Demonstrimi i forcës ushtarake nga Rusia dhe Kina

694
Qemal LAME
Mbështetja kineze dhe partneriteti ushtarak midis këtyre dy shteteve, vë në dukje edhe synimin për interesa të përbashkëta e të koordinuara
Zhvillimet politike ndërkombëtare po ballafaqohen jo papritur me demonstrimin e forcës e të partneritetit strategjik ushtarak midis Rusisë dhe Kinës në manovrat e përbashkëta të këtyre dy super shteteve në Detin Baltik. Manovrat e përbashkëta, të zhvilluara nga 28 deri më 31 korrik 2017, treguan edhe ballafaqimin direkt me NATO-n, shtetet e pavarura të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë rajon e në botë. Politika ndërkombëtare, Aleanca Euroatlantike, opinioni publik i shteteve baltike e evropiane e në tërësi bashkësia ndërkombëtare, përjetuan një gjendje shqetësuese, me mesazhe konkrete ushtarake e politike. Mesazhi i parë për shtetet evropiane dhe SHBA-në është mbështetja politike e shoqëruar edhe me partneritetin ushtarak të Kinës me Rusisë, të fuqizimit të politikës ruse me interesa të veçanta dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta në rajonin baltik.

Prania kineze ka për qëllim të tregojë mbështetjen e gjithanshme dhe të nxjerrë nga izolimi politikën ruse në këtë rajon, e cila kundërshtohet me forcë për shkak të ndërhyrjeve të hapura në punët e brendshme. Mbështetja kineze dhe partneriteti ushtarak midis këtyre dy shteteve, vë në dukje edhe synimin për interesa të përbashkëta e të koordinuara, të cilat kërkojnë reflektim në gjendjen politike e ushtarake dhe të zbutjes së tensioneve midis Rusisë dhe shtetet perëndimore. Kina dhe Rusia ushtrojnë hapur presion dhe krijojnë tension me shtetet perëndimore. Megjithatë, manovrojnë me propagandën e tyre zyrtare se manovrat ushtarake të përbashkëta nuk drejtohen kundër ndonjë pale të tretë! Pala e tretë janë 8 shtete anëtare të BE-së, të cilat ndajnë detin Baltik së bashku me Rusinë dhe po kalojnë një fazë tensionesh në marrëdhëniet me të. Si nuk mund të shqetësohen shtetet baltike, Bashkimi Evropian, Nato dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj demonstrimit ushtarak ruso-kinez?! Rusia ka zhvilluar dhe kuptohet se ka të drejtën e saj të zhvillojë manovra ushtarake në hapësirën e saj detare edhe në kufijtë me shtetet baltike. E pa justifikuar dhe intriguese është ardhja pompoze dhe demonstrimi i forcës ushtarake kineze në rajonin e largët baltik dhe në kufirin e shteteve që kanë politikë paqësore me Kinën. Manovrat dhe bashkëpunimi ushtarak i Kinës me Rusinë, vënë në dukje aleancën faktike midis tyre dhe dëshmojnë presionin e dukshëm e të maskuar politik e ushtarak nga shteteve perëndimore e NATO-s. Zyrtarët kinezë dhe ata rusë nuk duan ta pranojnë publikisht aleancën e tyre faktike. Ata kujdes të sigurojnë opinionin ndërkombëtar se manovrat e përbashkëta ushtarake nuk duhen vlerësuar si krijim i një aleance ushtarake midis Rusisë dhe Kinës. Bashkëpunimi ushtarak është vetëm tregues i një partneriteti strategjik të konsoliduar. Është e ditur se akoma nuk kemi një marrëveshje për një aleancë zyrtare ushtarake midis Rusisë dhe Kinës, me angazhime dhe detyrime reciproke ushtarake. Por faktikisht po dëshmohet marrëveshja ndërshtetërore me anë të demonstrimit të manovrave ushtarake të përbashkëta ruso-kineze në Oqeanin Paqësor, në detin Mesdhe, në Detin e Zi dhe së fundi në detin Baltik. Praktika ndërshtetërore ruso-kineze po instrumentalizon de fakto dhe de juro me projektin e një aleance ushtarake ndërshtetërore. Po kështu, edhe udhëheqës të lartë të Kinës dhe të Rusisë janë shprehur për mundësinë e një aleance ushtarake midis dy vendeve. Aleanca ushtarake ruso-kineze mbështetet edhe në aleancën e tyre të hapët e të maskuar edhe me Korenë e Veriut. Në kundërshtim me realitetin e bashkëpunimit konkret, janë edhe qëndrimet propagandistike me argumentet e publikuara nga mediet shtetërore kineze dhe ruse se manovrat ushtarako-detare të Kinës me Rusinë në detin Baltik janë një përgjigje ndaj demonstrimeve ushtarako-detare të SHBA në detin e Kinës Jugore. Arsyetimet janë taktikë për justifikimin e forcës në kontinentin larg vatrës së nxehtë të Detit të Kinës Jugore dhe konkretisht të agresivitetit me potencial të frikshëm e të paparashikuar të Koresë së Veriut. Kina është e domosdoshme të reagojë konkretisht ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut, të deklarojë dënimin e politikës koreane dhe të bashkëpunojë me SHBA, Rusinë e shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit për të miratuar rezoluta për ndalimin e programit bërthamor, fuqizimin e embargos ndaj tregtisë së armëve etj. Prandaj me të drejtë, është e pajustifikuar dhe e papranueshme demonstrimi i forcës ushtarake kineze ndaj 8 shteteve baltike, bashkësisë evropiane, NATO-s e SHBA. Gazeta shtetërore kineze “Global Times” e datës 21 korrik, duke zbërthyer qëllimet dhe strategjinë e Kinës në organizimin e manovrave ushtarake në Baltik, bënte një paralajmërim të lexueshëm: “Flota kineze do të bëhet më e fuqishme dhe më e fuqishme dhe do të marshojë larg e më larg, gjë me të cilën Perëndimi duhet të mësohet. Sot interesi i Kinës shtrihet në të gjithë globin dhe Kina po aktivizon rolin e saj, që deti ia ka rezervuar popullit kinez.” Kina kërkon të imponojë realitetin e fuqisë së saj në rendin botëror. Forca ushtarake kineze marshon me pretendimin si një superfuqi e re detare globale me kapacitete që e bëjnë të pranishme, jo vetëm në Azi, por në të gjitha kontinentet. Kina e dikurshme e bazuar në strategjinë me doktrinën mbrojtëse kombëtare, ka kaluar në doktrinën e ofensivës ndërkombëtare. Këtë e realizon me praninë e përhershme dhe forcën e armëve në oqeanin Paqësor dhe në oqeanin Indian. Këto mesazhe i dha me lundrimin e parë të aeroplanmbajtëses së parë, në vitin 2011. Me këtë qëllim, ajo shfrytëzoi ndikimin e saj ekonomik e politik e ndërtoi edhe bazën e saj të parë ushtarako-detare jashtë vendit, në Xhibuti, në bririn e Afrikës. Kjo strategji udhëheq edhe interesat globale me manovrat ushtarake të përbashkëta ruso-kineze në Oqeanin Paqësor, në detin Mesdhe, në Detin e Zi dhe aktualisht në detin Baltik, në zonën e politikës evropiane dhe euroatlantike. Demonstrimi i forcës së përbashkët ushtarake ruso-kineze dhe situata e re e strategjisë e ekuilibrave gjeopolitike, natyrshëm shtron detyra për fuqizimin e Aleancës Euroatlantike. Është e padiskutueshme forca ushtarake botërore e SHBA-së. Krahas saj, kërkohet edhe fuqizimi i NATO-s dhe rolit të çdo shteti anëtar për të kontribuar me 2 për qind të buxhetit shtetëror që të përballohet modernizimi i mëtejshëm i strukturave ushtarake.

