Dr. Ledian Droboniku: Normalizimi i Shqipërisë jashtë Perandorisë

1721
Shqipëria është një vend i vogël dhe ka kaluar pjesë të rëndësishme të historisë së saj brenda perandorive. Pa dashur që të shtrojmë gjithë literaturën e dendur për perandoritë e të së kaluarës dhe ato aktuale, mund të themi se një ndër nevojat thelbësore të sundimit të perandorive është padyshim homologimi i popujve nën hegjemoninë kulturore dhe ekonomike perandorake. Shumë popuj të mëdhenj e të vegjël kanë humbur dhe janë asimiluar brenda perandorive. Populli shqiptar, megjithë ndikimet e ndryshme, i mbijetoi zhdukjes, duke treguar vitalitet të lartë, falë një kulture, historie dhe gjuhe antike e të veçantë. Mision i pamundur, duhet t’i jetë dukur Rilindasve, që synonin të zgjonin popullin shqiptar prej gjumit shekullor nën perandorinë otomane. Një popull tërësisht i nënshtruar që nuk i lejohej jo vetëm pavarësia, por as kultura dhe gjuha kombëtare, ndërkohë vendet fqinje kishin fituar pavarësinë, përdorimin e gjuhës dhe madje universitete. Dhe pikërisht ngjizja e vonuar kombëtare filloi nga kultura dhe rigjetja e vlerave shekullore për ti rikthyer hovin jetësor një kombi në shuarje. Kjo sfazaturë kohore e ngjizjes së kombit shqiptar në krahasim me atë serb apo grek, erdhi edhe për faktin se “elitat” shqiptare ishin rehatuar nën Perandorinë Otomane duke pasur poste dhe ofiqe. Por ky prosperitet i tyre nuk përkonte me të mirën e kombit dhe popullit shqiptar. Deri sa ata fitonin dhe kishin privilegje përse duhet të kafshonin dorën atij që i siguronte këto privilegje?
Kasta shqiptare brenda perandorisë
Historia – mëson Tuqididi – tenton të përsëritet tek ata popuj që nuk nxjerrin mësime prej saj. Rehatia dhe privilegjet që një kastë ka gjendur pranë perandorisë së re po gërryen me shpejtësi kombin, ekonominë dhe kulturën shqiptare. E gjithë kjo me humbjen e hovit të një populli, tashmë i kolonizuar në mendje, që kërkon zgjidhjen tek ata që i dhurojnë skamjen. Ndërsa kudo në botë, madje dhe vetë në SHBA zien një debat i zjarrtë i fushatës elektorale kundër prirjeve perandorake amerikane dhe gërryerjes së demokracisë së brendshme, në Shqipëri kasta bën garë kush merr më shumë hire nga guvernatorët e perandorisë. Ndërsa të gjithë pranojnë në heshtje se jetojmë brenda perandorisë, askush nuk guxon jo të kundërshtojë por të shpjegojë efektet për shtetin dhe popullin shqiptar. Mediat nuk vonojnë të demaskojnë cilindo që devijon nga “rruga e premtuar”. Shqipëria është i vetmi vend, jo vetëm në Europën perëndimore por edhe atë lindore për konformizmin ekstrem të ligjëratës publike. Duhet që kritika të bëhet vetëm brenda kontureve të pranuara nga sistemi, përndryshe etiketohesh si konspirativ, radikal etj. Kush ka një kujtesë pak më të gjatë, e gjen familjare këtë logjikë të palogjikshme me aromë totalitare. Ky konformizëm nuk është produkt vetëm i injorancës sistemike falë rënies së universitetit, por edhe i rehatisë të një kaste të akomoduar në një cep të halesë pavarësisht kundërmimit të padurueshëm. Shqiptarëve iu shkon ndër mend, por e kanë të vështirë ta pranojnë, se regjimi oligarkik në Shqipëri nuk do ishte vendosur kurrë pa mbështetjen e perandorisë së re. Kur mendja nuk pranon evidencën, ajo shpik realitete virtuale që nëse imponohen nga sistemi për 25 vite, besohen si të vërteta. Vetëm kështu mund të kuptohet romanticizmi i një populli që beson se ka një perandori të mirë që vigjilon mbi jetët e tyre.
