Sigal

Gjeopolitika dhe gjeostrategjia ruse po bëhet edhe më e pranishme dhe më kërcënuese edhe ushtarakisht në Ballkan. Në mënyrë jo të zakonshme për politikën e heshtur dhe reagimet efektive në momentet që dështon diplomacia ndërkombëtare, në median ruse publikohen vendime të institucioneve të larta politike e ushtarake për domosdoshmërinë e sigurisë dhe vendosjes së trupave ushtarake në Serbi. Politika ruse po tregon se Rusia krahas objektivave të saj të njohura për rolin në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, po konsolidohet edhe në rolin e një “polici ndërkombëtar”. Këtë rol që luajti në Siri, dëshiron ta vazhdojë e zgjerojë konkretisht edhe në Ballkan, në hapësirën gjeografike, politike e ushtarake të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe të SHBA-së. Për këtë strategji, tërheqin vëmendjen, së pari, kërkesa e qartë dhe me synimin e domosdoshmërisë së rritjes së trupave tokësore në Serbinë Qendrore, krahas bazës ushtarake që ka prej disa viteve në Nish! Rusia kërkon që ushtarakët rusë në Nish të marrin statusin diplomatik.

Organi proqeveritar rus “eadaily.com”, në 22 dhjetor 2018, tërheq vëmendjen me“propozimin e ri” për vendosjen e forcave ushtarake ruse në Serbinë Qendrore. Propozimi nuk është bindës për arsye se nuk ka ndryshime në situatën politike e ushtarake. Qëllimi i vërtetë nuk publikohet. Dyshimet bëhen edhe më shqetësuese për vetë faktin se, Rusia është prezent ushtarakisht dhe ka aktualisht forcat e saj ushtarake në këtë rajon, në Nish!

Së dyti, vendosja e trupave ruse në Serbi, propagandohet dhe pretendohet në formën imponuese si domosdoshmëri dhe si zgjidhja e vetme! Kjo manovër taktike diplomatike dhe ushtarake argumentohet me masat parandaluese të përshkallëzimit të konfliktit në Kosovë!

Së treti, Rusia e vlerëson dhe kërkon të imponojë në mënyrë të njëanshme ndërhyrjen dhe vendosjen e trupave ushtarake në Serbi, në funksion të interesave të sigurisë së saj kombëtare!

Së katërti, Këshilli i Sigurisë së Federatës Ruse, dëshmon se Ballkani dhe Serbia e Kosova bëhen objekt i sigurisë kombëtare ruse. Komunikata e Këshillit të Sigurisë së Federatës, që u drejtua nga presidenti Vladimir Putin, thekson se “mbledhja diskutoi në mënyrë të detajuar për gjendjen në Ballkan.”Nga njoftimi zyrtar tërheq vëmendjen fakti se nuk përmend asnjë rajon tjetër të botës, madje as Sirinë si vendi ku ajo është angazhuar tërësisht dhe ndihmuar ushtarakisht në mbrojtjen e regjimit të Asadit.

Analiza kohore e tematikës dhe qëllimit të deklarimit publik, bëhet menjëherë pas miratimit të krijimit të Ushtrisë së Kosovës dhe reagimeve kërcënuese agresive deri edhe me ndërhyrje ushtarake të Qeverisë së Serbisë. Në këtë situatë, ka rëndësi të kuptohet përse Rusia propozon hapur vendosjen e trupave të saj ushtarake, kur në të vërtetë ajo ka trupa dhe armatim të fuqishëm aktualisht në Serbi?!

E para, Rusia synon të justifikojë dhe përligji ndërkombëtarisht domosdoshmërinë e rritjes faktike të pranisë së saj ushtarake në Serbi, me qëllimin demonstrativ për t’iu kundërvënë pranisë në Ballkan dhe në Kosovë të SHBA dhe NATO-s.