Bashkimi Evropian vihet para detyrës së fuqizimit shtetëror federativ dhe të krijimit të forcave ushtarake evropiane. Ushtria e bashkësisë, do të ndikojë të forcohet më tej edhe roli i shteteve të saj anëtare, sidomos të Francës si fuqi bërthamore dhe të Gjermanisë si fuqia më e madhe ekonomike. Investimet kineze në Evropë, shtrojnë nevojën e vlerësimit më shumë të interesave strategjike ushtarake në raport me përfitimet ekonomike. Me të drejtë, tërhiqet vëmendja edhe për korrupsionin e manipulimet në shitblerjet e koncesionet. Gjermania anuloi shitjen e Aeroportit privat në Hanau, pranë Frankfurtit, për shkak të marrëveshjes së dyshimtë e të dhënave për korrupsion. Harta e shtrirjes atlantike nga Deti Baltik në Detin Adriatik, vë para detyrave konkrete edhe Shqipërinë si shtet anëtar i NATO-s, në partneritet strategjik me SHBA e BE, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndjekja me vëmendje e zhvillimeve gjeostrategjike, vlerësimi në kohë i tendencave negative, do të ishin më rezultative edhe me fuqizimin e mëtejshëm i strukturave ushtarake, mundësia e rikrijimit të armëve e shërbimeve më të domosdoshme, si pjesë të strukturave të NATO-s, të gatishmërisë e efektiviteti për realizimin e detyrave të aleancës etj.
Sigal