Dr. Qemal Lame: Grabitja e pasurisë kombëtare të shqiptarëve

722
Media dhe opinioni i gjerë publik në Shqipëri dhe në shtete e tjera, në çdo rast reagojnë me shqetësim dhe me të drejtë për skandalet në sipërmarrjen e huaj. Gjendja e rendit dhe sigurisë vihen në dyshim, nga grabitjet spektakolare e të suksesshme që realizohen rëndom, me përsëritje të habitshme, në mes të ditës, me mjete e metoda bashkëkohore, me shpejtësi të rrufeshme që konkurrojnë, sfidojnë e injorojnë forcën e shtetit, të policisë, prokurorisë, gjykatës e të dinjitetit kombëtar. Në rrugën Tiranë-Kashar-Rinas, kryesisht në Qafën e Kasharit dhe deri edhe brenda territorit të aeroportit, kanë ndodhur 4 ngjarje të rënda grabitjeje mafioze. Vetëm në ngjarjen e fundit, më 9 shkurt 2017, bëhet e ditur se transportoheshin rreth 32 milion dollarë, nga të cilat u arrit pa vështirësi të vidhen 3,2 milionë dollarë. Grabitjet haptazi dhe demonstrativisht e bankave në ndërtesat e tyre, si dhe e vlerave të mëdha që transportohen jashtë shtetit, janë të jashtëzakonshme për kushtet e mundësive financiare të sistemit bankar dhe thesarit të shtetit shqiptar. Këto fenomene negative me tendencë në rritje e agresivitet të kriminalitetit, ka rëndësi të kuptohen, të analizohen, të evidentohen përgjegjësitë e madha dhe detyrat shtetërore. Tërheqin vëmendjen sidomos: 

Së pari, zbatimi i legjislacionit për legjitimitetin e burimeve financiare e monetare që realizohen në sistemin bankar; 
Së dyti, e drejta e posedimit të ligjshëm të të ardhurave nga bankat dhe kompanitë private, vendase dhe të huaja; 

Së treti, kontrolli shtetëror dhe rregullat që normojnë mbrojtjen e interesave shtetërore kombëtare dhe të drejtave të investitorëve të huaj në Shqipëri për transferime të fitimeve të tyre jashtë shtetit, në qendrat financiare ku ato kanë mëmësinë, si dhe depozitimet në institucionet financiare, bankat e qendrat e tjera të njohura ligjërisht.

Vlerat e mëdha në valutë të sipërmarrësve dhe të bankave private të huaja realizohen nga qarkullimi i monedhës vendase lekut. Transferimi i fitimeve bëhet vetëm me valutë të huaj! Banka e Shqipërisë garanton vlerën e lekut, në raport me valutën e huaj. Por tërheq vëmendjen fakti, se rezervat e mëdha valutore shqiptare, shkojnë si lumi në det, nga Tirana në drejtim të shteteve të tjera. Vlera e shtuar në valutë të huaj që krijohet në sistemin bankar shqiptar, nuk i shërbejnë zhvillimit dhe fuqizimit të ekonomisë shqiptare, por kryesisht të investitorëve të huajve!? Kapitali i huaj ka të drejtën e investimeve dhe të fitimeve të ligjshme. Shteti shqiptar ka për detyrë të mbikëqyri ligjet që rregullojnë veprimtarinë e sipërmarrësve të huaj, të kontrollojë e monitorojë masat që garantojnë veprimtarinë e tyre. Kështu mbrohen sipërmarrësit, kapitali e burimet monetare e materiale. Njëkohësisht dëshmohet forca e shtetit të së drejtës dhe garantohet edhe mbrojtja e interesave kombëtare. 

Propagandohen si arritje madhore marrëveshjet me investitorët e huaj. Kuptohet qëllimi i tyre politik, sidomos në kohën e fushatave zgjedhore. Shqetësuese mbetet fakti, se investitorët e huaj përfitojnë maksimalisht mundësitë ligjore që garanton shteti shqiptar, por nuk realizojnë në kohë detyrimet kontraktore. Nuk ka investime dhe përmirësim të infrastrukturës në objektet e privatizuar dhe të dhëna me koncesion. Metalurgjiku në Elbasan u shkatërrua.

