Don Lush GJERGJI/ Dhuna seksuale ndaj femrave, krim kundër njerëzimit

553
Sigal

Më 10-13 qershor 2014 u mbajt në Londër një konferencë ndërkombëtare kundër dhunës seksuale si instrument lufte, organizuar nga Sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe Uilliam Hague, me pjesëmarrje të aktores amerikane Angelina JOLIE, si dhe 140 shteteve të botës. Për këtë konferencë ishim të ftuar edhe ne si Kishë katolike e Kosovës. Në pamundësi të pjesëmarrjes, ia shkrimi i përgatitur për këtë rast dhe shkas.

 Një ndër mjetet më të turpshme të luftës, padyshim, është dhuna seksuale ndaj femrave, e cila si duket, është përgatitur dhe zbatuar sistematikisht nga ana e ushtrisë, policisë, paramilitarëve në luftën e shthurjes së ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Mirëpo kjo dukuri deri me sot nuk është ndriçuar gati aspak, edhe më pak është dënuar nga institucionet dhe organet kompetente juridike dhe administrative. Çka është edhe më keq, femrat fatzeza, të cilat kanë pësuar këtë dhunë, disa prej tyre edhe sistematikisht dhe vazhdimisht, kanë mbetur në vetmi dhe në vuajtje, në heshtje dhe në harresë, në luftë dhe konflikt me vetveten, me rrethin familjar dhe shoqëror. Ato tashmë “jetojnë” sepse të gjalla s’mund të “hyjnë në varr”, s’mund të dalin prej “lëkurës” dhe përvojës së tmerrshme të tyre. E ne, kush dhe ku jemi sot?

-Pse nuk flitet, shkruhet dhe bisedohet për dhunën seksuale ndaj femrave në Kosovë?

 Mosnjohja e saktë e tematikës dhe numrit të femrave të dhunuara;

  • Frika, marrja, diskrecioni, mosbesimi për ta shprehur këtë përvojë të hidhët dhe dramatike;
  • Mungesa e individëve dhe institucioneve të specializuara për hulumtimin dhe trajtimin e femrave të dhunuara, si dhe këndvështrimi i “tabu temës” për ne;
  • Frika, rreziku për rrënimin e  familjeve të goditura  dhe mungesa informimit sa më të saktë dhe krijimi i  përkrahjes së opinionit publik ndaj femrave të dhunuara;
  • “Morali i dyfishtë” shpesh edhe dhe formal, sa për sy e faqe, që e rëndon gjithnjë e më shumë gjendjen e grave të dhunuara si dhe pozitën e tyre në familje dhe në shoqëri.

-Çfarë qëllimi mund të ketë dhuna seksuale ndaj femrave?

 Thyerja morale dhe shpirtërore e kundërshtarit në pikën më të ndjeshme dhe më të dobët, siç janë femrat. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka thënë se dhuna seksuale ndaj femrave është “arma shkatërruese e luftës” (26 maj 2014).

  • Poshtërimi dhe turpërimi i tyre, shpesh edhe infektimi me virusin HIV, paaftësia për të lindur fëmijë pas këtij keqpërdorimi, ose edhe lindja e fëmijëve të paligjshëm – “kopilëve” nga marrëdhëniet seksuale me dhunë.
  • Rrënimi i familjes dhe krijimi i mosbesimit mes çifteve martesore. Sipas disa statistikave llogaritet që në ish-Jugosllavi janë dhunuar, gjatë viteve 1992-1994, deri në 60. 000 femra. Thuhet që në Kosovë numri i tyre mund të jenë afro 20. 000 femra.
  • Nëpërmjet këtij veprimi jonjerëzor, mos të them djallëzor, vazhdojnë pasojat dhe dhembjet e luftës edhe pas përfundimit të saj, ndoshta në shumë raste edhe gjatë tërë jetës së tyre, të familjeve dhe të afërmve të tyre.

-Çka duhet dhe mund të bëjmë ne?

 Njohja dhe trajtimi i dhunës seksuale ndaj femrave të jetë jo vetëm krim ndërkombëtar, por edhe krim kundër njerëzimit, si “skllavëri” e ditëve tona dhe e kohës sonë, si mjet për asgjësimin moral të kundërshtarit në luftë.

