Dr.Qemal Lame/ Qëndrim mbarëshqiptar për marrëveshjen me serbinë

228

Zhvillimet politike na bindin se bllokada serbe për njohjen e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa mbështetje nga Bashkimi Evropian e bashkësia ndërkombëtare. Në kushtet që Serbia qëndron midis BE-së dhe Rusisë dhe nuk ka akoma realisht një politikë të unifikuar e të fuqishme evropiane, del në radhë të parë roli ndërmjetësues nga SHBA dhe Rusia.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes me ndërgjegje nga të dy shtetet. Ajo do të pranojë zgjidhjet për të cilat do të ketë mirëkuptim nga të dy palët. Dihet se vitin e ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale. Trump kërkon të arrijë suksese në politikën e jashtme duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërmjetësi i posaçëm i presidentit Trump, ambasadori gjerman në Berlin, Richard Grenell,në vizitën në Beograd insistoi në njohjen e Kosovës pa kushte. Ndërsa presidenti serb Vuçiç la të kuptohet se diferencat janë të dukshme. Ai ritheksoi arritjen e marrëveshjes në bazë interesave kombëtare.

Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës. Mbetet real kërcënimi i vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit për mosnjohjen e Kosovës nga OKB-ja. Moska zbaton politikën e njohur të marrëveshjes së pranuar nga Serbia. Rusia mund të pranojë një ndarje të Kosovës, por me kusht që Prishtina dhe Beogradi të binin dakord mes tyre dhe këtë hap ta miratojë Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Kjo u ritheksua edhe në vizitën e kryeministri rus Dmitri Medvedev, në Beograd, me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të Beogradit nga pushtuesit nazifashistë. Edhe një herë u demonstruan marrëdhëniet miqësore tradicionale, mirënjohja për kontributin e Ushtrisë së Kuqe në Luftën e Dytë Botërore dhe lidhjet shpirtërore të ortodoksisë serbe me Rusinë e Ukrainën. U tregua interesimi për përfundimin brenda këtij viti të ndërtimit të 402 kilometrave të gazsjellësit Turkish Stream që do të kalojë nga Turqia, në Bullgari e në Serbi. Pas kësaj vizite, më 24 Tetor 2019, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi vendosjen në Serbi të divizionit me sistemet e raketave “S-400” dhe “Pancir-S”, që do të marrin pjesë në manovrat e reja ushtarake në bazën ushtarako-ajrore serbe të Batajnicës.

Në rrethanat politike që Serbia kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ajo forcon ushtrinë, ble armatim rus, do të ketë edhe sistemin e ri të mbrojtjes ajrore. Partneriteti strategjik i Serbisë me Rusinë i arritur në vitin 2014, përparësia në marrëdhëniet ruso-serbe, tregtia e lirë me Tregun Euroaziatik, shitja e prodhimeve agrare e ushqimore serbe nga Petërsburgu në Vladivostok e rritur pas sanksioneve të BE-së që nuk eksporton në tregun rus, si dhe zhvillimet aktuale nuk i përshtaten integrimit evropian, krijojnë presion të drejtëpërdrejtë dhe rëndojnë edhe situatën për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Rusia e trajton Serbinë me preferencë. Kjo është një politike me mesazhe edhe për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Natyrshëm del detyra që BE të tregojë interesim dhe të realizojë sa më shpejt integrimin e anëtarësimin në bashkësi të Ballkanit Perëndimor. Partneriteti i propozuar nga Macron është ide e gabuar dhe e papranueshme. Kërkohet të mënjanohet realisht ndërhyrja e Rusisë në Ballkan. SHBA vepron që Rusia të largohet nga rajoni i Ballkanit.

Në këtë situatë me presione të hapura për të imponuar interesat serbe, kërkohet të veprojmë me përgjegjshmëri të lartë kombëtare për rifillimin e bisedime, e marrëveshjen me Serbinë. Kosova e Shqipëria të zbatojnë strategji të njëjtë me Serbinë që nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës në kufijtë aktualë dhe pa ndryshimin e kufijve nuk do të ketë marrëveshje.

Qeveria e kryeministrit në detyrë Haradinaj, si edhe nga politikanët që do të formojnë qeverinë e re pas zgjedhjeve theksojnë se kjo është ide e dështuar. Por rreziku qëndron pikërisht tek këmbëngulja e politikës serbe. Për këto arsye, rëndësi ka edhe qëndrimi nga partnerët ndërkombëtarë në ndërmjetësimin e tyre për konsensus për arritjen e marrëveshjes.

