Dr. Arqile Veshi: Ushtria greke nuk e meriton që ushtarët e vrarë të prehen në truallin shqiptarë

713
Në librin e kujtimeve “Bashkudhëtarë”, Ilmi Bejko ndër të tjera për luftën Italo-Greke dhe sidomos bëmat çnjerëzore të ushtarëve Grekë, shkruan: Kam qenë fëmija më i vogël, i pesë vëllezërve e dy motrave të lindura, por që nuk i mbijetuan fukarallëkut. Si më i vogli i familjes, jam përkëdhelur nga më të rriturit. Kulmin e kësaj jete plot gëzim e shëndet në familjen tonë e ndërpreu 7 prilli i tridhjetenëntës, kur Italia fashiste e Musolinit pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj date mori të tatëpjetën fëmijëria ime, pasi në kufirin shqiptaro-greke filloi lufta Italo-Greke në vitet 1940-1941 fronti i së cilës kalonte edhe pranë fshatit Sevran të Skraparit që është edhe vendlindje e Ilmi Bejkos i datëlindjes së 15 tetorit 1933 pas shumë luftimesh, kujton Ai italianët u thyen nga grekët dhe e morën frymën në lagjen Bejkollarë të fshatit Sevran të Skraparit, vendlindjes sime. Tre pjesëtarët e familjes tonë mbetën në prapavijat e frontit Italian. Pas ca ditësh italianët u ngjitën në malin e Qarrishtës dhe filluan nga punët xheniere të fortifikimit të vijës së frontit. Gjatë kohës të qëndrimit në lagjen tonë, italianët, natën, na vodhën të gjitha kosheret e bletëve. Fryt i punës dhe pasionit që kishte patur vëlla Hakiu për shtimin e numrit të tyre.
Në lagje, nga dita në ditë prisnim mbërritjen e trupave greke. 
Nëna me Skënderin, vëllain e tretë, atëherë 17 vjeç, punonin me ngulm për hapjen e gropave të thella në hajatet e bagëtive, për të fshehur e futur në to sëndukët me zahire. Pa kësaj gjithë lagjja i lanë shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në dy shtëpitë dykatëshe gjithsej 12 familje. Në avllitë e dy shtëpive të mëdha u grumbulluan gjithë lopët, qetë e punës, me shqerrat e ndonjë e imët dhe u mbyllëm të gjithë brenda në ato dy shtëpi. Kafshët e punës i rrëmbyen grekët, për nevojat e tyre të transportit. Pas ca ditësh morëm vesh se grekët i kishin gjetur rezervat ushqimore të fshehura në hajatet e bagëtive dhe na përlanë çdo gjë. Tani na hyri frika për jetën. Ndërkohë lufta vazhdonte e ashpër. Grekët, para se të sulmonin transhetë e përforcuara italiane, kalonin përmes lagjes sonë dhe ngjiteshin malit përpjetë. Unë, i mbledhur grusht pranë dritares së dhomës, ca nga të ftohtit e ca nga frika e asaj skene luftarake, ndiqja nga dritarja lëvizjet dhe veprimet e ushtarëve grekë. Pasi zhdukeshin nga sytë e mi ushtarët, dëgjoja borin që i ftonte trupat greke për të sulmuar vijën e frontit; dhe pas një intervali të shkurtër, dëgjoja thirrjet e një zëri komandues: “Apanos pedhja, Apanos pedhja (Lart djema, lart djema!). Pastaj fillonte gjëmimi i të shtënave me pushkë, mitraloza dhe bomba. Unë largohesha i trembur nga dritarja. Pas luftimesh të ashpra, grekët ktheheshin nga vija e sulmit duke mbajtur në tezga të plagosurit dhe të vrarët e asaj dite. Në ato ditë janari dhe shkurti të dimrit të ftohtë e me borë të vitit 1940, italianët nuk tundeshin nga istikamet e tyre. Grekët, gjysmë të turpëruar nga ne, e justifikonin qëndresën e fortë të italianëve me praninë e trupave shqiptare në vijën e frontit, gjë që s’ ka qenë e vërtete.. Por kishte dhe ditë që luftimet zhvilloheshin me artileri nga të dy palët. 

