Dr.Apostol KOTANI/Të vërtetat mbi Pallatin e Kulturës dhe kishën e qytetit të Përmetit dhe qëndrimet shoveniste greke

583
Sigal

Nga klerikë keqdashës dhe filo-grekë, përfshi këtu edhe zotin Vangjel Dule, dhe ndonjë tjetër në mënyrë abuzive shpifin dhe trillojnë mbi gjoja uzurpimin e kishës, nga qytetarët e Përmetit, sikur janë kundër fesë ortodokse, etj., që kanë çuar në konflikte të ashpra midis popullatës dhe klerikëve filo-grekër deri edhe të ardhur nga Gjirokastra e Berati, për t’u bërë presion përmetarëve që t’i dorëzojnë kishës Shtëpinë e Kulturës. Dhe në situatën tepër kofliktuale që është krijuar në qytet ka reaguar Athina zyrtare me protesta paralajmëruese ambasadorit shqiptar, ndërsa institucionet shqiptare heshtin, asnjë protestë, asnjë prononcim, përjashto këtu ish Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj, At Nikolla Markun dhe ndonjë tjetër. Po abuzohet shumë me kohen e ndërtimit të kishës, derisa At Jani Trebicka në gazetën “Ngjalla”, pa asnjë argument dhe përgjegjësi, pohon se ajo është ndërtuar në vitin 1600, se ajo është prishur nga regjimi komunist më 1967 në kuadrin e luftës kundër fesë, se ajo është marrë arbitrarisht dhe broçkulla të tjera.

Po si qëndron e vërteta? Përmeti, vetëm brenda qytetit, ka pasur dhe ka tre kisha, Shën-Kollin në krye të qytetit, Shën-e Premten, mbrapa Degës së Punëve të Brendshme, që është ruajtur dhe ruhet si objekt me vlera arkeologjike e ndërtuar në vitet 1700, dhe Shën-Marinë në territorin e ish kazermave të ushtrisë, pranë Sallës ku zhvilloi Punimet Kongresi i Përmetit. Pra aq sa ka edhe Tirana, pa përmendur këtu disa kisha në periferi, si Shën-Thanasi mbi Teqen Bektashiane, në rrugën për në Leuse etj.

Por tregtarët, për ta pasur një kishë afër, në vitin 1937 vendosën të ndërtonin një kishë të re, për të cilën bëhet fjalë, në sheshin publik ku ka qenë komanda e xhandarmërisë dhe kulla e Gjon Fushës, (për të cilën unë ruaj edhe një fotografi të vitit 1927 nxjerrë ditën e festës së shpalljes së pavarësisë).

Ndërtimi i saj filloi në vitin 1937 nga një grup dibranësh. Pasi përfundon si ndërtesë, në vitin 1938 ata u larguan dhe ajo mbeti e pashtruar, me kalldrëm poshtë dhe me mure të pa suvatuara dhe brenda kishte vetëm 5 kandil, 5 ikona si dhe një kambanë. Në nëntor të vitit 1962, nga një shi i dendur dhe i zgjatur, u përmbyt qyteti me ujin e rezervuarëve natyrorë në majë të malit.

Në këtë vit vjen në Përmet Josif Pashkua, ish Ministër i Ndërtimit. Me kërkesën tonë ai dërgoi një grup specialistësh, të cilët bënë një projekt si do të paraqitej qyteti me rastin e 20 vjetorit të Kongresit, më 24 maj 1964. Në projekt parashikohej ndërtimi i Hotel Turizmit në qendër të qytetit, i dy kullave banimi mbrapa Shkollës së Mesme, i lulishteve në krahun e shkollës dhe Shtëpia e Kulturës ku ka qenë ndërtesa e kishës. Personalisht prej meje, që kam qenë sekretar për propagandën në Komitetin e Partisë, u thirr mitropoliti i qytetit, Papa Harallambi, dhe ju propozua që kisha t’i dhurohej qytetit për të ndërtuar Shtëpinë e Kulturës. Ai pasi e bisedoi me kryetarin dhe anëtarët e këshillit kishtar, Cole Lolin, Mati Priftin, Thodhor Gulon dhe Rako Tasellarin, të gjithë me unanimitet dhanë pëlqimin. Pastaj u mor pëlqimi edhe nga Mitropolia e Qarkut Gjirokastër. Dokumenti nuk u hartua mbasi nuk doli nevoja dhe nuk pati asnjë zë të kundërt. Ajo u prish që nga themelet dhe ndërtesa e Shtëpisë së Kulturës zuri një sipërfaqe të vogël 4.28 të truallit të kishës. Ndërtimi i saj përfundoi në fillim të vitit 1963. Aty u përgatit dhe u dha koncerti më 23 maj 1964, aty u bë edhe presidiumi i mitingut në ballkonin ku foli shoku Haxhi Lleshi. Të nxitur nga qarqe shoveniste greke në fillim të viteve 1990, pas ngjarjes tjetër makabre të nxjerrjes së eshtrave të grave, burrave dhe fëmijëve nga kisha e Kosinës dhe rivarrosja e tyre në Gryken e Këlcyrës, gjoja për ushtarë grekë të rënë në luftën Italo-Greke, të cilat ekspertiza i nxori që ishin kocka grash e fëmijës, dhe jo ushtarësh, sepse ushtari kur shkon në luftë ka me vete një medaljon metalik me numrin. Gjykata e dënoi priftin e Kosinës, Thomallarin, por vendimi i gjykatës nuk u zbatua. Këta zotërinj nuk mbajnë parasysh zakonin popullor sipas të cilit: “Gjeja e dhuruar nuk kërkohet dhe nuk kthehet”. Pastaj filluan gjyqet për Shtëpinë e Kulturës. Me presione e ryshfete gjykata i dha të drejtë kishës, kështu që Shtëpia e Kulturës u hoq forcërisht. Gjyqet vazhduan disa vjet dhe fal dokumenteve dhe përpjekjeve të drejtorit Kastriot Bezatit gjyqi u fitua në shkallën e parë në Apel dhe në kolegjin civil të Gjykatës së Lartë me vendim Nr.1640, regjistruar në regjistrin themeltar me Nr.2236/788 datë 10/11/2003 ndërtesa t’i kthehej qytetit për Shtëpi Kulture. Që atëherë kaluan dhjete vjet dhe vendimi nuk u zbatua, dhe ndërsa u mbajt në mënyrë arbitrare nga kleri, me në krye Thomallarin.

