Zhvillimet politike dhe orientimi strategjik euroatllantik i shteteve dhe popujve në Ballkan, ndeshet me politikën ruse. Ka rëndësi të theksojmë se strategjia gjeopolitike dhe invazioni rus është real dhe i ndjeshëm në politikë dhe jetën e përditëshme shoqërore ballkanike. Kjo dëshmohet konkretisht së fundi me veprimtarinë diplomatike dhe agjenturore në Greqi. Me të drejtë, tërhiqet vëmëndja në kërcënimin potencial, se ndërhyrja ruse në Greqi është një alarm për lirinë, sigurinë e stabilitetin politik e shoqëror, sovranitetin shtetëror të popujve në Ballkan. Rusia afron zyrtarisht miqësi dhe bashkëpunim me interesa të përbashkët. Ndërsa në fshehtësi ndërhyn në punët e brendëshme të shteteve ballkanike. Autoritetet zyrtare greke publikuan më 11 korrik, se Greqia ka dëbuar dy diplomatë rusë dhe u ka ndaluar hyrjen në vend dy të tjerëve. Më 12 korrik 2018, zëvendësministri i jashtëm grek, Georgos Katrougalos theksoi publikisht në median, se “Ne kemi reaguar ndaj asaj, që e konsiderojmë shkelje të detyrimeve ndaj ligjit ndërkombëtar, në mbrojtje të sovranitetit tonë”.  Reagimi i Athinës zyrtare, kuptohet se ka arësye të forta në mbrojtje të politikës së saj, duke u ndjerë e kërcënuar nga diplomacia dhe agjentura ruse.  Mësohet se më parë ajo ka paralajmëruar Moskën, por pa efekte. Qëndrimi grek, duket i papritur e revoltues për miqtë rusë. Rusia kundërpërgjigjet menjëherë. Në datën 12 korrik, siç njoftonte portali i njohur rus “lenta.ru”, MPJ ruse bëri të ditur anullimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus, në Athinë.

Më 13 korrik 2018, Ministria e Punëve të Jashtëme e Rusisë, ka thirrur zyrtarisht ambasadorin e Republikës së Greqisë në Moskë për ti deklaruar pakëaqësinë për dëbimin e diplomatëve spiunë rusë dhe theksuar bindjen në ndërhyrjen amerikane, duke publikuar akuzën se  Uashingtoni qendron prapa këtij vendimi antirus të qeverisë greke”.  Reagimi i fuqishëm grek është i pa precedent për marrëdhëniet e ngushta shtetërore e miqësore greko-ruse. Në momente të rëndësishme plitike, Qeveria e Greqisë ka dëshmuar sovranitetin dhe politikës e saj kombëtare, ka mbështetur direkt ose indirekt politikën ruse edhe kur ajo ka qenë e ndryshme ose në kundërshtim me politikën apo inteesat strategjike të Bashkimit Evropian, të Nato-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ritheksojmë disa ngjarje dhe qëndrime greke të ndryshme nga partnerët e saj perëndimorë që kanë tronditur politikën euroatllentike nga veprimtaria ruse. 1. Greqia nuk ka njohur akoma pavarësinë dhe sovranitet shtetëror të Kosovës.

Ajo nuk ka mbajtur qëndrime të kundërta për inisiativat euroatllantike për Kosovën, sëbashkë me katër shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Nato-s. Për aneksimin e Krimesë nga Rusia, Greqia nuk ka dëshmuar asnjëherë kundërshtimin dhe dënimin e politikës ruse. 2. Greqia mbështeti direkt ndërhyrjen e Rusisë në Siri, duke i lënë të lirë hapësirën e saj ajrore avionëve luftarakë rusë. 3. Në muajin mars të këtij viti, Greqia nuk u bashkua me qëndrimin e afro 30 shteteve të Bashkimit Evropian dhe të Nato-s, në mbështetje të Departamentit të Shtetit të SHBA për dëbimin e diplomatëve rusë. 4. Greqia nuk u bashkua me sanksionet e vendosura nga SHBA dhe BE kundër Rusisë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë e aneksimin e Krimesë. Këtë qëndrim e ruajti edhe në vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për zgjatjen e sanksioneve deri në muajin Janar 2019.  Për këto arësye, reagimi i papritur i politikës zyrtare greke dhe kundërpërgjigja e ashpër ruse, përbëjnë një ngjarje të rëndësishme diplomatike, shtetërore e shoqërore jo vetëm për marrëdhëniet greko-ruse, por për gjithë rajonin e Ballkanit ku rëndon dhe pengon të ardhmen nacionalizmi e grupimet shoviniste. Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe në Nato, vlerësohet si kërcënim për interesat ruse. Ky mentalitet politik dallohet në qëndrimet e saj ndaj shteteve që tradicionalisht kanë kenë aleatë ose kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me Rusinë, megjithse janë anëtarësuar ose janë në fazat e plotësimit të standarteve integruese në BE dhe në Nato. Prandaj, edhe Rusia vepron për të sabotuar, ose të paktën për të penguar e vonuar proceceset integruese euroatllantike.

