Dr. Ina K. Zhupa/ Suedia, mikja e madhe e Shqipërisë

758
Ishte kënaqësi e veçantë të merrja pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada Suedeze në Tiranë, nën kujdesin e të Ngarkuarit me Punë, Johan Ndisi dhe bashkëshortes së tij. Një ceremoni ku në fjalën e tij Johan Ndisi evidentoi rolin e rëndësishëm të Suedisë dhe përfaqësuesve të saj në përpjekjet për paqen, prosperitetin si brenda Kombeve të Bashkuara, por edhe brenda Bashkimit Europian. Një video e përgatitur enkas përfshinte momente dhe personalitete të rëndësishme që lidheshin me kontributin e Suedisë brenda OKB. Suedia, si anëtare e BE-së ka luajtur një rol pozitiv në përpjekjet e shqiptarëve për t’u anëtarësuar. 
Një vend model, për sa i përket demokracisë, të drejtave të njeriut, administratës publike, kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale. Nga përvoja e të cilit shqiptarët mund të frymëzohen dhe të përmirësojnë sektorët e tyre. Siç e evidentoj edhe Z. Ndisi, vendi i tij sivjet feston 250 – vjetorin e lirisë së shtypit, duke i dhënë rëndësinë lirisë së shprehjes. Ne kemi vetëm 25 vjet dhe klasifikohemi si vendi që është përkeqësuar në lirinë e shtypit nga “Freedom House” dhe nga “Reporterët pa Kufi”. Suedia, aq larg standardeve tona, mund të na shërbejë si udhërrëfyes i mirë për të bërë disa përpjekje në përmirësimin e tyre edhe në kuadër të anëtarësimit në BE. Një kënd i veçantë i ishte kushtuar kulturës suedeze, sidomos librave me autorë suedezë të përkthyer në shqip, që ishte dhe një nga pjesët më vlerë të veçantë të ceremonisë. 
Të gjithë me siguri kanë dëgjuar për historitë e Pipi Çorapegjatës, një nga personazhet më të njohura për fëmijë me origjinë letrare suedeze. Po ashtu vëmendje për sportin në prag edhe të kampionatit europian ku nuk mungonte Zlatan Ibravimoviç, megjithëse jo personalisht. Të ftuarit patëm mundësi të shijonim ushqim suedez dhe muzikën nga një Dj. suedeze. Falë liberalizmit të vizave duke qenë një vend anëtar i Shengenit, shqiptarët mund ta vizitojnë Suedinë. Personalisht kam impresione të shkëlqyera nga pushimet në këtë vend. Gjithçka perfekte dhe gjen atraksione të veçanta, që nuk i gjen në asnjë vend tjetër. Një vend i pasur me histori, me kulturë, me bukuri natyrore që të lënë pa mend.

Zëdhënëse e Partisë Demokratike

Sigal