Dr. Elez Biberaj: Frank Shkreli, mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit

629
Frank Shkreli është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30-vjeçare në “Zërin e Amerikës”. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë. Franku ka arritur të gjejë një këndvështrim të veçantë, duke u paraqitur lexuesve të tij analiza objektive dhe të thella për shumë çështje të rëndësishme, që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur në shtypin vendor. Duke iu drejtuar shqiptarëve nga një këndvështrim amerikan, ai pasqyron në mënyrë origjinale debatet dhe shqetësimet e politikanëve, zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë mbi zhvillimet në Ballkan, si dhe të sfidave me të cilat shqiptarët dhe fqinjët e tyre ndeshen në rrugën e vështirë drejt integrimit Euro-Atlantik dhe konsolidimit të rendit demokratik. Një këndvështrim i tillë është edhe më i rëndësishëm sot, pas prirjeve autoritare në ngritje dhe përpjekjeve agresive të Rusisë për të zgjeruar ndikimin politik dhe mediatik në Ballkan, që synon të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të brishta ballkanike.Shkrimet e Frankut karakterizohen nga një ndjeshmëri e veçantë. Ai është i shqetësuar për zhvillimet negative në trojet shqiptare- polarizimin politik në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, korrupsionin e përhapur kudo dhe mungesën e mundësive të barabarta ekonomike. Por, gjithsesi ai është optimist se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjet e duhura që në fund të fundit, do t’i ndihmojnë të realizojnë potencialin demokratik, për ta lidhur kombin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme me familjen e shoqërive demokratike. Me këtë përmbledhje të përzgjedhur me kujdes, të veçantë dhe bindëse, Franku jep një ndihmesë të rëndësishme në debatin politik dhe mediatik shqiptar. Libri i tij do të jetë një burim i pazëvendësueshëm për gazetarët, studentët, dijetarët dhe politikanët. 
Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë
“Zëri i Amerikës”
Uashington
Sigal