Daut GUMENI/Zjarrmia e pushtetit u vuri zjarrin pyjeve

612
Sigal

Pyjet më të bukura të këtij vendi kanë dy javë në flakë! Edhe në pyjet e fiseve më të humbura të globit, po të kishte rënë një zjarr i tillë rrënues, kryetarët e atyre fiseve të varfra do të kishin bërë të pamundurën për të shuar flakët e për të shpëtuar pyjet e veta. Pleqtë e atyre fiseve të harruara nga qytetërimi, do të kishin hapur me thonj kanalet e kufizimit të zjarrit dhe do të kishin rrethuar flakët qysh në ditët e para.

Por pleqtë tanë të pushtetit të trashëguar nga diktatura, nuk kanë as nge e as dëshirë për të shpëtuar pyjet nga zjarri. Pleqtë e pushtetit të trashëguar nga diktatura, po digjen për vete më keq se pyjet e këtij vendi. Po digjen nga zjarrmia e pushtetit, e po rrjedhin nga frika e humbjes së pushtetit, më tepër se nga pleqëria. Po digjen sa u del tym nga koka, se nuk i lëshon kurrë frika e humbjes së atij pushteti të trashëguar. Po digjen më keq se pyjet tona, pleqtë e pushtetit të trashëguar, sepse kanë mbi dy dekada që rrënojnë çdo gjë të mirë e çdo pasuri e çdo vlerë të këtij vendi, gjithçka që nuk e privatizojnë dot për vete. Po digjen nga zjarrmia e pushtetit të trashëguar, se i djeg keq frika e humbjes së atij pushteti e prandaj nuk duan e nuk kanë kohë e nuk munden të shuajnë pyjet e Shqipërisë! Pyjet e bukur të Shqipërisë, që kanë më tepër se dy javë në flakë!

Se nuk janë pyjet meraku i këtij lloj pushteti të trashëguar nda diktatura. Sepse ky lloj pushteti ka trashëguar edhe sëmundjen më të rëndë të diktaturës. Ka trashëguar frikën patologjike të rënies nga pushteti. Se kanë frikë nga e shkuara pushtetarët tanë të tranzicionit. Por kanë ca më shumë frikë nga zullumet që kanë kryer gjatë sundimit të tyre të trashëguar. Ku të gjejnë kohë këta lloj pushtetarësh të diktaturës, për të menduar dhe për shuarjen e zjarrit në pyje, kur nuk dinë sesi të shuajnë zjarrminë e frikës së tyre nga humbja e pushtetit?

Po sikur dhe ato “zjarre të qëllimshme”, siç njoftojnë me gjysmë zëri edhe vetë zëdhënësit e pushtetit aktual të Tiranës, t’i kenë ndezur vetë pushtetarët dhe jeniçerët e tyre, për të fshehur njëherë e mirë kontrabandën shumëvjeçare që kanë bërë me lëndën drusore anembanë vendit?…

Se zjarrmia e këtij pushteti, të trembur keq se mos del në shesh dhe batërdia që kanë bërë vetë pushtetarët me pyjet, duket që është aq e lartë sa dhe e hershme. Është aq e lartë dhe aq e hershme zjarrmia e këtij pushteti nga frika e zullumeve të veta, sa nuk besoj se u biem në qafë duke menduar që e kanë ndezur vetë pushtetarët dhe sejmenët e tyre edhe shumicën e atyre zjarreve, që po i kthejnë këto ditë pyjet e bukur të këtij vendi në një shkretëtirë shkrumbi!…

***

A nuk është zjarrmia e këtij pushteti të sëmurë, që i ka vënë zjarrin këtij vendi, sa herë që është trembur se mos i digjet procesverbali i trashëgimisë? A nuk është zjarrmia që u ndez pushtetarëve tanë të tranzicionit të pambaruar se mos bien nga pushteti, ajo që  miratoi unanimisht ligjin kaos krijues 7501 për ndarjen e tokës? Po ndarjen e pasurisë kombëtare në bazë të biografisë partiake, në vend që të bëheshin të gjithë shqiptarët aksionarë në atë pasuri të vënë me mundin e tyre, nuk e bënë pushtetarët e tranzicionit nga frika mos u binte pushtetit i trashëguar? Po nga të burgosurit politikë të diktaturës, pse tremben dhe sot siç trembej dje diktatura? Po shkatërrimin e dokumentacionit shtetëror, nëpërmjet ndërhyrjeve e falsifikimeve të titujve të pronësisë dhe të dosjeve të diktaturës, a nuk e bënë pushtetarët e këtij tranzicioni pa tranzicion, vetëm nga zjarrmia që u shtie frika e humbjes së pushtetit? Po vijimin e luftës së klasave edhe në pluralizmin e tyre të shtirë, a nuk e bëjnë pushtetarët tanë aktualë nga zjarrmia që u fut aq keq frika e humbjes së pushtetit? Po shkatërrimin barbar të ekonomisë ekzistuese të këtij vendi, përse duhej ta bënin me aq ngut e me aq zell pushtetarët e këtij tranzicioni kriminal? Përse duhej të lëshoheshin falangat e komunistëve “antikomunistë” për të prerë e për të rrafshuar ullishtat, agrumet e vreshtat e punës së papaguar të skllevërve të uritur të diktaturës? Po kanalet ujitëse e kanalet kulluese, apo tubacionet e ujit të pijshëm, pse nuk i shikonin dot më këmbë komunistët tanë “antikomunistë”?

