Dituri Natyre 4”, nga botuesi Albas (2015), me shtyp cilësor me ngjyra, me të katër kapitujt e tij është një botim me vlerë i zhanrit enciklopedik, por as i qaset nivelit formues të fëmijëve dhjetëvjeçarë, dhe teksti ka plot njohuri e dije që bëhen në Fizika 7 (2008): “Burimet e dritës (f. 72), Pasqyrimi i dritës (f. 84), Përthyerja e dritës (f. 87), Thjerrëzat (f. 90), Qarku elektrik (f. 100, figura 4.4). Kurse në “Dituri Natyre 4” janë këto tema mësimore: “Energjia, energjia dhe format e saj, burimet e energjisë, drita, si përhapet drita, përthyerja, reflektimi dhe përhapja e dritës...” Formimi i drejtë i nxënësve të kësaj moshe vjen në rrugë induktive nga faktet, shembujt tek rregulla e përkufizime, që nxënësit të vijnë natyrshëm tek to. Ja disa nga deduksione e shumta në “Dituria 4”, të pa përtypshme nga nxënësit dhjetëvjeçarë: “Drita është formë energjie, e quajtur energji e ndritshme, që vjen nga çdo trup ndriçues, f. 105”; “Si përhapet drita. Drita ka veti valore: thyhet, reflektohet, përhapet në mënyrë drejtvizore me shpejtësi të njëjtë. ... Drita lëviz nëpër mjedise materiale, por edhe në vakum. ... Rrezet e dritës nuk bëjnë rrugë të lakuar, apo nuk u bien rreth e rrotull trupave. ..., f. 108” E shpjegime të tilla s’janë aksidentale a të rastit, dhe janë me dhjetëra kësi deduksione për kapitujt “Lëndët dhe vetitë” (f. 62-78) dhe “Mjedisi fizik [drita e energjia’” (f. 80-130). Në këtë linjë, saktësisht është edhe “Dituri Natyre 5.”, shumë larg së qeni tekst mësimor për këtë moshë e të tjera të nëntëvjeçares.

 

Argumenti 5. Tekstet, ato që më ranë në dorë janë përplot turbullira ideore, shkencore, politike dhe i referohem disa syresh.“Historia 4” (2015) nga f. 3 deri 44 s’le hollësi/detaje historike pa shkruar për lindjen e shoqërisë njerëzore, historinë e Mesopotamisë, Babilonisë, Greqisë  antike për mijëra vjet p. r., dhe për kreun e fundit “Shqipëria atdheu ynë” (f. 46-53) kurrikula e lëndës s’ka asfare konceptim për ndryshimet nga rrëzimi i “Murit të Berlinit”, rrjedhimisht po kështu edhe teksti “Historia 4”! [Këtu, një reflektim: në “Bunk 2”, në zbritje të shkallëve hyrëse, në të majtë përballesh me “preambula” të Bunk 2: “Diktatori Enver Hoxha, kryeministri Mehmet Shehu...”, dhe në mjediset e tjera në brendësi: Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, ... e me radhë ministrat e tjerë të brendshëm. Paskërka diktator pa diktaturë! (s’lexohet kund); po ashtu, nga diktatori E. H. diferencohet Kryeministri Mehme Sh. Jo diktator (i vlerësuar në media “burrë shteti”); po ashtu asnjë nga ministrat e brendshëm s’qenkan diktatorë! Të turbullta e të mbrapshta! E më mbiu në sy, si me shtizë, konstatimi: Shqipëria s’ishte diktaturë e proletariatit!] Për të vijuar me lajthitje të tjera në tekste: “Edukata shoqërore 4” 2015, Albas, në tema “Simbolet tona” nxënësit mësojnë: “Ne të tërë jemi shqiptarë, sepse kemi lindur në Shqipëri”, (f. 58), po shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, shqiptarët në diasporë, por edhe miliona në Itali, Greqi etj. a janë shqiptarë!  Është po ajo autore e këtij teksti, Natasha Poroçani, që i jep shkollës tekstin “Edukata shoqërore 5” mjaft i mirë, paçka detaje që meritojnë vëmendje. Në tekstin e historisë (Albas 2015) lexohet: “Pas çlirimit të Shqipërisë, në nëntor 1944, në krye të shtetit shqiptar ishin komunistët të udhëhequr nga Enver Hoxha. Ata i shtuan flamurit një yll të verdhë me pesë cepa. Ylli përfaqësonte bashkimin e proletarëve kudo në botë.” (f. 47) Dhe ç’ndodhi me komunistët dhe E. H. pas nëntorit ‘44!? Edhe ai, ylli me pesë cepa erdhi nga shtabi i Titos më 1942, e solli Mugosha dhe është simbol komunist për gjithë vendet e perandorisë kuqe të Lindjes e asfare s’përfaqëson bashkimin e proletarëve kudo në botë. Në tekstin“Historia 9” autorët Muzafer Korkuti, Xhelal Gjeçovi shkruajnë për themelimin e partisë: “... Partia Komuniste Shqiptare me në krye Enver Hoxha. Ajo u krijua më 8 nëntor 1941.” (f. 141). E. H. në plenumi Dytë i Beratit (nëntor ‘44) as vetë nuk pohoi se në vitet e Luftës ishte në krye të partisë, ai pohonte zëplotë, se në krye të partisë ishte Miladin P., madje ka dokumente të reja që me gojën e tij E. H. pohonte se ishte i pazgjedhur me votë nga partia, deri nëntor ’48. Dhe slogani “Enver H. në krye të partisë” u përpunua pas Kongresit të parë (nëntor ’48) dhe mbahet gjallë edhe sot, madje edhe nga ata të kupolës së shkencës. Kufizime të rënda lexohen edhe në tekstin “Dituri Natyre 4”, sikur shoqëria/regjimet politike janë në harmoni me natyrën, kur dihet se çfarë pabarazi e madhe ka në shpërndarjen e të mirave materiale, kur me miliarda vuajë/vdesin urie, kur afër 2 milion fëmijë vdesin në vit nga mungesa e ujit apo uji i ndotur. ...

 

Argumenti 6. Trinomi i pandashëm “Mësuesit, nxënësit, dokumentet shkollore/tekstet mësimore”! Dhe nëse harmonia e trinomit prishet/çalon, atëherë punët shkojnë keq e më keq. Në këtë tufë tekstesh, që munda të shtie në dorë e t’u referohem me këto argumente, në faqen 2 apo në përfundim të librit s’munda të shoh asnjë shenjë të identitetit të Ministrisë së Arsimit e Shkencës a strukturave të saj dhe, që këtej konstatimi, se në Ministri ka strukturë për tekstet, por mbetet jo efektive, formale. Tekstet shkollore mesa duket mbeten punë vetëm e shtëpive botuese, që për to tekstet janë mall e kanë vetëm ato dy vetitë e njohura të tij: vlerë përdorimi e vlerë shkëmbimi, por vetia e parë e më kryesore e tyre është vlera e edukimit, e mësimit të nxënësve.