E dyta, Rusia kërkon të dominojë e kushtëzojë politikën e Serbisë në situatën e ndërlikuar të hezitimeve të saj për të hedhur hapin përfundimtar të njohjes apo mosnjohjes së Kosovës. Udhëheqja politike e Serbisë e ka të qartë se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Presionet e ultranacionalistëve serbë të mbështetur nga Rusia dhe kisha ortodokse janë shumë të forta. Dilema e politikanëve është shpirtërore për shkak të edukimit shekullor me mitet e shovinizmit dhe sllavizmit. Kjo gjendje shpirtërore vihet edhe para barrikadës së unltranacionalistëve serbë dhe interesave gjeopolitike e gjeostrategjike ruse. Politikanët serbë janë nën kontrollin dhe ndikimin e institucioneve të specializuara të zbulimit rus. Ata ndiejnë edhe frikën nga tensionimet e situatës politike, tronditjeve sociale, konflikteve e demonstrimeve të dhunshme të militantëve me skenarë njohur të zbatuar së fundi edhe në Maqedoni e Greqi kundër marrëveshjes së arritur për emërtimin e Maqedonisë Veriore. Për këto arsye, politikanët serbë me mëndje dhe me ndërgjegje, me dëshirë apo detyrim, janë të lidhur dhe dominohen në marrjen e vendimeve të rëndësishme shtetërore nga orientimet apo imponimet e udhëheqjes politike ruse. Megjithatë, krahas marrëdhënieve të ngushta me Rusinë, politikanët në pushtet ndjejnë edhe detyrimin për të reflektuar në alternativën evropiane që dëshiron vetë populli serb. Zgjidhjen perspektive të domosdoshme, ata e vlerësojnë me orientimin perëndimor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke ruajtur marrëdhëniet e ngushta me Rusinë dhe pretenduar statusin e neutralitetit ushtarak, megjithëse kanë aleancë, ndihmën dhe praninë ushtarake ruse.

E treta, bindja e udhëheqjes politike serbe për zgjidhjen përfundimtare me njohjen e pavarësisë së Kosovës, bie në kundërshtim me politikën e deritanishme të shovinizmit e të Serbisë së Madhe, si dhe të dominimit të Rusisë si partner strategjik në politikën e gjithë veprimtarisë shtetërore të Serbisë. Serbia ndodhet nën presionin politik të drejtë nga SHBA dhe shtetet më të zhvilluara evropiane për njohjen e realitetit politik dhe pavarësisë e sovranitetit të shtetit Kosovës. Edhe në opinionin publik në Serbi janë qartësuar me kurajë kërkesat për njohjen e Kosovës. Këtë e mbështesin edhe disa figura të njohura të serbëve në Kosovë. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë mbështetet gjerësisht pasi kontribuon në paqen e sigurinë e zhvillimin e Ballkanit.

Është e qartë se Serbia zyrtare nuk ka forcë të marri këtë vendim pa bekimin dhe mbështetjen e Rusisë zyrtare. Në marrjen e këtij vendimi historik për paqen midis serbëve dhe shqiptarëve, Rusia nuk pranon të ketë vetëm rolin primar diplomatik. Ajo kërkon të jetë e pranishme dhe e fuqishme konkretisht në Serbi dhe në Ballkan. Këtë qëllim ajo do ta arrijë edhe me shtimin e prezencës së saj të përhershme ushtarake që të pranohet edhe nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare. Politika imponuese e Rusisë, duhet pranuar se ka ndikimet e saj në qëndrimin amerikan dhe evropian për të pranuar çdo zgjidhje të arritur me vullnetin e Serbisë dhe të Kosovës. Këtë qëndrim e mësojmë edhe në deklarimet e fundit të Moskës zyrtare. Qëndrimi rus i unifikuar me atë amerikan dhe evropian, kushtëzohet qartë me rritjen e pranisë ushtarake ruse. Vullneti politik për bisedime e zgjidhje të drejta dhe arritja e marrëveshjes kërkohet të kenë në përmbajtje respektimin e të drejtave e lirive të shqiptarëve, integrimin dinjitoz evropian dhe vendosjen e raporteve të barazisë e të miqësisë midis shqiptarëve e serbëve. Bisedimet në Bruksel midis presidentëve Hasim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësinë e përfaqësuese së lartë Frederika Mogherini që zhvillohen prej disa vjetëve, nuk kanë arritur në përfundimin e njohjes pa kushte të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Kosova dhe gjithë kombi shqiptar kanë besim në mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Megjithatë kërkohet të jemi vigjilentë dhe të mos pranojmë të sakrifikohen interesat e drejta kombëtare për të arritur me çdo kushte marrëveshje me Serbinë pushtuese të territoreve shqiptare, pa reflektuar, pa kërkuar falje, pa ndjerë përgjegjësisë për gjenocidin, dëbimin, shkombëtarizimin e asimilimin e shqiptarëve. Projektet e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës dhe roli ndërmjetës i Fondacionit Sorros, kanë qenë në qendër të vëmendjes dhe kritikës së opinionit publik për rrezikun e ndarjes së Kosovës, për të plotësuar ambiciet dhe joshur Serbinë e pas saj edhe Rusinë për njohjen e Kosovës. Është jetike që marrëveshja të qartësohet më parë, të negociohet me përfaqësues që kanë mbështetjen e gjerë politike dhe vullnetin e përfaqësuesve të popullit, të Kuvendit të Kosovës.