Dr. Qemal Lame: Dritëhijet e pezullimit të ligjit të Vetingut

593
Sigal

 

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ishte e domosdoshme të merrte
mendimin e Komisionit të Venecias. Ajo dëshmoi përgjegjësinë e saj, me vendimin
që pezullon Vetingun, deri në ardhjen e përgjigjes dhe marrjen e vendimit
përfundimtar. Mendimet e pritshme, dihet se janë rekomanduese. Ato nuk kanë
fuqi detyruese për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Vetingu është ligji kryesor që
materializon realizon zbatimin e parimeve kushtetuese dhe mekanizmi ligjor më i
fuqishëm i Reformës në Drejtësi. SHBA dhe BE u përkushtuan dhe dhanë ndihmën
për reformimin historik të drejtësisë dhe të shtetit në Shqipëri. Specialistët
e EURALIUS dhe OPDAD, punuan bashkë me Komisionin e Kuvendit për hartimin e
ligjeve të reformës. Për këto arsye,
pezullimi i zbatimit të Vetingut, që është në fakt ligji themelor që do të
garantojë parimet kushtetuese për reformimin rrënjësor institucioneve dhe të
figurës së punonjësve të drejtësisë, imponon edhe pezullimin e detyrueshëm
ligjor të përkohshëm të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ligji i Vetingut do të analizohet në
mënyrë të gjithanshme mbi përmbajtjen dhe diapazonin e shtrirjes së
veprimtarisë praktike të tij. Këto
kërkesa detyrojnë analizën në thellësinë e domosdoshme për të arritur në
qëndrimet e drejta për respektimin e parimeve teorike dhe kritereve praktike,
të mekanizmave dhe instrumenteve ligjore. Konkretisht
do të verifikohet: 

– Përmbajtja e ligjit, nëse është në përputhje e në zbatim të
Kushtetutës; 

Pavarësia e gjykatës në zbatimin e funksioneve të
saj kushtetuese për dhënien e drejtësisë, në se garantohet në ligj e në
praktikë pavarësisht nga pushteti ekzekutiv; 

Respektimi i të drejtave dhe garancive kushtetuese për
gjyqtarët, prokurorët e punonjësit e drejtësisë që do të janë objekt i
kontrollit të figurës personale e profesionale, pasurisë, llogarive bankare në
bazë të ligjeve dhe në raport me të ardhurat e ligjshme të tyre. 

Ndryshimet në Kushtetutë për Vetingun janë një dispozitë
kalimtare që i përgjigjet gjendjes së rëndë të shtetit e të drejtësisë dhe
pamundësisë së Qeverisë e Kuvendit për realizimin e reformimit të drejtësisë.
Prandaj ndërhyrja dhe ndihma ndërkombëtare, e SHBA dhe BE ishte e domosdoshme,
historike dhe shpëtimtare për shqiptarët. Partitë
politike pranuan këtë fakt të hidhur dhe me unitet miratuan ndryshimet
kushtetuese. Kundërshtimet lindën, për shkak të pretendimeve për disa nene, mos
ruajtjes së qëllimit të krijimit të organeve speciale të realizimit të
Vetingut, dhënies së kompetencave të organeve të pushtetit ekzekutiv për
deklarimin e kontrollin e pasurisë, llogarive bankare, cenimit të pavarësisë së
prokurorëve e gjyqtarëve etj., miratimit të njëanshëm nga maxhoranca e ligjit
etj.

Vendimi i diskutueshëm

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbetet i diskutueshëm.
Përballë faktit të pamundur për ta ndryshuar, është e nevojshme të pritet nga
partitë politike dhe opinioni publik. Vendimi
i ndërmjetëm i marrë nga kjo gjykatë, është e nevojshme të analizohet duke u
vlerësuar drejtë përgjegjësia për mbrojtjen e zbatimin e Kushtetutës dhe
harmonizimin e domosdoshëm të parimeve kushtetuese me normat ku rregullohet
përmbajtja materiale, shtrirja e veprimtarisë, të drejtat e detyrimet e palëve
të treta në zbatimin konkret të ligjit. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese në këtë
gjykim, nuk është e arsyeshme të kundërshtohet me argumentet e procedurës së
zbatimit të ligjit dhe jo me thelbin e përmbajtjes së ligjit. Gjykata Kushtetuese, sipas kritereve
ligjore, me të drejtë shqyrtoi kërkesën e opozitës, të PD, për paligjshmërinë e
ligjit të Vetingut. Ligji i Vetingut u miratua me votat e maxhorancës, pa
praninë e opozitës. Opozita braktisi votimin, kur duhet të dëshmonte me votë
qëndrimin e saj. Pa politizuar dhe pa komentuar qëndrimet diametralisht të
kundërta, merr domosdoshmëri interpretimi i parimeve kushtetuese për ligjin e
rreptë e me pasoja direkt të Vetingut për punonjësit e drejtësisë. 
Me fuqinë e pushtetit kushtetues, pezullohet zbatimi i
Ligjit të Vetingut, deri në vendimin që do të marri Gjykata Kushtetuese.
Reagimi i drejtë ligjor, kërkon mirëkuptim, vlerësim e mbështetje edhe nga maxhoranca,
si dhe nga partnerët ndërkombëtarë, konkretisht edhe nga mbështetësit e
drejtpërdrejtë që kontribuan për Reformën në Drejtësi, ambasadori i SHBA dhe
ambasadorja e BE në Tiranë. Qëndrimi ligjor e dinjitoz për vendimin e Gjykatës
Kushtetuese, shpjegohet me maturinë politike dhe respektin për drejtësisë,
dobinë e analizës, demonstrimin e vullnetit për funksionimin e drejtësisë së
pavarur, vendosmërisë për të zbatuar në kohë reformën e domosdoshme. Në një
deklaratë të përbashkët, SHBA dhe BE, publikuan qëndrimin e tyre në mbështetje
të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe presin shqyrtimin pa vonesë nga
Komisioni i Venecias. Qëndrimi ligjor dhe reagimi i domosdoshëm i Gjykatës
Kushtetuese, kërkohet të kuptohet, të interpretohet e të diskutohet me
objektivitet. Në situatën e
rënduar politike të dominuar nga përkushtimi për reformimin e drejtësisë, por
edhe të kundërshtimeve të fuqishme duke u argumentuar me parimet kushtetuese,
dallohen edhe qëndrimet e argumentuara me orientime e interesa diametralisht të
kundërta nga partitë politike, opinioni shoqëror, prokurorë, gjyqtarë etj., që
e ndiejnë forcën e madhe reformuese të prokurorisë e të gjykatës, por edhe
seleksionuese të “Vetingut”. 