Uzinat e ferro-kromit, rafineria e naftës, minierat e kromit e të bakrit etj. Forcat e Armatosura të periudhës së socializmit, u suprimuan dhe u reformuan sipas doktrinës së re të mbrojtjes, në aleancën euroatlantike, NATO. Por armatime dhe municionet, pasuritë e tjera të mëdha ushtarake, u vodhën, u trafikuan etj. Llogariten disa miliard dollarë pasuri kombëtare e shkatërruar dhe grabitur. U vu para përgjegjësisë penale një biznesmen i skrapit, në Durrës. Ndodhi edhe ngjarja skandaloze e eksplozionit me përmasa të një shpërthimi atomik në fabrikën e vdekjes, në Gërdec, në hyrje të Tiranës, në derën e Aeroportit të Rinasit. U vunë para përgjegjësisë dhe u dënuan disa persona. Por nuk u dënuan pushtetarët fajtorë që e lejuan dhe mbrojtën e zhvillimin e veprimtarisë kriminale dhe vodhën pasurinë kombëtare. “Bankers” shfrytëzon e shkatërron barbarisht burimet e naftës, shkatërron mjedisin, shtëpitë, dëmton e krijon rrezik konkret për jetën e shëndetin e popullit, bën të pabanueshme e vdekjeprurëse zonën ku kryhen punime nëntokësore. Me gjithë kritikat shtetërore, demonstratat e ankimet e popullit, gjendja vazhdon pa ndryshime. “Bankers” raporton bilanc me humbje gjatë 10 vjetëve me radhë dhe nuk vihet para përgjegjësisë penale apo civile. Nga auditimi i zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në kompaninë “Albpetrol”, në periudhën; tetor 2012 deri shtator 2013, nga ku kanë rezultuar kosto hidrokarbure të pa pranuara me vlerë 352 milionë USD. Në auditimin e fundit për periudhën nga 01.07.2015 deri më datën 30.09.2016, janë zbuluar 15 miliardë dëme ndaj shtetit në 15 muajt e fundit. Shkelje të dispozitave ligjore konstatohen edhe në mosrespektimin e të drejtave të punonjësve. Për periudhën 01.01.2015 deri më 30.09.2015, rezulton se në Gjykatën e Lartë kanë përfunduar 12 çështje në favor të punonjësve për të dëmshpërblyer nga 8 deri në 17,5 paga vjetore secilin, si dhe kanë përfunduar 8 çështje në Gjykatën e Apelit. Gjithashtu, janë në proces edhe 143 çështje, nga të cilat 33 çështje janë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe 110 punonjës të tjerë janë ankimuar në Gjykatën e Apelit. Sipërmarrësit e huaj kanë të drejtën e ligjshme sipas marrëveshjeve të miratuara, të shfrytëzojnë burimet e mëdha natyrore, ekonomike e financiare, fuqinë e lirë punëtore me gjithë kapacitetet e mundshme. Veprimtari e ligjshme e sipërmarrësve të huaj mbështetet nga shteti dhe opinioni publik. Por është e papranueshme dhe e patolerueshme gjendja skandaloze e mosrespektimit të detyrimeve të marrëveshjeve koncesionare për investime, mbrojtjen e mjedisit, të jetës e shëndetit të popullit. Objektet ekonomike, minierat, puset e naftës, fabrikat e uzinat etj, kanë ngelur kryesisht me pajisjet e kohës së para 25 vjetëve, para ndryshimit të sistemit politik. Sistemi energjetik i amortizuar dhe shqetësimet e mëdha të krijuara në popull dhe nga biznesi, ndikuan që të shpejtoheshin masat për privatizimin. Qeveria e mëparshme, e vlerësoi dhe propagandoi si sukses i madh marrëveshjen për dhënien me koncesion tek CEZ. Gjendja e furnizimit me energji u përkeqësua më tej. Qeveria e anuloi marrëveshjen dhe e çoi çështjen në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Qeveria në fuqi u tërhoq nga arbitrazhi duke bërë zhdëmtimin e CEZ. Llogariten rreth 1,5 deri në 2 miliardë dollarë dëme, vetëm nga ndryshimet kontraktore me CEZ. Janë bërë akuza të rënda reciproke nga qeveritarët e mëparshëm me ata të tanishëm për korrupsion. Është në vazhdim shqyrtimi i këtyre akuzave nga një komision i posaçëm hetimor. Vështirë se do të gjendet fajësia konkrete për fajtorët kryesorë të kësaj çështjeje