Domosdoshmëria e bashkëpunimit mes KLSH dhe Prokurorisë

549
Në datat 18 – 19 qershor u zhvillua në Riga të Letonisë, vend i cili ka presidencën e radhës të BE-së, takimi i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) të vendeve të BE-së. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Audituesve, përfaqësues të 28 SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së dhe të SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate, si edhe përfaqësues të SIGMA-s. Takimi u organizua nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Republikës së Letonisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë për herë të dytë në këtë takim si SAI i një vendi kandidat të Bashkimit Europian. Temat kryesore në qendër të diskutimeve të Komitetit të Kontaktit ishin: Fondet Europiane për investimet strategjike; parandalimi dhe lufta kundër shkeljeve dhe mashtrimit në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit dhe kuadri financiar shumëvjeçar në kuadër të diskutimit paraprak lidhur me Unionin bankar në BE. Gjatë takimit pjesëmarrësit e Komitetit të Kontaktit diskutuan edhe për çështje më konkrete në lidhje me performancën e auditimit të jashtëm, duke marrë në konsideratë mjetet e mundshme për lehtësimin e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe shkëmbimin e njohurive profesionale dhe përvojës, referuar specifikisht auditimit të fondeve të BE-së dhe çështjeve të tjera lidhur me BE. U theksua gjithashtu rëndësia që ka shkëmbimi i informacionit, duke u dhënë mundësinë anëtarëve të iniciojnë dhe koordinojnë auditime të përbashkëta dhe aktivitete të tjera me qëllim përmirësimin e cilësisë së auditimeve. Institucionet Supreme të Auditimit kanë bashkëndarë eksperiencat e tyre të praktikave më të mira në mënyrë që korrupsioni në përdorimin e burimeve financiare në sektorin publik të reduktohet në mënyrën më efektive të mundshme. 
Bashkëpunimi mes SAI-ve dhe organit të prokurorisë
Një nga temat më me interes që u diskutua në këtë takim ishte bashkëpunimi mes SAI-ve dhe organit të prokurorisë të vendeve respektive lidhur me shkeljet e konstatuara gjatë auditimeve dhe që kanë elementë të veprës penale. Në rastet kur gjatë auditimit, ka prova të një vepre penale, SAI-t raportojnë tek autoritetet kompetente të zbatimit të ligjit, ose gjatë auditimit ose pas përfundimit të tij. Njoftimi gjatë auditimit është i justifikuar nëse ekziston:
• rreziku i zhdukjes së provave;
• rreziku i përkeqësimit të dëmit financiar;
• rreziku i parashkrimit të veprës penale.
Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes SAI-ve dhe Prokurorisë është shumë i rëndësishëm për ndëshkimin e të gjithë atyre që abuzojnë me paranë publike. Në disa vende të BE, Prokuroria është e detyruar të informojë SAI-n lidhur me çështjet e dërguara në Prokurori prej saj, si për ato që janë në proces shqyrtimi ashtu edhe për vendimet e marra. Një shembull pozitiv është SAI Polak (NIK), i cili mbështetur në një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet Presidentit të NIK dhe Prokurorit të Përgjithshëm, ka arritur që të ketë Koordinator për çdo qark të vendit, i cili koordinon punën mes NIK dhe Prokurorisë për çështjet e ngritura nga NIK. Gjithashtu NIK, nga ana e tij ka emëruar Këshilltarë ligjorë në çdo qark të cilët bashkëpunojnë me prokurorinë për të siguruar ndjekjen e rasteve që janë dërguar në Prokurori. Ky lloj bashkëpunimi optimizon ndjekjen e çështjeve të ngritura nga SAI-t dhe u vlerësua si një shembull i mirë për t’u marrë në konsideratë edhe nga pjesëmarrësit e takimit të Komitetit të Kontaktit. Ndonëse në legjislacionin e shumë vendeve të tjera, veçanërisht vendeve europiane, ekzistojnë dispozita të veçanta sipas të cilave SAI-ve u garantohet e drejta për të ankimuar kundër çështjeve të pushuara (të ngritura nga SAI-t) dhe e drejta për akses në dosjet që kanë lidhje me çështjet e ngritura prej tyre, sërish ka vende, në të cilat sipas ligjit, SAI-t kanë të drejtë të informohen nga Prokuroria në rastet kur kjo e fundit e pushon një çështje të ngritur nga SAI dhe arsyet pse çështja është pushuar. Ky fakt kontribuon pa dyshim për rritjen e efikasitetit të aksioneve të ndërmarra si nga SAI ashtu edhe nga Prokuroria. Në këto raste SAI, e ka më të lehtë dhe më të qartë të vlerësojë legjitimitetin dhe drejtësinë e vendimeve të marra. Pavarësisht masave të marra, edhe në vendet e BE-së mbetet problem numri i madh i çështjeve të dërguara në Organet e Drejtësisë nga SAI-t, për të cilat nuk ka të ndëshkuar. Një pjesë e çështjeve nuk fillojnë fare, një pjesë pushohen për mungesë provash, një pjesë e atyre që gjykohen arrihet në konkluzion nga Gjykata që nuk kanë elementë të veprës penale, etj. 
Mospërputhjet mes të çështjeve të ngritura nga SAI-t dhe organeve të Drejtësisë
Natyrshëm lind pyetja si të shpjegojmë pozicionin e ndryshëm dhe mospërputhjet në mes të çështjeve të ngritura nga SAI-t dhe organeve të Drejtësisë? Gjatë analizës së shifrave lidhur me refuzimin për të hapur një hetim ose pushimin e tij nga ana e organeve të drejtësisë duhet të kemi parasysh edhe faktin që një SAI ngre për hetim një çështje për të cilën ka dyshime të arsyeshme që ka elementë të veprës penale. Nga ana tjetër, për të provuar fajësinë e dikujt dhe për të pasur procedime kundër një personi të veçantë, vendimet i përkasin ekskluzivisht organeve të Drejtësisë, për të cilët vlerësimi dhe interpretimi i rastit, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, mund të jetë i ndryshëm nga interpretimi i SAI-t (i cili mbështetet në provat dhe faktet e auditimit të realizuar), në veçanti në lidhje me shkallën e përgjegjësisë së personit të akuzuar. Si zgjidhje e këtij problemi rekomandohej ndërmarrja e një roli më aktiv nga ana e Kuvendit, i cili nëpërmjet komisioneve të posaçme parlamentare dhe interpelancave në Kuvend, të vlerësonte punën e secilit prej këtyre Institucioneve kushtetuese dhe të monitoronte në vazhdimësi ecurinë e kallëzimeve penale.
Sigal

Irena Islami
Albana Agolli
Amantja Patozi