Dr. Alqi NAQELLARI/ Performimi i mbrapsht i arsimit në Shqipëri

591
Sigal

Me studentë që vijnë nga gjimnazet dhe nuk dinë tabelën e shumëzimit, kunguj do futen në universitet dhe kunguj do dalin, por do dalin kunguj të pjekur

-Në përgjithësi janë cekur problemet financiare dhe ato të cilësisë, duke lënë mënjanë ato të rekrutimit të pedagogëve

-Janë injoruar revistat shkencore të vendit dhe askush nuk është më i interesuar të botojë në ‘to

– Është injoruar botimi i teksteve të universiteteve. Sot tekstet e universiteteve janë absolutisht të dobët

– Askush nuk është më i interesuar të shkruajë më monografi në një kohë që punimet monografike në perëndim vlerësohen më shumë se çdo krijim tjetër

Sot pedagogët janë lëshuar nëpër konferenca, por të privilegjuarit e këtyre konferencave kanë qenë dhe janë shtetarët

 Debatet për reformën e Arsimit të Lartë po vazhdojnë ende. Prononcuesit, për mendimin tim,  janë ndarë në tre grupe, një palë flet dhe mbron universitetet publike duke hedhur baltë mbi ato private, një palë tjetër mbron universitetet private, duke injoruar ato publike dhe një palë e tretë gjykon dhe flet me paanësi. Unë i përkas palës së fundit. Në këtë shkrim nuk kam ndërmend të zgjatem, por do të shikoj disa probleme që janë më të prekshmet, që kanë të bëjnë me financat, cilësinë dhe drejtimin e universiteteve.

Reforma nuk fillohet nga lartë poshtë, por nga poshtë lartë. Fillon nga arsimi 9- vjeçar kalon në arsimin e mesëm dhe pastaj përfundon në arsimin e lartë. Me studentë që vijnë nga gjimnazet dhe nuk dinë tabelën e shumëzimit, që nuk dinë të shkruajnë mirë shqip sado i organizuar të jetë universiteti, sado europian të jetë ai, studentët e këtij kallëpi kunguj do futen në universitet dhe kunguj do dalin, por, do dalin kunguj të pjekur. Prandaj është i domosdoshëm konkursi, dhe eliminimi i masivizimit të shkollës. Pa një reformë komplekse, rezultatet e kësaj reforme do të jenë të papërfillshme në krahasim me gjendjen e sotme të universiteteve. Teksti i reformës është hartuar nga disa persona të cilët nuk kanë bashkërenduar punën e tyre, për pasojë ka edhe shumë përplasje në paraqitjen e mendimeve të tyre.

       Në përgjithësi janë cekur problemet financiare dhe ato të cilësisë duke lënë mënjanë ato të rekrutimit të pedagogëve dhe të kushteve të përfitimit të shkallëve të kualifikimit, që nga masteri e deri tek marrja e titullit profesor. Një pjesë e Universiteteve sot janë shndërruar në universitete nepotikë, ku drejtuesit dhe pedagogët kanë punësuar të afërmit e tyre, fëmijët, nipat e mbesat. Nëse do dali dhe zbatohet ndonjë ligj kundër nepotizmit një pjesë e Universiteteve tona do mbeteshin pa mësim. Rekrutimi i pedagogëve të rinj bëhet nga kasta e caktuar nga rektorët të cilët sot me kompetencat që kanë janë kthyer në sundimtarë absolut, në monark. Mund të marrin në punë këdo dhe mund të largojnë këdo nga puna. Askush nuk i kontrollon dhe  i ndëshkon sepse ata miratohen nga Presidenti i Republikës. Sigurisht ka edhe Rektorë që janë të ndershëm që nuk dua tu përmend emrin, sepse i kam miqtë e mi, por ka matrapazë që shikojnë tenderat e ndërtimit të godinave dhe kafenetë që japin me qira, shërbimet jashtë shtetit dhe privilegjet e tjera

       Sa i përket marrjes së titujve dhe gradave shkencore kushtet që janë vënë për ti përfituar ato janë absurde. Me këto kushte qeveria e parë ka stimuluar ish Ministrat dhe Deputetët e saj që u thyen në mes duke bredhur me paratë e shqiptarëve jashtë  vendit. Janë hequr ato kushte që kanë qenë deri në 2007. Unë nuk jam dakord që ato të hiqen por do isha dakord që të shtoheshin të tjera. Janë vendosur si parësore marrja pjesë në konferenca dhe botimi i artikujve në revista shkencore me faktor impakti. Kjo pikë “e fortë” është një pikë e dobët dhe denigruese për aktivitetin e pedagogëve që paga e tyre mujore mund të shkojë vetëm për një konferencë të tillë. Nëse Universiteti apo Qeveria garanton pagesën e këtyre Konferencave dhe artikujve nuk do isha kundër që të kërkoheshin jo dy artikuj, por 10, jo 15 konferenca por 20. Futja e këtyre kushteve ka sjellë tre pasoja negative.

