Dhuna kundër gruas, një përmasë e frikshme

1340
Rajna Kovaçi

Shoqëria e sotme po përballet me një fenomen shumë të rëndë: Me dhunën në familje apo me krimet kundër grave dhe vajzave. Është fakt, që dhuna, krimet kundër grave në përgjithësi, kryhen nga meshkujt, si baballarët, bashkëshortët, vëllezërit, ish-bashkëshortët, bashkëjetuesit, partnerët etj. Sipas policisë, nga janari deri në shtator të këtij viti, janë regjistruar rreth 3000 raste, të dhunës kundër gruas. Policia ka dhënë 1643 urdhëra mbrojtje. Po të kthejmë kokën pas do të shohim se në vitin 2012 ka pasur 2036 raste, në 2013 janë vrarë 23 gra, policia ka raportuar 2600 femra që kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje në gjykatë. Për Tiranën, 143 gra, për Durrësin, 20 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje. Raportime të viktimave të dhunës në familje kanë qenë në pjesën më të madhe me autorë të krimit, burrat. Është i tmerrshëm fakti se, mesatarisht ka pasur raste se çdo muaj dy gra që vriten nga bashkëshortët ose nga ish-bashkëshortët, të dashurit etj. Për vitin 2014, gratë me arsim të mesëm ose me arsim të ulët kanë përjetuar më shumë dhunë në familje se ato me arsimim të lartë. Gjithashtu, gratë që punojnë në shtëpi kanë më shumë të ngjarë të pësojnë dhunë se ato që janë të punësuara jashtë shtëpisë. Referuar edhe shifrave, rezulton se 19% e grave të dhunuara në Shqipëri pësojnë lëndime të rënda, 14% e tyre ishin të pamundura të bënin punë shtëpie ose të kujdeseshin për fëmijët, për shkak të plagëve të rënda dhe rreth 44% e grave të përdhunuara kishin sëmundje seksualisht të transmetueshme. Ajo që ndryshon më së shumti në përdorimin e dhunës dhe një nga pjesët më tragjike të jetës, është edhe periudha kur gratë nisin të përjetojnë dhunën. Një në 4 gra nisin ta përjetojnë dhunën që në vitin e parë të martesës, ndërsa një në dy gra, sipas një studimi të bërë për dhunën në familje, pohojnë se dhuna ndaj tyre ka nisur në vitin e dytë ose të tretë të martesës. Për vitin 2016, raportimi i policisë thekson se 38 % e gjithë vrasjeve u shkaktuan nga krimi në familje dhe autorët në 90 % të tyre ishin meshkujt. Rezulton se burrat me arsim të mesëm ose të ulët ushtrojnë dhunë në familje më shumë se ata me arsim të lartë universitar. Gjithashtu, një kategori tjetër që ushtrohet dhunë në familje janë edhe të punësuarit në punë pa status të lartë në shoqëri, si dhe nga personat që konsumojnë alkool ose substanca narkotike. Gratë shqiptare, burrat e të cilave konsumojnë alkool kanë 6 herë më shumë të ngjarë të përjetojnë dhunë seksuale, 3 herë më shumë të ngjarë të përjetojnë dhunë fizike, si dhe 1,5 herë të ngjarë të përjetojnë dhunë psikologjike. Referuar Raportit të vitit 2014-15 të “Amnesty International” për Shqipërinë, “Dhuna në familje është e përhapur dhe të mbijetuarit rrallë marrin drejtësi në kohën e duhur. Pandëshkueshmëria për rastet e torturës dhe keqtrajtime të tjera vazhdojnë”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikoi rastet e dhunës në familje të trajtuara si çështje në 38 gjykatat shqiptare dhe rekomandoi ndryshime në ligj dhe në praktikën gjyqësore, pasi procedimet penale rezultojnë të jenë shumë të ngadalta, gjykatat shkelin afatet për vendosjen e mbrojtjes të viktimave të dhunës