Dhomat e Tregtisë duan ligj evropian

773
Vangjush Saro
Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë vazhdojnë të jenë në një gjendje të dëshpëruar dhe jashtë e larg funksionit të tyre real, si institucione që (duhet të) ndihmojnë dhe udhëheqin biznesin e sipërmarrjen, duke mbrojtur dhe lobuar interesat e këtij komuniteti: me asistencë ligjesh dhe me shërbime të shumëllojshme, me dialog e marrëveshje me administratën, me bashkëpunimin me organizma homologe rajonale e më gjerë, etj. Që përpara disa viteve – kur krejt papritur dhe në mënyrë të habitshme, përmes disa ndryshimeve që nuk patën asnjë sens, përveç kthimit prapa- u ligjësua me forcë i ashtuquajturi parim i vullnetarizmit, Dhomat e Tregtisë morën tatëpjetën, duke dalë nga loja. (Lëvizje të tilla false tregojnë se klane të caktuara nuk i vlerësojnë institucionet, i duan të gjitha hapësirat për vete, mëtojnë t’i kenë duart të lira, në mënyrëqë të bëjnë lojërat e tyre me sipërmarrjen dhe ekonominë.) Është rrëfyer për publikun e gjerë, në disa raste, ajo çfarë ka ndodhur ndërkaq, në mungesë të aktivitetit real të Dhomave, të cilat, duke mos pasur mjete financiare dhe autoritet, duke mos u faktorizuar dot, pothuaj kanë heshtur, duke i mohuar sipërmarrjes dhe vendit një nga dimensionet më të rëndësishme të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Dhomat nuk kanë kryer as edhe minimalisht funksionet që realizojnë simotrat e tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Ato nuk janë përfaqësuese dhe gjithpërfshirëse të biznesit dhe problemeve të tij, pasi niveli i anëtarësimit vullnetar është i ulët; (jo më shumë se 5% e subjekteve). Dhomat kanë pasur këto kohë një aktivitet formal dhe pothuajse të asfiksuar. Buxhetin e vogël që ato kanë, përpiqen ta shtojnë duke dhënë ambiente me qera, duke marrë ndonjë projekt nga organizatat e huaja në kuadër të biznesit, etj. Forca e lobimit, e oponencës me administratën shtetërore, për çështje të zhvillimit të biznesit në veçanti dhe zhvillimit ekonomik të vendit, është e ulët, pasi me buxhet qesharak, nuk lufton dot, nuk mund të kryhen studime të thelluara dhe të bëhen vlersime serioze ekonomike dhe ligjore. Po ashtu, përfaqësimi i Dhomave në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare të fushës së biznesit, është formal dhe jo dinjitoz. Pa fjalë të bukura, koha ështëpër t’i parë Dhomat në një dritë tjetër; më së pari duke ribërë Ligjin. Dhe një nga problemet themelore të ribërjes së Ligjit e të vetë Dhomave, është heqja dorë nga parime si vullnetarizmi. Pa lënduar askënd, le të themi që kultura e pagesës në mënyrë vullnetare është e një niveli shumë të ulët pothuajse në të gjithë botën. Në Shqipëri, kjo është më e theksuar. (Niveli konceptual për të mos paguar “asgjë” dhe për të fituar “gjithçka”.) Pra, parimi i vullnetarizmi duhet zëvendësuar detyrimisht me parimin e regjistrimit si një detyrim në dobi të vetë biznesit dhe sipërmarrjes; në mënyrë që ato të jenë të përfaqësuara. Dhe nuk ka asgjë të parealizueshme në gjithë këtë diskutim. Dhomat e Tregtisë thjesht duan të kenë një ligj si simotrat e tyre të vendeve të Bashkimit Europian, ku ne (themi se) duam të shkojmë, jemi nisur qyshkur… Në mënyrë që Dhomat të kryejnë funksionet e tyre të rëndësishme, jetike për një sipërmarrje të kohëve moderne, qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian (Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Austri, Belgjikë, Hollandë