Atëherë, për veç të shtënave të artilerisë, ne dëgjonim dhe fishkëllimën e predhave që fluturonin mbi kokat tona, si te italianëve ashtu dhe ato të grekëve, që goditnin njëri-tjetrin. Por, nuk mjaftuan gjithë ato shkatërrime e vjedhje që iu bënë pasurisë të çdo shtëpie në lagje. Gjatë tërheqjes për në Greqi, grekët morën dhe atë ç’kishte mbetur nga pasuria jonë në avllitë e dy shtëpive. Ata therën të gjithë bagëtinë që gjetën aty: qetë e punës, lopët, mëshqerrat dhe s’lanë gjë prej gjëje. Kjo kasaphanë u bë një ditë pas dreke. Unë qaja e çuditesha njëkohësisht, kur binin për tokë ato kafshë të mëdha me një goditje thike prapa kokës. Natën pastaj ra aq shumë borë, sa që në mëngjes nuk dukeshin më kafshët e therura. Ne menduam se gjithë ajo kasaphanë duhej për frontin. Por jo, ata i morën me vete për në Greqi. Me këtë veprim grekët u treguan të pashpirt. E megjithatë, ata nuk mundën dot t’i merrnin dhe i lanë rrugës në Okovë, një kilometër e gjysmë larg lagjes Bejkollarë. Shpejtonin për t’i shpëtuar rrezikut të kapjes robër nga italianet, sepse trupat hitleriane kishin desantuar në Greqi. Ky mish i lënë nga grekët në afërsi të fshatit Raban, dhe i marrë prej nesh më vonë, u bë bazë e mbijetesës tonë. Ndryshe do të kishim vdekur urie. Pas largimit të grekëve, në kurorën e Tabellës, dhe sidomos në rrethinat e saj të malit të Qarrishtës, mbeti shumë material lufte, pushkë, mitraloza, fishekë e bomba të prodhimit grek e italian, që më vonë u bënë shkak i vrasjes dhe plagosjes së disa fëmijëve në lagje. Midis tyre u plagos dhe Vetëtim Bejko, që më vonë u bë i pari shkrimtar i njohur, i shquar, për penën e mprehtë dhe qëndrimin opozitar. Në malin e Qarrishtës, në afërsinë e brezit të luftimeve, në vendet e quajtura Vallëza e Lulos, Ara e Rustemit, Gropa e Duçkës, Kavastare, te Kisha në Tabellë, Çuka e Kaçit dhe bregut të pjerrët në drejtim të Gjolit të Fratarit mbetën dhe shumë trupa të vrarë.
Ishte e frikshme
Ishte e frikshme për ne fëmijët të ngjiteshim vetëm, fillikat në Tabellë, në pikën më të lartë prej 1281m të malit të Qarrishtës. Rrugës këmbësore për atje, një orë larg, kishin mbetur kufoma ushtarësh të pagroposur. Kur u ngjita njëherë me tim vëlla, Hetemin, u çudita shumë me varret që kishin sajuar italianët në pjesën e sheshtë prapa Tabellës. Në krye të çdo varri qëndronte i ngulur një kryq prej druri. Sa shumë kryqe!… Unë nuk i numërova dot të gjithë. U kthyem të tronditur në shtëpi nga ajo mbretëri varrezash. Për karshi lagjes, në arën e quajtur Putarakë, mbrëmjeve kur errej, vezullonte një dritë, flakë e bardhë në blu të hapur, që të jepte përshtypjen e një zjarri. Habisë sonë për këtë ndodhi, që gati përsëritej çdo mbrëmje kur errej, më në fund iu dha shpjegimi: Nuk është zjarr, na thanë, digjet fosfori i kockave të një ushtari të vrarë, ngrënë natën nga ujqërit. Kur forcat ndërluftuese u larguan nga lagja jonë, ne e pamë veten me gisht në gojë. Urrejtja ndaj tyre mbeti si ngushëllim i vetëm, për atë batërdi e shkatërrim që i krijuan jetës sonë ekonomike, të qetë e paqësore, ato dy ushtri.
Dëshmia e jetuar 
Bazuar në dëshminë e jetuar të intelektualit të shquar dhe birit të një familjeje patriotike, vëllai i të cilit ra për atdhe, pesë ditë para çlirimit të Tiranës dëshmori Haki Bejko, në krye të batalionit të V të Brigadës së 4-t Sulmuese. Ushtria Greke nuk kishte organizuar dhe dokumente të varrimit për ushtarët e rënë e si e tillë nuk ka bazë për ngritjen e varreve në këtë territor. Këtë unë e vërtetoj edhe me faktin se kur isha në marrëdhënie pune ne Ministrinë e Mbrojtjes u caktova në përbërjen të një komisioni me Kryetar Rrapo Dervishin për gjetjen e eshtrave të ushtarëve Grekë në territorin Shqiptar. Mbasi bëmë disa takime me përfaqësuesit e shtetit Grek, ata nuk ishin në gjendje të paraqisnin asnjë dokument bindës si për vendin e rënies ashtu edhe të dhëna indefikuese për personat e pretenduar. Në këto kushte, komisioni në marrëveshje me organet përkatëse të Qeverisë i ndërpreu bisedimet. Nisur nga bëmat dhe gjëmat që ka bërë ushtria greke në territorin Shqiptar gjatë luftës Italo-Greke në vitet 1940-1941, jo vetëm që nuk duhet lejuar të ngrenë varreza për ushtarët e rënë, por duhet të hiqen edhe ato që janë ngritur e të marrin eshtrat, nëse janë të ushtarëve të tyre, ashtu si u veprua me ushtarët Italianë.
Sigal