  • Kjo nënkupton ndëshkimin sa më të rreptë dhe shembullor ndaj shkaktarëve të dhunës seksuale ndaj femrave, mbi të gjitha ndihmën, përkrahjen dhe rikuperimin e plotë të grave në forma dhe trajta të ndryshme njerëzore, profesionale, për t’i ndihmuar dhe aftësuar ato për jetën personale, familjare, martesore dhe shoqërore.
  • Solidariteti, mirëkuptimi dhe përkrahja e plotë e mbarë shoqërisë, për ta ndihmuar shërimin dhe rehabilitimin e femrave të dhunuara, me një logjikë të shëndoshë dhe zemërhapur. Arsyet kryesore janë këto: gratë e dhunuara nuk janë fajtore që janë  femra, që kanë një moshë relativisht të re, që janë të bukura dhe tërheqëse, që i përkasin anës kundërshtare në luftë apo në konflikt. Pra, të punojmë me to për shfajësimin e tyre shpirtëror dhe moral, si parakusht për rehabilitimin sa më të plotë të tyre.
  • Femrat e dhunuara, për mendimin dhe vlerësimin tim, janë heroina dhe martire të lirisë dhe të demokracisë, të cilave ua kanë dhunuar trupin, por jo edhe shpirtin, brendinë, dinjitetin dhe lirinë njerëzore, vullnetin për ta vazhduar jetën.
  • Dhuna çdo herë shkaktar frustrim, frustrimi shpërthen në agresivitet. Përvojat e tilla kaq të errëta dhe të vështira, lypset kuptuar dhe trajtuar me shumë vëmendje, kujdes dhe dashuri, sepse atë janë plotë me plagë.
  • Bashkëndarja e përvojës së tyre, solidariteti, mirëkuptimi, kujdesi dhe përcjellja e vazhdueshme, për t’i aftësuar dhe rehabilituar sa më mirë për jetë, që mos të rrezikojnë humbjen e ndjenjave njerëzore, që mos të pësojnë nga urrejtja në vazhdimësi, që mos ta humbin vetëbesimin dhe mirëbesimin ndaj të tjerëve, me këtë edhe ndjenjën e dashurisë dhe përkatësinë e gjinisë femërore. Nga statistika dihet që 17% të femrave të dhunuara bëjnë vetëvrasje, si alternativë e vetme për t’i ikur frustrimit dhe poshtërimit të vazhdueshëm.
  • Seksualiteti është një ndër mënyrat e rëndësishme të komunikimit ndërgjinor dhe ndërnjerëzor, për tejkalimin e vetmisë, egoizmit, për shprehjen e dëshirave, nevojave, kërkesave ndaj tjetrit, për jetësimin e dashurisë.
  • Dhuna seksuale është posedimi e femrës, objeketivizimi i saj, shndërrimi në gjësend, keqpërdorimi dhe keqtrajtimi i skajshëm i seksualitetit. Dhuna seksuale thellë lëndon dhe keqpërdor nderimin, lirinë, integritetin trupor dhe shpirtëror të femrës, barazinë e plotë gjinore mashkull-femër, është robëri epshore për njeriun.
  •  Në aspektin moral të krishterë dhuna seksuale ndaj femrave gjithmonë dhe gjithkund  është mëkat i madh apo i rëndë, dëmton parafytyrimin e Zotin në njeriun, është dekadenca e rëndë morale dhe shpirtërore.
  • Ne, familja, shoqëria duhet të përqendrohemi në dy drejtime: për trajtimin sa më të gjithanshëm të dukurisë së dhunës seksuale ndaj femrave, pra, për dënimin e merituar ndaj zbatuesve dhe shkaktarëve, por edhe më tepër për mirëkuptimin, shërimin dhe rehabilitimin sa më të mirë dhe të suksesshëm të femrave të dhunuara. Ato vërtet janë persona që ne duhet t’i çmojmë, t’i nderojmë, t’i përkrahim, sepse kanë dhënë shumë nga jeta e tyre për liri dhe demokraci, për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë.