Dr. Apostol Kotani / Figura e Skënderbeut në mendjen dhe penën e personaliteteve të huaja e vendase

890

Personaliteti i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut që nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe fillimi i shekullit të XIX-të ishte bërë një temë qendrore për të gjithë historianët, shkrimtarët dhe artistët. Lavdia e luftërave heroike të Gjergj Kastriotit për liri dhe pavarësi, për atdhedashuri dhe bashkim kombëtar, kish tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit botëror. Ai, për 25 vjet resht, duke përballuar mbi 30 beteja me forcë e mjete të shumta, të Perandorisë Osmane, i kapërceu kufijtë e Shqipërisë, sepse ai këto beteja i shtriu edhe në perëndim, përtej detit Adriatik dhe Jon, sidomos në Itali në Napoli,Venedik, etj. Ai mbrojti edhe Krishterimin nga islamizimi dhe për këtë u etiketua si “Kalorës i Krishterimit”.

Këto janë arsyet që personaliteti i Skënderbeut u bë objekt studimi dhe përjetësimi nga shumë autorë të huaj, me vepra historike, tregime, piktura, gravura dhe poezi. Për personalitetin e Skënderbeut i digjej zemra De Radës, Dora Distrës, Serembes dhe shumë shkrimtarëve të tjerë. Amerikanë, Anglezë, Francezë, Turq etj., pa lënë mënjanë Marin Barletin, Naim Frashërin, Fan S.Nolin, Joseph Dio Guardi, Atë Mihal Dhosi etj,. Për Skënderbeun shkroi poezi shkrimtari Italian i shekullit XVI -të Giro Searameih.

Të ndalemi në disa vlerësime tipike.

Shkrimtari i madh Amerikan i shekullit XIX-të Henry Ëadsorth Lonofelloë i mrekulluar nga shkrimet për Skënderbeun, në poemën e tij i bën një përshkrim të gjallë kthimit të Skënderbeut në Krujë

“Nga kështjella shpejt ka rënë,/

flamuri me gjysmë hënë,/

Edhe populli shikon,/

që në vend të tij valon/

Flamuri i Skënderit në erë,/

Shkabë e zezë me dy krerë./

Dhe një zë me gaz me bujë,/

Oshtin breg, më breg,/

 Rrofsh o Skënderbeg.,,

Gjenerali Anglez James Ëolfe në një letër që i dërgonte Lordit Sidnei, komandant i ushtrisë angleze në rrethimin e Kebekut në Kanada, ndër të tjera i shkruante. Skënderbeu ua kalonte të gjithë oficerëve të lashtë dhe modern, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Poeti i epokës elizabetiane Edmund Spenser në parathënien e përkthimit të veprës së Barletit në gjuhën angleze shkruan: “Skënderbeu ishte shok me të mëdhenjtë e më të mëdhenjve” dhe më poshtë shprehet: “Ty që në dritë të solli shekulli i ri, Që rri pranë të mëdhenjve që u thurin lavdi, I madh në emër, madhështor në fuqi, I denjë për lavdi, Triumfues në histori. Tmerr i turqve dhe i atyre që s’kanë fe, Për veprën tënde flet kjo vepër o Skënderbeg. Kronisti turk i shekullit XIV-të Ibn Kemal, dëshmitar i ngjarjeve në veprën e tij kronikale “Historia e Osmanlinjve” duke bërë fjalë për trimërinë e shqiptarëve shkruan: “Ata janë tigra kthetër fortë dhe luftëtarë që luftonin edhe me retë, që kalonin sipër tyre. Edhe luftëtarët shqiptarë më të zakonshëm, janë më trima në fushën e luftës, sikur të ishin kalorës të hipur mbi kuaj legjendarë. Ata kanë shtiza që flakërojnë si vetëtima. Kanë ushta, majat e të cilave janë plot helm, si thumbi i grerëzave, kanë edhe një hark pre) druri bashkë me disa shigjeta. Ata janë më të fortë se hekuri. Dhe më poshtë, Ushta e shqiptarit si vetëtima zjarr shpërndan, Shigjeta që hedh ai edhe gurin e çan. Për Skënderbeun ka shkruar Bajroni dhe të tjerë. Joseph Dio Guardi, me origjine shqiptare nga 300 kalorësit që Skënderbeu çoi në ndihmë të Napolit e ka cilësuar Skënderbeun si “Strateg të madh e të pazëvendësueshëm”. Atë Mihal Dhosi nga Kosova e Përmetit, autor i mbi tremijë vargjeve në një poemë dhjetëra vargjesh për Skënderbeun i jep këto epitete: Trim i mirë kordhëtari, e, i vajti lufta së mbari; 20 vjet ditë dhe natë ka luftuar me shpatë; Trim i mirë si dragua, trim i mirë zemër zjarrtë, trim i mirë me shtatë zemra. Vlerësimet për figurën e Skënderbeut s’kanë të sosur.

Por dëshira e madhe e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut ishte që për ‘të, të ngrihej një përmendore ashtu siç ishin ngritur edhe në vende të tjera të Europës. Por kushtet historike që kalonte vendi ynë nën sundimin Osman, dhe më pas nga agresionet e shteteve fqinje e bënë të pamundur realizimin e kësaj dëshire të zjarrtë të patriotëve shqiptarë. Megjithë këtë portreti i Skënderbeut u pikturua në vaj, u gdhend në gravura dhe u shpërnda në formë kartolinash midis shqiptarëve në mërgim. Përpjekjen e parë për një skulpturë të Skënderbeut e bëri patrioti Murat Toptani në Napoli më 1898, i nxitur edhe nga shoqëritë patriotike në mërgim. Por kjo përpjekje nuk arriti të realizohej.

Një përpjekje tjetër rezultative e bëri atdhetari tjetër në Boston të SHBA më 1918, me origjinë nga Berati, Thimi Hondro është skulptura që shoqëron shkrimin, Skënderbeu në kalë, me përmasa të vogla për tavolinë. Kjo u prit me gëzim të madh dhe u shpërnda nëpër emigrantët në Boston dhe më gjerë. Revista “Ylli i Mëngjesit” e datës 1 prill 1918 duke vlerësuar këtë krijim shkruante: “Vepra e këtij atdhetari meriton lavdi sepse na jep rastin të kemi nëpër shtëpitë tona përmendoren e trimit tonë të lavdishëm me të cilin krenohet kombi ynë.

U deshën disa dekada që ëndrra e shqiptarëve të bëhej realitet nga “Skulptori i Popullit” Odhise Paskali, me rastin e përkujtimit të 500 -vjetorit të ndarjes së tij nga jeta më 1967.