me pasoja katastrofike për sistemin energjetik dhe buxhetin e shtetit. Dështim për privatizimin, u korrigjua me rikthimin në pronësi të shtetit të CEZ, me kompaninë me emërtimin e ri OSHE. Përvoja dëshmoi, se gjendja katastrofike e administrimit, shpërndarjes dhe arkëtimeve, u përmirësua gjatë këtyre tre vjetëve. Kompania, e mbështetur nga policia, prokuroria e gjykata, forcoi kontrollin, detyroi e realizoi përgjithësisht në kohë arkëtimet nga shumica e konsumatorëve e debitorëve të kamat-vonesave. Janë realizuar edhe investime me rëndësi, nga të ardhurat e realizuara duke ulur humbjet në rrjet dhe forcuar kërkesën ligjore për pagesën në kohë të faturave të konsumatorëve. OSHE mund të thuhet se është bërë një nga shembujt pozitiv të administrimit nga shteti. Shqetësuese mbetet fakti se dënohen persona në nevojë që nuk paguajnë dot faturat e energjisë, kur dyshohet për shpërdorime dhe vjedhje me tenderët shtetërorë në miliona dollarë. Përvoja e këtyre 25 vjetëve tregon se nuk është shpëtimtare për ekonominë vetëm privatizimi. Privatizimi me idenë që shteti të ketë vetëm rolin vëzhgues e koordinues, solli si pasojë korrupsionin galopant të politikanëve, grabitjet e hapura të pronës publike e private. U zbatuan parimet e kapitalizmit primitiv dhe u tolerua grabitja e pasurisë kombëtare. Disa koncesionarë dhe biznesmenë të huaj vinë për të “ndihmuar”, përfitojnë nga politikanët e korruptuar duke vjedhur dhe grabitur pasurinë dhe punën e lirë të shqiptarëve. Themelore është ruajtja e raporteve midis pronës publike dhe asaj private, administrimi me përgjegjshmëri, zbatimi i ligjeve dhe i disiplinës buxhetore. Shteti nuk duhet të zhvishet tërësisht nga pronësia. Është me vend të rikujtojmë se shtetet e zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia etj., nuk kanë bërë privatizimin e plotë të pronës publike, por ruajnë 70 deri 80 për qind të kapitalit të madh në pronësi të shtetit. Kapitalizmi, shpresohej të ndryshonte gjendjen e ekonomisë dhe mirëqenien e popullit. Pa nënvleftësuar disa arritje pozitive, opinioni publik thekson me forcë dhe indinjatë se ndryshimi i sistemit ka mbetur akoma një propagandë politike. Pa e hiperbolizuar gjendjen, kemi të drejtë të arrijmë në përfundimin se rruga drejt aeroportit mbetet objekt i kriminalitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, i dëmtimit të interesave shtetërore, objekti më enigmatik, më i pa mbrojtur dhe më i pa kontrolluar. Me të drejtë thuhet, se transferimi i ligjshëm i vlerave kolosale monetare në valutë të huaj, dollarë, euro etj., që kalon në mënyrë të organizuar nga bankat, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, drejt shteteve të tjera, është një veprimtari e njohur nga legjislacioni në fuqi. Megjithatë, kemi për detyrë të kërkojmë të njihemi publikisht me legjitimitetin e këtyre marrëveshjeve, si janë realizuar, a është respektuar me përpikërie dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve. Njihemi si vend me pasuri të mëdha të natyrës, të nëntokës e të shërbimeve, por mbetemi vend i varfër ekonomikisht, financiarisht dhe në mirëqenien e qytetarëve. Kjo gjendje është e papranueshme, në raport me shfrytëzimin intensiv, me barbarizëm, që bëhet në industrinë minerale, të naftës e të gazit, të çelikut, kromit, bakrit, hekur-nikelit etj. Banorët e Zharrëzit, në zonën e pasur naftëmbajtëse të Marinzës, banorët e Bulqizës së pasur me krom, të Rrëshenit, Pukës, Kukësit etj, të pasur me bakër etj., mbeten akoma në gjendje të mjerueshme financiare dhe ekonomike, kur kompanitë e huaja realizojnë fitime të pakontrolluara nga shteti dhe deklarojnë çdo vit buxhet financiar me humbje!? 