etj.,) iu kanë dhënë këtyre institucioneve mundësinë që të krijojnë dhe të zhvillojnë infrastrukturën e nevojshme. Kjo është bërë nëpërmjet vendosjes së anëtarësisë së detyruar të subjekteve të biznesit në Dhomë, me një tarifë simbolike, në varësi të aktivitetit që kanë. Gjithashtu, në Ballkan, anëtarësia e detyruar në Dhoma, aplikohet në Kroaci, Slloveni, Serbi, Bosnjë, Mali i Zi, Greqi dhe Turqi. Me sa e kemi ndjekur këtë temë, si dhe duke folur me drejtues të Dhomave të Tregtisë, shohim se ka përpjekje për të pasur një ligj të standardit bashkëkohor; (por që është kundërshtuar nga opozita, vetëm e vetëm pse ka mbështjetjen e administratës aktuale e, po ashtu, nga disa shoqata, si dhe të ashtuquajturat “Dhoma të huaja”). Është e qartë se interesat e ngushta të subjekteve që u përmendën më lart, nuk përkojnë me një ligj të modelit kontinental të vendeve të Bashkimit Evropian. Në vorbullën e përgatitjes (ose jo) të këtij projekt-ligji, janë përfshirë edhe subjekte dhe nëpunës burokratë, që me një këndvështrim të ngushtë, duke i njohur Dhomat vetëm në mënyrë sipërfaqësore, kundërshtojnë modelin kontinental të organizimit me preteksin, se tarifa që duhet të paguajnë bizneset, është një ngarkesë e shtuar. Në fakt, kjo tarifë simbolike (më e ulëta në Evropë) nuk është asgjë për bizneset tona, të cilat, ta themi me ndershmëri, rëndom jetojnë në informalitet. Pra, e vetmja rrugë efektive që t’i kemi Dhomat, është anëtarësia e detyruar e subjekteve, me tarifa simbolike; (shih ligjin 93/2016). Sistemi me anëtarësi të detyrueshme, është më gjithpërfshirës dhe më përfaqësues për vetë komunitetine biznesit. Dhomat me anëtarësi të detyrueshme, tashmë janë konfirmuar si institucione dinjitoze, në shërbim të biznesit dhe të zhvillimit ekonomik të rajoneve ku ato ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Duke vlerësuar këtë përvojë, Dhomat e Tregtisë kërkojnë që subjektet dhe faktorët kundërshtues të tregojnë arsye dhe të mos bëjnë luftë për ta “shqiptarizuar” ligjin për hir të disa interesave të ngushta. Biznesi dhe sipërmarrja, Dhomat e Tregtisë si përfaqësusese të tyre, nuk mund të pajtohen me lojën e aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm pa largpamje. Duket qartë se ç’absurd është kjo lojë, ndërkohë që ligji “Për Dhomat Zejtare” (Nr.70/2016) përmban anëtarësinë e detyrueshme të subjekteve; kurse ai “Për dhomat e Tregtisë dhe Industrisë” (Nr. 9897/2008) ka anëtarësi vullnetare (?!) E çalë është edhe ideja e hedhur nga disa specialistë për t’iu“deleguar” Dhomave vetëm disa shërbime (që subjektet e biznesit, aktualisht, i marrin nga organizma të tjera: lëshime vërtetimesh, referencash, etj.) Kjo do të thotë që Dhomat thjesht të mbahen “gjallë”, pra të kenë një aktivitet formal, pasi “Shërbimet” në fjalë s’mund t’iu sjellin Dhomave veçse një buxhet minimal. Kurse, i gjithë argumenti i këtyre radhëve dhe thelbi i kërkesave, synon një buxhet të konsoliduar, që do t’iu jepte atyre pavarësi, por do t’iu krijonte edhe kushte për bashkëpunim efektiv, brenda dhe jashtë vendit, gjithnjë në të mirë të sipërmarrjes dhe të ekonomisë kombëtare. Ideja për delegim shërbimesh dhomave, i largon këto nga mundësia e kryerjes së funksioneve që kanë simotrat e tyre në Evropë, pasi këto funksione nuk mund të kryhen me një buxhet të vogël. (Nëse burokracia zyrtare ka frikë nga tarifat simbolike të anëtarësisë së detyruar, pasqyruar në ligjin 93/2016, duhet të sqarohet se në