Po tokën bujqësore pse u turrën me aq rrëmujë ta mbillnin me haure fshatarësh të pafajshëm e të gënjyer për t’u shpërngulur nga propaganda e “parajsës demokratikase”, të udhëhequr nga besnikët e diktaturës dhe adhuruesit e diktatorit? Pse të shpërngulej më aq rrëmujë “fshati për të rrethuar qytetin” me kolibe të ndërtuara pa rrugë, pa drita e pa ujë, për të mos folur pastaj për shkolla, për çerdhe e për kopshte fëmijësh apo për qendra të kujdesit shëndetësor? Po kaosi i futur në qytetet tona nga ndërtimet pa leje e pa sistem e pa anë e pa udhë, ku cilido dilte pronar i pasurisë publike, por asnjë pronar i ligjshëm nuk kishte të drejtë për të marrë pronën e vet, përse i duhej këtij lloj pushteti të sëmurë nga zjarrmia e humbjes?…

Ç’i duhen këtij lloj pushteti pyjet që, të shumtën e herës, digjen vetëm për të fshehur kontrabandën e korrupsionin kriminal të pushtetarëve me këtë pasuri kombëtare të shqiptarëve? A nuk e ka bërë të njëjtën kontrabandë ky lloj pushteti edhe me armët e ushtrisë shqiptare, që kishin mbushur depot e maleve dhe nuk qenë pasuri e ministrave të Mbrojtjes, të ngarkuar për të mbrojtur kontrabandën, po qenë pasuri e shqiptarëve të varfër? A nuk po bën ky lloj pushteti të njëjtën kontrabandë e korrupsion edhe me pronat e ushtrisë, ato mijëra metro katrore tokë të shqiptarëve, që mund të shërbenin mrekulli për ngritjen e qendrave turistike në dobi të pasurimit të mbarë vendit e jo të një çete hajdutësh me pushtet të trashëguar nga llagëmet e pista të diktaturës? A nuk bëri po këtë kontrabandë pushteti i tranzicionit tonë të shpifur, edhe me kampet e dikurshme të punëtorëve dhe me vilat  e rezidencave qeveritare të trashëguara nga diktatura?….

***

Të gjithë këtë lloj katrahure të organizuar për të ruajtur me çdo kusht e me çdo çmim pushtetin e trashëguar nga diktatura, pushtetarët tanë të tranzicionit origjinal shqiptar, na e mbrojnë me parulla të zjarrta demokratikase e me miq pushteti kapitalistë, për fatin e keq të këtij vendi, po aq horra sa dhe ml-të e dikurshëm të tipit Ernst Aus e Fosko Di Nuçi. Me këta lloj miqsh të pushtetit e me parullat e zjarrta demokratikase, pushtetarët tanë të tranzicionit vijojnë dhe sot e këtë ditë luftën e klasave. Prandaj dhe na citojnë përditë nga tribunat e nga ekranet ato shënimet e dikurshme të agjitatorit, mbi “vendin e parë në botë”, mbi “vendin e vetëm që njeh vetëm rritje ekonomike, rritje rrogash e pensionesh dhe pakësim të papunësisë”, mbi “Shqipërinë superfuqi energjetike” e mbi “centrale bërthamore”…

Por harrojnë pushtetarët tanë të na thonë se na kanë bërë vërtet vendin e parë në botë për vrasjet e ngujimet nga gjakmarrja, harrojnë të na thonë këta palo pushtetarë se na kanë bërë vërtet vendin e parë në botë ku, ajo që quajmë qeveri merret me punët e me interesat e veta private dhe nuk pyet fare as për sigurinë e jetës së qytetarëve që e paguajnë e nuk kontrollon dot territorin e vendit, se është shumë e zënë me kontrollin e vjedhjes së çdo pasurie të këtij vendi. Harrojnë pushtetarët tanë aktualë të na thonë se na kanë bërë vendin e parë në botë, ku  brigadieri i pushtetit bredh me gërshërë në dorë për të përuruar çdo rrugicë fshati, gjithnjë i hutuar nga zjarrmia e frikës që ka se mos bie nga pushteti. Është zjarrmia e keqe e asaj frike, që e shtyn të bëjë hamallin e ngarkuar me parullat e luftës së klasave, edhe kur pret shiritin e një rrugicë fshati në Hamallaj e nuk rri dot pa kërcënuar opozitën që të mos guxojë t’i qaset pushtetit të tij të trashëguar edhe për tridhjetë vjet të tjerë(!)..

Dhe pastaj u thotë miqve të pushtetit nëpër botë se kryeson një parti “demokratike” dhe paska mbi 20 vjet që nuk heq dot dorë nga pushteti se “populli e do shumë” dhe e “voton përherë”…Vetëm se ky trashëgimtar besnik i pushtetit të diktaturës harron t’u thotë miqve të pushtetit personal edhe një gjë të vogël, t’u thotë që pushteti i tij i trashëguar nga diktatura i ka ndaluar zgjedhjet e lira e të drejta në këtë vend. Ku ka nge të merret me shuarjen e zjarrit në pyje një pushtet i tillë? Se nuk e di ç’të shuajë më parë. Të shuajë zjarret që vuri vetë në pyje, për të fshehur një nga zullumet e veta, apo të shuajë zjarrminë e frikës për rënien e pushtetit personal?…