dhe natyrisht vendimet e tyre vonohen. Në gjykatën e Tiranës më shumë se 2/3 e urdhërave të mbrojtjes u tërhoqën ose nuk u vijua me procedura të mëtejshme. Madje ka raste kur këto urdhra nuk zbatohen dhe askush nuk merakoset për fatin e viktimave, të cilat vijojnë të pësojnë të njëjtat abuzime.Vrasja e një gjyqtareje nga ish-bashkëshorti është një kambanë që bie fort alarmit për rritjen e frikshme të krimit në familjen shqiptare. Gjyqtarja 39-vjeҫare, Firdes Hafizi, nënë e dy fëmijëve, ishte gruaja e 9-të e vrarë në Shqipëri për periudhën janar-gusht të këtij viti. Policia thotë se në Shqipëri ҫdo ditë arrestohen dy meshkuj për dhunën e ushtruar në familje. Por është edhe më keq, se një pjesë e mirë e rasteve të dhunës nuk denoncohen kurrë. Arsyet janë të ndryshme: Frika, varësia për kushtet e rënda ekonomike, mentaliteti i gabuar e injorant dhe mungesa e formimit të duhur kulturor që e sheh dhunën si ҫështje private apo që denoncimin e saj e quan “prishje të emrit të mirë të familjes”, si dhe “ulje të autoritetit të burrit”. Burrat dhe djemtë shqiptarë mendojnë se përdorimi i dhunës dhe shtypja që iu bëjnë grave dhe vajzave është shenjë dominimi, fuqie dhe pronësie. Në këtë kohë ka dalë në pah një fenomen i ri, ka pasur raste që autorët e krimit kanë vrarë veten pas vrasjes së gruas. Kjo situatë kaq e rëndë kërkon një mbështetje më të madhe nga shteti. Është domosdoshmëri krijimi i një njësie apo drejtorie që të ketë përgjegjësinë kryesore për parandalimin e dhunës në familje, bashkë me levat e duhura, që do të vlejnë për monitorimin e realizimin e politikave parandaluese dhe eleminuese të dhunës. Kryesisht të krimit ndaj grave dhe fëmijëve, por edhe ndaj moshës së tretë e kundër dhunës në përgjithësi. Ndër të tjera, përveç zbatimit rigoroz e me përpikmëri të ligjeve, kjo situatë kërkon dialog me këtë grup. Ekzistenca e një strategjie të re për fuqizimin e grave është angazhimi i burrave dhe djemve për parandalimin e dhunës kundër grave dhe vajzave. Një luftë e hapur duhet bërë edhe kundër mentaliteteve të gabuara ballkanike, ku bëjnë pjesë edhe burrat shqiptarë. Ka raste të sjelljeve shumë tragjike të burrave që i kanë keqtrajtuar bijat e tyre, por ka pasur raste që edhe i kanë plagosur e akoma më keq, i kanë vrarë. Vëllezërit që në nerva e sipër kanë krijuar drama të vërteta e makabre, deri në marrjen e jetëve të motrave. Përballja me dhunën në familje ka sjellë shkatërrimin total të familjeve të tëra. Duke mos harruar edhe gjakmarrjen, që mbetet një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare. Gjithë këto raste, edhe kur gratë kryejnë vrasjet kundër burrave apo ndonjë akt tjetër kriminal, ato kanë një dënim të shumëfishtë. Fëmijët e tyre privohen totalisht nga takimi me nënat, njëlloj sikur ato nuk ekzistojnë më. Pra në të gjitha rastet, ato dënohen e paragjykohen, si nga të afërmit, shoqëria, fqinjët etj. Kështu puna që duhet të bëhet me gjininë tjetër do të shërbejë si një motivues i rëndësishëm për të ndryshuar. Shoqëria civile ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe në vitin 2007 u mor nisma e hartimit të ligjit “Për masa ndaj dhunës në familje” që kaloi për miratim në Parlament, si nismë e qytetarëve. Kështu u firmos peticioni me firmat e 20 mijë qytetarëve. Përveç