Politika e Serbisë për ndryshimin e kufijve është ide e vjetër e Millosheviçit i cili kreu bisedime edhe me Nanon e më pas me Berishën. Ideja serbe është një platformë politike shtetërore e studiuar, e formuluar me përpikëri edhe në gjuhën shqipe, është e paketuar e strukturuar dhe me pikësynime të hollësishme deri edhe me vijëzime, kilometra katrorë, fshatra, etj., që ndryshojnë në favor të Serbisë. Për tu bërë fakt i kryer kryhen bisedime të shumta të fshehta edhe me partnerët ndërkombëtarë, gjenden edhe personat zyrtarë shqiptarë që ta mbështesin.

Aktorë me pushtet të lartë në Kosovë dhe në Shqipëri e morën këtë ide, zhvilluan debate që tensionuan politikën, opinionin publik e median, manovruan me të gjitha mundësitë diplomatike për ta paraqitur si ide të re lokale të tyre, të marrin kurajo të bisedojnë në Tiranë, Prishtinë, Beograd, Bruksel, Washington, Paris, Berlin, etj. U bënë edhe zotime publike për mbrojtjen e këtyre ideve me arsyetimet se do të bëhet një vijëzim i lehtë i vijës së kufirit, do të kërkohet që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën, etj. Në këtë veprimtari, kuptohet natyrshëm se ata janë nxitur e mbështetur edhe nga partnerët strategjikë. Ndryshe nuk do të vazhdonin për afro dy vjet politikën për të bërë fakt të kryer ndarjen.

Ideja e ndarjes ka shkaktuar një dëm shumë të madh kombëtar. Janë arritur edhe marrëveshje në Bruksel, por që nuk janë bërë të njohura zyrtarisht. U dëshmua interesimi për të miratuar marrëveshjen brenda muajit qershor ose deri në dhjetor të këtij viti, siç e parashikonte plani amerikan i ndërmjetësuar nga Sorros. Në median dhe opinionin publik shqiptar është diskutuar edhe fakti i ndryshimit të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë,

Është me rëndësi jetike qëndrimi pozitiv i vendosur i kancelares gjermane Angela Merkel që kundërshtoi kategorikisht ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë dhe u kujdes për marrëveshjen ndërshtetërore me interes të përbashkët, ruajtjen e paqes, stabilitetit e integritetit territorial me efekte në të gjithë rajonin. Busullën orientuese që kërkohet ta programonte politika shqiptare na e dha të gatshme Gjermania. Tani ta mbrojmë e ta përdorim për të zgjidhur me zgjuarsi krizën e njohjes së Kosovës nga Serbia.

Serbia të reflektojë, të heqë dorë nga politikat e revizionimit të politikës dhe të ndryshimit të historisë, të pranojë përgjegjësinë për të kaluarën e rajonit, të njohë realitetin politik e kufijtë e vendosur dhe të ndalë fushatën kundër Kosovës. Politikanëve antishqiptare u rikujtojmë edhe alternativën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në rast se vazhdon mosnjohja, sabotimi i integrimit evropian dhe përçarja e shqiptarëve.

Është e domosdoshme të mbrojmë interesat kombëtare dhe të dëshmojmë qëndrime të përbashkëta të dy shteteve shqiptare në platformën për bisedimet me Serbinë. Disa tema me ndjeshmëri ndërkombëtar duhet të marrin përparësi si: kërkesa për të gjendur 1700 viktimat e zhdukura, dënimin e fajtorëve të gjenocidit e të përdhunimeve të më shumë se 20 mijë grave, zhdëmtimin e 22 miliardë Euro nga Lufta në vitin 1999. Të kërkojmë të drejta të barabarta për shqiptarët në Serbi, ashtu si serbët në Kosovë. Të realizojmë bashkimin e Mitrovicës së ndarë me kolonët e rinj serbë. Në rast se reflekton Serbia, edhe qeveria e re e Kosovës, do të ketë mundësitë të rishikojë taksën për mallrat e Serbisë e Bosnjë Hercegovinës. Marrëveshjet e deritanishme është me vend të rishikohen për të analizuar efektivitetin dhe zbatimin, bërjen e përmirësimeve ose shfuqizimeve për çështje që nuk i përshtaten kohës së tanishme.

Me Serbinë dhe popullin serb duam barazi në bashkëpunim e marrëdhënie miqësore. Kjo nuk mund të arrihet vetëm me iniciative të njëanshme të personaliteteve, por me politikë të studiuar shtetërore e kombëtare, konsensus të gjerë politik të brendshëm dhe qëndrime të bashkërenduara edhe partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë. Është nevojë jetike që të forcohet faktori shqiptar në rajon për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të kundërvihemi fuqishëm ndaj politikave për ndarjen e Kosovës dhe pengimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve që inspirohen nga Beogradi.