Dr. Apostol Kotani/A u duhen kthyer ose kompensuar sipërfaqet tokësore-pronarëve të mëdhenj të tokave bujqësore?

608
Sigal

 Historikisht dihet se fillimisht pronarët e mëdhenj të tokave u bënë të tillë, nga pronat që u fali Perandoria Osmane për shërbimet ushtarake që i kishin bërë. Më pas këto prona u zmadhuan në kurriz të pronave fshatare me rrugën e forcës, mashtrimit e të shfrytëzimit të egër të fshatarëve. Për rrjedhojë në marrëdhëniet e pronësisë mbi tokën pyjet, kullotat dhe blegtorinë u krijua një pabarazi dhe padrejtësi e madhe. Këtë, pronarët e mëdhenj u munduan ta justifikonin se e kishin arritur “me punën”, “djersën” dhe “zotësinë” e tyre. E vërteta qëndron krejt ndryshe.. Nga metodat kryesore dhe më të përhapura për shpronësimin e fshatarëve kanë qenë sistemi i rëndë fiskal barra e rëndë e detyrimeve feudale, bezdisjet me kapriçiot e tyre, kërcënimet, vrasjet e pabesia dhe përdorimi i reparteve të armatosura të xhandarmërisë. Historia e shkruar dhe ajo e pashkruar njeh raste të shumta të kësaj dhune të egër. Emrat e pronarëve të tillë ishin bërë sinonim i kuçedrës e lugatit, me të cilin trembnin, edhe foshnjat kur qanin. “Pusho se erdhi beu, vjen beu e të vret, vjen beu e të mbyt”. (Gazeta Dielli datë 14 janar 1922). Urrejtjen mbarëpopullore kundër bejlerëve të Këlcyrës që nuk lanë mjet pa përdorur për të shtënë në dorë tokat e fshatarëve e shprehu me këto fjalë Dajlan Vinokashi në autoritetet turke në Stamboll kur e pyetën për këta bejlerë: “sikur detrat të bëhen mellan (bojë shkrimi), gjethet e pemëve të bëhen letër, drurët e tyre të bëhen kalem dhe gjithë shqiptarët të bëhen sekretarë nuk do të mjaftonin për të shkruajtur ligësitë dhe poshtërsitë e tyre”. (Lëvizja Naçl në rrethin e Përmetit Bot.1969 f.12). Çifligarët e Gjirokastrës me dhunë e terror dëbuan nga pronat e tyre 100 familje fshatare nga Sopiku, ata rrëmbyen edhe kullotat e fshatit. Kundër kësaj dhune në shtator të vitit 1927. 400 sopiqotë shumica gra, me sopata e gurë u ngritën kundër shpronësimit, por me forca të shumta të xhandarmërisë, fshatarët rreth 550 vetë burra e gra pleq e fëmijë u detyruan forcërisht të largoheshin për t’u shpëtuar ndjekjeve dhe terrorit. (Histori e Shqipërisë, Vëll.II Bot.1965 f.584). Vite me radhë vazhduan gjyqet e fshatrave të Mbrezhdanit të Përmetit, të Milecit të Kolonjës dhe shumë fshatrave të tjerë të vendit kundër bejlerëve që donin t’u rrëmbenin tokat apo kullotat. Dhuna e bejlerëve dhe çifligarëve e për rrjedhojë edhe lufta fshatare kundër kësaj dhune në këto vite mori përmasa të mëdha dhe karakter të ashpër në qarkun e Vlorës kundër Eqrem beut, në Mallakastër kundër Bektash Cakranit në Shkodër kundër Musa e Hamza Jukës etj.  Me dhunë ua rrëmbyen tokat fshatarëve edhe shoqëritë e huaja për kërkimin e naftës dhe mineraleve të tjera. Këto dhe politika fiskale e regjimit zogist si dhe shtypja e egër çifligare e çuan në kulm mjerimin e masave në dimrin e viteve 1927-1928. Uria përfshiu gjithë krahinat e vendit, por sidomos fshatarësinë e malësive të Veriut. Përleshjet e tyre me xhandarmërinë, dhjetarët e qehallarët e çifligarëve u bënë fenomen i shpeshtë. Komisioni qeveritar i ngritur posaçërisht u detyrua të pohonte se: “Shtatëdhjetë mijë burra pleq, gra e fëmijë gjenden nën kërcënimin e vdekjes më të tmerrshme, të vdekjes prej urisë dhe