krahasim me Malin e Zi – vendi më i vogël dhe më i varfër në rajon, që ka tarifat më të ulëta në Evropë- tarifat shqiptare, sipas ligjit 93/2016 janë 4-5 herë më të ulëta.) Drejtuesit e Dhomave, po ashtu, kanë opsionet e tyre edhe sa i takon organizimit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, që nuk ndihet prej kohësh; (ndryshe nga një a dy dekada më parë, kur kishim një institucion të spikatur, që zhvillonte pa reshtur aktivitete, bashkëpunonte me Dhomat, me administratën, me mediat, me organizmat homologe të rajonit dhe më gjerë, kishte buletinin e vet, etj.) Është me shumë rëndësi ringritja apo ridalja në skenë e këtij institucioni, por pa i mbiluajtur të drejtat dhe detyrimet e tij. Në të gjitha vendet e BE-së, Bashkimii Dhomave është një organ koordinator në disa aspekte të rëndësishmetë punëssë Dhomave. Prirja për t’i dhënë atij një funksion qendror, është e dëmshme. Në Gjermani, B. Dhomave quhet “Shoqata e Dhomave” dhe anëtarësia e Dhomave në të është vullnetare; (megjithëse të gjitha Dhomat anëtarësohen në B. Dhomave). Buxheti vjetor, i miratuar nga Asambleja e Bashkimit të Dhomave, plotësohet sipas përqindjes që zënë të ardhurat e çdo Dhome (nga anëtarësia) në totalin e të ardhurave të të gjitha Dhomave. Në disa vende Evropiane, përqindja që paguajnë Dhomat në B. Dhomave, është si vijon: Në Itali 2%,në Greqi 4%, në Turqi 8%. Nëse synohet që Dhomat të paguajnë në Bashkimin e Dhomave një përqindje më të lartë se kaq, atëherë do të thotë se ne, me qëllim, nuk duam të shkëputemi nga sistemi monist i organizimit të Dhomave. Nisur nga zhvillimi që ka ekonomia e kryeqytetit, Dhoma e Tiranës grumbullon (nga anëtarësia e subjekteve) 65% të të ardhurave gjithsej në shkallë vendi. Nëse B. Dhomave i kalohen 10% të të ardhurave të Dhomave, atëherë i bie që në Tiranë të grumbullohen 75% e të ardhurave në shkallë vendi; dhe 25% i mbesin 11 dhomave të tjera të qarqeve, pra mesatarisht çdo dhome 2,3% e të ardhurave (?!) Nëse Dhoma e Tiranës nuk e ka problem të paguajë në Bashkimin e Dhomave çfarëdo përqindjeje (pasi ka shumë dhe i teprojnë përsëri të ardhura), për Dhomat e 11 qarqeve të tjera duhet të zbatohet modeli italian, grek ose turk. Një rol parësor në organizmin e dhomave do të duhej të luante Organi Mbikqyrës i Dhomave, Ministria që mbulon ekonominë. (Në Shqipëri, që nga krijimi i Dhomave (viti 1994) dhe deri më sot, organi mbikqyrës nuk ka zhvilluar asnjëherë një analizë vjetore të punës me Dhomat.) Projekt-buxheti vjetor i Dhomës dhe B. Dhomave duhet të ketë edhe miratimin përkatës përfundimtar nga organi mbikqyrës. Kjo duhet të bëhet për t’i vënë fre shpërdorimit të fondeve, që në disa raste janë vërejtur në aktivitetin e Dhomave; (veçanërisht në udhëtimet jashtë shtetit, të cilat duhet të jenë të justifikuara). Udhëtimet e nëpunësve të Dhomave dhe B. Dhomave deri në San Françisko, Melburn, Dubai etj. për të “lidhur” Dhomën me homologet e këtyre vendeve, përbën një absurd më vete (!) Është kjo një ndër arsyet kryesore pse subjektet e biznesit kanë krijuar së fundi një imazh të keq për Dhomat. Kjo trajtesë, ku nuk u ekspozuan edhe disa hollësi që vetë Dhomat tashmë i kanë paraqitur, mendojmë, duhet marrë në sy nga organet vendimarrëse, në mënyrë që Dhomat e Tregtisë të mos mbeten edhe më tutje objekt eksperimentesh, por të ringrihen duke shfaqur dimensionin e tyre real, si përfaqësuese të sipërmarrjes dhe të nevojave imediate të ekonomisë së vendit.
Sigal