Dr. Ina K. Zhupa/ Progres Raporti i BE për korrupsionin

503
Progres Raporti i Bashkimit Europian, i bën një skaner vendit tonë në mënyrë objektive dhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, në lidhje me 5 prioritet e vendosura për hapjen e negociatave, por edhe të fushave të tjera në kuadër të aspiratave tona për integrim. Pavarësisht gjuhës diplomatike, që i shkon përshtat institucioneve ndërkombëtare, problemet që dalin janë shumë të mëdha dhe e rrëzuan Shqipërinë në këtë test të radhës. Një nga prioritet ishte lufta kundër korrupsionit, të cilën sipas rezultateve të qeverisë e kishim përmbushur, por sipas BE-së, nuk e kemi përmbushur aspak. Hapi i vetëm pozitiv që shikohet është miratimi i strategjisë dhe i strukturave antikorrupsion, por që funksionaliteti i tyre lë për të dëshiruar. Lista e problemeve fillon me influencën që politikanët bëjnë tek autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore, duke diktuar zgjidhjen e çështjeve, sipas interesit të tyre. Gjithmonë e më shumë është parë, sesi është e pamundur të dënohet një politikan, të cilit mund t’i dalin çështje të shumta të lidhura me korrupsionin, por asnjëra nuk arrin që të shqyrtohet dhe të çoj në një vendim të argumentuar. Çështjet ose nuk hetohen fare dhe lihen në kuadër të akuzave politike, ose anashkalohen për shkak të afateve, ose mbyllen për mungesë provash dhe faktesh. Vetëm pak zyrtarë të rangut të mesëm kanë arritur të gjykohen dhe të dënohen. Po ashtu mungon investigimi financiar në rastet e gjykimit për korrupsion. Ideja e një investigimi financiar do ishte masë jo vetëm e mirë për zbulimin, por edhe për parandalimin, sepse do frenoheshin në marrjen e sasive të mëdha të parave që nuk mund t’i justifikonin dot. Mosdeklarimi i të ardhurave nga zyrtarët edhe pse detyrimi ligjor është një problem serioz, që ngre Progres Raporti. Mund të sjellim ndërmend këtu, rastin më flagrant (dhe i vetëdeklaruar) që lidhet me Ministrin e Brendshëm Samir Tahiri, që po, sipas të cilit, ai e ka shitur makinën e tij, por nuk ka deklaruar të ardhurat nga shitja e saj dhe as nuk i ka paguar taksën shtetit për këtë shitje. Gjithashtu në lidhje me këtë çështje, është bërë objekt diskutimesh edhe një Raport i paautorizuar i OSBE, kur fliste për mosdeklarimin e të ardhurave super milionere të qeveritarëve tanë. Ky problem lidhet me një tjetër, që po ashtu e ngre Progres Raporti, atë të mosinvestigimit serioz të deklaratave të pasurisë që bëjnë zyrtarët në vendin tonë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, mesa duket është thjesht një organ për mbrojtjen e deklaratave të pasurive të zyrtarëve të lartë, sipas interesave të pushtetit. Kjo mund të vij edhe nga fakti se, si është zgjedhur drejtuesi i institucionit dhe lidhjet që përfaqëson me qeverisjen e vendit. Del në pah nga shqetësimet e ngritura në Raport, që nuk ka kontroll efektiv mbi financimin e partive politike dhe financimin e fushatës elektorale. Ky shqetësim është ngritur në fushatën e fundit elektorale për zgjedhjet e pushtetit lokal edhe nga opozita. Opozita bëri publike vetëm pagesat me miliona euro, që bëri kandidati për Tiranën, tashmë kryebashkiaku Erion Veliaj, vetëm për spotet televizive. Por mund të kujtojmë mitingjet elektorale me tapet të kuq, me karrige e shpenzime të tjera marramendëse, e për të mos harruar faktet e shumta për shumat për shit-blerjen e votave. Nga vijnë paratë që blejnë votat nuk dihen dhe nuk deklarohen, as si shpenzime elektorale?! Progres Raporti flet pikërisht për këtë fushatë elektorale, sepse është e vetmja që është kryer në periudhën, tetor 2014-shtator 2015, të cilën monitoron ky Raport. Nuk shqyrtohen sa duhen dhe me seriozitetin që nevojitet çështjet e konfliktit të interesit, thotë Progres Raporti. Një problem i ditur për shqiptarët, duke filluar që me emërimet në krye të institucionit të familjarëve, të të afërmve(rasti i Ditmir Bushatit, rasti i Taulant Ballës), i tenderave që shkojnë për kompaninë tënde nga shteti shqiptar (rasti i Ilir Beqajt, rasti i Koço Kokëdhimës), i fëmijëve apo familjarëve që marrin tendera dhe para publike (rasti i Valentina Leskajt) e shumë e shumë të tjerë si këta. Raste nga më flagrantet të konfliktit të interesit, që kurrë nuk janë gjykuar apo kanë marrë ndonjë masë. Konflikti i interesit cilësohet si shkelje dhe lidhet fort me mekanizmat e korrupsionit, megjithatë për qeveritarët tanë, mesa duket, përfaqëson thjesht një metodë pune. Kjo na bën të dukemi të pabesueshëm dhe problematik në sytë e BE-së, kur bëjmë përpjekje për të luftuar korrupsionin. Në Progres Raport përmenden si fusha me nivel të lartë korrupsioni dhe më të prekshëm, Shëndetësia, Arsimi, Drejtësia, Prokurimet Publike, Ndërtimet dhe Planifikimi i Territorit. Asnjë nga zyrtarët e lartë që drejton këto dikastere nuk ka reaguar, qoftë me ndonjë masë, qoftë me ndonjë sqarim, të paktën duke qenë se, përmenden si më problematikët nga BE. Denoncimet publike që ka bërë Opozita, sidomos në lidhje me koncesione, tendera, apo projektligje favorizuese kanë ngelur në vesh të shurdhët. Asnjë tërheqje nuk ka pasur dhe ngelen fushat më problematike në nivelin e korrupsionit. Shqipëria edhe pse ka kriminalizuar këto kohë shumë vepra, duke i gjykuar ato si të denja për burg dhe për masa të rrepta, ende nuk ka kriminalizuar si vepër penale pasurimin e paligjshëm. Kjo një masë e nevojshme, sipas BE-së që ndihmon në luftën kundër korrupsionit, që është mënyra më e shpejtë për të vënë pasuri të paligjshme. Mungon gjithashtu një kuadër ligjor adekuat, që mbron ata që denoncojnë korrupsionin, dhe kjo i bën njerëzit që të jenë më kollaj pre e tij ose indiferent ndaj denoncimeve të tilla. Një rast i njohur tashmë në lidhje me këtë shqetësim të BE-së, është ai i punonjëses në Ministrinë që atëherë drejtonte Erion Veliaj, e cila u pushua nga puna, se denoncoj një rast korrupsioni. Mekanizma të tilla, si ëeb-site denoncimesh nuk mund të funksionojnë, kur në fund, ai që e pëson është ai që denoncon, jo ai që është denoncuar. Sigurisht që duhet të shtohen edhe mekanizmat e investigimit serioz, sepse jo çdo denoncim duhet të çoj në pasoja të menjëhershme, pa u sqaruar imtësisht pozicioni i personit të denoncuar. Me të gjitha këto problematika që renditëm më lart, Progres Raporti i BE-së na tregon me qartësi, se nuk e kemi plotësuar një nga kushtet për anëtarësim. Lufta ndaj korrupsionit është ende për t’u kryer, asgjë deri tani nuk është bërë në drejtimin e duhur.
Sigal