Përvojë e negative dhe me pasoja të dëmshme mbetet ndërhyrja ruse në politikën maqedonase, mbështetjen e grupimeve politike e fetare shoviniste të nacionalizmit sllavomaqedonas, antishqiptarizmit, antievropianizmit, antiamerikanizmit, kundër antarësimit në BE dhe në Nato të grupimeve me politikë shoviniste. Është e qartë se në krizën politike të shkaktuar në Maqedoni dhe në Greqi për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë me emrëtimin e ri Republika e Maqedonisë Veriore, ka patur ndikim të fuqishëm diplomacia dhe agjentura ruse.  Ka rëndësi të kuptohet e të demaskohet fakti se shërbimet diplomatike sekrete ruse mbështesin nacionalizmin, shovinizmin e ortodoksizmin në Ballkan. Ato u investuan duke financuan konkretisht reagimet e fuqishme emocionale në fushën mediatike dhe në rrjetet sociale greke për të mobilizuar opinionin dhe demonstruar me agresivitet kundër marrëveshjes për emrin Maqedonia Veriore.  Nga njoftimet në median, publikohet se Moska financoi, organizoi, përkrahu dhe sponsorizoi të gjitha forcat politike proruse dhe manifestimet e protestës në Greqi kundër marrëveshjes me Maqedoninë. Ndërhyrje direkte, shantazhe e korruptime me para janë bërë edhe tek deputetët e parlamentit grek, duke i shantazhuar dhe duke u përpjekur t’i korruptojë me para, që të votonin kundër marrëveshjes për emrin. Të njejtën metodë të ndërhyrjes ruse, e njohim edhe në qëndrimin e deputetëve e politikanëve maqedonas në pushtet apo të larguar nga pushteti që bllokuan integrimin euroatllantik të Maqedonisë për afro dy dekada.  Rusia mbështet dhe financon aleancën ortodokse ballkanike, për të rimarrë pozitat e mëparëshme në Ballkan. Për këtë qëllim shfrytëzohen lidhjet tradicionale të kishës ortodoke të këtyre vendeve me Patriarkanën e Moskës, si dhe ato që ka ndërtuar dhe kujdeset shërbimi diplomatik sekret rus. Kishat ortodokse me influencë në besimtarët, përdoren edhe për të realizuar interesat e politikës zyrtare ruse. Kisha Ortodokse e Greqisë u vu në krye të manifestimeve kundër emrit Maqedonia Veriore dhe akuzave për tradhëti kombëtare të politikanëve që realizuan marrëveshjen ndërshtetërore greko-maqeonase. Veprimtaria intensive ruse, imponon më shumë vigjilencë dhe përgjegjshmëri në politikën aktuale dhe strategjinë e së ardhmes së shteteve ballkanike e atyre evropiane. Anëtarsimi dhe integrimi euroatllantik i shteteve të reja ballkanike, nuk mund të kuptohet e të vlerësohet automatikisht si ndarje nga politikat e lidhjet e vjetra.  Rusia ju kundërvihet aktivisht politikës strategjike dhe integrimit euroatllantik të Bashkimit Evropian, marrëdhënieve të bashkësisë evropiane me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, manovron me pasojat e Brex-it të Britanisë, ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të fundit në SHBA etj., për të përforcuar pozitat e saj strategjike në Ballkan dhe në gjithë Kontinetin Evripoan, Amerinë e në tërësi në zonat e nxehta të politikës botërore, si në Siri, Irak, Afganistan, në Marrëdhëniet me Iranin e Korenë e Veriut etj. Në këtë realitet politik me dominimin në rritje të invazionit rus të hapur e të maskuar në Ballkan, kërkohet më shumë vëmëndje nga organet shtetërore dhe shërbimi informativ edhe në Shqipëri. Është e domosdoshme të nxirren mësime dhe të merren masa kundër ndërhyrjes, ndikimit dhe pasojave të mundëshme të politikës ruse, sidomos në zhvillimet politike të brendshme e të jashtëme në Shqipëri dhe rajonet e banuara nga shqiptarët në shtetet e tjera ku veprohet me të gjitha mjetet politike dhe veprimtarinë e fshehtë për të sabotuar përpjekiet e kombit shqiptar për të ardhmen e përbashkët, lirinë e demokracinë, integrimin euroatllantik.