Dr. Qemal Lame: Negociatat me BE, interes kombëtar

669
Sigal

Interesi kombëtar kërkon që ky proces të mbështetet
nga të gjitha partitë politike

 

Komisioni Evropian miratoi me unanimitet dhe i
dërgoi Këshillit të Evropës rekomandimin për hapjen e negociatave për
anëtarësimin e Shqipërisë. Kjo dëshmon për një arrtije të politikës evropiane
dhe përparimeve të bëra nga Shqipëria. KE ka ndjekur nga afër reformat për
realizimin e pesë kushteve të vëna për hapjen e negociatave. Monitorimi ka qenë
intensiv dhe i shoqëruar me kërkesa të rrepta. U arrit me sukses plotësimi i
kushtit kryesor, i Reformës në Drejtësi, që imponoi ndryshimet kushtetuese dhe Ligjin
për Rishikimin e Figurës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, të quajtur “Vetingu“.
Institucionet shtetërore dhe partitë politike shqiptare realizuan detyrimet e
tyre dhe KE mbajti premtimin e dhënë. Me të drejtë pritet takimi i kancelares Merkel
me kryeministrin Rama, më 28 nëntor 2016, nga ku shpresohet marrja e njoftimin
zyrtar për negociatat. Kuptohet se kjo përgjegjësi dhe privilegj i është lënë
Merkel, për vetë ndarjen e punës në bashkësi, angazhimit të saj përkushtues për
integrimin sa më me efektivitet e në kohë të shteteve të Ballkanit Perëndimor,
si dhe interesave gjeopolitike euroatllantike në rajonin tonë.
  Hapja e negociatave është në procedurën e saj
të studiuar e të miratuar. Me këtë arsyetim objektiv, ekziston siguria në
rrugën e pandalshme të integrimit evropian të Shqipërisë. Pasiguritë dhe
mendimet për pezullimin apo shtyrjen e negociatave, janë kryesisht qëndrime
emocionale të shkaktuara nga interesa të njëanshme politike, të inkurajuara
papritur nga mendimet e deputetit të Bundestagut, Günter Kirschbaum. Ai është
kryetar i Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag. Funksioni është i
rëndësishëm dhe fjala e tij meriton vëmëndje. Por, nuk është me vend
mbivlerësimi i mendimeve të publikuara prej tij në konferencën për median, në
Tiranë, më 24 nëntor 2016. Në politikën gjermane, nuk ka praktika të kësaj
natyre të vlerësimeve dhe debateve të zjarrta politike, nga idetë dhe mendimet
që jepen nga personalitete të ndryshme të huaj. Interesat e një anshme e të
ndryshme politike dhe qëndrimet e medias në Tiranë, shkaktuan reagime me fuqi
më të madhe sesa meritohej. Kirschbaum, theksoi me të drejtë domosdoshmërinë e
plotësimit të pese kritereve të BE, duke ju shtuar edhe dy kritere të tjera. Në
fakt, ato janë të njëjta, megjithëse ndryshojnë si renditje numurore.

 

Dekriminalizimi i politikës dhe
pushtetarëve

 

Dihet, se në politikën shqiptare është dhe mbetet
si domosdoshmëri dekriminalizimi i politikës dhe pushtetarëve, lufta kundër
drogës dhe respektimi i standarteve demokratike në zgjedhjet e vitit 2017. Kritikat
e tij për këto probleme, u shoqëruan me përfundimin se pa plotësuar këto
kushte, nuk do të ketë hapje të negociatave. Këto mendime të tij, jepen në të
njëjtën ditë që kryeparlamentari Meta ndodhej në Berlin dhe zhvillonte bisedime
me kryetarin e Bundestagut, Norbert Lammert. U kërkuan zbatimi i kritereve, por
nuk u deklarua ndonjë qëndrim për bllokimin e negociatave. Përfundim i
Krischbaum u interpretua menjëherë nga opozita si bllokim i hapjes së
negociatave. U tha se është lajm i mirë mbështetja gjermane për anëtarësimin,
por edhe një lajm i keq për bllokimin e hapjes së negociatave. Faji u adresua
menjëherë tek Qeveria. Qëndrimet politike dhe mendimet e analistëve u
përqëndruan në rrezikun potencial të bllokimit të hapjes së negociatave. Do të
ishte mire që kritikat e tij të diskutoheshin, po me fokusin e problemeve që
parashtroi. Pa vend u debatua për rolin e komisionit, Bundestagut, ndarjes së
pushteve, rolit të ekzekutivit në raport me legjislativin etj. Siç ndodh
shpesh, idealizohet gjendja e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në shtetet
e tjera perëndimore, duke nënvizuar gjëndjen e rëndë në Shqipëri. Pa
nënvleftësuar problemet e mëdha në të cilat kalon shteti dhe shoqëria
shqiptare, është mirë të ruhet ekuilibri në krahasimet dhe kritikat e
ekzagjeruara e denigruese për autoritetin e shtetit dhe dinjitetin kombëtar. Po
të vlerësohet me kujdes konferenca mediatike e Krischbaum, del se shqetësimi i
krijuar nuk është ashtu siç u fokusua.

