Deputetë nga populli dhe jo nga “inkubatori” i partive

238

Jorgo Mandili

(Promemorie për të gjithë shqiptarët, të cilët duan, që Shqipëria të bëhet)

I

Situata aktuale në të cilën jetojmë është dëshpëruese, por e vërtetë. Shqipërinë e ka pllakosur një uragan i falsitetit, mediokritetit e vulgaritetit kudo dhe në çdo formë. Pothuajse të gjitha përgjegjësitë e marra përsipër apo të shpallura të tilla si ato publike, politike, partiake, akademike, ekonomike etj, janë të gënjeshtërta. Të vetmet përpjekje që bëhen, janë ato të arratisë nga fati ynë i vërtetë, për të shmangur kështu përballjen me atë që mund të ndodhë. Jemi duke jetuar në mënyrë komike, madje gjithnjë e më shumë komike, sa më haptazi tragjike është maska që na kanë vënë dhe vazhdojnë të na vënë bandat politike dhe partiake gjatë këtyre 27 vjetëve në emër të “demokracisë liberale”, por që në fakt kanë instaluar “demokracinë totalitare të zbatuar në mënyrë feudale”. Fasada – një show demokratik, thelbi – totalitarizëm.”Totalitarizëm”,sepse politika ka pushtuar çdo fushë e çdo anë të jetës shoqërore. “Demokratik”, sepse mbahen zgjedhje të “lira”. Quhet “i lirë” organizimi shumëpartiak – (mbi 100 parti as të majta as të djathta, që vërtiten herë majtas e herë djathtas rreth dy bandave të mëdha partiake, ku si ideologji kanë luksokracinë, babëzinë e lakminë për pasurim marramendës, duke vjedhur, abuzuar e vrarë). Cilësohet “demokratike”, liria e mendimit, e shprehjes dhe e fjalës, tregu i lirë etj., “liri”, që as cenojnë e as rrezikojnë pasurinë dhe pushtetin e tyre. Lajtmotivi i tyre është “Qentë (kupto populli) le të lehin(liri deri në anarki), karvani (politikanë e pushtetarë) shkon përpara (pasuria çdo ditë shtohet).Me pak fjalë, në këtë vend pushtetin, pasurinë, politikën e gjithçka ekziston në Republikën e Shqipërisë, oligarkia patriarkale i trajton si dhuratë e saj dhe është i uzurpuar, madje i privatizuar prej saj. Ndërkaq, ndikimi i popullit në qeverisje bëhet pothuaj i pamundur. Përfaqësuesit e pushtetit përpiqen të krijojnë iluzionin se përfaqësojnë popullin dhe “luftojnë” për prosperitetin e tij, por në fakt popullin e takojnë vetëm një herë. Kur ka zgjedhje. Për vota, pa dhënë kurrfarë llogarie për punën (kupto sundimin) e tyre.

Mbahet në këmbë dhe mbrohet ky regjim “totalitarist-demokratik”, se prapavijë ka bizneset, klanet partiake dhe nepotiste, bankat dhe mediet dhe, mbi të gjitha, paratë. Ah, paratë që përcaktojnë sjelljet, veprimet feudale dhe partiake, krahinore dhe fetare, nepotike dhe korruptive. Për ta mbajtur këtë popull të nënshtrueshëm, të pa civilizuar, kulturalisht, të deformuar nga qytetërimi, që të mbrojë më së pari interesat e prijësit se sa të vetat. Sepse kështu sundohet dhe skllavërohet më lehtë. Ç’mund të themi për këtë vend që është kthyer në një xhungël e që nuk mund tê jetohet dot?!