       E para, janë injoruar revistat shkencore të vendit dhe askush nuk është më i interesuar të botoj në to. Të gjithë shikojnë të botojnë në revista të huaja. Unë kam parë me dhjetëra prej tyre dhe e them hapur se sot në Shqipëri ka revista shkencore më cilësore se këto që të kërkojnë nga 100 apo 200 $ për një botim. Në vend që pedagogët të paguhen për një shkrim shkencor, ata duhet të paguajnë për botimin e tij. Kjo është gjëja më absurde që dëgjojmë dhe shikojmë. Edhe për një shkrim në gazetë merr tre mijë lekë, ndërsa për një artikull shkencor duhet të paguash!!!

       E dyta, është injoruar botimi i teksteve  të universiteteve. Sot tekstet e Universiteteve janë absolutisht të dobët. Nëpër faqet e tyre gjen me mijëra gabime gramatikore dhe me qindra gabime teknike. Nuk dua të përmend tituj tekstesh të Universiteteve tona sepse do ta mbushja këtë faqe plot. Sot tekstet hartohen prej pedagogëve jo për CV të tyre, por për të fituar para. Bëhen përkthime tepër të dobëta, thjesht nga studentët që angazhojnë pedagogët, bëhen shumë voluminoz dhe shiten me çmime të turpshme. Në një pjesë të mirë të lëndëve nuk ka fare tekste. Do bëhet Doktoratura, le të publikohen leksionet ose tekstet nëse ka. Ju siguroj se nuk ka asnjë tekst. Lektoret e këtyre lëndëve mbushin dërrasën me tituj në anglisht, në një kohë që gjuha që dinë, edhe këtë shtrembër, është vetëm gjuha shqipe. Mbas këtij boshllëku në tekstet mësimore lind korrupsioni i notave, lind mufatja e xhepave.

       E treta, janë injoruar monografitë. Askush nuk është më i interesuar të shkruaj më monografi në një kohë që punimet monografike në perëndim vlerësohen më shumë se çdo krijim tjetër, artikull apo tekst. Është shumë e vështirë që në këtë kohë të gjesh një monografi, ku të analizohet gjendja e ekonomisë shqiptare dhe të jepen mendime për të ardhmen e saj. Sot pedagogët janë lëshuar nëpër konferenca, por të privilegjuarit e këtyre konferencave kanë qenë dhe janë shtetarët, të cilat nuk lenë konferencë pa marrë pjesë. Marrin pjesë me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe jo me paratë e tyre. Në fund të mandateve, kur largohen nga postet largohen si doktorë apo profesorë. Rasti më i publikuar ishte ai i Kryetares së Parlamentit apo i Ministrave të tjerë.

       Unë trajtova më lartë disa probleme që më kanë bërë përshtypje ndërsa në vijim do jap disa mendime që i kam konsultuar me miqtë e mi.

       Gjatë materialit kishte paragrafë, të cilët binin në kundërshtim me njëri tjetrin, ku mund të përmendim.

-Paragrafi 1. Faq. 14: Shqipëria duhet të synojë të paktën shifrat 1500-2000 euro/student, ose e thënë ndryshe një buxhet prej 250-350 milion euro për 161500 studentët e saj. Për Buxhetin e Shtetit, një shifër e tillë është e papërballueshme edhe në 10 vitet e ardhshme, pasi tashmë trendet dhe mundësitë reale të buxheteve tona janë të perceptueshme dhe të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë e madhorë.

-Tabela në faq. 62 lë të kuptohet se implementimi i kësaj reforme do të bëhet në vitin 2015-2016, por nëse qeveria nuk ka fonde të mjaftueshme në buxhet për ta implementuar edhe për 10 vitet e ardhshme, për çfarë reforme afatmesme flasim?

-Në material flitet për një proces të shkuar akreditimi jo objektiv të programeve dhe institucioneve, por, në asnjë paragraf nuk flitet për një riakreditim të këtyre IAL-ve publike apo jo-publike dhe periudhat se, kur do të kryhet një proces i tillë. Flitet vetëm për një rankim një herë në katër vjet në kuadër të përfitimit të granteve, se si do të realizohet procesi nuk është e shprehur.

