Detarët shqiptarë ndihmojnë velierën amerikane “Silver Apple”

904
Shefqet KËRCELLI

Më datën 2 nëntor 2017, veliera “Silver Apple”, gjatë lundrimit për në portin e Durrësit ngeci në rajonin e cekëtinës së Currilave. (Zona e batllave). Me t’u informuar, Kapitaneria e portit Durrës, me kapiten Besnik Deda mori masa konkrete për të ndihmuar ekuipazhin e velierës prej 5 shtetasish amerikanë, me pronar Bartlett Dunbar dhe port regjistrimi New Port i Ri. Për arsye të kohës dhe errësirës operacioni për nxjerrjen e velierës nga cekëtina u la mëngjesin e datës 3 nëntor. Në organizimin dhe ndjekjen e operacionit u angazhua dhe QNOD, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, nëpërmjet mjeteve të Policisë kufitare dhe Rojës Bregdetare, të cilat për arsye të terrenit nuk mund t’i afroheshin dot velierës. Kështu që u kërkua ndihma e subjekteve private në Durrës, që kanë në përdorim mjetet e nevojshme për të tilla operacione detare. Duhet theksuar gatishmëria e kompanisë “Coli-SHPK” me pronar Edi Senko, i cili vuri në dispozicion të këtij operacioni mjetin tip “Esse-Osse”, që është përdorur për raste të tilla. Kapiteni i sprovuar Elson Lice, bëri manovrat e duhura për lëvizjen e velierës, duke u kujdesur për të mos e dëmtuar atë. Ndërkohë për mosdëmtimin e velierës, u pa e arsyeshme që nxjerrja e saj të realizohej me mjete më të specializuara për këtë punë, që i ka në përdorim kompania “ARBI” me pronar zotin Ardian Fusha. Zoti Ardian Fusha, shprehu gatishmërinë e menjëhershme dhe vuri në dispozicion tre mjete, konkretisht Një Rimorkiator, një barkë ndihmuese dhe një panton me vinç. Mbas disa manovrave të sakta, për 2 orë, pantoni bëri të mundur nxjerrjen e velierës dhe lëvizjen e saj për në portin e Durrësit. Kështu në sajë të përkushtimit e profesionalizmit të oficerëve të Kapitanerisë së Durrësit, institucioneve tona detare dhe veçanërisht subjekteve tona private që kanë mjete të specializuara detare, u bë e mundur dhënia e ndihmës velierës amerikane “Silver Apple”, shpëtimin e personelit të saj dhe vazhdimin e itinerarit sipas guidës së përcaktuar. Kapiteni i velierës zoti Bartlett Dunbar, falënderoi detarët tanë dhe personelin e anijeve private për gatishmërinë e treguar në nxjerrjen e velierës dhe shpëtimin e ekuipazhit të saj. Kështu detarët tanë dhe në këta rast, ashtu si dhe emergjenca të tjera detare, treguan shpirtin e tyre human dhe fisnik, duke i sjellë më shumë siguri turistëve të huaj që përdorin mjete detare për të vizituar vendin tonë.
Sigal