 

Kritikat e Krischbaum

 

Së pari, vetë Krischbaum, theksoi se kritikat janë mendime
të tij. Në rast se nuk do të bindej për plotësimin e kritereve, atëhere do të
diskutohej në komisionin që ai drejton, do të merrej një vendim dhe do të
bisedonte me kancelaren Merkel. U dha edhe mendimi se Merkel nuk mund të
veprojë në kundërshtim me vendimet e Bundestagut. Së dyti, ai nuk erdhi me një vendim apo qëndrim zyrtar të
Bundestagut dhe as të komisionit që drejton. Nuk ka sjellë as qëndrimin e kancelares
Merkel. Së treti, ai nuk mund të
ndryshojë rekomandimin e Komisionit Evropian dhe nuk mund të influencojë as në
vendimarrjen nga shefat e Shteteve dhe Qeverive në Këshillin Evropian. Këshilli
i Evropës nuk i pranoi amendamentet e opozitës shqiptare kundër rekomandimit
për hapjen e negociatave. Nuk u mirëprit as qëndrimi me mosvotimin e
rekomandimit nga ana e deputetëve të opozitës. Rekomandimi për negociatat iu
dërgua vendeve anëtare të BE për t’u vendosur, më 13 dhjetor të këtij viti,
vetëm me një kusht: zbatimin e Ligjit të Vetingut. BE është në dijeni të
pengesave të krijuara me pezullimin nga Gjykata Kushtetuese, deri në marrjen e
mendimit nga Komisioni i Venecias. Vetingu do të hyjë në fuqi. Ai nuk do të
mund të pengohet, pasi është në hartuar dhe miratuar në harmoni të plotë me
kushtetutën dhe orientimet e njohura të Komisionit të Venecias. Natyrshëm nuk
priten të vijnë mendime të ndryshme kundërshtuese. Reforma në drejtësi do të
zbatohet. Vettingut do t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët e prokurorët. Gjendja
është e patolerueshme. 75 për qind prej tyre, nuk i plotësojë kushtet dhe
detyrimisht do të largohen. Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pjesëmarrjen
e punonjësve të FBI, Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, do të krijojnë kushtet
për të realizuar domosdoshmërinë e ndjekies peanle dhe dënimit të fajtorëve
kryesorë me pushtet të lartë që kanë kryer korrupsion dhe krime shtetërore, por
i kanë shpëtuar drejtësisë, pikërisht për shkak të imunitetit dhe influencës
tek gjyqtarët e prokurorët që u kanë pushuar hetimet apo gjykimet. Do të shkatërrohen
lidhjet korruptive të politikës e drejtësisë. Kjo nuk do të mund të ndalet, as
nga përpjekiet për bllokimin e Vettingut dhe as nga ideja për devijimin e
reformës në drejtësi, duke kërkuar më parë reformimin e sistemit politik.
Ndërgjegjia juridike e gjyqtarëve të kushtetueses, vihet përballë interesave
personale. Megjithatë, ndërgjegjia juridike kushtetuese, nuk do të mposhtet nga
privilegjet personale. Gjyqtarët nuk duhet të japin mendime publike për
Vettingun, pasi çështja është në gjykim dhe ndalohet paragjykimi i vendimit
përfundimtar. Anëtarësimi në BE është prioritet madhor kombëtar dhe kërkohet
bashkëpunim dhe mbështetje e gjerë politike. Situata politike që po tensionohet
për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, nuk është e dobishme të rëndohet me
pengesa artificiale të hapura apo të maskuara, politike apo ligjore. Akuzat e
dyshimet për lobime, për interesa të njëanëshme politike, morën formë më të
qartë me qëndrimin kundërshtues dhe kushtet e opozitës që u përmendën edhe me
gojën e Krischbaum. Interesi kombëtar kërkon që të mbështetet nga të gjitha
partitë politike hapja e negociatave. Shqipëria ka shumë probleme. Këto i
njohim ne dhe Bashkimi Evropian që na monitoron. Antarësimi i Shqipërisë në BE,
ashtu si edhe në NATO, është një vizion politik evropian dhe euroatllantik që
do të realizohet. Shqipëria nuk është fuqi dominuese politike, ekonomike,
ushtarake. Por roli Shqipërisë e Kosovës, i gjithë kombit shqiptar, janë faktor
paqeje, sigurie, stabiliteti e miqësie në Ballkan. Shqiptarët janë më shumë se
75 për qind pro amerikanë dhe pro evropianë. Shqiptarët janë kundër shtrirjes
ruse në rajonin ballkanik. Këta faktorë janë shumë të dobishëm për BE dhe NATO-n.
Prandaj, edhe partneriteti me shqiptarët është i besueshëm, i dobishëm dhe i
nevojshëm.