sëmundjeve të ndryshme të shkaktuara prej saj”. “Histori e Shqipërisë V.II bot.1963 f.584). Në këto kushte qeveria zogiste u detyrua të premtonte reformën agrare. Më 1926 krijoi një komision të përbërë nga Mehdi Frashëri, Agjah Libohova, Maliq Bushati e Dr.Vavako, kur më 1929 thirri profesorin italian G.Lorenzoni. Projekti i Lorenzonit u linte pronarëve nga 100 hektarë tokë të paprekshme dhe 1/3 e sipërfaqes së prekshme, në qoftë se brenda 20 vjetëve e bonifikonin dhe e shfrytëzonin me mjete e metoda moderne. Për sipërfaqen e shpronësuar do të shpërbleheshin me 150-200 për qind të vleftës së tokës. Por edhe ky projekt u duk tepër i avancuar për bejlerët e çifligarët. Prandaj më 1932 qeveria zogiste aprovoi një ligj tjetër sipas të cilit pronarëve u lihet jo 100 por 40 hektarë si pronë e paprekshme plus 5 hektarë për çdo frymë kur familja kishte më shumë se 5 frymë. Kurse si pronë e kushtëzuar u lihej jo 1/3 por 2/3 e pjesës që mbetej, pra vetëm 1/3 shpërndahej. Në pamjen e jashtme të krijohet përshtypja se ligji i vitit 1932 ishte më radikal por e vërteta është ndryshe. Marrim një shembull: Shefqet Vërlaci sipas projektit të Lorenzonit mbante 100 ha si tokë e paprekshme dhe 845 si pjesë e kushtëzuar, pra gjithsej 945 ha. Kurse sipas ligjit të vitit 1932 i takonte të mbante 40 ha si pronë e paprekshme dhe 1730 ha si pronë e kushtëzuar, pra gjithsej 1810 ha dhe nga 3635 hektarët që zotëronte i merreshin vetëm 565 ha. Por edhe kjo kundrejt shpërblimit prej 20 franga ari për hektar. Por edhe ky ligj nuk u zbatua në praktikë. Gjithsej u shpërndanë 4111 ha nga e cila përfituan vetëm 1012 familje bujqish vendës dhe 2591 familje kosovare e çame. Është e natyrshme që shteti çifligaro-borgjez i Ahmet Zogut nuk mund ta zgjidhte problemin agrar në dobi të masave fshatare pa tokë dhe me pak tokë. Jo vetëm kaq, arbitraritetet feudale vazhduan edhe gjatë viteve ’30. Tipik është rasti i çifligarit Maliq Frashëri që u rrëmbeu forcërisht fshatarëve të Goricës së Korçës kullotat duke manipuluar gjyqet. Fshatarët të revoltuar shkuan në Korçë dhe demonstruan përpara prefekturës dhe, kur kërkesat e tyre nuk u morën parasysh u përgatitën për rezistencë të gjatë. Për disa muaj beu nuk iu afrua dot fshatit. Edhe forcat e xhandarmërisë nuk i thyen dot fshatarët deri sa beu u detyrua të hiqte dorë nga kullotat, (Histori e Shqipërisë Vëll.II.Bot.1965 F.602). Gjendja e acaruar midis fshatarëve, nga njëra anë, dhe bejlerëve, çifligarëve dhe regjimit zogist nga ana tjetër mbeti gjer në fund të këtij sundimi. Sistemi i rëndë fiskal dhe arbitraritetet e tjera feudale e çuan në kulm mjerimin e masave. Shtypi i kohës shkruante për vdekje fëmijësh e të rriturish nga mungesa e bukës, në Lushnje, Gjirokastër, Korçë etj., ose për shitje fëmijësh si rasti i një fshatari nga Kalivaçi i Tepelenës që shiti vajzën 11 vjeçare për 1 kv drithë e 2 kg kripë. Një tjetër nga Gjerbësi i Mallakastrës shiti vajzën 8 vjeçare për 6 napolona (Gazeta Liria Kombëtare Nr.163 datë 1932, Gjenevë). Për nga një kv misër i shitën vajzat e tyre edhe tre fshatarë nga Greshica e Mallakastrës (Zëri Pop 10 mars 1962). Duke shfrytëzuar këtë gjendje të vështirë të fshatarëve pronarët i rritën edhe më shumë sipërfaqet e tokave në kurriz të fshatarësisë. Mijëra familje fshatarësh u shndërruan në argatë në pronat e bejlerëve