Dr.Hasan Shkëmbi: Kërcënimi rus ndaj shteteve nordike

83
Pushtimi i Krimesë nga ushtaria ruse në vitin 2014 dhe nxitja e konflikteve në Ukrainën lindore nga separatitët rusë të mbështetur direkt nga Moska jo vetëm që ka rritur tensionet dhe pasiguritë në Ukrainë dhe rajonet e tjera, por edhe midis Perëndimit dhe Rusisë. Kriza e Ukrainës i ka çuar në pikën zero marrëdhëniet e partneritetit dhe bashkëpunimit mes Perëndimit dhe Rusisë, të cilat megjithë ulje-ngritjet e tyre kanë shënuar zhvillim përgjatë këtij çerekshekulli pas Luftës së Ftohtë. Pas aneksimit me forcë të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, shqetësimet janë rritur edhe për sigurinë e shumë vendeve për krahun lindor të NATO-s. Muajit të “mjaltit” midis ish-republikave të BS që fituan pavarësinë dhe Rusisë gjatë viteve ’90 duket se i erdhi fundi. Kohët e fundit situata atje është mjaft e trazuar nga konfliktet e armatosura, lëvizjet separatiste, rivendikimet territorale etj. Në këto kushte, NATO është në gatishmëri të plotë dhe po monitoron nga afër situatën në kufi me Rusinë. Frika dhe shqetësimi tani është se pas Krimesë kujt do t’i vijë radha? Ndoshta shteteve të Baltikut apo gjetkë? Surprizat strategjike vazhdojnë të shfaqen. 
Nga euforia- në krizë 
Ka kaluar një çerek shekulli nga koha e rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së ish-BS, kur bota dypolare u zëvendësua më njëpolare dhe më pas me rritjen e fuqive me zhvillim të shpejtë, veçanërisht vendet e BRIC, rendi botëror u bë shumëpolar. Shumë publicistë, analistë dhe strategjistë të ndryshëm në fillim të vitit 1990 parashikonin se pas mbarimit të Luftës së Ftohtë bota do të përjetonte një erë të re të paqes dhe ekuilibrave, larg luftrave e konfrontimeve ushtarake dhe kërcënimeve bërthamore midis fuqive të mëdha. Por pati edhe disa personalitete të spikatura si Kisinger, Brzezinski etj. që ishin skeptikë për notat optimiste që lëshoheshin për erën e ndryshimeve në Lindje. Veçanërisht Brzezinski në 1990, në shkrimet e tij analitike u tregua i shqetësuar për euforinë e pas Luftës së Ftohtë që kishte pushtuar botën. Nuk vonoi shumë dhe koha provoi se vlerësimet kësaj periudhe kishin qënë euforike dhe iluzive. Ngjarjet në Gjeorgj, pushtimi i Krimesë nga Rusia, si dhe mbështeja e konfklitit të separatistëve rus në Ukrainën Lindore dëshmojnë për lindjen e një epoke të re, Lufta II e Ftohtë, e cila megjithëse nuk është aq e fuqishme sa Lufta e Parë, ajo mbart me vete rreziqe strategjike për sigurinë e rajonale dhe globale. 
Mjedisi gjeostrategjik dhe gjeopolitik i rajonit të Baltikut 
Hapësira baltike si për nga madhësia dhe rendësia strategjike, gjeopolitke, ekonomike, politike dhe ushtarake klasifikohet si ndër rajonet me përparësi strategjike të Europës Veriore dhe asaj Lindore. Historikisht, rajoni Baltik ka qenë që nga fillimi i shek. XVIII bregdeti i cili, siç ëndërronte dhe dëshironte Pjetrit i Madh, do bënte hapjen e Rusisë ose do ishte një dritare për Europën. Strategjistët ushtarake shpesh e ndajnë këtë hapësirë ne dy nënrajone: rajoni i Baltikut Lindor dhe ai Perëndimor. Deti Baltik ka një sipërfaqe prej 422.300 km 2 dhe lidhet me detin e Veriut me anë të disa ngushticave detare drejt Oqeanit Atlantik. Baltiku lag brigjet e Gadishullit Skandinav dhe vendeve përreth përkatësisht: Danimarkën, Suedinë, Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rusinë, Poloninë dhe Gjermaninë. Qasja gjeopolitike e pozitës së shteteve Baltike në sistemin ndërkombëtar tregon se pozicioni i tyre është mjaft i komplikuar dhe i lakmuar. Këto shtete janë të vendosura në rajonin i cili është i prekshëm nga goditjet kryesore gjeopolitike dhe strategjike. Në të njëjtën kohë nënrajoni i Baltikut Lindor është një vend ku një konfrontim i fuqive botërore është i mundshëm. 