Dhe lodhja është rraskapitëse! Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim… Se si hedh rrënjë një mani e urryer për t’u pasuruar, jo nëpërmjet punës së ndershme dhe një prodhimtarie të bollshme, por nëpërmjet shkatërrimit të sovranit popull, të shtetit dhe të qytetarëve. Një liri deri në anarki, një liri që pjesa më e ndershme nuk do të donte ta kishte. Njerëz pa dinjitet, të kërrusur mbi tokë dhe të prangosur në shpirt, që euforinë e tyre, dhimbjen dhe fatin e tyre e lidhin me plotësimin e nevojës së ulët epshore, nevojë, e cila sa më shumë plotësohet, aq më shumë rritet në një shkallë më të dhimbshme. Politikanë, shtetarë e gjyqtarë, që kanë humbur çdo sens të së drejtës dhe të padrejtës dhe që e kanë konvertuar urtësinë me aftësinë e realizimit të avantazheve të tyre dhe plotësimit të kënaqësive të tyre, duke abuzuar edhe me detyrën. Që kërkojnë madhështinë e tyre në këtë degradim dhe nderin e tyre në këtë turp. Ata që duhet të jenë mësuesit dhe edukatorët e kombit, intelektualët, akademikët e profesorët, janë katandisur deri në pikën e të qenit “derra të kënaqur” të korrupsionit, sepse janë formuar pa personalitet dhe besueshmëri në opinionin publik. Një intelektualizëm shqiptar, që shërben si “shërbyes i vobektë i pushtetit të padrejtë politik”, sepse ajo asnjëherë nuk është lënë të formohet realisht dhe kësisoj duke mos krijuar vlera të pavarura dhe identitet mendor e individual, nuk është ende “bërthama e mbrojtjes së drejtësisë shoqërore” me zërin e saj. Injoranca ka sunduar në errësirën e saj “…dhe fitoi gjithnjë e më tepër pushtet në Republikën tonë të bananeve.”

II

Idealet e demokracisë që na u serviren të shkëlqyera për bukurinë dhe harmoninë e tyre, janë marrë nëpër këmbë nga po ata njerëz që na i servirën dhe që nën trysninë e instiktive ataviste para arsyes e ligjit, që nën trysninë e leverdive vetjake para përgjegjshmërisë pushtetore e kanë çuar këtë vend në kaos e degjenerim moral. Ishte kjo politikë e ardhur në pushtet prej shtresës së varfër me tepër rurale. E kaluara e saj, varfëria e saj, pangopësia e babëzia e saj materiale e pushtetore i kanë humbur humanizmin dhe fisnikërinë kësaj politike duke i përcaktuar sundimin e despotizmin. Sikur, Sokrati i urtë dhe i mençur të ishte gjallë, do t’u thoshte: “A nuk ju vjen turp që jeni kaq të dhënë pas parasë, famës dhe prestigjit pa të drejtë, në një kohë që nuk mendoni dhe as nuk ju bëhet vonë për mendjen dhe të vërtetën dhe as për përmirësimin e shpirtit tuaj?”

Mirë atyre nuk u vjen turp se janë të pacipë, por populli, populli nuk e kupton talljen që i bëhet nga këta kasnecë të politikës? Populli a do zgjohet një ditë, t’i çojë kryet e të ketë pak guxim të divorcohet nga partitë dhe liderët dhe të dojë më tepër veten, familjen e Shqipërinë? Kujtoj këtu vargjet e Arben Dukës:

“More njerëz, more skllevër,

u kanë shkelur, u kanë tallur!

Porsi mizat, ore njerëz,

Ju të vdekur të pakallur!

Zgjodhët që të vdisni skllevër.

Me bekim të injorancës,

Djalli qafën ka trashur.

Njerëz jini vigjilentë,

Se unë gjithmonë ju kam dashur!

Pra, o njerëz të vuajtur, të nëpërkëmbur, të vjedhur, të shtyrë e të pështyrë, të vrarë e të plagosur, të sakatosur e të syrgjynosur nga bandat politike, shtetare e pushtetare, do vazhdojmë të jetojmë si skllevër? A nuk ka ardhur koha për Ndryshimin e Madh? Të atij Ndryshimi, në përmbysjen e këtij realiteti të trishtueshëm? Të atij Ndryshimi, të raportit ekstrem midis të pasurve dhe të varfërve? A nuk ka ardhur momenti i duhur me Drejtësinë e Re (në mos qoftë iluzion) të bëhet sekuestrimi i asaj pasurie të gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve e pushtetarëve të çdo niveli, që nuk e justifikojnë me të ardhurat e tyre? A nuk ju shqetëson; “Blloku i Lalzit”, “Blloku i Qerretit”e “Blloqe.. të tjera, njëlloj si “Blloku i byroistëve” në Tiranë të re?

