Dr. Ina K. Zhupa/ Dita dhe jo festa e Gruas

585
Një ditë ndërkombëtare për gratë, që në vendin tonë përherë është ngatërruar me një festë të nënës. Ngatërresë jo aq rastësore, sesa thelbësore me atë çfarë kuptojnë shqiptarët në lidhje me gratë. Fillimisht, sepse roli i gruas është përqendruar vetëm tek figura e nënës. Gruaja është edhe nënë, por nuk është vetëm nënë. Dita ndërkombëtare si element kujtese, proteste, thirrje është shndërruar në një festë. Të dyja elementë që flasin shumë për vlerat kulturore shqiptare. Megjithatë përtej emërtesës, që më ardhjen e demokracisë po merr formën e vet, si një ditë ku vëmendja duhet të përqendrohet edhe më shumë se zakonisht tek femrat, problemi është edhe më i thellë. Gratë në ditën e tyre, më shumë se çdo ditë tjetër duhet të bëjmë një përmbledhje, se si ishte viti që lanë pastaj dhe çfarë presim të ndryshojë për më mirë! Ajo që bie në sy është që qeveria “Rama” është duke shpenzuar shumë për të bërë propagandë sikur ju krijon hapësira grave. Por nëse kjo do të ishte e vërtetë, nuk do duheshin aktivitetet propagandistike se do tregonim faktet e punës së tij. Ndërkohë që faktet flasin ndryshe.

 INSTAT na tregon që papunësia e femrave është rritur nga viti në vit. Në politikë kemi rastet e zonjave Merjeme Dilishi (Suku) dhe Mirela Neli, kandidate për deputete të Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, që u kërcënuan e dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën një personi me precedent penal. Fakti që ka ministre femra, nuk lidhet me mbështetjen e tij për femrat, por me besimin që ka tek to personalisht për të ruajtur linjën e korrupsionit qeveritar. Rasti i fundit me fyerjet ndaj deputetes së PD në sallën e kuvendit nuk është i vetmi, Rama sa herë flasin gratë demokrate dhe ndodhet në sallë i komenton dhe i ofendon nga mbrapa shpine. Nëse dalim nga politika dhe shkojmë tek e përditshmja e grave në vend, ato janë sot pjesa që e vuajnë më shumë këtë varfëri dhe pasiguri ekonomike që krijon Rama me qeverinë e tij. Kush më shumë se sa një grua e di dhimbjen kur nuk ka bukë për fëmijët, kush më shumë sesa një grua e di dhimbjen kur braktis njerëzit në Shqipëri dhe ikën në azil ose i ikin nga shtëpia për të emigruar fëmijët, burri, apo familjarë të tjerë sepse këtu nuk jetojnë dot, kur të tregojnë burgun për mungesë të ardhurash, kur je i detyruar të ikësh nga puna që ke një jetë që kontribuon. Nuk mund të harrojmë që 2 gra kanë kryer vetëvrasje, sepse u pushuan nga puna nga qeveria e Ramës: Melita Çenga nga Shkodra dhe Brunilda Meka nga Korça.

 Ndërkohë Resmie Alla, 35-vjeçare humbi jetën, sepse donte që fëmijët e saj të kishin pak dritë. Nënë Barbulla si simbol i mjerimit të kësaj qeverisje vdiq nga i ftohti, sepse i prenë dritat dhe nuk i dhanë asnjë mundësi. Ajo ishte simboli sesi shteti nuk i ofronte asgjë një gruaje të moshuar, nuk merrte përsipër as të drejtën e jetës që kishte ajo nënë por tregonte vetëm dhunën e një shteti që nuk pyet për asgjë dhe për askënd. Shuplaka e dhënë Mimoza Boçarit nga polici i shtetit nuk ishte një shpullë për të, por për këdo nënë edhe grua që proteston, që del në krah fëmijëve të vet në mbrojtjen e kauzave të drejta. Të gjitha këto, por edhe shumë e shumë fakte të tjera tregojnë që gratë sot janë shumë më keq, sesa dje dhe kanë shumë arsye për të protestuar çdo ditë. Çdo grua sot e ndjen se po i bëhet jetesa çdo ditë e më e vështirë. Kur Rama bën batutat, që është feminist se është socialist, nuk thotë asgjë në fakt se si janë gratë sot në Shqipëri. Mundohet të na e bëj gjendjen e grave sot më rozë, por në fakt ajo është shumë më e zezë se kurrë ndonjëherë në demokraci. A janë më mirë sot gratë rome? A janë më mirë sot gratë mësuese? A janë më mirë sot gratë me aftësi të kufizuara? A janë më mirë sot gratë rrobaqepëse? Gratë shitëse? Gratë mjeke? Gratë infermiere? Gratë pastruese? Gratë shofere? Gratë shtëpiake? Gratë kuzhiniere? Gratë kamariere? Gratë muzikante? Gratë pedagoge? Gratë aktore? Gratë e reja? Gratë e moshuara që marrin pension? Gratë që marrin asistencë sociale? Gratë që kanë fëmijë jetim për të mbajtur të vetme? Gratë që kanë fëmijë autik? Gratë që dhunohen në familje, a janë më të mbrojtura sot? Cila nga ato sot ka diçka më mirë për të ndjerë e vlerësuar, e mbrojtur, e mbështetur? Më shumë taksa, më shumë testime politike, më shumë tarifa shkollimi, më shumë frikë, më shumë burg, më shumë varfëri, më shumë dhunë, më shumë braktisje. Më pak rroga të larta, më pak pensione, më pak promovime meritokratike, më pak shpërblime, më pak mbështetje, më pak përfillje nga pushteti, më pak hapësirë mendimi, më pak hapësirë veprimi, më pak mundësi për të jetuar të qeta. Gratë meritojnë një qeverisje që i shikon ato, por edhe fëmijët e tyre, burrat e tyre, këdo në këtë vend si qytetarë me zë dhe me nevoja që duhen dëgjuar dhe duhen respektuar. Meritojnë një qeverisje që nuk identifikon gratë si të majta apo të djathta, por si qytetare që duhet të vihen në qendër të sistemit politik, ekonomik dhe social.
Sigal