Donald Trump dhe Emmanuel Macron, takimi në Paris tregoi mirëkuptimin midis dy presidentëve

Diana SKRAPARI

“Imagjino sikur të gjithë njerëzit ta jetonin jetën në paqe. Ti mund të thuash që jam një ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi. Shpresoj, që një ditë ti do të bashkohesh me ne dhe bota do të jetë një.” Xhon Lenon

Donald Trump dhe gruaja e tij Melania filluan të enjten, më 13 korrik në Paris, një vizitë dy ditore plot me madhështi, larg nga atmosfera e Uashingtonit, ku flitet për skandalin e bashkëpunimit me Rusinë gjatë zgjedhjeve amerikane.

Të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime për më shumë se një orë në Elysee, pastaj kokë më kokë në një bisedë më të gjatë. Gjatë konferencës për shtyp pas intervistës, Emmanuel Macron përshëndeti "vendosmërinë e përbashkët" me Donald Trump "për tregtinë, sigurinë e të dy vendeve, në luftën kundër terrorizmit, stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe të Afërt ". Presidenti francez ka përmendur edhe daljen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja kundër ngrohjes globale e nënshkruar në Paris në vitin 2015.

"Unë e respektoj vendimin e presidentit Trump. (...) Unë nuk pajtohen me leximin e Marrëveshjes së Parisit dhe rëndësinë që kjo ka”, kujtoi ai. “A është dicka e pashpresë? Angazhimet janë bërë. Shpresa ime është që të vazhdojmë të flasim me Shtetet e Bashkuara mbi këtë temë.”

Z. Trump tha: "Ne do të shohim se çfarë ndodh, ne do të flasim në muajt e ardhshëm. Nëse do të ketë ndryshime, do të jetë mirë. "

Trump tërhoqi SHBA nga marrëveshja globale e klimës, të cilën gati 200 vende e nënshkruan në dhjetor 2015, në një përpjekje për të luftuar ngrohjen globale dhe për të ndihmuar vendet më të varfëra të përshtaten me një planet tashmë të ndryshuar. Ai tha se kjo i vë punëtorët amerikanë, veçanërisht në industrinë e qymyrit, në një "disavantazh ekonomik".

"Unë e respektoj dëshirën për të ruajtur vendet e punës, dhe mendoj se është në përputhje me marrëveshjen e Parisit", tha z. Macron.

"Nuk ka ndryshim të papritur dhe të befasishëm sot, përndryshe do ta kishim thënë atë, por ka synimin e përbashkët për të vazhduar diskutimin e këtyre çështjeve," shtoi presidenti francez.

Shefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (Environmental Protection Agency-EPA), Scott Pruitt, ka shprehur dëshirën që marrëveshja e Parisit të ri-negociohet, një nocion që Franca, Gjermania dhe Italia menjëherë e hodhën poshtë në një deklaratë të rrallë të përbashkët të njëjtën ditë me njoftimin e tërheqjes së SHBA-ve.

SHBA ende duhet të ndjekë procedurat formale të tërheqjes brenda kornizës së Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të jetë teknikisht e "dalë" nga marrëveshja deri në periudhën pak para zgjedhjeve amerikane të 2020, por për të gjitha qëllimet, z. Trump ka thënë se SHBA nuk do të vendosnin burime federale për përmbushjen e synimeve të emetimit të karbonit ose financimit të përcaktuar në marrëveshje.

Rreth Sirisë dhe Irakut, z Macron njoftoi se Parisi dhe Uashingtoni do të "vazhdojnë të punojnë së bashku për të kryer të gjitha nismat diplomatike që do të ndërtojnë udhërrëfyesin për periudhën e pasluftës". Presidenti francez gjithashtu konfirmoi përkushtimin e tij për të mos bërë "heqjen e Assad një parakusht" për diskutime. Z. Macron megjithatë, pohoi të ketë "një linjë të përbashkët të kuqe" me Shtetet e Bashkuara: "Çdo përdorim i armës kimike [nga regjimi sirian] do të jetë subjekt i raprezaljeve të menjëhershme. "

"Franca është aleati i parë dhe më i vjetër i Amerikës, shumë njerëz nuk e dinë këtë".Të dy liderët u morën në pyetje rreth Rusisë - hera e parë që zoti Trump hasi në pyetje publike për takimin e Donald Trump Jr me një avokate ruse në qershor 2016.Trump tha se takimi i tij i fundit me Vladimir Putin kishte çuar në një armëpushim në një pjesë të Sirisë jugore dhe tha se ai po punonte për "një armëpushim të dytë në një pjesë shumë të ashpër të Sirisë". Ai sugjeroi që vendet e tjera duhet të përfshiheshin në marrëveshje, duke thënë "se befasisht nuk do të keni plumba të gjuajtura në Siri".

Para kësaj, çifti Trump u prit solemnisht në fillim të pasdites nga kreu francez i shtetit dhe gruaja e tij në ndërtesën e Hotel National des Invalides të ngritur në shekullin e shtatëmbëdhjetë, gjatë mbretërimit të Louis XIV për të strehuar të plagosurit e luftës. Zoti Trump i bëri disa komplimenta Zonjës së parë franceze për sharmin dhe elegancën e saj tipike franceze.

Mr Macron, i çoi të ftuarit e tij në kishën e Saint Louis des Invalides, duke ndaluar me ta para varrit të perandorit Napoleon i Parë, pastaj në atë të Marshall Foch.

Trump u ftua në Paris për të festuar përvjetorin e njëqindtë të hyrjes së SHBA-ve në Luftën e Parë Botërore, ku ka pasur rreth 10 milionë të vdekur. Kjo ishte një shkëputje që do t’i lejojë presidentit amerikan që një çast të harrojë problemet e tij, kur djali i tij i madh dyshohet për bashkëpunim me Moskën gjatë fushatës zgjedhore amerikane.

Në takimin e fundit të G20, presidenti francez është treguar shumë entuziast, duke e treguar me gjeste, në kontrast të dukshëm me evropianët e tjerë, duke përfshirë edhe Angela Merkel, shumë kritike në lidhje me Presidentin amerikan. Rastësisht, kancelarja gjermane ishte në Paris të enjten së bashku me Z. Trump, për një samit franko-gjerman të kryesuar në mëngjes me Emmanuel Macron. Paris dhe Berlin ndajnë të njëjtin vizion për "tregtinë e lirë dhe të drejtë" dhe luftën "kundër proteksionizmit", por edhe për klimën dhe mbi presidentin amerikan Donald Trump, tha z Macron pas samitit. "Nuk ka dallime mes Francës dhe Gjermanisë mbi mënyrën sesi të sillemi me Presidentin Trump," tha ai.

Me takimin Trump-Macron mund të mendojmë se shpresa është ringjallur në Evropë edhe në botë për një bashkëpunim sa më në ngushtë midis vendeve dhe siç shprehej Yoko Ono: “Kujtoni çdokush nga ne mund të shpëtojë botën. Vetëm filloni të mendoni për paqen dhe mesazhi do të përhapet më shpejt sesa mendoni”.

John Lennon në këngën e tij “Imagine” fliste në këtë mëyrë për paqen në botë: “Imagjino sikur të gjithë njerëzit ta jetonin jetën në paqe. Ti mund të thuash që jam një ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi. Shpresoj që një ditë ti do të bashkohesh me ne, dhe bota do të jetë një.”