Dr. Bledar Kurti: Mëkatet e politikanëve shqiptarë!

151
Nga një vend i vogël dalin vetëm politikanë të vegjël të cilët me vogëlsinë e mendjes dhe vizionit të tyre drejtojnë një popull drejt një dështimi të madh! Por kur ky vend i vogël qëllon të jetë edhe kosh plehrash i Evropës, mund të imagjinohet se çfarë lloj politikanësh ka ky vend, të cilin disa prej nesh e quajnë ATdhe e të tjerë MËMËdhe! Mëkatet e politikës shqiptare janë të shumta, madje të panumërta! Situata politike aktuale në të cilën gjendet vendi është një gosti e zakonshme e përsëritur nga ata të cilët bëjnë thjeshtë atë që dinë të bëjnë më mirë: të kanibalizojnë shpresën, virtytin, ëndrrat dhe integritetin! Politikanët e oturakut kanë harruar se si të skuqen! Ndjenja e turpit apo “sedrës” siç quhet rëndomë tashmë i duket sureale! Ndaj edhe katër vitet e ardhshme do jenë pa asnjë dyshim më regresive, më të vështira, më varrmihëse se sa këto që kaluam, sepse kushdo ti fitojë zgjedhjet, si ato pa opozitën me 18 qershor apo me opozitën në përsëritjen e tyre pas gjashtë muajve, apo zgjedhje parlamentare njëkohësisht me zgjedhjet vendore të 2019-ës (po, po, ka edhe skenarë të tillë) tashmë e kanë të humbur betejën me historinë! Ata mund të shpallen fitimtarë por përsëri historia do i njohë si mëkatarë! Dhe jo nga ata të llojit mëkatarë pasioni, sepse këta historia edhe mund ti falë, por nga ata të tjerët, mëkatarët e ligë, të cilët drejtojnë një popull drejt shkatërrimit! Gjashtë mijë vite qytetërim, botës i është dashur të vendosë disa piketa politike dhe qeverisëse të cilat tashmë konsiderohen si koncepte universale, si përshembull: raporti mazhorancë – opozitë; raporti qeverisës dhe i qeverisur; ndarja dhe balanca e pushteteve midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit; autonomia e një shteti për të drejtuar çështjet e brendshme; liria e fjalës, e mendimit dhe e protestës paqësore; e drejta e përfaqësimit dhe e votës së lirë; dhe mbi të gjitha respekti ndaj vullnetit të një populli të lirë! Fatkeqësisht, të gjitha këto koncepte universale të qytetërimit botëror janë shkelur në Shqipëri e kanë përfunduar të përlyera në batakun e politikës shqiptare! Duke shfrytëzuar dobësitë e një populli, duke manipuluar mendjen e tij përmes varfërisë dhe duke i bërë lavazh truri allá diktatorial (sepse në këtë vend rezultoi i suksesshëm për pesëdhjetë vjet) politika jonë mashtron në mes të ditës, tërësisht krenare dhe arrogante, duke përdhosur historinë e qytetërimit botëror, e duke injektuar teza oturaku shqiptar, të shoqëruara me tallje të rënda për inteligjencën e një mendjeje normale të këtij vendi! Provincializmi i politikës shqiptare arrin e ofendon Ismail Kadarenë! Ata të cilët kanë asgjë për të thënë hedhin baltë mbi zërin e vetëm shqiptar që i ka folur botës në shqip sa për dy mileniume! Tallet me numrin e protestuesve, kur në fakt e vërteta është që kur qoftë edhe një qytetar i vetëm proteston duhet ti dëgjohet zëri dhe argumenti, e jo më me qindra apo mijëra! Tallet me gjyqësorin! Tallet me mediat! Tallet me intelektualët! Tallet me kë të mundet! Sepse thjeshtë mundet! Politika tallet edhe me përfaqësimin duke bindur shqiptarët se janë të përfaqësuar denjësisht përmes njerëzve nga kategori të ndryshme, ndërkohë që e vërteta është se në legjislativ nuk duhen përfaqësues si populli por më të mirët që ka një popull për të ofruar! Të paktën nëse do ishin me vlera, ose sa gjysma e vlerave që kanë shqiptarët e thjeshtë, përsëri ligjbërësit e ardhshëm do ishin më të mirë se sa ata të katër vjetëve të fundit! Fatkeqësisht, historia e marionetave në parlament do vazhdojë për një kohë të gjatë! Politika e dialogut, e njerëzve të zgjuar e të mençur, e më të mirëve dhe më të ndriturve, të cilët kuvendojnë e i japin zgjidhje problemeve të vendit nuk ka më vend në ditët e sotme! Në vend të politikës burrërore e plot integritet, që karakterizon njerëzit e mëdhenj dhe shtetarët që kanë bërë histori, komunikimi ndër-politik e ndër kryetarësh partish është bastarduar me statuse facebook-u dhe me foto qesharake të cilat tregojnë degradimin e atij që e poston dhe atij që e lexon! “Liderët” tanë vetëkënaqen nga krahasimi që i bëjnë vetes me figura të mëdha shtetarësh amerikanë, britanikë, apo evropianë! E vërteta është se ata kanë shkruar historinë ndërsa këtyre tanëve historia nuk do i gdhendë as edhe një fjalë në gjurmët e saj! Sepse historia nuk merret me ata që ndyjnë të mirën dhe të drejtën, por me shtetarë që ndryshojnë të ardhmen e popujve! Liderët botërorë mbajnë gjithmonë rreth vetes “the best and the brightest” (më të mirët dhe më të zgjuarit) në mënyrë që të reflektojnë më të mirën, ndërsa këta tanët mbajnë rreth vetes njerëz që pa petkun e partisë apo servilizmit nuk kanë as edhe një gjë për të thënë, dhe as edhe një gjë për të bërë! Dhe si rrjedhojë ata dëgjojnë si këshillë ose llomotitjet e këtyre sharlatanëve ose vetëm zërin brenda vetes, që në të shumtën e rasteve nuk është as i veti por ai i dreqit, që ia bën oturakun shqiptar të duket si pallati i Versajës! Situata ku gjendet vendi është tejet delikate! Siguria e vendit, funksionimi efikas i institucioneve, mjedisi ekonomik dhe ai i investimeve janë pranë kolapsit! Çështja e nxehtë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka paralizuar të gjithë mekanizmat e shoqërisë dhe ka ndaluar frymëmarrjen e vendit! Ndaj vendi ka nevojë për zhbllokim të menjëhershëm nga ky ngërç artificial që nuk e ka aspak prejardhjen nga jashtë kufijve por nga vetë ne këtu brenda! Por sa më mjerane të jetë një rrethanë aq më e madhe është mundësia të shkruash historinë! Kjo është mundësia që politika shqiptare ka për shpagimin e saj! Ose ta tregojnë veten si shtetarë dhe të nisin e ndërtojnë një vend me parime, koncepte dhe vlera të shëndosha evropiane ose ta rrënojnë edhe më shumë të ardhmen e këtij vendi e të vazhdojnë të mbeten provincialë e të qelben në oturakun që kanë ndërtuar e që po shijojnë me grykësinë më të madhe!