Besimi te demokracia
Ndërsa popujt e tjerë besojnë tek demokracia si e vetmja mburojë për garancitë e tyre. Intelektualë të huaj, i shpëtojnë kësaj sindrome shqiptare, dhe arrijnë të shkruajnë qartë – si bën Abrahams, tek libri i tij mbi Shqipërinë – ku akuzon ambasadën amerikane dhe ato europiane për mbështetjen që iu dha një regjimi antidemokratik si ishte ai berishian. Po vallë a ishte sporadike kjo mbështetje për regjime antidemokratike, apo vazhdon sot e kësaj dite? Kush ka lexuar pak histori të vërtetë, kupton në fakt se kjo sjellje ka qenë dhe është normale për perandorinë. Perandoria nuk vepron mirë apo keq. Ajo thjesht vepron për interes të zgjerimit dhe nuk pranon kundërshtime në rrugën e saj. Nuk është rastësi që romakët nuk pushtonin gjithmonë me ushtri, por mjaftoheshin të vinin në krye mbretër kukulla për sundimin e popujve. Kuptohet se real politika, nuk bëhet nga deklaratat para mediave. Ato janë ushqim për publikun. Real politika kryhet tek raportet e vasalitetit dhe sa të thella janë ato. Nëse një vendi i lejohet një farë autonomie, që të ndërtojë institucione demokratike të kontrolluara nga populli, të ndërtojë ekonominë e tij kombëtare, ushtrinë kombëtare, diplomaci të pavarur, zhvillimin e kulturës së tij origjinale etj. Shqiptarëve të dalë nga izolimi enverist, ku shihnin armiq kudo, papritur iu tha se “tani jetojmë në një botë paqësore dhe mos kini frikë të hapeni”. Nuk keni nevojë as për ushtri, ekonomi dhe industri kombëtare. E vërteta, edhe kësaj here qëndron në mes të dy fjalive. Bota aktuale nuk është paqësore, por e ngritur mbi një konkurrencë të egër për zotërimin e burimeve natyrore.
Shkaku kryesor i konflikteve
Sigurisht lufta nuk është mjeti i vetëm dhe i preferuar i zotërimit të këtyre burimeve. Imponimi i privatizimeve të egra vendit tonë si e vetmja recetë, shkonte sinkron me degradimin e vazhdueshëm të shtetit. Përballë një shteti të tillë, shqiptarët jo vetëm nuk bënin rezistencë për privatizimin e pasurive publike por madje e kërkonin vetë atë. A nuk është e gjithë kjo perfekte? Terapia shok, deindustralizmi i vendit dhe dhurimi i sektorëve strategjikë (bankat, nafta, minierat, portet, aeroportet, telekomunikacioni etj) në duart e të huajve ishte “çeku i bardhë” për mbështetjen e regjimit që u instalua në Shqipëri. Sigurisht kjo pilulë e helmatisur nuk mund të gëlltitej lehtësisht pa një ambalazhim të sheqerosur. Mediat dhe të gjithë aktorët e politikës dhe shoqërisë civile të financuar nga ky qark antikombëtar, me dashje apo pa dashje, pompojnë pa reshtur vizionin fals të botës neoliberale dhe preferencës së elitizimit ndaj demokracisë. Ndërkohë shërbimet publike bien dhe kostoja e jetesës rritet, shqiptarët nuk shohin më të ardhme në këtë vend me pasuri të rralla, por marrin rrugët e botës si një popull endacak. Pas 26 viteve në pritje të çekut të bardhë, a nuk na lind sot e drejta për të dyshuar se e gjithë kjo histori është sajuar diku me laps në dorë? Në fakt Perandoria nuk vepron qorrazi por ka shërbëtorë të devotshëm që përllogarisin me detaje çdo eventualitet. Ndërsa ambasadorët e SHBA-së dhe ata evropianë, kritikojnë “pa mëshirë” personazhet e kastës nga ana tjetër i ftojnë në kongrese dhe i përshëndesin si largpamës, burra shteti, yje në ngjitje në vend që t’i izolonin apo larg qoftë tu zbulonin pasuritë nëpër bankat e huaja. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh është vërtet shqetësuese për ata që kuptojnë ndërtimin e shtetit. Edhe nëse ke vendosur të ndërhysh, nuk mund të delegjitimosh klasën politike të një vendi pa ndihmuar që të ndërtohet një klasë e re politike demokratike. Ky vakum politik nuk mund të mbushet me legjitimitet të huaj, sepse kjo do të thotë aneksim i një vendi. Në fakt është pikërisht ky eterolegjitimitet që kanë instaluar në Shqipëri.