-Faqe 32 pika 6.2.4. Granti i punës kërkimore-shkencore nënpika ii – pjesa e punës së mirëfilltë shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë IAL-të publike dhe ato jo-publike. Ndërsa granti për Inovacion dhe Zhvillim, Pjesa e logjistikës kërkimore shkencore, Grant i mësimdhënies  jepen vetëm për IAL-të publike. Ndërkohë që në pikën 6.5.2 dhe 6.5.3 thuhet komplet e kundërta e paragrafit të mësipërm:

       6.5.2. Në këtë faze nxitet konvertimi i universiteteve drejt “qendrës” në drejtim të statusit të tyre. Pra që të arrihet kalimi nga autonomi në pavarësi,  universitetet publike do të  kthehen në fondacione me “themelues” shtetin. Edhe universiteteve private u krijohen mundësitë në qoftë se dëshirojnë të ndryshojnë statusin në universitete jo fitimprurës, pra në fondacione, ku “themeluesi” mbetet krijuesi fillestar i universitetit.

       6.5.3. Financimi në këtë rast do të jetë më i unifikuar, ku të gjithë universitetet duhet të trajtohen njëlloj në të tri format e grantit si atë të  mësimdhënies, të punës kërkimore -shkencore dhe  atë të inovacionit.

-Pika 6.4.5 kur bëhet fjalë për mbështetjen e studentëve me të ardhura të pakta atëherë pagesa  të shtresëzohet. Pagesa e studentëve për universitetet publike sipas të ardhurave familjare dhe të mos jetë një pagesë fikse për të gjithë, pagesa maksimale të mos jetë më e madhe se gjysma e tarifës së një universiteti privat që ka kuotat më të larta të tregut. Për studentët e familjeve me përkrahje sociale, për fëmijët e të rënëve në krye të detyrës etj., të kësaj natyre kuota e pagesës të jetë zero.

-Paragrafi 7.6.7  në faqen 41 thuhet, Doktorata zhvillohet me atashim me kohë të plotë të doktorantit pranë Departamentit si staf i brendshëm i përkohshëm me maksimum kohe të pagueshme  pranë IAL-së 3 vjet. Për mendimin tim nuk ka pse doktoranti të atashohet pranë IAL-së ku do të kryej doktoraturën, pasi fare mirë mund ta vazhdojë punën në institucionin ku është, shtetëror apo privat.

-Doktoraturat nuk duhet të jenë monopol i vetëm disa universiteteve. Universitetet private nëse nuk kanë fituar të drejtën e kësaj shkalle kualifikimi të dërgojnë kërkesat e tyre pranë Universiteteve që e kanë këtë të drejtë. Doktoraturën ta ndjekin nga universiteti ku janë të punësuar. Askush nuk ka të drejtë të privojë askënd mbi të drejtën e kërkesës për Doktoraturë nëse plotëson kushtet. Ministria e Arsimit të mos ketë asnjë të drejtë në përcaktimin e numrit të Doktorantëve sipas Fakulteteve siç është deri sot. Është absolutisht jo normale që akoma për këtë vit nuk është  çelur akoma konkursi i Doktoraturës dhe përgjegjësia për këtë bie pikërisht mbi Ministrinë e Arsimit që e ka monopol të saj.

-Kriteret për pranimin e studentëve në universitet duhet të jenë nën kompetencën e universitetit   dhe jo të Ministrisë së Arsimit duke mos cenuar pavarësinë e universiteteve.     

      Disa mendime për ndryshimin  në “LIGJ Nr. 9741, datë 21.5.2007 “PËR ARSIMIN E LARTË NË  RSH “i ndryshuar me Ligjin Nr.9832, datë 12.11.2007 i ndryshuar me ligjin Nr.10 307, datë 22.7.2010”

-Neni 3 pika 4. ku thuhet “Arsimi i lartë në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në përputhje me rregullat dhe parimet e hapësirës europiane të arsimit të lartë”. Kush konsiderohet hapësirë europiane, të specifikohet. Parimet e hapësirës amerikane nuk do merren në konsideratë? Parimet e vendeve të lindjes së largët nuk do merren në konsideratë? Nëse nuk merren pse shqiptarët duhet të mësojnë kinezçe?

-Neni 14 pika 1 thuhet “ Senati akademik kryesohet nga rektori dhe mblidhet periodikisht”. Mendoj se Senati duhet të mos kryesohet nga Rektori por me votë të fshehtë të zgjidhet një Kryetar. Senati është Organ Legjislativ, ndërsa Rektori është Ekzekutiv. Rektori duhet të japi llogari në Senat, por pa qenë Kryetar i tij. Duke qenë Rektori edhe Kryetar Senati dhe duke përqendruar të gjitha kompetencat në dorë askush nuk merr guximin të japi mendimet e tij. Nëse ndokush e merr këtë guxim atëherë ka pasoja. Se cilat janë pasojat shikoni Universitetin Bujqësor, të Infermierisë ose Universitetin A.Moisiu në Durrës që i largoi nga Universiteti të gjithë kundërshtarët dhe nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, përkundrazi u promovua prej kësaj ministrie.