Koncesionet e propaganduara nga shteti dhe partitë politike “si motorët e zhvillimit aktual e perspektiv të vendit”, nuk e kanë justifikuar këtë eufori. Kushtet e rënda të koncesioneve kanë garantuar fitime të pamundura për tu kontrolluar nga shteti shqiptar, kanë ndikuar në përhapjen më shumë të korrupsionit politik e juridik, kanë imponuar realitete diskriminuese dhe vazhdojnë të dëmtojnë zhvillimin dhe interesat aktuale e afatgjata. Janë shkaktuar pasoja të rënda për shtetin, buxhetin dhe qytetarët. Janë imponuar realitete të patolerueshme. Siemens mori me koncesion për 30 vjet Aeroportin e Rinasit dhe ekskluzivitetin për të mos lejuar ndërtimin e aeroporteve të tjera. Nuk solli përvojën gjermane të zbatuar në Frankfurt, Munich, Hamburg, së fundi në Berlin etj, por ndërtoi një hangar, të cilin e inauguruan me pompozitet bashkë me Qeverinë e Shqipërisë, si arritje të madhe, duke e quajtur ndërtesën e aeroportit të kryeqytetit shqiptar. Sa herë që fry erë e fortë, bien llamarinat e çatisë. Siemens vuri tarifa të udhëtimeve 3 deri 4 herë më të larta se ato të Bashkimit Evropian. Nuk mund të bëhet asnjë krahasim midis ndërtesës dhe shërbimeve në Aeroportin e Rinasit, në krahasim me Aeroportin e Prishtinës. Koncesionet e tenderët në shëndetësi, nuk kanë krijuar bindjen e duhur. Ato kanë shkaktuar kritika për korrupsion dhe vjedhje të pastra të ligjëruara, si për diagnostifikimin me analizat. Në këtë drejtim, ka edhe spekulime me qëllime politike. Koncesioni RAPISCAN për skanimin në dogana, kritikohet dhe akuzohet se dëmton shtetin, bizneset dhe qytetarët. Transporti ilegal i marijuanës nëpërmjet ajrit apo doganave, shkatërron gjithë punën që bëhet nga organizmat shtetërorë, policia, prokuroria e gjykata për goditjen, dënimin e fajtorëve dhe parandalimin e kultivimit e tregtimit të paligjshëm të drogës. Më datë 19 shkurt 2017, bëhet e ditur se në Itali, në portin e Ankonës, janë zbuluar nga qentë antidrogë 10 ton marijuanë e dalë me dy kamionë nga porti i Durrësit. Janë arrestuar shoferët. Njeri transportonte polisterol dhe tjetri lingota (metalike). Megjithëse nuk ka njoftime dhe raporte zyrtare, në media shkruhet, se policia dhe doganat kanë pasur dijeni, ose e kanë lejuar kontrabandën. Ministria e Financave, akuzohet konkretisht, se nuk vë në kohë para përgjegjësisë fajtorët dhe nuk ndikon në masën e nevojshme në ndryshimin e kësaj gjendje të rëndë të kontrabandës së marijuanës. Investitorët e huaj shesin biznesin tek investitorë të tjerë të huaj dhe largohen pa plotësuar detyrimet kontraktuale dhe buxhetore ndaj shtetit shqiptar. Politika opozitare, media, studiues e personalitete të ndryshme me njohuri për veprimtaritë ekonomike, financiare e tregtare, kritikojnë largimin e biznesit të huaj, por nuk argumentohen me objektivitetin e nevojshëm shkaqet dhe pasojat. Për të dhëna e fakte të njëjta të publikuara zyrtarit, vazhdojnë të bëhen interpretime të