dhe çifligarëve. Familja çifligare, Shefqet Vërlaci kishte 551 familje bujqish me 2845 frymë. Fshatra të tëra zotëroheshin nga bejlerët dhe çifligarët dhe fshatarët jetonin në mjerim e varfëri. Ja si e karakterizonte gjendjen e katër fshatrave të Sulovës së poshtme: Kadi Pashaj, Qyrkas, Selvias e Murat Begaj, pronë e Vërlacve dhe Biçakçinjve, në prag të reformës agrare, (7, 4,1946, kryetari i komisionit të reformës në këtë zonë B.Aliko: “Pamja e brendshme e fshatrave përbën një kontrast të madh me kusht natyrorë, fushën. Përjashto 2-3 shtëpi të tjerat ishin në gjendje me të vërtetë të mjeruar. Bagëtia rrinin nëpër këmbët e njerëzve. Disa kasolle me kashtë në fillim i mora për ahure kafshësh, por mbeta i çuditur kur pashë se në to jetonin njerëz. Nuk di si ta përshkruaj gjendjen e brendshme të banesave… Ajo tregonte se në ç’gjendje shëndetësore dhe ekonomike janë edhe njerëzit. Të gjorët katundarë. Edhe fytyra e tyre tregonte se ç’kanë vuajtur në të kaluarën. Dhe pse kjo mizërie? Pse kanë patur fatin e keq të kenë qenë bujqër, ose më mirë skllevër të bejlerëve, si të Vërlacëve e Bicakçinjve me shokë”, “Arkivi Qëndror Shtetëror). Fshatarët e katundit Çelhakaj të Peqinit më 14.10.1946 shkruanin se jo tokë, “por as vendin e varrit nuk e kishin. (Arkivi QSH). Në një zonë të varfër për tokë siç ishte Këlcyra, familja e Ali beut kishte 274 ha tokë dhe rreth 50 familje bujq, kurse Teqja e Sukës kishte 222 ha tokë dhe rreth 60 familje bujqish. Nga sipërfaqja e përgjithshme tokësore prej 393.335 ha 13.859 ha baras me 3.53 për qind të të gjithë sipërfaqes i zotëronin 43 pronarë të mëdhenj, 60 pronarë të tjerë zotëronin 7.446 ha ose 1.90 për qind 16 pronarë të tjerë zotëronin 9.843 ha ose 2.50 për qind dhe 8.564 ekonomi zotëronin 19.177 ha ose 4.06 për qind. Nga të 155.225 familjet që jetonin në fshat më 1938, vetëm 118.551 ishin pronarë tokash dhe zotëronin 72.7 për qind të sipërfaqes 15.130 ishin bujq para që ndarë me shumë pak tokë, rreth 30160 ha, ndërsa 28.544 ha e merrnin me qira me kushte shumë të rënda. Veç këtyre kishte 21.544 familje pa tokë të tyren, kurse 13.862 ishin bujq çifçinj që merrnin tokë me qira dhe 7.682 ishin argatë. (Fondi i Ref.Agrare AQSH). Reforma Agrare që kreu pushteti popullor në vitet 1945-46 ishte nga më demokratikët sepse vuri në vend një padrejtësi të madhe në raportet e pronësisë mbi tokën. Ajo pajisi me tokë 21544 familje pa tokë dhe plotësoi 48.667 familje me pak toke. T’u rikthesh tokën pronarëve të mëdhenj, siç pretendojnë disa forca politike të ekstremit të djathtë, do të thotë të rikthesh gjendjen e mjeruar të viteve të paraluftës, do të thotë të ringjallësh grindje e vëllavrasje. Ngjarjet e Kukësit e të ndonjë rrethi tjetër, të shkaktuara nga kuraja që u është dhënë pronarëve për të dëbuar me forcë e kërcënim fshatarët që kanë marrë tokë në bazë të ligjit, duhet të bëhet mësim i madh. Ligji për tokën është një zgjidhje e drejtë sepse synon të pajisi me tokë gjithë fshatarësinë punonjëse. Veçse zbatimi i tij po kryhet më shumë avashllëk si në ndarjen e tokës ashtu edhe në pajisjen me tapi. Vetëm 14 muaj u deshën për zbatimin e Reformës Agrare të viteve 1945-46, në një kohë kur nuk kishte as evidenca, as mjete për matje, as specialistë dhe as letër e shtypshkronja për përgatitjen e tapive. Nga kjo duhet marrë shembull.