Rezervat
e opozitës

Kushtetuta e ndryshuar dhe “Vetingu” marrin forcën
e kërkuar edhe me këtë qëndrim ligjor, për të interpretuar Kushtetutën, për të
qartësuar me argumente ligjore pavarësinë e organeve të drejtësisë nga pushteti
ekzekutiv dhe heqjen e çdo dyshimi për akuzat ndaj reformës në drejtësi, me të
cilat pretendohet se drejtësia do të vihet nën kontrollin e Qeverisë. Interpretimi i Kushtetutës dhe sqarimi
i dyshimeve e akuzave të opozitës, marrin rëndësi për të krijuar kushtet për të
patur edhe konsensusin e opozitës për Ligjin e Vetingut dhe garantuar
mbështetje të gjerë politike e shoqërore, hyrjen sa më shpejt të ligjeve të
miratuara dhe ligjeve që do të miratohen për institucionet kushtetuese të Vetingut
për të realizuar masat drastike për reformimin e pavarësinë e plotë të organeve
të drejtësisë, largimin e personave që nuk meritojnë të vazhdojnë apo të
punësohen në prokurori, gjykatë etj. 
Kështu mënjanohen edhe dyshimet e
akuzat e politikanëve apo individëve që shprehen publikisht për fushatat e
spastrimeve me interesa të hapura apo të maskuara politike. Reformimi i
drejtësisë arrin qëllimet politike, juridike e shoqërore, kur parimet
kushtetuese respektohen drejtë e pa dallime, për njerëzit e thjeshtë, si dhe
prokurorët e gjyqtarët. Barazia para ligjit dhe garantimi i të drejtave
kushtetuese, përfshin edhe gjyqtarët e prokurorët e punonjësit e tjerë ndihmës
të drejtësisë. Suksesi dhe
jetëgjatësia e reformës kushtëzohen edhe me kërkesën që të mbështeten nga
opinioni publik dhe nga vetë punonjësit e drejtësisë që janë objekti i reformës
dhe subjektet që do ta vënë atë në zbatim praktikisht. Në këtë udhëtim të vështirë e të
domosdoshëm të shtetit e të drejtësisë në Shqipëri, janë të nevojshme
respektimi i parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale,
vullnetit të popullit për drejtësi të vërtetë, si dhe mënjanimin e pushtetit
autoritar mbi organet e drejtësisë.