Teatri i Baltikut Lindor
Prandaj, rajoni i Baltikut Lindor paraqet një “teatër” si për fuqitë detare dhe ato kontinentale. Në fillim të shek. XX komunitetet indigjene etnike dhe kulturore filluan të dominojnë në jetën social-politike e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Këto zhvillime krijuan rrethana të mjaftueshme për themelimin e shteteve kombe përkatëse dhe nxorrën në evidencë problemet kryesore gjeopolitike të nënrajonit të Baltikut Lindor. Vendet Baltike janë kufiri gjeopolitik i qytetërimit perëndimor dhe atij Lindor, ku përplasjet, rivalitetet dhe interesat midis fuqive të mëdha perëndimore e lindore kanë qënë dhe mbeten evidente. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe pavarësia e vendeve baltike kanë ndikuar në ndryshimin gjeopolitik të Baltikut duke afruar distancën kufitare mes Rusisë dhe Bashkimit Europian. Hapësira njëkohësisht detare dhe politike shumëshekullore në të vërtetë është shndërruar në një vend të konkurrencës dhe bashkëpunimit midis fuqive me interesa disaherë divergjente. Aderimi në BE dhe në NATO i vendeve baltike në vitin 2004 ishte një pikë kthese në gjeopolitikën e Baltikut. Moska i ka mbajtur gjithmonë shtetet Baltike në radarin e saj gjeostrategjik: në fund të fundit, në një kontekst gjeopolitik, Estonia, Letonia dhe Lituania janë në zemër të hapësirës përkatëse industriale të Rusisë dhe fuqive kryesore perëndimore. Por në kontrast me Poloninë, Rumaninë apo vende të tjera të Evropës Lindore, shtetet baltike janë shumë më të vogla dhe më të ekspozuara ndaj rreziqeve strategjike. Për Kremlinin, pranimi shteteve baltike në NATO dhe BE është kuptuar si veprim që ka shkaktuar inferioritetin strategjik të Rusisë në Detin Baltik. Për Perëndimin, shtetet e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë përforcojnë pozitën e NATO-s në Evropën Lindore dhe Baltikun e gjerë, në mënyrë efektive duke e kthyer këtë det në një rajon të fuqishëm aleat. 
Kërcënimi nga minoritetet
Në të vërtetë, ekzistenca e minoriteteve plotësisht të integruara rusishtfolëse dhe seksuale në Estoni, Letoni dhe Lituani, përbën një kërcënim themelor për modelin e mbyllur, sektar dhe autoritar të “demokracisë sovrane” që është duke u instaluar nga regjimi i Putinit në Rusi. Përsa i përket rëndësisë ekonomike, portet baltike sovjetike në prag të rënies së BS zinin më pak se një të katërtën e trafikut detar të vendit (Serri 2006). Aty ishin katër porte kryesore: Leningradi në Rusi, Tallinn, Muuga në Estoni, Riga në Letoni dhe Klaipeda në Lituani, porti i eksportit të naftës bruto dhe produktet e naftës, Ventspils në Letoni dhe disa porte dytësore të nivelit rajonal ose lokal. Këto porte ishin pjesë e sistemit të integruar të transportit sovjetik. Portet e tri republikave baltike trajtonin rreth tre të katërtat e trafikut detar sovjetik të fasadës së Detit Baltik (ose 75% në vitin 1990). Ndërsa tani Rusia e shikon veten janë jashtë kësaj hapësire me kosto të madhe ekonomike e tregtare për të. Përdoruesi kryesor i transportit detar, Rusia parasëgjithash është konfrontuar me zgjedhjen mes tranzitit të mallrave të saj nga portet që tani janë bërë të huaj, që rezultojnë me humbje financiare dhe pasigurinë lidhur me situatën politike mes shteteve, ose të rrisë kapacitetet e porteve të veta. Kjo pyetje shtrohet më tepër se kufijtë mes Rusisë dhe republikave baltike përkojnë me ato të Bashkimit Evropian, gjë që nuk lehtëson as lëvizjen e mallrave, as të personave. Fragmentimi territorial ka ndikuar në tërë ekonominë e shteteve post-sovjetike për shkak të ndarjes së burimeve, pajisjeve dhe infrastrukturës. Gjithashtu çdo shtet ka trashëguar një flotë të specializuar pak të përshtatshme me nevojat e reja të transportit. Rusia ka “humbur” portin kryesor të saj të naftës në Baltik, ndërkohë që mbetet një nga eksportuesit kryesorë në botë të produkteve bruto dhe të rafinuara. Portet e saj të eksportit sidomos qymyrit që ishin Talin-Muuga dhe Klaipeda dhe terminalet e konteinjerëve të vendosura në Riga nuk janë më në zotërim të saj. 
