Dr. Ina K. Zhupa/ Diplomacia pa busull

247
Kosova pësoi disfatën e radhës. Pas dështimit për të qenë anëtare e UNESCO, disfata e radhës ishte në Asamblenë e Këshillit të Europës. Serbia paraqiti në Komision amendimet e veta, në lidhje me veçimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi për bashkësinë e komunave serbe, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për kalimin e disa kompetencave tek UNMIK në marrëdhënie me organizma të tilla, si Interpol dhe Europol. Të gjitha këto amendime janë kthim mbrapa në raport me Kosovën, sepse i trajtojnë institucionet kosovare si të pamundura për të qenë vet në krye të punës, por i mëshojnë nevojës për kontroll dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, siç është UNMIK. Përfaqësuesit e Shqipërisë, që kanë të drejtë vote, të ndihmuar nga përfaqësuesi i Suedisë propozuan mendime, që eliminonin kërkesat e paraqitura nga Serbia. Të gjitha amendimet tona fatkeqësisht u rrëzuan. Amendimi, që rikthente disa standarde të rëndësishme në lidhje me marrëdhëniet me Europol dhe Interpol, u rrëzua për vetëm një votë. Ndërsa amendimet e Serbisë kaluan të gjitha. Shqipëria e ka dhe e ka pasur në prioritetet e veta kombëtare çështjen e Kosovës, por ky fakt duket se nuk ndikon shumë në nivelin e përgjegjësisë dhe kontributit që duhet të japin për çështjen. Nuk duhet ta anashkalojmë që amendamentet e Serbisë mund të ishin rrëzuar, nëse zëvendës presidentja e asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës Znj. Leskaj, do të kishte marrë pjesë në komitetin politik. Prezenca e saj bëhet dyfish më e rëndësishme, duke qenë se aty kemi mungesë të përfaqësimit të Kosovës. Valentina Leskaj nuk përfaqëson aty vetveten dhe nuk mban përgjegjësi as për sukseset dhe as për dështimet në mënyrë vetëm personale por edhe personale dhe politike. Ajo është përfaqësuese e mazhorancës së majtë, programin qeveritar të së cilës ka votuar dhe mbështet, dhe është nënkryetare e parlamentit shqiptar. Nuk duhet të harrojmë që deputetet tanë mbi të gjitha votohen qe të na përfaqësojnë dhe të bëjnë interesat e shqiptarëve. Nuk ka asnjë lloj justifikimi që ndonjë deputet të mos na përfaqësoj ndërkombëtarisht, duke treguar atje dhe vlerat dhe aspiratat e shqiptarëve. Arsyet e mungesës së Znj. Leskaj nuk na i dha njeri deri më sot. Mendoj se na takon e drejta si popull (punëdhënësit e saj) të marrim vesh se, përse nuk ka qenë në krye të detyrës!!! Gjithsesi në pritje të arsyeve të saj, na takon të bëjmë edhe një arsyetim tjetër. A duhet të lihej fati i një votimi të tillë në dorë të një vote? A funksionoi si duhet diplomacia shqiptare para votimit? Diplomacia shqiptare nuk ka për detyrë thjesht edhe vetëm të bëj raportimet e përditshme diplomatike, por edhe të jetë promotor, mbikëqyrës dhe garant i realizimit të objektivave të politikës së jashtme. MPJ nuk funksionoi dot edhe kësaj radhe, si shumë herë të tjera në këto 2 vjet e gjysmë. Diplomacia, pavarësisht se kujt fushe i përket, nga cilët aktore bëhet, qoftë kjo diplomaci publike, ekonomike, parlamentare, etj është në ombrellën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe sigurisht qeverisë shqiptare. Lobimi dhe negocimi janë dy aktivitete diplomatike të panjohura mesa duket për diplomacinë shqiptare. Edhe sigurisht të pashfrytëzuara. Në çdo rast të këtyre 2 vjet e gjysmë që çështja e Kosovës ka pasur nevojë për vota nga shtetet e tjera, diplomacia shqiptare nuk ka arritur të bëj asnjë lobim ose negocim për të ndryshuar balancën e votimit. Aftësi të tilla vijnë së pari, nga ambasador profesional, të cilët vështirë se mund t’i kesh të tillë, kur i emëron shumicën me nepotizma dhe me favore politike. Së dyti, nga një drejtim profesional i MPJ që vështirë ta kemi, kur mendojmë se Ministri jonë i Jashtëm quan sukses diplomatik që i dhurojnë bluzën e Messit. Në lidhje me këtë rast, le të bëjë publike Ministria e Jashtme shqiptare përpjekjet që ka bërë deri tani në lidhje me këtë proces? Cilat janë? Ne kemi një mision të përhershëm diplomatik në Këshillin e Europës, cilat ishin përpjekjet, takimet, lobimet, negocimet e tyre? Brenda strukturës së MPJ është drejtoria e organizatave ndërkombëtare me dy sektor nën varësi, sektorin e të drejtave të njeriut dhe raportimeve dhe sektorin e organizatave ndërkombëtare. Ky lloj strukturimi tregon edhe njëherë qartë që edhe aktiviteti diplomatik, që ndodh brenda Këshillit të Europës është në tagrin e MPJ. Për t’u mënjanuar nga ky proces, dështimi i MPJ ende nuk ka një deklaratë për shtyp në një lidhje me këtë votim (http://www.mfa.gov.al/) Po ashtu as faqja, që reflekton misionin e përhershëm në KiE nuk e ka një gjë të tillë (http://www.ambasadat.gov.al/ council-of-europe/MPJ). MPJ ka humbur drejtimin e saj, nuk e di më, se cilat çështje i përkasin politikës së jashtme dhe cilat jo. Është si një anije pa busull në mes të oqeanit të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku era e fortë e hedh sa andej këndej pa orientim. Ndërsa t’i faturohet dështimi i këtij votimi të djathtës europiane me linjë politike të qartë të Merkelit, Junkerit është një tjetër gafë e madhe diplomatike e bërë në deklaratën e saj nga znj. Leskaj. Një të drejtë e ka Znj. Leskaj nuk është fajtore e vetme, ka bashkëfajtore Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Qeverinë Shqiptare.

Zëdhënëse e Partisë Demokratike