Drejtësi dhe jo luftë të re klasore

Të tre pushtete, legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor është
e domosdoshme të veprojnë sipas funksioneve të tyre kushtetuese dhe të
pavarura.  Për të patur
sukses dhe mbështetje mbarë popullore, kërkohet të mbajmë parasysh edhe
përvojën e mëparshme. Reforma nuk duhet vlerësuar me frikën e atyre që ndiejnë
pasojat. Rëndësi ka edhe mësimi historik, e të mos lejojmë “luftë të re
klasore”, të respektojmë kontributet e atyre që kanë shërbyer e punojnë me
ndershmëri e dinjitet. Të mos paragjykojmë, por të dëshmojmë drejtësi edhe për
njerëzit e drejtësisë, ndërgjegjen juridike që ballafaqohet me kërkesat e
zbatimit të rreptë të ligjit, në provat e fajësisë së fajtorëve. Prokurorët e gjyqtarët që zbatojnë
Kushtetutën, Kodin Penal e atë Civil, Kodet e Procedurës Penale e Civile,
gjithë ligjet e shtetit të së drejtës, kanë edhe të drejtën për të kërkuar
interpretimin e Kushtetutës e të Ligjit të Vetingut për të sotmen dhe të
ardhmen e tyre. Figura e gjyqtarëve të korruptuar shihet si shkak për marrjen e
vendimit për pezullimin e Vetingut. Realiteti
i figurës së gjyqtarëve kushtetues dhe lidhjet e forta me politikën, hedhin
dritë edhe mbi qëndrimet e diskutueshme të tyre në marrjen e vendimit të
pezullimit të reformës. Njoftimet, opinionet e analiza e publikuara menjëherë
në median audiovizive e në shtypin e përditshëm të brendshëm dhe ato
ndërkombëtare, postimet në internet dhe mesazhet e qarta të adresuara,
janë demaskuese. Përfundimet mbështeten në fakte domethënëse e në vlerësime
objektive. Qëndrimi më i rreptë, publikohet nga VOAL, sot më 26 tetor 2016, ku
theksohet se: “Kush janë gjyqtarët që rrëzuan Vetingun, “varfanjakët” që
notojnë në flori”. Problemet nuk janë të reja, përgjithësisht, ato kanë qenë të
njohura dhe me të drejtë nuk janë vlerësuar përcaktuese për figurën e veprimtarinë
e gjyqtarëve. Vëmendja e theksuar në këtë rast, për shkak të shqetësimeve të
krijuara, është e drejtë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese bazohet në kompetencat
kushtetuese, por ai nuk merr mbështetjen e domosdoshme pasi vihet në dyshim ndërgjegjja
juridike e kushtëzuar me faktin e nënshtrimit ndaj politikës dhe interesin e
konfliktit të vetë gjyqtarëve, me Ligjin për Vetingun dhe gjithë Reformën në
Drejtësi. Politikanët dhe analistët që mbështesin vendimin e Gjykatës
Kushtetuese, argumentojnë se ligji i Vetingut është antikushtetues, ka
ndryshuar kushtet për të cilat ishte arritur marrëveshja e minutave të fundit,
më 21-22 korrik 2016, për ndryshimet kushtetuese me 140 votat e gjithë
deputetëve, u miratua vetëm me 88 votat e PS, LSI dhe PDIU, ka krijuar
padrejtësisht kushtet e rrezikshme të kapjes së drejtësisë nga pushteti
ekzekutiv, nuk garanton pavarësinë e gjyqësorit e të prokurorisë etj. Mbështetësit e njohur të Reformës në
Drejtësi dhe të Ligjit të Vetingut, argumentojnë se Vendimi i Gjykatës
Kushtetuese është skandaloz. Argumentohet se garantohet krijimi dhe veprimtaria
e pavarur e drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatës, organeve të reja si
prokuroria dhe gjykata speciale, mënjanohet ndërhyrja e politikanëve dhe
pushtetit ekzekutiv, bëhet seleksionimi i drejtë i prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar
e të lidhur me krimin politik e ekonomik etj. Theksohet se frikë nga Vetingu,
kanë vetëm banditët politikanë që kanë penguar gjatë 25 vjetëve reformën në
drejtësi dhe kanë patur nën kontroll e duan të kenë nën pushtetin e tyre prokurorinë
e gjykatë. Vetingu do të luftojë korrupsionin politik dhe kompromisin kriminal
në dëm të shtetit e të popullit që ligjëronte: “politikanët të vjedhin dhe
gjyqtarët e prokurorët të shesin drejtësinë”! Dyshimet
dhe akuzat me prova konkrete edhe ndaj prokurorëve gjyqtarëve të korruptuar,
deri edhe tek Gjykatës Kushtetuese për vartësinë dhe nënshtrimin ndaj politikës
dhe për konflikt interesi me Ligjin e Vetingut dhe gjithë Reformën në Drejtësi,
mbeten demaskuese. Krahas
kritikave, është me vend të mbahet parasysh, se deri tani Gjykata Kushtetuese
është vlerësuar për rolin e saj pozitiv në mbrojtjen e interpretimin e Kushtetues
dhe zgjidhjen e problemeve me rëndësi kombëtare dhe nuk ka patur kritika të
ashpra e të adresuara. Kemi
besim, se mendimet e Komisionit të Venecias do të vinë shpejt, do të jenë në
mbështetje të Ligjit të Vetingut. Edhe ndonjë ndryshim apo saktësim i mundshëm
që do të vihet në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk do të
ndryshojë as ligjin dhe as reformën. Institucionet speciale do të krijohen në
kohë. Seleksionimet do të bëhen me përgjegjësi. Figura, ligjshmëria e pasurisë
dhe integriteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të jenë më të besueshme dhe do
të gëzojnë mbrojtjen e opinionit mbarë shoqëror, me qëndrimin përfundimtar për
Vetingun që do të legjitimohet edhe me interpretimin e Kushtetutës nga Gjykata
Kushtetuese. Ndryshimet e
papritura, do të gjejnë vlerësim të drejtë edhe nga BE. Shpresohet se nuk do të
pengojnë marrjen e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim, i cili
parashikohet të publikohet, më 3 nëntor 2016.