Dhe pse nuk u zbatua nga përmbarimi? Sepse më 16 maj 2006 kryeministri Sali Berisha, kur shkoi për të uruar për pashkë Kryepeshkopin Anastas Janullatos i deklaroi: “Unë shpreh keqardhjes se tre shkallët e gjykatave kanë marrë vendim të gabuar dhe unë si qeveri do ta zgjidh këtë problem”. Mbas kësaj ushtrohet presion mbi përmbaruesit dhe vendimi mbeti pa u zbatuar. Ju bën letra presidentëve Mosiu dhe Topi, kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe kryeministrit, u bë një protestë me 46 firma personalitetesh akademike, profesorë, historianë etj., dhe u bënë disa shkrime në shtyp, por të gjitha ranë në vesh të shurdhër.

Deri sa erdhi dita që të zbatohej vendimi. Priftërinjtë dhe ndonjë ortodoks pa pikën e respektit u përleshën me përmbaruesit dhe qytetarët që i mbështeten ata. Kurse forcat e policisë, që u ndodhën aty, as nuk ndërhynë fare për zbatimin e vendimeve të gjykatave. Por ajo çka është më skandaloze në ndihmë të tyre vijnë me dy autobusë priftërinj dhe civilë nga Gjirokastra e Berati dhe ushtrojnë presion mbi nëpunësit e bashkisë dhe qytetarët dhe e rimarrin me forcë ndërtesën përsëri. Ky ishte një puç i vërtetë. Po sikur edhe ata të 46 që kanë firmosur protestën të vërshonin nga Tirana në Përmet, mendoni seç mund të ndodhte. Skandaloze dhe tepër provokative është edhe mesha në rrugë, kur jo më tepër se 100 metra është kisha e Shëne-Premtes.

Ndonëse me vonesë, por Kryeministri në detyre Sali Berisha reagoi, dënoi sjelljen

arrogante të priftërinjve ndaj përmbaruesve dhe qytetarëve si dhe ndërhyrjen e qeverisë Greke, dhe forcat e policisë u vendosen në mbrojtje të ndërtesës. Por propozimi për të ndjekur rrugën e bisedimeve për zgjidhjen e problemit të pronësisë lë shteg për grindje sepse secila palë do të insistojë në interesat e veta dhe zgjatjen ka mbarim të zgjidhjes. Problemi i pronësisë është diskutuar e stërdiskutuar me vite dhe është zgjidhur me vendimet e tre shkallëve të gjykatave dhe s’ka më vend për diskutime. Diskutime mund të bëhen vetëm për të dëmshpërblyer dëmet që i kanë shkaktuar ndërtesës.

Greqia nuk merr vesh me protesta gjysmake e formale, por me masa konkrete për t’i treguar vendin, t’i hiqen të drejtat që i janë dhënë në kurriz të territoreve shqiptare në detin Jon, në Grykën e Këlcyrës, në Boboshticë. Të largohen priftërinjtë grekë që kanë uzurpuar kishat tona me në krye Anastas Janullatos dhe njerëzit e “Agimit të Artë”.

*Dëshmimtar okular i dhurimit dhe rrjedhës së ngjarjeve

Poezi të At Mihal Dhosit nga Kosova e Përmetit

                         1                                                       2

        Që kur bëre Zot dynjanë,                       Thonë se zemër e Moresë.

        Dhe nxore në shesh njerinë,                  Do vendet e Myzeqesë,

        Kemi vajtur me junianë, Grekun,           Kërkon Vlorën dhe Beranë,

        Neve buza me s’na qeshi                        Fierin dhe Elbasanë

        Kurrë me ata jezitë                                 Kërkon dhe Karaburunë,

        Jemi zënë lesh për leshi                       dhe Zazanë, t’i kem unë

        Edhe sot e këtë ditë.                            Jeta në ardhtë së prapi,

        Allahu e pruftë mbarë                            Dhe të zbardhtë arapi,

        E u ktheftë një politikë                           T’i marë të mos i lërë,

       O u bëfshin si shqiptarë                            Ato dhe neve të tërë.

        Ose neve katolikë.

       Se Jorgua kur u martua.

       Ish llafosur me Rusinë,

       Pajë çupës nuk iI dua,

       Vetëm më jep Shqipërinë

       Po Carua nga e gjeti Shqipërinë.

       Apo e shoqe e tij fjeti

       Me tim atë ndonjë mbrëma.

       Në është që kanë fjetur,

       Dhe është bërë me barrë,

       Shqipërinë le ta marrë.

       Mjafton që me ra im atë

       Në jatak me mbretëreshë,

       Pa edhe unë buzë thatë

       Le të mbetem pa priftëreshë.

Këto poezi janë shkruar rreth vitit 1920, pas agresionit grek të viteve 1913-1916 dhe janë botuar në dy libra prej meje, një herë në vitin 1963 dhe një herë në vitin 2005 me një vëllim prej 3000 vargjesh.