Kolonizimi i mendjes
Tashmë, populli televiziv, nuk u beson më politikanëve të tij mbi ngjarjet, por pret me ankth se çfarë do thonë ambasadorët e huaj mbi një temë të caktuar. Kolonizimi i mendjes shkon deri aty sa nuk shqetësohen për dënimin apo jo të politikanëve por fakti se atyre iu refuzohet viza amerikane. Dalja televizive në orën 00.00 të datës 1 janar të ambasadorit amerikan që përshëndeste popullin shqiptar, ishte një simbolikë e qartë se ky vend nuk i përket më shqiptarëve. Është e kotë që bëni zgjedhje, votime (por jo referendume) se në krye do keni vetëm kukulla që noterizojnë vendimet e marra diku gjetkë. Reforma për drejtësi dhe debati rreth saj, përsërit të njëjtin refren 25 vjeçar. Amerika do, por politikanët nuk duan. Kështu, populli urren politikanët e tij sepse këta “guxojnë” ti mos binden ndërkombëtarëve që duan të mirën e popullit. Të privuar nga aftësia e reflektimit, populli televiziv nuk kupton se këtë politikanë të shantazhuar nuk do guxonin kurrë ti kundërviheshin atyre që i kanë vënë në pushtet. Ata politikanë që i kundërvihen perandorive kanë mbështetje tek populli i vet dhe jo tek llogaritë bankare lehtësisht të zbulueshme. Pavarësisht çirrjeve, sharjeve, “lojës së stisur”, reforma do kalojë, ashtu si kanë kaluar “me sherre” reformat për ligjet e integrimit (ju kujtohet psikorama i atëhershëm), reforma për dekriminalizimin, imunitetin, gjykatën administrative, ligjin antimafia etj etj. Po ashtu të grithë e dinë, se edhe kjo reformë si gjithë të tjerat nuk do funksionojë, jo vetëm sepse bëhet nga njerëzit e kastës për njerëzit e kastës, por kurrë magjistratura nuk ndërton dot shtet. Shteti ndërtohet prej politikës, nëse ajo vihet nën kontroll të popullit të vet. Çfarë mund të bëjë magjistratura (edhe sikur të funksionojë) nëse të gjitha raportet politike, ekonomike etj manipulohen nga partitë antidemokratike dhe kleptokratike. Çdo jurist apo njohës i shkencave politike e di që, shtetet (polis) ngrihen mbi politikën (politea) si ai aktivitet që përfshin qytetarët në drejtimin e vendit dhe magjistratura që frenon demokracinë prej sakrifikimit të të drejtave të individit. Por nëse dihet që reforma nuk do normalizojë Shqipërinë, atëherë përse bëhet? Duhet që debati publik të devijohet edhe njëherë rreth problemeve të kota për të vonuar sa më shumë organizimin e shqiptarëve që të marrin në kontroll vendin e tyre prej partive antikombëtare dhe lobet ndërkombëtare. Reforma krijon mbi 20 organizma të rinj që do të rrisin koston dhe kaosin jo vetëm në Drejtësi por në të gjithë organizimin e shtetit shqiptar.