kësaj, ka raste kur ekziston një solidaritet i dëmshëm mes burrave, edhe nëse ata nuk kryejnë vetë dhunë. Heshtin, nuk ndërhyjnë, bëjnë indiferentin, nuk denoncojnë aktet e bëra nga burrat e tjerë. Ky qëndrim është shumë i dëmshëm dhe një lloj mbështetje për sjelljet e dhunshme të atij grupi meshkujsh, si stereotipe negative të grave. Ka edhe grupe të tjera burrash që janë kundër dhunës ndaj grave e vajzave dhe janë aktiv kundër saj, por ata duhet të mbështeten. Tashmë ka nga ata burra që e mbështesin luftën e tyre kundër dhunës në familje. Dhuna kundër grave në Shqipëri ka disa forma dhe format ekstreme janë raportuar në media. Familja shqiptare është shumë e traumatizuar, ajo po kalon një krizë shumë të thellë, si brenda vendit dhe në emigracion. Po shfaqet kriminalizimi i shoqërisë. Sa shumë raste ka, kur burrat shqiptar vrasin gratë e tyre në shtetet fqinj ku jetojnë, në emigrim. Sa shumë femra kërkojnë urdhra mbrojtje në gjykatë dhe ato përsëri i vrasin. Nga studimet e ndryshme të kryera është parë se dhuna kundër grave ka një kosto të lartë jete për shoqërinë. Ato janë të drejtëpërdrejta, ku hyn kurimi mjekësor, shërbimet sociale për viktimat dhe për fëmijët e tyre, pa harruar kostot ligjore, të policisë për zbatimin e drejtësisë, humbja e vendit të punës, izolimi dhe ndërprerja me botën e me shoqërinë jashtë mureve të shtëpisë, shfaqja e dhimbjeve shpirtërore dhe vuajtjeve të thella psikologjike, etj. Koha e re e luftës për ta ndaluar dhunën kundër grave dhe vajzave ka ardhur. Duhet të ndërtojmë institucionin e dialogut dhe mirëkuptimit mes dy gjinive që mund dhe duhet të arrihet. Kjo përpjekje duhet të jetë shumë e fortë, e guximshme, e vullnetshme dhe pa kompromise. Siç e dimë, shpresa vdes e fundit. Të mobilizohemi të reduktojmë, ta parandalojmë e ta zhdukim dhunën ndaj grave shqiptare. Le të kemi më pak akte të dhunshme, mobilizim dhe impenjim më të përgjegjshëm të shtetit. Duhet t’u jepet prioritet politikave për fuqizimin ekonomik të grave, të forcohet veprimtaria e tyre shoqërore, integrimi, të rritet vendimarrja. Le të priret shteti shqiptar nga politika pozitive kundrejt gruas, të zvogëlohet pushimi i grave nga puna. Deri kur varfëria në Shqipëri do e ketë emrin grua? Deri kur gratë do të emërohen nëpër poste drejtuese e do të pushohen si të paafta? Si ndodh kështu, në fillim emërohen në sajë të meritokracisë e më pas nuk e meritojnë? Pra, edhe vetë shteti i përdor gratë si “prona të luajtshme”. Nga ngjarjet e jashtëzakonshme që po ndodhin në Shqipëri, krimi e mafia nuk i ka kursyer as gratë në “ karrierë”. Ky vend ka nevojë për më shumë emancipim, për luftën kundër krimit dhe kundër të gjitha llojeve të dhunës, për më shumë vende pune, për fuqizimin e gruas, eleminimin e mbjelljes e përdorimit të drogës, sidomos tek brezi i ri, për më shumë drejtësi, më shumë shërbime sociale dhe shëndetësi të rregullt, më shumë përkujdesje për shtresat në nevojë, për daljen nga kjo varfëri dhe skamje ekstreme e, për pasojë për të pasur më pak emigracion. Për t’i kthyer shqiptarët dhe rininë nga rruga dhe rendja përtej kufirit. Të krijojmë shpresën që iu ka humbur shqiptarëve. A do të kemi vallë ne shqiptarët një Shqipëri më të mirë?! Për të jetuar si njerëz normalë, një jetë normale… 
Sigal