Dr. Albano Zhapaj/ Pranimet e reja në universitetet publike, ku qëndron mashtrimi për studentët dhe familjarët e tyre

946
Ligji i ri i arsimit të lartë, me nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, përcakton se pranimet në universitete nga viti akademik 2016-2017 do të bëhen sipas këtij ligji, duke i dhënë fund kapitullit të pranimeve sipas sistemit meritë-preferencë. Semestrit të dytë po i vjen fundi, dhe ende nuk ka asnjë orientim, udhëzim, apo akt nënligjor që të përcaktojë se si rreth dyzet mijë maturantë që do të përfundojnë shkollën në qershor 2016, do të mund të regjistrohen në universitete. Ajo që dihet nga ligji i ri i arsimit të lartë, është e shkruar vetëm në nenin 74 të tij, në pikën 1, ku thuhet se: “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.” Kush e mban mend, kur rehatohej ky projektligj përpara miratimit, na u tha me zë e figurë, edhe në parlament, edhe nga ndonjë nga deputetët me arsim të dyshimtë, se ky ligj shton autonominë në universitete. 

Që këtu fillon mashtrimi i parë: notën e përcakton Qeveria dhe jo universiteti. Pra qeveria do të vendosë një notë mesatare bazë (dysheme) se kush ka të drejtë të studiojë më tej, por kujdes, sepse neni 74 i ligjit, i sipërpërmendur, nuk është se flet qartësisht për notën më të ulët të mundshme, pasi është çështje interpretimi, dhe ka të ngjarë që të gjendemi përballë faktit se qeveria mund të vendosë se ata me mesatare mbi 9, shkojnë në Universitetin e Tiranës, ata me 8 në atë të Durrësit, dhe ata me 5 e me 6 në universitetin e Korçës apo të Gjirokastrës. Ku qëndron rritja e autonomisë së universiteteve këtu? Le të mendojmë për një çast se qeveria ka qëllime më madhore se kaq, dhe të besojmë se jemi ne që gabohemi, por edhe nëse i ka këto qëllime, përse nuk është shprehur ende, me një udhëzim, apo orientim, për dyzet mijë të rinj e të reja që presin të përfundojnë maturën këtë vit? Mashtrimi se ky ligj “rrit autonominë dhe cilësinë në universitete”, përsëri duket qartazi tek i njëjti nen, ai 74, por tek pika 2, ku për ti bërë qejfin universiteteve, thuhet se “ Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.” Pra kujdes miq: universitet mund të vendosin kritere shtesë, por edhe nëse mund t`i vendosin, përsëri duhet t`i vënë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit. Pa dale se ja miraton kjo e fundit apo jo. Përvoja tre vjeçare qeverisëse na ka mësuar se kuotat janë ulur nga ekzekutivi dhe jo nga vetë universiteti. Dyzet mijë maturantë janë në ankth, sepse ende se kanë idenë se si do të shkojnë në universitet, ndërkohë që nuk dinë ende se si do të aplikojnë, ku do të aplikojnë, kur do të aplikojnë, dhe sa do të paguajnë. Me sistemin Meritë-Preferencë dihet se aplikonin përpara një kompjuteri, edhe nga shtëpia, në degët që dëshironin, sipas edhe meritës që kishin, pra notave të provimeve dhe mesatares, duke bërë një pagesë prej vetëm 2 mijë lekë të reja. Mashtrimi dhe e papritura e radhës, këtë vit do ti godasë shumë fort maturantët, pasi atyre do t`u duhet të aplikojnë në disa universitete, të cilët normalisht do kenë secili kriteret, afatet dhe tarifat e veta të aplikimit, dhe maturantit do ti duhet të paguajë më shumë se një tarifë, dhe të bëjë “konkurse” në më shumë se një fakultet, duke bredhur lart e poshtë. Vetë ligji ka përcaktuar plot pesë lloje tarifash, pa të cilat asnjë universitet publik nuk të pranon. Ato janë:

1. “Tarifa e aplikimit” është vlera monetare që paguan studenti për aplikim në një program studimi.

2. “Tarifa e konkurrimit” është vlera monetare që paguan studenti për të konkurruar pranë institucionit të arsimit të lartë për të fituar në një program studimi, në ato raste kur institucioni parashikon zhvillimin e konkursit.

3. “Tarifa e regjistrimit” është vlera monetare që paguan studenti për t’u regjistruar në një program studimi.

4. “Tarifa e shkollimit” është vlera monetare që paguan studenti për ndjekjen e një programi studimi pranë një institucioni të arsimit të lartë.

5. “Tarifa e studimit” përfshin tarifën e regjistrimit dhe tarifën e shkollimit.

Pra mjaft të shikojmë dy tarifat e para dhe kuptojmë se ligji përcakton se: kushdo që troket kudo, për të aplikuar e konkurruar, qysh në hapje të portës, do paguajë dy tarifa. E nëse të ecën mbarë, përgatitesh edhe për tre tarifat e tjera. Familjet shqiptare, në shtatorin e vitit 2016, do të gjenden më të mjeruara, më të lodhura, më të stresuara, e më të nëpërkëmbura dyreve të burokracisë, sa kurrë ndonjëherë. Korrupsioni në pranimet direkt nga universitetet që karakterizonte periudhën përpara vitit 2006, është duke u kthyer, ndoshta në formën më të keqe të tij, falë paqartësive dhe mungesës së udhëzimeve. Urojmë dhe shpresojmë, që qeveria të marrë urgjentisht masat, duke nxjerrë aktet dhe rregulloret e nevojshme ligjore, në mënyrë që dyzetmijë familjet shqiptare që presin të investojnë në të ardhmen e fëmijëve të tyre, të dijnë qysh tani, se si do të jenë këto pranime, ku do apkikohet, kur do aplikohet, si do aplikohet, dhe sa do t`u kushtojë familjeve shkollimi i fëmijëve të tyre. Mos bërja e transparencës së plotë mbi kryerjen e këtij procesi, lënia e qëllimshme e tejkalimit të afateve kohore të panevojshme, si dhe mos cilësimi në detaje i procedurave të pranimeve, përforcon edhe më tepër, atë që shumë specialistë, profesorë dhe akademikë, prej kohësh kishin paralajmëruar: kapjen e universitetit, nënshtrimin e tij, pasjes dorë të lirë në përcaktimin se KUSH student do të regjistrohet KU, rrjedhimisht përfitimit personal, favorizimeve për universitetet private klienteliste, pra korrupsionit.

* Ish shefi i politikave të arsimit të lartë në MASH
Sigal