Dr. Ina K. Zhupa/ Mësuesit, pa 7 Marsin!

829
7 marsi për shqiptarët do të thotë dita e mësuesit, zakonisht një festë e bukur ku mësimdhënësit nderohen dhe ndjehen në qendër të vëmendjes, më shumë se çdo ditë tjetër për kontributin që japin për brezat e rinj. Por në 7 Mars 2016, mësimdhënësit kujtojnë më shumë se kurrë padrejtësitë e një sistemi arsimor, që nuk po gjen paqe. Këtë datë, më shumë se kurrë ndonjëherë do ta festojnë sivjet mësues, që nuk janë mësues, por veteriner, marangoz, shoferë që janë bërë mësues nga listat e partisë. Askush nga ne nuk mund të harroj listat në emailet ministrore, ku deputetet shënonin emrat se kush do bëhej mësues. Askush nuk harron futjen e mësuesve në salla të mëdha për t’i testuar partia dhe që i lëvizte nëpër sallë kryetari partisë, kryeinspektori- Kryeministër Edi Rama dhe ministrja e tij. Mësues me vite të tëra në arsim, që pushoheshin nga puna nga një drejtor a drejtoreshe partiake. Askush nuk e harron dot një drejtoreshë si Liza Tabaku, që punësoi kë deshi në arsim, që u arrestua por shumë nga ata që ka marrë ajo në punë vazhdojnë japin mësim.

 Liza është modeli i drejtoreshës arsimore të rilindur, ajo ju përshtat sistemit. Liza jetonte në botën e korrupsionit dhe ashtu u soll, por shumë Liza të tjera ka sot ende në pune. Askush nuk i harron dot takimet elektorale të bëra në ambientet e shkollës me prezencën e super deputetit Koço Kokëdhima, ku mësuesit ishin aty me listë e me detyrim. Askush nuk harron dot takimet për anëtarësimet e reja që po zhvillon Rama që dalin përpara njerëzve dhe thonë mua partia më bëri mësues dhe unë po anëtarësohem tani. Skandalet e shumta që denoncojnë emisionet investigative në TV. Nuk janë raste të veçanta janë pjesë e një fenomeni. Ai drejtori që vendos emrin e tezes si mësuese dhe mësimin ua bën një edukatore kopshti, sepse mësuesen me master e pushoj nga puna, nuk është rasti i vetëm në vend. Kur shikoj që pushohet ai me show mediatik, kam pyetje po inspektorët arsimor ku ishin? Po drejtoria rajonale ku ishte? Po ata të ministrisë që shkuan pas emisionit, pse nuk kishin kontrolluar më parë? Kush e emëroj atë drejtor aty, ai dukej qartë që nuk lidhte dot dy fjalë? Po për ata fëmijë që morën mësim nga një edukatore kopshti, si do bëhet?

 E pra është një sistem i tërë që po kalbet dita ditës, sepse nuk mund ta shikosh arsimin si vend për të kënaqur militantët. Unë nuk mund të jem në rregull, kur pushohet një drejtor, sepse ai është pjesa e fundit e një sistemi që nuk po funksionon. Ai duhet pushuar, po bashkë me të edhe shumë të tjerë deri në majat më të larta. Por edhe ata mësues që nuk janë pjesë e kategorisë më lartë, por janë mësues të vërtetë që kanë sakrifikuar dhe janë aty me përkushtimin ndaj dijes dhe nxënësve përsëri nuk kanë arsye të festojnë këtë 7 Mars. Rrogat e tyre nuk kanë pasur asnjë rritje në krahasim me çmimet e çdo produkti dhe çdo shërbimi dhe koston e jetesës që rritet përditë në vend. Ata nuk mund të ndjehen mirë kur shikojnë në televizor Lindita Nikollën, që del nga një klasë të mbushur me kompjuter me kushte cilësore në shtator. Dhe ndërkohë ata japin mësim të veshur me pallto, nxënësit me xhupa ose me ndonjë sobë me dru në rastin më të mirë ku kontribues janë vetë nxënësit. Mungesa e pajisjeve në shkollë duket problemi më i vogël, ndërkohë që suvaja bie çdo ditë nëpër korridoret e shkollave sapo largohemi pak nga kryeqyteti i kamerave dhe propagandës. Mësuesve ju ndërrohen kurrikulat dhe tekstet çdo vit, sipas orekseve materiale të Ministrisë së Arsimit dhe kjo nuk është një arsye për të qenë të lumtur dhe për të festuar. Mësuesit janë ata që edukojnë brezat e rinj, mungesa e kujdesit ndaj tyre është mungesë ndaj fëmijëve të vendit. Këtë ditë e festojmë më pak ne pedagogët, sepse tradicionalisht është parë më e lidhur me figurën e mësuesit. Por lista, se përse nuk do kishim asgjë për të festuar mund të ishte edhe më e gjate. Çdokush që jep mësim sot nuk ndjehet mirë, sepse mbi të gjitha ne besojmë tek liria. Tek liria akademike, tek liria e shprehjes, tek liria e mendimit, tek liria e organizimit dhe kemi përballë një shtet, që luftën më të madhe e ka me lirinë. “Rilindja” beson se pedagogët dhe mësuesit nuk duhen promovuar, sepse ata vështirë se kontrollohen si të tjerët. Ndaj edhe në parlament i numëron me gishtat e dorës mësimdhënësit, njerëzit e dijes dhe të shkencës. Gëzuar 7 Marsin mësuesit e mi, kolegët e mi, sepse pavarësisht gjithçkaje, ne e duam profesionin tonë dhe askush nuk ta mposht dot pasionin për dijen!
Sigal