Dr. Qemal Lame: Roli dhe vendi i shqiptarëve në Turqi

1531
Mendime më objektive për rolin dhe vendin e shqiptarëve në Turqi
Historia me zhvillimet e saj politike e shoqërore, ka ndikuar dhe ka imponuar realitete dominuese në marrëdhëniet shqiptaro-osmane-turke. Në Shqipëri janë ndjerë dhe përjetuar pasojat e rënda të shkaktuar me pushtimin osman. Ato janë mbartur në vazhdimësi edhe në ditët e sotme me marrëdhëniet miqësore dhe kushtëzimet për shkak të lidhjeve me të kaluarën e të tanishmen e shqiptarëve të Turqisë. Territori i qendrës së Perandorisë Osmane, i banuar nga ilirët, pas rënies së saj, u emërtua Turqi. Studiuesit gjermanë evidentojnë aktualisht më shumë se 23 milionë shtetas me identitet shqiptar. Vetë zyrtarët e lartë që pranojnë dhe dëshmojnë identitetin e tyre shqiptar, theksojnë se në çdo tre turq, një është shqiptar. Në bazë të këtyre të dhënave, mendohet se janë më shumë se 25 milionë shqiptarë. Shqiptarët në Turqi janë me përmasat e një kombi. Në përbërjen demografike të popullsisë, shqiptarët zënë vend si popullsi në shumicë. 
Themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Ataturk, si dhe shumë presidentë, kryeministra, ministra etj., janë në origjinë shqiptare. Edhe filozofi Sami Frashëri është ikona e dijetarëve të Turqisë. Politikanët dhe studiuesit shqiptaro-turq, vlerësojnë rolin e shqiptarëve dhe kërkojnë të ketë mendim më objektiv për vendin dhe rolin e madh që Perandoria Osmane ju kishte dhënë shqiptarëve. Dihet se 33 kryeministra (sadrazemë) kanë qenë shqiptarë. Edhe Erdogan deklaron se është rritur në duart e një gruaje shqiptare. Gjyshi i tij ka qenë nga Kraja, fshat në Jugperëndim të Liqenit të Shkodrës, i cili ndodhet në territorin e Malit të Zi. Ai ishte shpërngulur familjarisht në Stamboll, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Numër akoma më i madh është edhe në rast se përmendën ata të cilët kanë qenë me detyrë si Prefektë apo detyra të tjera të larta në vendet e tjera si ato arabe, anën e tyre artistike e kulturore etj. Në Perandorinë Osmane shoqëria më e forte ishte ajo shqiptare. Lidhjet mes dy vendeve mund të ngrihen duke rilexuar historinë. Në të kaluarën kishim kaq shumë lidhje saqë për shkak të pranisë së madhe të vezirëve në Sarajin Topkapı në disa mbledhje mes tyre gjuha e përdorur ishte ajo shqipe. Shqiptarët ishin shumë të fuqishëm dhe efektivë. Madje edhe në gurët e varreve dhe tyrbet ruhen dokumente ku shkruhen dhe nënvizohen që këto persona kanë qenë shqiptar. Domethënë Osmanlinjtë e kanë gdhendur emrin e shqiptarëve edhe në mermer për shkak të rëndësisë që i jepnin atyre. Marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë ashtu sikurse shpjegohet. Nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë (qëndronin mbi turqit e të tjerët) ishin shqiptarët. Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vend e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot shqiptarët e Turqisë. Shqiptarët i gjen kudo në tërë fushat e jetës turke, sidomos në poste drejtuese e komanduese si në aparatin shtetëror, në ushtri, në polici, në drejtësi, në ekonomi, industri e tregti, në arsim dhe kulturë. Ata gëzojnë respektin e mbarë popullsisë. Të përmendësh emrin shqiptar në Turqi, si dje dhe sot, është sikur të përmendësh një emër të shquar, të nderuar, me reputacionin më të mirë që mund të bëhet. 