Pozita e Kalinigradit
Rajoni i Kaliningradit që i kaloi BRSS në vitin 1945 ka kufij tokësorë me Lituaninë dhe Poloninë. Kaliningradi ka dy funksione të një rëndësie të madhe për Rusinë: një funksion ekonomik që territori ofron 90% të prodhimit botëror të qelibarit dhe që Moska ushqen ambicien e saj për ta bërë Hong –Kongun e Baltikut; një funksion të bazës detare ruse në Baltik, rëndësia strategjike e të cilit është rritur që nga humbja e vendeve baltike nga Moska, e cila rezultoi dhe me humbje të flotës ruse në Baltik me mbylljen e gjashtë bazave ushtarake. Situata ekonomike Kaliningrad mbetet megjithatë kaotike. Rajoni është sfiduar nga politika portuale e fqinjëve të saj dhe sidomos vuan nga përjashtimi i tij nga Zona Ekonomike Evropiane. Nëse masat e fundit për çështjet doganore dhe lëvizjen e punëtorëve kufitarë janë negociuar me BE, përsëri ata mbulojnë vetëm një zonë të vogël gjeografike. Për Kremlinin, Kaliningradi qëndron parasëgjithash në pozicionin e tij më të përparuar në perëndim, dhe për këtë pozicion ai ka filluar të rimilitarizohet. Rusia në mars 2015 kishte vendosur në Kaliningrad raketa “Iskander”, të cilat mund të armatosen me koka me mbushje bërthamore. Po ashtu Rusia zhvilloi stërvitje me më shumë se 80 mijë ushtarë, 3 mijë mjete, 15 nëndetëse dhe 220 avionë në Arktik, Baltik dhe në Detin e Zi. Manovrat janë pjesë e një militarizimi të shpejtë në të dy anët e kufirit. Duke marrë shkas nga ky militarizim dhe rrezik rus për paqen në Europë, Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Jens Stoltenberg, deklaroi muajin e kaluar se “NATO-ja duhet të pengojë riforcimin e fuqisë ushtarake ruse në Kaliningrad, pasi ky vend është një Enklavë strategjike e Rusisë brenda BE”. Më në veri, Rusia ka ambicie për ta bërë grykderdhjen e Nevës një “Roterdam të vendit.” Me pavarësinë e shteteve baltike, në të vërtetë ajo ka humbur instalimet e portit të saj më të mirë dhe kështu një pjesë thelbësore të pjesës së saj me botën e jashtme. Progresi i kufijve të BE-së dhe NATO-s në Baltik gjithashtu e bën rajonin një çështje veçanërisht të ndjeshme për Moskën, e cila rezulton në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet e tensionuara me shtetet baltike. Rusia i ka kërkuar NATO-s të mos stacionojë trupat aty, ndërsa Brukseli nga ana e tij e imponon që të rinjohë minoritetet rusishtfolëse dhe dhënien e shtetësisë së plotë të tyre.
Kërcënim real apo tatim pulsi? 
