Dr. Bujar Leskaj*: Institucionet supreme Shqipëri – Kosovë, bashkë për mirëqeverisjen publike të dy vendeve

576
Sigal

Kriza
financiare dhe ekonomike botërore e viteve 2009-2012 ka sjellë në plan të parë sfidën
e përmirësimit të raportimit financiar publik në nivel global, rritjen e
transparencës, plotësisë dhe standardeve të tij, në shërbim të shëndoshjes dhe
qëndrueshmërisë së financave publike të çdo vendi. Duke e rrokur këtë sfidë, raporti
i vitit 2013[1] i
Komisionit Evropian për aplikimin e Standardeve Evropiane të Kontabilitetit të
Sektorit Publik (EPSAS-të bazuara në parimin akrual) brenda BE-së, sipas Standardeve
Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (IPSAS), synon pikërisht përmirësimin
e ndjeshëm të raportimit financiar në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Standardet e kërkuara në këtë Raport duhet të na orientojnë edhe ne, vendet
kandidate për anëtarësim si Shqipëria dhe aspirante për anëtarësim në BE, si
Kosova, në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të auditimit suprem publik të
vendeve tona në nivel të sfidave të përsosjes dhe modernizimit të raportimit
financiar publik. Institucionet supreme të auditimit publik (SAI-t), duke
zbatuar Deklaratën e Limës (ISSAI 1), Neni 14 “Stafi i auditimit”, pikat 1, 2
dhe 3, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare të fushës, janë kontrollueset
dhe vlerësueset e vërtetësisë dhe plotësisë së raportimit financiar qeveritar. Është
domosdoshmëri e kohës që audituesit e tyre të vihen në nivelin e kontabilistëve
dhe financierëve të sektorit publik prodhues të informacionit dhe pasqyrave
financiare, madje duke synuar të jenë edhe një shkallë më lart në njohuritë
financiare dhe aftësitë vlerësuese e deduktuese, për të kryer me profesionalizëm
detyrën kushtetuese të dhënies së sigurisë për mirë administrimin e aseteve dhe
financave të Shtetit. Trajnimi, kurset kualifikuese, programet certifikuese janë
elementë thelbësorë të përgatitjes profesionale dhe rritjes së kapaciteteve të
tyre. Ato mund të kryhen nëpërmjet partneritetit me institucionet simotra të
auditimit suprem, sipas motos së INTOSAI-t “Nga Eksperienca e Përbashkët fitojnë
të gjithë”, por edhe nga bashkëpunimi i frytshëm me organizata profesionale
brenda dhe jashtë vendit. Pas një pune disavjeçare shumë të mirë të kryer nga
Auditori i mëparshëm i Përgjithshëm i Kosovës, z. Lars Lage Olofsson, të përqendruar
sidomos në ngritjen e kapaciteteve audituese nëpërmjet trajnimeve dhe marrjes së
eksperiencës nga SAI-t më të zhvilluar, si, për shembull, Zyra Kombëtare e
Auditimit e Suedisë, përshëndes zhvillimet e reja në trupën e audituesve më të
lartë publikë të Kosovës, në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Vlerësoj lart procesin
e thellë ristrukturues të ndërmarrë nga Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani,
riorganizimin e departamenteve ekzistuese dhe detyrat më sfiduese të dhëna për secilin
auditues, sipas metodologjive dhe kërkesave të standardeve ndërkombëtare të
INTOSAI-t, në dobi të drejtpërdrejtë të një kontrolli edhe më profesional të
administrimit të aseteve dhe fondeve publike në vend. Këto zhvillime synojnë
modernizimin e kësaj trupe, në përputhje me proceset integruese të Kosovës për
në Bashkimin Evropian. Misioni ynë si institucione supreme të auditimit është
që të zhvillohemi dhe avancojmë si organizata profesionale, të cilat respektojnë
në mënyrë rigoroze standardet e INTOSAI-t dhe udhëheqin nëpërmjet shembullit,
duke perfeksionuar performancën përmes respektimit të rregullave etike,
integritetit të plotë dhe ofrimit të ekspertizës së specializuar, duke vepruar
me ndershmëri, objektivizëm dhe me përkushtim ndaj cilësisë së auditimit dhe
interesit publik të qytetarëve dhe taksapaguesve. Shndërrimi ynë në organizata
publike model është kolona e katërt e strategjisë së zhvillimit 2011-2016 të
organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI, e cila numëron
në gjirin e saj 192 institucione supreme auditimi, SAI.  Sikurse e ka theksuar ish-Presidenti i
INTOSAI-t, z. Terence Nombembe, një personalitet i auditimit suprem ndërkombëtar,
Dija në auditim është arma që askush nuk
do të guxojë të na e marrë, e cila na pajis me mendim dhe analizë të pavarur
”.
Gjykoj se në funksion të rritjes dhe thellimit të kësaj dije në auditim po
zhvillohet edhe kjo ceremoni e bukur e certifikimit të audituesve të ZKA, pas
një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shoqatën e Kontabilistëve dhe të Auditorëve të
Certifikuar të Kosovës. Një aktivitet i tillë është shprehje e zhvillimit intensiv
të dijes audituese brenda institucionit më të lartë auditues publik të vendit, e
rritjes së kapaciteteve të audituesve të ZKA-së në dobi të plotësimit sa më të
mirë të detyrave gjithnjë e më sfiduese në kuadër të procesit integrues të
Kosovës për në BE. Ky proces nuk mund të mendohet pa rritjen e përgjegjshmërisë
dhe të kërkesës së llogarisë në administrimin e fondeve publike, kërkesa këto të
kahershme dhe të patjetërsueshme të Bashkimit Evropian si për Shqipërinë, Kosovën,
ashtu dhe për të gjitha vendet e tjera kandidate apo aspiruese për t’u anëtarësuar
në BE.  Rritjes së kapaciteteve tona
profesionale, në bazë të Nenit 15 të Deklaratës së Limës, e cila është Magna
Carta, Kushtetuta e institucioneve supreme të auditimit, i shërben edhe bashkëpunimi
