Dita e Viktimave të Komunizmit: T’i kujtojmë sot

254

Nga Frank Shkreli

23 Gushti është Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit. Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”. Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/nazizmit, në vitin 2008 dhe që prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Dita e 23 Gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore. Sipas protokolleve të fshehta të Traktatit komunisto-nazist, përcaktoheshin ekzaktësisht sferat territoriale të influencës së Gjermanisë dhe Rusisë në Evropë, pas një invadimi të suksesshëm të Polonisë, për të cilin kishin rënë dakord Moska dhe Berlini. Sipas marrëveshjes, Rusia do të kontrollonte Letoninë, Estoninë dhe Finlandën, ndërsa Gjermania do të merrte Lituaninë dhe Danzingun, ndërkohë që Polonia do ndahej, sipas këtij Pakti-komunisto-nazist, në tre zona të mëdha të cilat do bëheshin pjesë e territorit gjerman dhe rus. Siç dihet nga historia, forcat e Hitlerit pushtuan Poloninë nga perëndimi me 1 shtator, 1939 — ndërsa gjithashtu sipas Paktit nazisto-komunist, forcat sovjetike pushtuan territorin e Polonisë më 27 Shtator të njëjtit vit, duke i dhënë fund kështu pavarësisë së shkurtër të Polonisë, prej dy dekadash. Siç dihet — përveç faktorëve të tjerë — nënshkrimi i paktit komunisto-nazist Molotov-Ribbentrop, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të këqijave anë e mbanë kontinentit të vjetër – dhe si rrjedhim e mori djalli një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme e kontrolloi komunizmi ruso-sovjetik për pothuaj 50-vjet. Një histori kjo e kontrolluar nga këto dy sisteme kriminale si-motra, që shkaktuan miliona viktima të pafajshme anë e mbanë Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik – viktima – Ditën e të cilëve e kujton sot e mbarë bota e qytetëruar, më 23 gusht 2018 dhe çdo vit. Duhet kujtuar lexuesit se historia e kësaj “Ditë Kujtese” e ka zanafillën në Perëndim. Në protestat që të arratisurit anti-komunistë nga vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, të vendosur pas Luftës së dytë Botërore në vendet perëndimore, mbanin çdo vit — pikërisht në këtë datë — nëpër shumë qytete të perëndimit, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Më kujtohet se edhe Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe radio stacione të tjera ndërkombëtare perëndimore, nuk e harronin këtë ditë përkujtimore, duke e shënuar me programe të posaçme, kushtuar viktimave dhe krimeve të komunizmit, që transmetoheshin anë e mbanë botës komuniste. Më kujtohet gjithashtu se shumë nga gazetarët e Zërit të Amerikës me origjinë nga Evropa Lindore e Qëndrore, e sidomos ata me prejardhje nga vendet baltike, me të cilët punoja tek VOA gjatë ’70 dhe ’80, vinin atë ditë në punë me shirita të zi në xhaketat e tyre, për të kujtuar, “në shënjë zije”, thoshin ata, jo vetëm ditën e zezë të nënshkrimit të Paktit komunisto-nazist, Molotov-Ribentropp por edhe viktimat e këtyre regjimeve diktatoriale që pasuan atë marrëveshje djallëzore, midis Hitlerit dhe Stalinit.

Sivjet, edhe në Shqipëri me këtë rast janë kujtuar viktimat e komunizmit. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, ka organizuar gjatë ditëve të fundit disa aktivitete në kujtesë të viktimave të komunizmit në Shqipëri. Fillimisht organizoi, para disa ditësh, ekspozitën me titull, “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelenës”, ku u paraqitën dokumente arkivore dosjesh që dokumentojnë përndjekjen e ish-Sigurimit të Shtetit në zonën e Tepelenës. Pjesë e kësaj ekspozite ishin, sipas Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, edhe dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera. Më 23 Gusht, 2018, enti në fjalë, organizoi gjithashtu një Simpozium Shkencor mbi kuadrin historik dhe juridik të punës së detyruar, ndër të tjera aktivitete, si pjesë e aktiviteteve kushtuar “Ditës Muze/Memorial Tepelenë”. Këto veprimtari janë sponsorizuar nga projekti, “Përkujtojmë për të Shëruar dhe Parandaluar”, i PNUD të OKB-së në Shqipëri, me mbështetjen gjithashtu edhe të Qeverisë së Italisë, si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Në ceremoninë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, në kuadër të “Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare” që u mbajt në Tepelenë të ënjtën, njoftohet se mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta. Gjatë qëndrimit të tij atje, Presidenti i Republikës, Z. Meta, sipas Zërit të Amerikës, do nderonte disa prej të mbijetuarve të atij kampi. Dita Evropiane për Përkujtimin e Viktimave të Sistemeve Totalitare”, është një ditë e cila, në të vërtetë nuk kërkon koment as shumë fjalë, por nevojitet reflektim të thellë dhe kujtesë të mëshirshme dhe të pyesim: PSE?