Është e vështirë të ndash njërën taktikë nga tjetra. Të dyja “armët” psikologjike janë elemenë të luftës së ftohtë të ushtrisë ruse, të cilat kohët e fundit kanë marrë përmasa shqetësuese në këtë rajon.Të tre vendet baltike që janë anëtare të BE-s dhe NATO-s, kanë patur marrëdhënie diplomatike të tendosura që pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putin. Veçanërisht, marrëdhëniet mes tyre janë bërë më të tendosura sidomos pas aneksimit të Krimesë. Kremlini denoncon rregullisht atë që e konsideron një segregacion të minoriteteve rusishtfolëse në vendet baltike. Tensionet dhe frika kohët e fundit janë rritur në këtë rajon. Rusia po përdor gjithë arsenalin e saj juridik, diplomatik dhe ushtarak. Ajo ka vënë në dyshim pavarësinë e vendeve Baltike. Prokurori i përgjithshëm rus, sipas Le Monde në qershor 2015, ka kërkuar për hapjen e një hetimi që synon verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të autoriteteve sovjetike në vitin 1991, për njohjen e pavarësisë së tri republikave baltike që bënin pjesë në BRSS. Agjencia Interfax, duke cituar një burim nga administrata e prokurorit të përgjithshëm rus, kumton se «vendimi i njohjes së pavarësisë së shteteve Baltike është tragjik në planin jurdik, sepse ai është marrë nga një organ jokushtetues ». Shkallëzimi verbal shton frikën pasi Kremlini kërkon të destabilizojë vendet baltike dhe të rrisë tensionet me Perëndimin. Lidhur me këtë iniciativë, politologu Alexeï Makarkine komenton që prokurori i përgjithshëm rus është venë në një pozicion delikat, sepse sipas tij gjithë vendimet lidhur me daljen e repubikave nga Bashkimi Sovjertik bien në kundërshtim me ligjin në fuqi të atëhershëm. Bëhet fjalë për atë që procesi nuk ndalon në Krime, denoncon Matveï Ganapolsky, një editorialist kritik i Kremlinit. Ai ironizon duke e quajtur një strategji të kthimit mbrapa. Kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov nga ana e tij pak muaj më parë u deklaroi gazetarëve në Vjenë se “nuk jam në dijeni të kësaj procedure të re”. Unë nuk kam dëgjuar për një kërkesë të tillë. Unë di një gjë, se ne kemi marrëdhënie diplomatike me vendet baltike”. Edhe zëdhënësi i Vladimir Putinit Dmitri Peskov, pretendoi të thoshte se nuk ishte i informuar për këtë iniciativë juridike. 
Reagimi i Lituanisë
Nga ana e saj, Lituania ka reaguar menjëherë ndaj këtij hetimi absurd. Ai është cilësuar nga ministrja e jashtme lituaneze Lina Linkevicius si “provokacion i karakterit absurd në pikëpamje ligjore, morale dhe politike” (sipas agjencisë BNS). “Pavarësia jonë është fituar me gjak dhe sakrifica të popullit lituanez. Askush nuk ka të drejtë të kërcënojë pavarësinë tonë, jemi ne që vendosim vetë për fatin tonë”, ka deklaruar presidenti lituanez Dalia Grybauskaite. Por presionet dhe kërcënimet ndaj këtij rajoni shfaqen dhe në forma të tjera më brutale. Provokacionet me shkeljen e hapësirës ajrore të vendeve baltike gjatë muajve të fundit kanë qenë të shpeshta. Sipas Financial Times, avionët gjuajtës të NATO-s kanë interceptuar gjatë dy javëve të korrikut 2015 më shumë se 20 avionë rus në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi detin Baltik. Në 24 korrik, avionët Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore britanike, interceptuan 10 avionë rus që fluturornin mbi detin Baltik. Ndërsa më 29 korrik janë interceptuar një dyzinë avionësh rus që kryenin një mision rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi bregdetin lituanez. Rusia dhe vendet perëndimore po përjetojnë krizën e tyre të keqe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Jo vetëm në tri shtetet baltike, por edhe vendet nordike që lagen me këtë det ka pasur një rritje të dukshme në provokacioneve dhe veprimtarisë ushtarake ruse atje. Ky aktivitet është pasqyruar, në numrin e shkeljeve të tjera të hapësirës ajrore të disa vendeve dhe intensifikimin e operacioneve dhe aktiviteteve të monitorimit, veçanërisht në Baltik. Avionët rus të interceptuar zhvendosen nëpër një korridor ajror që është përdorur rregullisht për të mbërritur në Kaliningrad, ku janë bazat ajrore të Chernyakhovsk, Donskoye dhe Chkalovsk si dhe flota ruse e detit Baltik. Duke e vlerësuar këtë klimë të ngarkuar dhe provokative nga ana e Rusisë, NATO e konsiderorn këtë aktivitet si një eskalim ushtarak ofensiv drejtuar kundër Europës. Ajo që shton më shumë dyshimet është fakti së avionët rus fluturojnë shpesh pa venë transponderin e tyre, pa bërë të njohur planin e fluturimit dhe pa komunikuar me autoritetet përgjegjëse të kontrollit ajror. Gjatë këtij vitit ka patur një rritje të frekuencës së incidentëve të avionëve rus në këtë rajon. Që prej fillimit të këtij viti, avionët e NATO-s kanë ndërhyrë më shumë se 250 herë përmes Europës për të interceptuar avionët rus dhe 120 të këtyre interceptimeve kanë qënë mbi Baltik, kur në vititn 2014 ishin bërë 400 interceptime ose 50 për qind më shume, krahasuar me vitin 2013. Interceptimet ajrore mbi Baltik janë rezultat i forcimit të prezencës ushtarake të SHBA-s dhe NATO-s kudo në Europën Lindore për arsye të rrezikut rus. 
