Dr. Jorgo Mandili: Si njëqint vjet më parë…

911
Faik Konica
Mbani mend mirë këtë që po ju them :në njëqint vjet
në vafshim si po vemi do jemi aq poshtë sa dhe sot”
… “. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se 
fluturon gomari, le të mos presim ngritjen tonë 
sociale dhe politike”… 
Është zhgënjyese, por e vërtetë, që edhe pas njëqind vjetësh ekziston një Shqipëri e pështirë, që tenton të ngrihet por që e ka humbur betejën. Një Shqipëri…

Ku ka pllakosur një uragan i farsitetit, mediokritetit e vulgaritetit kudo dhe në çdo formë.Pothuajse të gjitha pozicionet e marra përsipër apo të shpallura të tilla si ato publike, politike, partiake, akademike, ekonomike etj, janë të gënjeshtërta. Të vetmet përpjekje që bëhen, janë ato të arratisë nga fati ynë i vërtetë, për të shmangur kështu përballjen me atë që mund të ndodhë. Jemi duke jetuar në mënyrë komike, madje gjithnjë e më shumë komike, sa më haptazi tragjike është maska që na kanë vënë dhe vazhdojnë të na vënë “kërmat politike dhe morale” gjatë këtyre 27 vjetëve në emër të “demokracisë liberale”, por që në fakt kanë instaluar “demokracinë totalitare të zbatuar në mënyrë feudale”. Dhe lodhja është rraskapitëse. Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim… Se si hedh rrënjë një mani e urryer për t’u pasuruar, jo nëpërmjet punës së ndershme dhe një prodhimtarie të bollshme, por nëpërmjet shkatërrimit të sovranit, të shtetit dhe të qytetarëve.Një liri deri në anarki, një liri që pjesa më e ndershme nuk do të donte t’a 0. Njerëz pa dinjitet, të kërrusur mbi tokë dhe të prangosur në shpirt ; euforinë e tyre, dhimbjen dhe fatin e tyre të lidhur me plotësimin e nevojës së ulët epshore, nevojë e cila sa më shumë plotësohet, aq më shumë rritet në një shkallë më të dhimbshme. Politikanë, shtetarë e gjyqtarë se si kanë humbur çdo sens të së drejtës dhe të padrejtës dhe se si e kanë konvertuar urtësinë me aftësinë e realizimit të avantazheve të tyre, plotësimit të kënaqësive të tyre duke abuzuar edhe me detyrën,se si kërkojnë madhështinë e tyre në këtë degradim dhe nderin e tyre në këtë turp. Ata që duhet të jenë mësuesit dhe edukatorët e kombit,intelektualët, akademikët e profesorët, të katandisen deri në pikën e të qenit skllevër të kënaqur të korrupsionit, sepse janë formuar pa personalitet dhe besueshmëri në opinionin publik. Një intelektualizëm shqiptar, që shërben si “shërbyes i vobegtë i pushtetit të padrejtë politik”, sepse ajo asnjëherë nuk është lënë të formohet realisht dhe kësisoj duke mos krijuar vlera të pavarura dhe identitet mendor e individual, nuk është ende “bërthama e mbrojtjes së drejtësisë shoqërore” me zërin e saj. Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim… 

Një shoqëri me një papjekuri të brendshme në formim, që nuk kupton se cili është realisht interesi i saj, që nuk e ka koshiencën e të drejtave të saj,ku e kundërta nuk konceptohet dot si vlerë dhe ku ligji nuk është garant i të drejtave të qytetarëve . Një shoqëri që ka humbur çdo besim tek moraliteti në jetë, politikë dhe treg, ku veset shihen si virtyte, ku shpresa duket si një gënjeshtër e padobishme. Një shoqëri që po degradon politikisht, ekonomikisht, kulturalisht e moralisht e ku përgatitet të rrënohet. Një shoqëri ku mungon elita intelektuale, akademike e politike. Një shoqëri ku metastaza e mediokritetit, absurditetit dhe vulgaritetit, është përhapur dhe ka kapur edhe ato institucione që janë të destinuara vetëm për një pakicë të kualifikuar dhe të talentuar. Një shoqëri, ku zgjedhjet “putiniste të të gjitha niveleve dhe llojeve që nga universitaret e deri tek lokalet, partiaket e parlamentaret, në shumicën e rasteve prodhojnë një lidership, ku aftësia korruptuese, dhuna, harbutëria, arroganca, paraja, joshja dhe shantazhi janë mjetet që mbështesin një sundim despotik, të ngjashme me atë të Erdoganit. 

Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim…
Një shtet mosmirënjohës dhe tallës ndaj punës dhe vlerave të pensionistëve, duke i lënë në nivelin më të ulët të jetesës, ndërkohë që pagat e administratës dhe pushtetarëve i rrit sa pensioni i tyre. Një shtet që u merr edhe kacidhen e fundit të varfërve, kur të pasurve u fal edhe detyrimet fiskale. Një shtet ku të drejtat e shqiptarëve nuk ekzistojnë, sepse ato nuk mbrohen me ligj dhe me gjykatë. Kësisoj, shkelësit e ligjit kanë krijuar edhe sistemin e vlerave ireale kudo :në drejtësi, në media, në botën akademike, në drejtimin e institucioneve duke e transformuar shoqërinë shqiptare në një “vrimë të zezë” të vlerave reale. Një shtet, që nuk ofron mundësi punësim,një shtet me një sistem edukimi, që nuk gjeneron intelekt e qytetari,por mediokritet e vulgaritet. Një shtet ku populli është i mbytur nga monopolet, koncesionet, partneritetet publike, mbi çdo pasuri kombëtare. Një shtet ku dënimi i krimeve bëhet aq padrejtësisht saqë është më mirë të vrasësh një njeri se sa të mos kesh paguar ndonjë taksë. Një shtet ku padrejtësia më e madhe u bëhet atyre që nuk kanë asnjë mbështetje kundër fuqisë së oligarkisë financiare dhe politike, që kërkojnë të zotërojnë të mirat e tua, nderin apo jetën tënde. Një shtet ku postet u jepen njerëzve të ndyre, hajdutë e batakçinj, mediokër e pa dinjitet që me arrogancën e tyre nëpërkëmbin personalitetin e dinjitetin e qytetarëve dhe të Republikës, korruptojnë të gjitha zakonet e një kombi, degradojnë edhe shpirtrat më bujarë, shuajnë shkëlqimin e dinjitetit, errësojnë virtytin dhe zëvendësojnë nderin më të lartë me neveritjen e përgjithshme. Një shtet pa shtet, një shtet pa pushtet, një shtet luksokratik me një padrejtësi dhe pabarazi sociale të papërfytyrueshme. . Një shtet pa zemër dhe pa shpirt. 

Nuk është ndonjë kënaqësi e madhe të jesh qytetar i këtij shteti. Aq më tepër kur ekziston…
Një klasë politike dhe një lidership që po i bën varrin Shqipërisë. “Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…shkruante Faik Konica. Fjalë që duket sikur i ka thënë sot. Gjatë gjithë historisë politikanët tanë kanë pasur dhe kanë një dëshirë për pushtet, por jo për të bërë histori,” kanë punuar dhe punojnë për momentin, sepse nuk e kanë të lartë koshiencën e historisë “, ” hyjnë në politikë për të marrë diçka dhe jo për të bërë diçka. Kësisoj ata janë më tepër fëmijë se sa burra shteti”! Kanë vetëm një dëshirë patologjike : para dhe famë. Një lidership i përgjegjshëm dhe i suksesshëm udhëhiqet nga parimet si” forca morale e karakterit për të drejtuar me ide dhe ekip me njerëz të zgjedhur që të kenë logjikë dhe kuptueshmëri. Kësisoj gjatë këtyre 25 vjetëve askush nga liderët politikë që kanë dalë nuk ka ofruar vizion, projekt apo qëndresë për ta ndalur rrjedhjen e lirë të shoqërisë sonë kudo në art, muzikë, arsim, shëndetësi, ekonomi, ide, politike apo zakone shoqërore. Prandaj,retorika, vetëkënaqësia, cinizmi dhe deri tek nekrofiliia kanë mbizotëruar më shumë se kurrë tek liderët adoleshentë dhe delinkuentë të politikës sonë. Sepse të gjithë, që nga S. Berisha e deri tek E. Rama, kanë një sëmundje të përbashkët: narcizmin patologjik. Kjo i bashkon të gjithë këta politikanë të rastësishëm e aksidentalë , që u mungon fisnikëria, humanizmi, ndershmëria, dinjiteti, patriotizmi,komunikimi njerëzor, etika qytetare e mbi të gjitha dashuria për njerëzit dhe vendin, vizioni për të ardhmen, abnegacioni për demokracinë, devotshmëria për të drejtën dhe morali për të jetuar me nder dhe dinjitet. Sikur, Sokrati i urtë dhe i mençur të ishte gjallë, do t’u thoshte: “A nuk ju vjen turp që jeni kaq të dhënë pas parasë, famës dhe prestigjit, në një kohë që nuk mendoni dhe as nuk ju bëhet vonë për mendjen dhe të vërtetën dhe as për përmirësimin e shpirtit tuaj”? 

Mirë atyre nuk u vjen turp se janë të pacipë, por populli, populli nuk e kupton talljen që i bëhet nga këta kasnecë të politikës? Populli a do zgjohet një ditë, t’i “çonjë kryet” e të ketë pak guxim të divorcohet nga partitë dhe liderët e të dojë më tepër veten, familjen e Shqipërinë? Sikur shqiptarët” të jenë pak më të mendshëm “do të mund të dalin nga” dita e zezë ku ndodhen”
Sigal