III

Kush duhet të jetë në ballë të këtij Ndryshimi, për t’ua bërë të qartë njerëzve të varfër, shumë të varfër dhe pensionistëve rrugën dhe mjetet për realizimin e tij? Sigurisht, që ky mision u takon intelektualëve dhe mass-medias, që t’u tregojnë njerëzve se Ndryshimi fillon nga zgjedhjet. Jo zgjedhje me listat e kryetarëve, por zgjedhje maxhoritare. Kokë më kokë e Ballë për ballë! Të fitojë më i miri. Këtej fillon demokracia e vërtetë. Popullit t’i kthehet pronësia mbi përfaqësuesit e vet, të cilët tashmë nuk do të njohin si Padronë, kryetarët e partive por popullin. Se populli është PADRONI I DEMOKRACISË DHE JO KRYETARËT E PARTIVE. Këtu duhet të spikatë roli iluminist i intelektualëve të vërtetë (nëse ka të tillë me identitet mendor e individual të pavarur) dhe i gazetarëve, misionarë të së vërtetës (nëse ka ngelur ndonjë pa këmbyer të vërtetën me kuletën). Për t’i treguar popullit rrugët dhe mjetet për të marrë atë që ia kanë rrëmbyer me premtime, gënjeshtra, mashtrime e manipulime – PRONËSINË MBI DEMOKRACINË! Jo me thirrje nekrofilike për revolucion. Jo me “balilë” për luftë, jo me intriga “babalesh e bobolesh” e veprime të tjera banditeske që synojnë pushtetin. Jo! Kjo Lëvizje ka vetëm një kauzë. Sistemin maxhoritar të zgjedhjeve, që POPULLI TË KTHEHET NGA SHËRBËTOR NË PADRON TË DEMOKRACISË!

Pa e kompromentuar këtë Lëvizje me politikën. Lerini salitë, lulët, ilirët, monikat, edët e të tjerë kryetarucë! Ata nuk e duan popullin padron. Ata nuk janë gjë tjetër, veçse marioneta-kukulla që luajnë rolet sipas regjisurës së oligarkëve financiarë dhe jo vetëm shqiptarë. Të gjithë këta janë politikanë të rastësishëm e aksidentalë, që u mungon fisnikëria, humanizmi, ndershmëria, dinjiteti, patriotizmi, komunikimi njerëzor, etika qytetare e, mbi të gjitha, dashuria për njerëzit dhe vendin, vizioni për të ardhmen, abnegacioni për demokracinë, devotshmëria për të drejtën dhe morali për të jetuar me nder dhe dinjitet e, që me lakminë, babëzinë, arrogancën, hipokrizinë, cinizmin e marrëzinë e tyre, pasi vjedhin, vrasin, mashtrojnë e gënjejnë, për interesat e tyre bëjnë sikur u “qajnë hallin popullit”; për varfërinë, padrejtësitë etj., kur për vete “lundrojnë” në luksin e siguruar me afera të dyshimta. A nuk duken cinike dhe hipokrite thirrjet e disa shefave partiakë të tyre, që herë si Robin Hud, e herë si Don Kishot shfaqen në krye të turmave apo grupeve militantësh të improvizuar për show-n e radhës?! Kaq ironike, komike dhe tragjike! Atëherë, njerëzit duke i ditur këto marrëzi të politikanëve e pushtetarëve, përse u shkojnë pas këtyre partive?! Duhet të çlirohemi njëherë e mirë nga sjellje e veprime të tilla tribale. Dikur i madhi Konica ironizonte se “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve…” Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari “. Prandaj me kërkesa të qarta larg partive dhe shefave të tyre, të vetë organizuar të bashkohemi të gjithë pa dallim moshe, krahine, feje e ideje,shqiptarë të Shqipërisë dhe shqiptarë të diasporës – për një kauzë të përbashkët dhe jetike për të ardhmen e demokracisë. Të na kthehet e drejta e rrëmbyer nga të dy kryetarët e partive me marrëveshjen e 2008-s, që ndryshuan sistemin zgjedhor. T’i detyrojmë kryetarët e partive të pranojnë sistemin maxhoritar, zvogëlimin e numrit të deputetëve, ndryshimin e pragut për partitë, zgjedhjen e presidentit nga populli etj., probleme teknike që lidhen me zgjedhjet. Tani është momenti krucial për Ndryshimin e Madh të Shqipërisë drejt demokracisë funksionale. Deputetë nga populli dhe jo nga “inkubatori” i partive!

Le të bëhemi një herë qytetarë, që të udhëhiqemi nga arsyeja dhe ligji për të drejtat tona. Dhe jo nga instinktet e emocionet për të ndjekur pas”prijësit”e fiseve partiake. Le t’i izolojmë vetëm me fanatikët e tyre. Le të divorcohemi nga “dashuria” për “të parët e fiseve”, ta “çojmë kryet ” e të duam më tepër veten, familjen e Shqipërinë. Dhe atëherë “do të mund të dalim nga” dita e zezë ku ndodhemi”.Dhe atëherë Shqipëria do fillojë të bëhet!