Për këto arsye, Turqia zyrtare vlerëson kontributin e shqiptarëve dhe thekson se turqit dhe shqiptarët kanë udhëhequr bashkërisht Perandorinë Osmane. Në kuadër të historisë, idealeve dhe besimit të përbashkët mysliman, siç pretendojnë turqit e në tërësi vendet islamike, nënvizohen mendimet se duhet të rishikohen marrëdhëniet dhe të rigjallërohen. Lidhjet kulturore në veçanti kërkohet të jenë shumë më të forta pasi diaspora më e fortë e shqiptarëve është në Turqi. Tërhiqet vëmendja se është e papranueshme që një vend si Turqia që ka një prani kaq të lartë të diasporës shqiptare të ketë marrëdhënie të tilla me vendet e tyre. Historia dhe vlerat e përbashkëta, shtrojnë natyrshëm nevojën për forcimin e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-turke. Shqiptarët kanë ndikuar dhe lënë shumë gjurmë në historinë e shkuar të Turqisë. Veprat e shqiptarëve mund ti shikosh gjithë andej. Po të hedhim një sy në Stamboll do të shikojmë që pas Sulltanëve dhe familjeve të tyre më shumë vepra dhe shërbime kanë lënë pashallarët shqiptarë pasi kjo shoqëri nxori më shumë sadrazemë dhe pashallarë se sa çdo popull tjetër. Këto vepra nuk janë të kufizuara vetëm me Stambollin. Në Dijarbakër, Halep, Damask si dhe në qytete të ngjashme kur shohim mbishkrimet e veprave të tyre që ende janë në këmbë e kuptojmë që marrëdhëniet kanë qenë shumë më të ngjeshura dhe të mira. Kontributi i shqiptarëve nuk është kufizuara vetëm me historinë e Perandorisë Osmane. Shqiptarët që kanë vazhduar të kontribuojnë edhe më vonë e në kohën e tanishme në Egjipt ku dinastia shqiptare udhëhoqi për 20 vjet vendin, Irak, Libi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore etj. Disa studiues në Shqipëri mbrojnë mendimin se nuk është e dobishme që të pranohet zyrtarisht dhe të theksohet se ka qenë një realitet historik, se shqiptarët bashkë me turqit sunduan bashkërisht në kohën e Perandorisë Osmane. Ky mendim argumentohet me idenë që të mos bëhemi bashkëfajtorë me osmanët. Po të pranohet kjo ide, atëherë duhet të rishkruhet Historia e Shqipërisë. Realiteti historik duhet analizuar, pranuar dhe shkruar ashtu siç është e vërteta. Nuk ka përse të mohohet e vërteta dhe historia, për të shpëtuar nga akuzat për bashkëfajësi. Teorikisht dhe praktikisht, nuk është e drejtë dhe nuk ka ndodhur historikisht bashkëpunimi i gjithanshëm i shqiptarëve me osmanët. Shqiptarët kanë qenë të detyruar të bashkëpunojnë, të realizojë detyra dhe të mbeten kontribues në Perandorinë Osmane. 
Së pari, Perandoria Osmane pushtoi Ilirinë. Për të qeverisur në hapësirën e madhe gjeopolitike, osmanët vlerësonin dhe impononin nënshtrimin e popujve dhe aleanca me krerët më të fuqishëm sundimtarë të rajoneve të popullsisë autoktone që pranonin apo kishin kundërshtime ndaj qeverisjes qendrore. Shqiptarët nën robëri u detyruan t’i nënshtroheshin pushtuesve. Personat me aftësi e të shkolluar, detyroheshin t’u shërbejnë osmanëve, në të kundërtën gjencidoheshin hapur e masivisht, siç ka vërtetuar historia; 
Së dyti, bashkëqeverisja e shqiptarëve me osmanët i territoreve të pushtuara, shpjegohet me faktin se pushteti qendror ishte i përqendruar tek sulltani turk. Shqiptarët ishin të besuar e të vlerësuar prej tij dhe ju ngarkoheshin detyra të larta në gjithë perandorinë, për arsye se ishin të aftë dhe dalloheshin për zgjuarsinë, guximin dhe përkushtimin në realizimin e misioneve me rëndësi të jashtëzakonshme për atë kohë; 
Së treti, Porta e Lartë bëri në fakt njësimin zyrtar me turqit të shqiptarëve që ndryshuan me dhunë e premtime besimin kristian dhe u kthyen në myslimanë. Me këtë qëndrim, u ligjërua praktika e zbatuar në jetën e përditshme për vëllazërimin e myslimanëve. Njësimi legalizoi asimilimin, duke mos njohur e mohuar shqiptarëve identitetin kombëtar, besimin kristian, kulturën e gjuhën e lashtë shqipe. 
Nga koha e osmanëve e më vonë në Turqi dhe gjithë shtetet arabe, shqiptarët, arnautët, njihen si vëllezër myslimanë, jo të krishterë. Shqiptarët e krishterë njihen si grekë, serbë etj. Të njëjtën politikë asimiluese të shqiptarëve të krishterë zbatojnë edhe Greqia, Serbia, Maqedonia etj. 
Marrëdhëniet e ngushta miqësore me Turqinë është e dobishme të vlerësohen edhe si mundësi për të shtuar kërkesat zyrtare për njohjen e shqiptarëve si kombësi, me gjuhën shqipe të legalizuar dhe gjithë të drejtat që garantojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Sigal