Prezenca e NATO-s
Që prej grushtit të shtetit mbështetur nga SHBA dhe Gjermania vitin e kaluar në Kiev, SHBA dhe NATO ka kryer një seri stërvitjesh ushtarake që përfshijnë mijëra ushtarë, materiale të rënda dhe avionë gjatë gjithë kontinentit europian, që shkon nga rrethi polar e deri në detin e Zi. SHBA dhe aleatët e NATO-s kanë kryer muajit e kaluar manovra ushtarake në Gjeorgji, Ukrainë dhe në Moldavi. Numri në rritje i interceptimeve të avionëve rus nga NATO mbi hapësirën e detit Baltik shton rrezikun e një incidenti midis Rusisë dhe një prej vendeve baltike që mund të provokojë zbatimin e nenit 5 të atij Traktati dhe shpejt mund të degjenërojë në një luftë totale midis Rusisë dhe SHBA-s. Lidhur me këtë situatë, në shtatorin e vitit të kaluar, presidenti amerikan Barack Obama deklaroi në Estoni se “SHBA angazhohen qartësisht dhe në vazhdimësi në mbrojtjen ushtarake të shteteve baltike kundër një sulmi, sipas kushteve të nenit 5 dhe klauzolës për mbrojtjen kolektive të traktatit të NATO-s”. Avionët rusë në qiej dhe sinjalizimet për nëndetëse të dyshuara në hapësirën detare, kanë detyruar vendet e NATO-s, e madje edhe vende jo anëtarë të Aleancës, si Suedia dhe Finlanda, që të rishikojnë strategjitë e tyre dhe të zhvillojnë një aktivitet ushtarak pothuajse në nivelet e Luftës së Ftohtë. NATO javët e fundit ka përforcuar prezencën e saj në vendet Baltike në përgjigje të manovrave ushtarake ruse pa precedencë në rajon dhe frika e shprehur nga kato vende. Pak metra larg Amarit, janë vendosur personeli dhe avionët gjuajtës të NATO-s. Aleanca e Atlantikut mbulon hapësirën ajrore mbi shtetet baltike, sepse ato janë shumë të vogla dhe forcat ajrore të tyre nuk janë të afta për të përmbushur misionin në rast sulmi. Patrullat, që kanë filluar në vitin 2004, pas aderimit të zyrtar të vendeve baltike në NATO janë intensifikuar në mënyrë të konsiderueshme pas grushtit të shtetit në Ukrainë dhe luftës civile atje. Në prill të vitit të shkuar, forcat e NATO-s për herë të parë filluan misionet e patrullimit në bazën ajrore Amari në Estoni, duke shtuar numrin e avionave Typhoon të forcës ajrore mbretërore britanike nga 4 në 16. Në përgjigje të situatës, Sekretari i amerikan i Mbrojtjes Carter, njoftoi qershorin e kaluar që Pentagoni do të stacionojë artilerinë e rëndë, tanket dhe pajisje të tjera ushtarake me rotacion kudo në Europën Lindore. Paralelisht, NATO ka njoftuar se kërkon të shtojë trefishimin e trupës së Forcës së Veprimit, duke forcuar kështu forcën e saj operacionale ndër-ushtarake të nivelit shumë të lartë të përgatitjes (Very High Readiness Joint Task Force), e cila është krijuar për të qënë e aftë të zhvendoset në këtë hapësirë Europiane në dy ditë për t’iu përgjigjur cdo situate kërcënuese. Pas samitit të Uellsit, NATO ka vendosur dërgimin e trupave me sistem rotacioni në Poloni dhe në tre shtetet baltike. Një paralajmërim për Rusinë që, ndryshe nga Krime, ku forcat ukrainase u dorëzuan pa asnjë të shtënë, këtu Kremlini do të përballej me një rezistencë të fortë nëse do të tentonte të pushtonte ndonjë territor të NATO-s.