Demokracia, një mision i papërfunduar

684
Nga Marjana Zeneli Bulku
Për ne që e mirëpritëm demokracinë, si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet në diktaturë, kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetëra arsye, pse prindërit e mi, familja ime, e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot është në emergjencë, jo vetëm kombëtare, mes qindra përse-ve pa sepse, në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet. Në 28 vjetët e tjera të kësaj odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin ëndrrat për lirinë, të drejtat e munguara, mirëqenien sociale dhe atë ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i papërfunduar, përgjysmë, peng. 

-Po a u kuptua siç duhet ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish?! 
-A ishte e përgatitur shoqëria shqiptare me intelektualët përherë në mërgim, me vlera të burgosura, dhunuara, mohuara, të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?! 

Trashëgimtarët e diktaturës, ata që “ndërtuan” kopshtin shkëmbor të Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit, edhe pse ai i Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij, në Shqipërinë postkomuniste muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që diktatura e gjatë prodhoi. Një debat përherë i hapur që ngre dhjetëra enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme. 

Ishte “Vatra” që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit më të fundit të gazetarit dhe publicistit, mendimtarit dhe refleksionistit zotit Fran Shkreli, i cili nuk mungon me gjykimin plot peshë e vlerë as në shtypin e Tiranës me “Demokracia nuk pret”. Rreth “Vatrës” nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të cilin ajo u krijua. Por teksa dëgjon zërin e Dr. Elez Biberaj që më shumë se “Zërin e Amerikës” përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e diktaturës, pohon pa mëdyshje që po, “Vatra” mundet që vizionin e saj ta kthejë në udhë rrëfim për të ardhmen në udhëkryq. E mendjet që i flasin botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit, mprehtësinë analitike të Fran Shkrelit bëhen frymëmarrje shprese. Dr Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete, se si dilet nga emergjenca kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cenimit të demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin kombëtar. Gazetarët e “Zërit të Amerikës” janë vigjilentë në mbrojtje të sapolindurës së asfiksuar demokraci, edhe pse me prezencën e doktor Halim Kosovës, deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, ndihma më e mirë do t’i vinte nga vetvetja, institucionet e konsoliduara, sistemi i pastër i gjyqësorit, por edhe ai legjislativ, shoqëria civile, intelektualët, pra, çdo grup interesi. Ishte vërtetë bukur që në “Vatër” të shikoje gazetarët e “Zërit të Amerikës”; Shkreli, Biberaj, Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë, e cila ka si mision të edukojë qytetarët me liri përmes mirinformimit në këtë botë të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që “Vatra” e mijëvjeçarit të 21-të çel me drejtuesin e saj, zotin Dritan Mishto, gazetën e saj një shekullore “Dielli” si një tribun lirie dhe shprese, se demokracia ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon. “Demokracia nuk pret”, një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell autori tek çdokush, që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u dënua, projektoi e u arratis…por gjithmonë duke pritur para se të jetë vonë. Dhe në përmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm pas atij komunikimi të frytshëm në “Vatrën” gjithëshqiptare, po citoj zotin Fran Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët, nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet properëndimore të intelektualëve që u mundën prej komunizmit?!”
Sigal