mes vetë SAI-ve, sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus
prodest”.   Në
zbatim të standardeve ndërkombëtare ISSAI, si dhe të dy Rezolutave të Asamblesë
së Kombeve të Bashkuara të viteve 2011 dhe 2014, përkatësisht”Nxitja e efiçiencës, përgjegjshmërisë,
efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar
Institucionet Supreme të Auditimit
” dhe “Promovimi i efiçencës, llogaridhënies, efektivitetit dhe
transparencës së administratës publike, duke fuqizuar institucionet supreme të
auditimit
”, gjatë viteve të fundit, si ZKA e Kosovës dhe KLSH e
Shqipërisë kanë ditur të zhvillojnë partneritete me shumë vlerë për audituesit
e tyre. ZKA sidomos me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe KLSH me
NIK-un Polak dhe Gjykatën e Llogarive të Turqisë. Këto partneritete u kanë dhënë
mundësi SAI-ve tona të kenë akses në qasjet moderne në auditim të partnerëve më
të zhvilluar, në auditimet financiare, të përputhshmërisë, të performancës dhe
të teknologjisë së informacionit, të njohin teknika dhe metodologji me vlerë në
luftën kundër korrupsionit, në rritjen e përgjegjshmërisë së administratës
publike dhe të cilësisë së informacionit financiar publik.  Për ne si KLSH, bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare
të Auditimit të Kosovës ka një domethënie dhe rëndësi të veçantë. Në muajt e
parë të mandatit për institucionin që drejtoj, marrëveshja e parë e bashkëpunimit
e KLSH-së me një SAI partner ka qenë ajo e shkurtit të vitit 2012 me Zyrën e
Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP-i i asaj kohe). Kemi realizuar shumë
aktivitete të përbashkëta, si trajnime, konferenca e seminare pune, vizita të ndërsjella
për marrje eksperience etj. ZAP-i ka qenë pjesëtar aktiv në Analizat vjetore dhe
Konferencat Shkencore të KLSH për vitet 2012, 2013, 2014 dhe 2015, duke përshëndetur
dhe dhënë mendime me vlerë, sikurse dhe ne kemi marrë pjesë në Konferencat
Vjetore të ZAP-it. Këto aktivitete jo vetëm na kanë ndihmuar të njohim më mirë
njeri-tjetrin, por edhe të mësojmë nga qasjet në auditim, nga mënyra se si përgatisim
raportet e auditimit dhe raportet ose përmbledhjet për Parlamentet përkatëse,
se si punojmë me komisione të veçanta të Parlamentit, si krijojmë partneritete
me veprimtarë të interesuar brenda dhe jashtë vendit, si thithim ekspertizën e nevojshme
nga jashtë institucioneve tona, për të thelluar dhe rritur cilësinë e auditimeve
që kryejmë, etj. Rinovimi  i sotëm i
marrëveshjes së lidhur mes dy institucioneve tona në vitin 2012, duke zgjeruar
gamën e aktiviteteve të përbashkëta dhe duke përfshirë edhe Planin e Veprimit
ZKA-KLSH për vitet 2017-2018, është me shumë rëndësi për ne si KLSH.  Ky
Program Aktivitetesh të Përbashkëta përfshin shkëmbimin e përvojave në nivel
praktik dhe teknik për zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit
publik dhe praktikave të mira evropiane, vijimin e traditës së krijuar midis dy
institucioneve për realizimin e seminareve, workshop-eve dhe trajnimeve të
përbashkëta, të cilat synojnë forcimin e kapaciteteve të audituesve të KLSH dhe
ZKA, sesione edukative dhe këshilluese me qëllim përditësimin e materialeve të
metodologjisë në auditim, për fushat me interes të përbashkët, si dhe 6
auditime të përbashkëta në dy vitet në vijim. Qëllimi i auditimit dhe çështjet
kyçe do të vendosen bashkërisht dhe raportet e auditimit do t’u dërgohen
Parlamenteve respektive. Temat e përzgjedhura për t’u audituar do të kenë
interes kombëtar dhe rajonal dhe do t’i shërbejnë zhvillimit të strategjive
kombëtare të të dy vendeve. Auditimet e përbashkëta jo vetëm do të na lidhin
edhe më shumë, por do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve efektive dhe
efiçiente për një numër të konsiderueshëm çështjesh të mprehta të menaxhimit të
fondeve publike, me problematika të ngjashme si në Kosovë edhe për ne në Shqipëri.
Ndajmë bindjen se ky bashkëpunim më i zgjeruar i shërben jo vetëm komunikimit
efektiv dhe partneritetit të SAI-ve në rajon e më gjerë, por edhe përshpejtimit
të integrimit të të dy vendeve tona në Bashkimin Evropian. Në nivel të
partneritetit sa më efektiv dhe efiçient të SAI-ve në rajonin tonë, më duket me
mjaft vlerë ideja e krijimit të një qendre rajonale për edukimin e audituesve të
SAI-ve të rajonit, e cila do të diskutohet në Tryezën Tematike “Sfidat e
ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore të Institucioneve
Supreme të Auditimit”, tryezë që do të mbahet menjëherë pas kësaj ceremonie të certifikimit.
Si KLSH jemi gati të kontribuojmë për materializimin e kësaj ideje, duke
mobilizuar staf dhe vënë në dispozicion mjedise, po të jetë nevoja. Po ashtu,
mbështetja e SAI-ve tona në asistencën teknike që Bashkimi Evropian ofron për
vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në BE, do të ishte me mjaft
interes për rritjen e kapaciteteve tona audituese. Si KLSH, kemi aplikuar që në
vitin 2012 për të siguruar mbështetje nga Programet e fondeve IPA për Shqipërinë
dhe në mars të këtij viti, ka nisur për KLSH-në një Projekt Binjakëzimi i
financuar nga Fondet IPA për Shqipërinë, me partnerë NIK-un polak dhe
Institucionin e Auditimit Shtetëror të Kroacisë. Urojmë që edhe ZKA të mund ta
fitojë sa më shpejt një projekt të tillë me ndihmën e fondeve të Bashkimit
Evropian dhe jemi gati të ofrojmë eksperiencën tonë modeste në këtë drejtim.

