Dr. Sadik Elshani/ Fisnikëria e Ambasadores së Çekisë

66

Vrasja e dy turistëve çekë në veriun e Shqipërisë para pak kohësh ishte një ngjarje e rëndë dhe e pafalshme. Jo vetëm vrasja, por edhe lëndimi më i vogël i çdo njeriu të pafajshëm është i papranueshëm. Për fat të keq, vrasjet, krimet, vjedhjet, rrëmbimet e shumë veprime tjera kriminale tashmë janë bërë pjesë e përditshme e jetës publike shqiptare. Vrasja e dy turistëve çekë ishte pak më e rëndë, sepse këta ishin të huaj, mysafirë që kishin ardhur për të shijuar bukuritë e natyrës shqiptare. Mikëpritja shqiptare është element dallues i identitetit tonë kombëtar. Pra, miku na është vrarë në shtëpi. Këto vrasje kanë edhe një veprim anësor që e dëmtojnë sektorin e turizmit, një degë mjaft e rëndësishme e ekonomisë shqiptare. Prandaj, shqiptarët reaguan me dinjitet: marshuan nëpër qytete, ndezën qirinj dhe e dënuan këtë krim më gjuhën më të ashpër. Ndërsa alpinistët shqiptarë, në nderim të dy turistëve të vrarë, e ngritën flamurin çek në majën më të lartë të Alpeve Shqiptare. Këtë krim e kreu një i ri 20-vjeçar, Sokol Mjacaj, i cili disa muaj më parë e kishte kryer edhe një vrasje tjetër. Atë ditë Sokoli, nuk ka qenë dashur të jetë aty ku i kreu këto vrasje, por në një institucion ndëshkimor. Ky është një rast i izoluar, prandaj nuk duhet të bëhet fajtor i tërë populli shqiptar.
Për këtë rast është shkruar mjaft dhe unë këtu nuk po sjell asgjë të re, por do të përqendrohem te reagimet e disa pushtetarëve, gazetarëve e publicistëve. Siç u cek edhe më lart, ky krim duhet dënuar dhe autori i këtij krimi duhet ta marrë dënimin e merituar, ashtu siç e parasheh ligji. Kur dëgjon për krime të tilla, për vrasje të njerëzve të pafajshëm, vërtet mbushesh plot mllef, ndien dhembje, zemërohesh. Por, edhe në këto raste të rënda duhet të reagohet me dinjitet, me gjakftohtësi dhe me vetëpërmbajtje. Pra, duhet kontrolluar gjuhën, shprehjet, për t’u mos u lëshuar në nivelin e atij që i ka kryer këto vrasje. Nuk i ka hije një ish kryeministri të përdor fjalën “monstra”, apo tjerët që thërrisnin: “Në litar krimineli”. Thirrje që të kujtojnë ato thirrjet në gjyqet e dikurshme të Bedri Spahiut.

Ndërsa një publiciste botoi një shkrim me titull: “O, sa turp me qenë shqiptar”. E kuptoj zemërimin e saj dhe të çdo shqiptari tjetër. Por ky ishte një rast i veçuar, i kryer nga një individ. Sokol Mjacajn askush nuk e ka zgjedhur si përfaqësues të popullit tonë. Çdo shqiptar i ndershëm e ka dënuar këtë vepër të shëmtuar të Sokolit. Sikur të kishte ndodhur e kundërta, atëherë vërtet ky do të ishte një turp i madh për popullin tonë. Sikur ndonjë rapsod t’i kishte kushtuar një këngë Sokolit për “heroizmin” dhe “trimërinë” e tij, atëhere ky do të ishte një turp i madh. Raste të tilla, vrasje të njerëzve të pafajshëm, çdo ditë ndodhin në të gjitha vendet e botës. Vetëm javëve të fundit ë Amerikë, kanë ndodhur shumë krime të rënda, vrasje të njerëzve të pafajshëm, në kishë, kinema, etj. Askund nuk lexova ndonjë artikull më titull: “O, sa turp me qenë amerikan”. Sepse për fajin e një, apo të disa individëve, nuk fajësohet i tërë kombi. Në shoqëritë e qytetëruara, njerëzit i dënojnë krimet pa përdorur gjuhë fyese. Ata e dënojnë të keqen dhe për atë që e ka bërë atë të keqe, thonë: “Tani të ballafaqohet me drejtësinë”.

Gjykatat, organet e sigurisë së publikut merren me raste të tilla. Jo që kriminelët nuk i meritojnë fjalët dhe shprehjet më të rënda, më fyese, por ata nuk e lejojnë veten të bien në nivelin e një krimineli – i gjykojnë ngjarjet, veprat nga një nivel i lartë moral e njerëzor. Po ashtu, kur ndodh diçka e keqe, shumë e rëndë, njerëzit shprehen se, nga gjithë kjo e keqe, diçka e mirë do të dalë. Dhe e mira që mund të dalë në këtë rast është që, njerëzit si Sokoli, të mos lirohen pa e kryer dënimin e merituar, pa e marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, të punohet me ta që të bëhen qytetarë të denjë. Të rritet siguria nëpër pikat turistike. Gjykatat tona t’i kryejnë punët me një seriozitet, përkushtim e profesionalizëm më të lartë, etj. Të shtunën e kaluar, Ambasadorja e Republikës Çeke në Shqipëri, znj. Bronislava Tomasova vizitoi Veriun e Shqipërisë dhe nuk shprehu kurrfarë mllefi, zemërimi ndaj askujt për vrasjen e bashkëkombasve të saj. Si një zonjë fisnike e një vendi të qytetëruar, ajo u shpreh: “Mua më pëlqen shumë Veriu i Shqipërisë. Shpesh jam ftuar nga njerëzit e këtyre anëve në shtëpitë e tyre dhe aty unë kam kuptuar ngrohtësinë dhe dashurinë e këtyre njerëzve për ne. Pas vrasjes së dy turistëve çekë para disa javëve udhëtimi këtu ka edhe një rëndësi tjetër. Kjo tragjedi është një rast i veçuar dhe nuk ka lidhje fare me natyrën e njerëzve këtu, të cilët janë të mirë dhe mikpritës”.

Kështu reagojnë njerëzit e vendeve të qytetëruara. Ngjashëm reagoi edhe Dom Gjergj Meta, por siç duket shoqëria shqiptare ende nuk është e gatshme të pranojë një reagim të tillë. Shumë ngjarje, veprime ne i gjykojmë në mënyrë sipërfaqësore, pa u futur në thellësinë dhe ndërlikueshmërinë e tyre. Edhe në momentet më të rënda, më të vështira të mos e humbim arsyen, dinjitetin, vetëpërmbajtjen. Të mos lëshohemi ne nivele të ulëta dhe për veprimet, aktet e një individi, sado të rënda qofshin ato, të mos e bëjmë fajtor një popull të tërë.

(Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane)