Dr. Ina K.Zhupa/ Ekspozita e dekriminalizimit

66
Të mjerueshme, ekspozitat që na ofrohen kohët e fundit, qofshin këto në art apo në politikë,sepse në fund të fundit, autori është i njëjti. Dekriminalizimi është një process, që falë aksionit të opozitës, mori vëmendjen e ndërkombëtareve edhe u bë refreni i ditës, aq sa ishte i pamundur që t’u shmangej mazhoranca përgjegjësive. Donte apo s’donte kryeministri i ishte bërë axhendë e ditës, kështu që, pranoi marrëveshjen e dhjetorit, që riktheu opozitën në parlament dhe pati si rezultat një komision të përbashkët për dekrimininalizmin. Sot pas plot 9 muajsh, duhet të kishte lindur një fryt i kësaj marrëveshje, ndërsa në fakt jemi aty ku ishim, bile më keq seç ishim. Ekspozita na tregon që ne sot pas 9 muajsh kemi: 4 deputetë më pak në mazhorancë, ku janë provuar lidhjet e tyre me krimin në të shkuarën apo të tashmen, kemi kryetar bashkie të zgjedhur me rekorde kriminale, që nuk dihet kujt i shërbejnë, kemi një komision që është duke dështuar ditë pas dite në arritjen e një marrëveshje, kemi të akuzuar Ministrin e Brendshëm për lidhje të fuqishme me botën e drogës dhe krimit. Por mbi të gjitha kemi dy propozime për ligje, një nga PS dhe një nga PD që tregon se edhe konsensusi, të paktën si dukje, që kishte ngelur nga dhjetori 2014 mori fund. Mazhoranca ka numrat që të miratojë versionin e saj, atë lloj ligji që i pëlqen, që i shkon përshtat. Sepse mazhoranca ka numrat që i dolën nga kriminalizimi,për të pasur mundësi të bëjë ç’të dojë me dekriminalizimin. Eh, nëse kjo do ishte çështje numrash, atëherë komisioni paksa qenë thjesht një farsë për të qetësuar evropianët që zbarkuan në Tiranë në dhjetor 2014. Në ekspozitën e dekriminalizimit, del Felaj dhe nxjerr shkarravinat e radhës mbi letër të kryeministrit, duke thënë që, për një sërë krimesh të caktuara me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojnë për poste publike. Ajo që mungonte të thoshte ishte që, kur je në burg duke kryer dënimin, ndalohesh të kandidosh, mund të duket si shaka, por me listat dhe me ngjarjet që po shikojmë kjo mund të ishte normale. Kjo nuk sjell asgjë të re, në atë që është filozofia e dekriminalizimit, ku funksionari publik duhet të mos ketë emrin e tij të përshirë në çështje të pista, të dyshimta kriminale më parë. Po ashtu, ata që janë në kërkim, ata që janë duke u gjykuar për çështje kriminale, ndalohen derisa të ndalojë çështja e tyre. E gjitha kjo do të bëhet me vetëdeklarim. Edhe verifikimet për të dhënat e personave në fjalë, do të kryhen si brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar ngushtë me organin e Prokurorisë apo çdo organ tjetër competent, që disponon informacionin që nevojitet, parashikon ligji që propozon Felaj. Në një vend ku fshihen të dhënat që sjell Interpoli për kërkimin e një deputeti, në një vend ku kriminelët kanë ndryshuar emrat disa herë, në një vend ku prokuroria bën një vesh shurdh e një sy qorr, ku kriminelët bëjnë ligjet, pikërisht këtu vetëdeklarimi paska vlerë. Sepse më vonë, pastaj, nëse duam, po na u desh, do ta verifikojmë. Është absurde ta kërkosh, është absurde ta mendosh. Sepse në Shqipëri këta krimininelët që janë sot në parlament, jo vetëm janë vetëdeklaruar si pëllumba të pafajshëm, por edhe e kanë shoqëruar atë me një dëshmi penaliteti, po aq të pastër. Pas së cilës Rama herë pas here, në daljet publike është fshehur duke thënë se kandidatët i kisha të pastër me dëshmitë e penalitetit që më sollën. Gjurmët e gishtave edhe kontrolli i tyre në sistem është një mënyrë shtesë shumë e nevojshme, veçmas vetëdeklarimit, sepse në këtë mënyrë shtohet përgjegjësia e hallkave që mund të akuzohen nesër për shpërdorim detyre, shtohen filtrat e kontrollit, shtohet besueshmëria e procesit, si edhe shtohet frika që mund të gjenden fijet për t’ia hedhur sistemit me një vetë deklarim. Pikë e fortë debati është bërë testi i drogës për ata që do të jenë deputet të parlamentit të Shqipërisë. Kjo duhet të ishte pika e parë nga ku të niste konsensusi, sepse Rama e paraqiti luftën kundër drogës si një histori suksesi dhe këtë “sukses” mund ta vazhdonte me nismën e dekriminalizimit. Nuk e kuptoj dot, sesi prokuroria nuk thërret Z. Spartak Braho të dëshmojë, se kush janë ata që e pinë drogën nga deputetët. Sipas legjislacionit shqiptar ne kemi në burgje të dënuar si përdorues të drogave, nuk mund, që këta të tjerët që di Z.Braho t’i lëmë të n’a bëjnë ligjet dhe jo të jenë në burg. Pastërtia e figurës së deputetit patjetër që duhet ta ketë edhe këtë element të përfshirë. Cili ka qenë justifikimi logjik dhe moral i mazhorancës, se përse nuk e pranon këtë pjesë, nuk kam arritur dot ta kuptoj. Por ndoshta jemi herët, sepse mund të pranohet. Projektligji që ofron opozita i jep Ramës më shumë mundësi që t’i dalë ekspozita e suksesshme, sesa i ofron projektligji që lexoj Felaj. Nëse miraton projektligjin e opozitës: tregon që ai mund të arrijë të prodhojë një konsensus politik, pavarësisht se nuk ja ka dalë dot në 2 vitet deri tani, tregon vullnet për të prodhuar zgjidhje reale në procesin e dekriminalizimit, tregon që ai po fillon të jap shenja që krimi nuk do të jetë më pjesë e pandashme e listave politike të hartuara prej tij, tregon gatishmëri reale për të plotësuar një nga kushtet e BE-së që na ndihmon në hapjen e negociatave për anëtarësim. Nëse ngelet tek versioni i tij, pa përfillur kërkesat e opozitës atëherë tregon të kundërtën e këtyre avantazheve që do fitonte. Sepse një ligj fiktiv për dekriminalizimin na le në vend numëro, nuk na sjell progres dhe zgjidhje dhe na largon nga standardet europiane. Në këtë mënyrë edhe ekspozita e radhës së kryeministrit do të ketë dështuar. Dhe si përherë kostot e ekspozitave të dështuara i paguajmë ne, qytetarët shqiptarë.