Teoria e kaosit
Teoria e kaosit ndaj një shteti disfunksional, që humbet sovranitetin, që drejtohet nga lobimet ndërkombëtare është aksioma që tentohet kundër atyre popujve që nuk mund të bëjnë rezistencë. Por si thotë Spinoza, popujt durojnë reduktimin e lirisë deri në një farë pike po pastaj rikthehen dhe e rimarrin edhe pse me më shumë kosto sesa kur e lëshuan. Shqiptarët nuk e kanë përdorur kurrë lirinë kundër popujve të tjerë por për ndërtimin e vendit të vet. Kështu, edhe kjo ligjëratë nuk po shtrohet pro apo kundër ShBA-së dhe Europës, por për ndërtimin e shtetit shqiptar. Shqipëria është dhe do të jetë pjesë e popujve perëndimorë si populli më i vjetër i kontinentit, por ashtu si dhe rilindasit, duhet të pretendojmë respekt dhe dinjitet për vendin tonë dhe jo vasalë të një Perandorie. Prandaj, duhet të mbajmë larg, ata pseudointelektualë që nuk u formuan nëpër shkolla, por në seminare dhe projekte idiote që kanë “aftësi” vetëm të shajnë dhe jo të krijojnë. Ky debat duhet të përfshijë qytetarë dhe intelektualë kompetentë dhe patriotë që dinë sesi ndërtohet një shtet modern i aftë për sfidat e kohës. Në rastin më të mirë, ky shtet duhet të dalë nga “sqetullat e babait” dhe të rritet i pavarur dhe autosufiçent ndoshta dhe nën përkujdesjen e prindit. Por në fakt popujt e vegjël janë ata që sakrifikohen të parët për lojërat e mëdha të perandorive, si kemi eksperimentuar mbi historinë tonë kombëtare. Perandoria përshtat politikën e saj me blloqe të mëdha dhe influencat ndryshojnë në bazë të grupimit politik që fiton pushtetin. Nuk është rastësi që popujt e vegjël zgjedhin të jenë neutralë ndal lojës së fuqive të mëdha. Shqipëria është në udhëkryq të interesave të ndryshme dhe gjeopolitika jonë duhet të bëjë llogaritë më këtë ekuidistancë. Nga ana tjetër, ky rol neutral do na lironte duart për të gjetur burime dhe ndërtuar një shtet funksional dhe modern për të mbushur honin që ndan nga shtetet e rajonit. Pavarësisht retorikës, investimet amerikane nuk erdhën kurrë në Shqipëri jo vetëm në ekonomi por as në ushtri, akademi etj. Madje, ekspertët flasin që herët a vonë SHBA do të tërhiqet nga zona të ndryshme të planetit si të papërballueshme dhe Shqipëria duhet të bëjë llogaritë me këtë eventualitet. Ajo që po ndodh sot me BE-në dukej e paimagjinueshme para pak kohësh, por po ndodh. Sfida e shqiptarëve ka qenë dhe është shtet-ndërtimi si argjinatura e vetme që mos të tretemi në brigjet e Adriatikut si kërkojnë tezat antishqiptare. Dhe Shqipëria sot e ka realisht këtë mundësi. Si thoshte, Monteskie, vendet e vogla janë ideale për të ndërtuar një demokraci efiçente sepse kanë një popull të vogël që mund të vendosë direkt për fatet e tij. Vetëm në këtë mënyrë, interesat e të huajve nuk mund të sakrifikojnë interesat shqiptare duke blerë kastën jashtë kontrollit të popullit. Në erën e ekonomisë nuk mund të kemi një shtet pa një ekonomi kombëtare. Kjo kërkon domosdoshmërisht 10 fishimin e GDP-së, rivënien në kontroll të bankave për financimin e kapitalizmit shqiptar, ndryshimin e misionit të bankës kombëtare, zhdukjen e monopoleve të importit dhe ngritjen e një ekonomie prodhuese që të balancojmë bilancin tregtar, rimarrjen e sektorëve strategjikë si çdo vend tjetër normal.