Së fundi, më lejoni që në emër të të gjithë
audituesve të KLSH të shpreh vlerësimin tonë maksimal për nivelin e dijeve dhe
përkushtimin e integritetin e audituesve supremë publikë të Kosovës, për gatishmërinë,
mirëdashjen, mirëkuptimin, bashkëpunimin vëllazëror dhe të shkëlqyer që na kanë
ofruar gjatë këtyre viteve, por sidomos për projektin e ristrukturimit dhe
modernizimit të mëtejshëm e të qëndrueshëm të ZKA-së, të cilin e ideoi dhe po e
zbaton Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani. Ky projekt, jo vetëm
që rrit cilësinë e punës audituese të ZKA dhe ndikimin e Zyrës në mirë administrimin
e financave publike të Kosovës,  por
kontribuon në një bashkëpunim edhe më dobiprurës për të dy SAI-t tona dhe në
nivel rajonal e evropian. Duke shkëmbyer eksperiencat tona në auditim dhe duke
kryer auditime të përbashkëta, jo vetëm rrisim kapacitetet tona si auditues,
por edhe ndihmojmë më fuqimisht në mirëqeverisjen publike të të dy vendeve
tona.

  

(Fjala e Kryetarit të Kontrollit të
Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj
gjatë
ceremonisë së certifikimit të audituesve të Zyrës Kombëtarë të Auditimit të
Kosovës dhe rinovimit të Marrëveshjes  së Bashkëpunimit të të dy
institucioneve, lidhur në shkurt të vitit 2012, si dhe nënshkrimit të Planit të
Veprimit për aktivitetet e përbashkëta 2017-2018 mes Zyrës Kombëtare të Auditimit
të Republikës së Kosovës dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit )