Dr. Ina K. Zhupa: 20 Shkurti, me kauza të njëjta dje dhe sot

731
Për shqiptarët data 20 shkurt ka aktin e madh të rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha dhe daljen nga greva të studentëve, që bën të mundur të arrihej në këtë moment historik. Historinë e dimë të gjithë, por historia ka vlerë, kur është aty për të na dhënë mësime për të tashmen dhe për të ardhmen. Kjo qeveri ka bërë festa dhe kremtime të mëdha për çdo datë të shënuar, që lidhet me historinë komuniste, duke parakaluar edhe me portretin e diktatorit. Mirëpo nuk ka bërë asnjë aktivitet për grevën e urisë së studentëve, që sollën një erë të re të marrëdhënies më pushtetin, një erë të re të qeverisjes së këtij vendi, sollën fundin de facto të enverizmit në këtë vend. Nuk dua ta lidh këtë “harresë” me nostalgjinë e tyre, nuk dua ta lidh me origjinën e tyre familjare, sepse mund të jetë e vërtetë, por gjithsesi nuk mund të jem i sigurt që lidhet me këtë.

Sot, 25 vjet më pas nga dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës kemi disa gjëra, që me siguri biem dakord të gjithë. Fillimisht jemi të gjithë të sigurt që nuk jemi aty ku aspiruam të ishim, siç deshën ata të rinj që luftuan fort për lirinë dhe demokracinë. Ata të rinj kishin ëndrrën e një demokracie, kishin ëndrrën europiane. Ne sot nuk jemi as demokraci dhe as një shtet anëtar i Bashkimit Europian. Ne nuk jemi në demokraci, sepse tek ne qytetari nuk është në qendër të sistemit politik, por pushtetari është në qendër të sistemit politik. Sepse nuk kemi drejtësi, sepse kemi arbitraritet, sepse kemi pamundësi për të jetuar, sepse kemi dhunë psikologjike edhe fizike, sepse kemi korrupsion, sepse kemi mospërfillje të kërkesave tona, sepse kemi vendime antikombëtare, sepse askush nuk do të dijë për demosin (për popullin), që është thelbi i demokracisë. Ne nuk jemi anëtar i Bashkimit Europian dhe kjo nuk do shumë shpjegim, sepse pseudo – demokracitë nuk mund të futen në bashkimin e lirisë dhe demokracisë.

Pse u ngritën të rinjtë dje dhe ku jemi sot? Ata të rinj nuk donin kultin e liderit, ne sot kemi një kryeministër, që si në qeveri ashtu edhe në partinë e tij kërkon të ndërtoj kultin e liderit. Ata të rinj, nuk donin politizimin e universitetit, ne sot kemi një kryeministër që bën politikë me problemet e universiteteve dhe që tenton të zgjas tentakulat shtetërore drejt kontrollit të universiteteve. Ata të rinj nuk i donin simbolet komuniste, monumentet komuniste sepse kujtonin vuajtjet pafund të viteve më të errëta të shoqërisë shqiptare. Ne sot kemi një qeveri që punon me dëshirën për të ringritur simbolet komuniste, bunkeri që ish të përndjekurit dogjën në dyert e Ministrisë së Brendshme është një nga simbolet, që donin të rikthenin. Ndërkohë që në mes të Kavajës u hoq me dhunë policore, simboli i dy gishtave lart si simbol i protestave, simbol i grevës, simbol i rrëzimit të diktatorit. Sepse, pavarësisht, se ai simbol përdoret nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ai ka qenë simboli që tregon, se në sheshin e mbushur plot, është tërhequr busti i diktatorit nga shqiptarët, ata që sot mund të votojnë majtas ose djathtas. Ata të rinj, nuk donin që të vazhdonte të kishte të burgosur politik në burgjet e Burrelit, të Spaçit, ndaj dhe kërkonin lirimin e tyre. Sot kemi një qeveri që ka krijuar “burgun ekonomik” për qytetarët e pamundur. Në atë kohë, nëse thoshe, – nuk ka patate, ku jetojmë kështu? Futeshe në burg, sepse kishe folur kundër sistemit, kishe bërë propagandë negative dhe për këtë dënoheshe. Ndërsa sot, nëse nuk ke deklaruar një kile patate dhe je një biznes i vogël, që kërkon të nxjerrësh bukën e gojës, qeveria parashikon burgun për ty, sepse kështu nuk “bëhet shtet”. Burgu që mori jetën e shumë qytetarëve të pamundur, që nuk panë asnjë mundësi tjetër dhe nga turpi, nga dhimbja, nga pamundësia vranë veten. Ata vranë veten, por në fakt vrasësi i vërtetë ishte shteti, që i shtyu në atë pozicion dhe që nuk bëri asgjë për qytetarët e vet. Ashtu si shteti i Enver Hoxhës, që vriste qytetarët e vet, ashtu edhe shteti i sotëm.

Gjyqet në kohën e komunizmit bëheshin me porosi të partisë dhe në emër të popullit, kuptohet. Sot gjyqet bëhen po me porosi të partisë dhe në emër të popullit po ashtu. Ku deputeti Armando Prenga lihet me detyrim paraqitje dhe pse bën terror me armë brenda në komisariatin e policisë, edhe plagos persona në konflikt. Të enjten do ta shikojmë në parlament, teksa vendos për ligjet në vend, shkelësi i ligjeve. Ku Edi Rama urdhëron që mos të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që do të çoj në heqjen e mandatit të deputetit të tij, pashait të jugut, Koço Kokëdhima. Ku është vendosur se do kemi 5% më shumë arrestime politike, që do luftojnë korrupsionin. Deklaratë kjo, e ministres Gjosha, që tregon edhe njëherë që arrestimet bëhen me laps e me letër, sipas përllogaritjeve të pushtetit. Njëlloj kur vinte letra nga Komiteti Qendror me porosi të veçantë të Enverit. Të rinjtë e 1991, nuk shikon zgjidhje tek drejtësia dhe tmerroheshin nga sistemi gjyqësor i kontrolluar, të rinjtë sot përsëri vuajnë të njëjtën gjë.

Të rinjtë dje bënë eksodin masiv të largimit nga vendi, me futjen në ambasadë, me ato anijet e mbushura plot e përplot, sepse këtu nuk shikonin dot asnjë mundësi për një jetesë më të mirë. Të rinjtë sot po bëjnë eksodin më masiv të largimit nga vendi, mes kërkimit të azilit dhe lotarisë amerikane, sepse këtu nuk shikojnë dot asnjë mundësi për jetesë më të mirë. Vendet e punës janë luks partiak dhe pamundësi për t’i marrë me meritë. Megjithatë, dembelizmi është problemi me papunësinë në vend, sipas kryeministrit, ndërkohë që ata ikin jashtë për të punuar, sepse nuk punojnë dhe nuk jetojnë dot këtu normalisht. Dhe këto janë vetëm një pjesë e kauzave të njëjta dje dhe sot të shqiptarëve, por sidomos të të rinjve shqiptarë. Flas për të rinjtë, sepse ata janë shpresa e një vendi. Sepse ata reaguan dje dhe ata do të reagojnë edhe sot. Nëse heshtin të rinjtë, një vend nuk ka të ardhme. Edhe unë dua që Shqipëria të ketë të ardhme.
Sigal