Mbrojtja e interesave shqiptare
Mbrojtja e interesave të Shqipërisë nuk mund të bëhet dhe pa ngritjen e një ushtrie kombëtare, sepse nuk ka aleanca të përjetshme dhe situata gjeopolitike po precipiton me shpejtësi. Një popull që nuk ka ngre ushtrinë e vet është i destinuar të mbajë ushtrinë e huaj – thoshte Napoleoni. Blerja e pushtetarëve tanë shkon deri aty, sa mburren se sa municione dhe armë kanë shkatërruar dhe jo sa kanë përforcuar ushtrinë. Jemi për herë të parë në 100 vite shtet, që gjendemi jo vetëm pa ushtri por dhe pa një elitë ushtarake e gatshme të sakrifikohet për vendin. Një ushtri mbushur me gjeneralë që vjedhin ushtarët dhe u ankohen ambasadorëve të huaj. Shkatërrimi i ushtrisë shqiptare bëri që Shqipëria mos të parandalonte gjenocidin kosovar, vetëm e vetëm që pavarësia të konsiderohej e dhuruar dhe jo e fituar. Në të kundërt, kërkesa për bashkim kombëtar pas luftës do ishte e pamohueshme. Ringritja e shkollës, kulturës, infrastrukturës, diplomacisë etj janë objektiva thelbësorë për një shtet normal. Pa një shtet të fortë, interesat e Shqipërisë dhe të vetë shqiptarëve do poshtërohen dhe nga shtete mikroskopike. Dhe ne do mbetemi duke kërkuar avoketër falas. Por avoketër falas nuk ka, sepse ata kërkojnë të bëhen aksionerë vetëm aty kur ka fitim dhe jo aty ku ka humbje. Reformat që i duhen vendit nuk do bëhen kurrë nëse shqiptarët nuk marrin në kontroll shtetin e tyre duke larguar partitokracinë dhe vendosur demokracinë. Një shtet ku vendimet nuk merren më “atje sipër” nga një elitë lehtësisht e manipulueshme, por vetëm nga populli sovran, si i vetmi që i dhimbset dhe vuan në këtë vend. Një sistem si Zvicra psh., liderat e të cilit nuk i njeh askush sepse janë pa peshë në një vend ku populli vendos me referendum fatet e tij. Por për ndërtimin e një sistemi të tillë, duhet të vrasim frikën e të dalim nga gjendja e një populli minoren, duhet braktisim mendësinë baritore dhe të përqafojmë kulturën demokratike, ku ndërtimi i shtetit do angazhim publik të qytetarëve ashtu sikundër angazhohen në punët e tyre private. Prandaj ky artikull nisi dhe përfundon me një apel ndaj ngritjes së kulturës, larg konsumerizmit individualist dhe përqafimit të vlerave kombëtare shqiptare që na lejuan mbijetesën historike. Na u deshën 5 shekuj brenda perandorisë otomane, që të kuptonim se gjumi për një popull të vogël do të thotë zhdukje të tij. Shpresojmë që edhe kësaj here të arrijmë të zgjohemi, të mos shkojmë pas “dumbabaistëve” por pas shembullit të rilindasve të vërtetë që kërkonin një Shqipëri të mëvetësuar, të begatë, dinjitoze dhe miqësore me çdo popull paqësor dhe demokratik. Shpresojmë që të paktën njëherë i madhi Konica të ketë gabuar, kur thotë: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.
Sigal