krejt të ndryshme nga ato të që janë raportuar e publikuar nga institucionet shtetërore dhe ato të statistikës. Përvoja shqiptare dhe ajo ndërkombëtare, tregojnë se sipërmarrësit e fuqishëm që bëjnë investime strategjike, punojnë për të garantuar veprimtarinë normale të përditshme dhe të ardhmen e tyre të sigurt. Ata bashkëpunojnë me institucionet shtetërore për të zgjidhur problemet aktuale dhe ato të zhvillimit. Konstatohet se kur rritet kërkesa e institucioneve shtetërore për zbatimin e marrëveshjeve dhe detyrimeve ligjore ndaj buxhetit të shtetit dhe punonjësve, ndodh fenomeni negativ i largimit kryesisht të biznesmenëve që nuk kanë dëshmuar bashkëpunim, transparencë për bilancet ekonomike e financiare, të akuzuar për dyshime të provuara për fshehje të fitimeve, mos pagesa të punonjësve etj. Në gjykatat shqiptare dhe ato të arbitrazhit ndërkombëtar, janë gjykuar dhe janë në proces disa padi civile. Shteti shqiptar, merr kredi nga institucionet dhe bankat ndërkombëtare, kur miliarda dollarë e euro, fitime të kompanive të huaja, në mënyrë jo transparente dhe pa kontrollin e domosdoshëm shtetëror, shkojnë nën mbrojtjen e shtetit jashtë vendit tonë!? Edhe për shumat e grabitura nga banditët, kaubojsit e rinj shqiptarë, do të detyrohet shteti të dëmshpërblejë!? Me të drejtë Bashkia e Tiranës ka parashikuar 1 milion dollarë kredi të buta për strehimin me banesa për 2800 familje në nevojë. Ky njoftim u mësua në kohën, kur u grabitën 3,2 milionë dollarë nga 32 milion dollarë transportoheshin jashtë shtetit! Për bankat apo kompanitë e huaja private, do të ishte e dobishme të studiohet më gjerë përvoja e deritanishme, të përsosen kriteret ligjore për veprimtarinë, bilanceve të sakta, shpërndarjen dhe transferimin e valutës e të pasurive të tyre jashtë shtetit, rritjen e fondit të garancisë, të kenë përgjegjësi edhe për investime në ekonominë dhe depozitime në bankën e shtetit shqiptar.

Moszbulimi dhe dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, si dhe parandalimi i veprave penale është jetikë për këta sektorë të ekonomisë. Janë hetuar çështje të rëndësishme, por hetimet janë pushuar. Këtë përfundim pati edhe çështja e rëndësishme ku akuzohej “Banker”. Zbatimi i ligjeve dhe veprimtaria e organeve të policisë, shërbimit informativ, prokurorisë, gjykatës etj., është e domosdoshme të forcohen, të njihet më mirë gjendja, të reagohet me masa ligjore e shtetërore, për të mbrojtur dhe parandaluar dëmet ndaj pronës publike dhe asaj private. Për zbatimin e ligjshmërisë nga biznesi i huaj, do të ishte e dobishme që të studiohet dhe të mbahet parasysh përvoja amerikane. Ministria e Drejtësisë, FBI,CIA, gjykata etj., kanë vënë para përgjegjësisë, janë ndëshkuar me rreptësi dhe janë dhënë dënime për paligjshmërinë, duke detyruar Deutsche Bank, të paguajë gjobën prej 4,6 miliardë dollarë; Koncernin e VW, të paguajë 17,5 miliardë dollarë etj. 

23 shkurt 2017 
Sigal