Dalip Greca*/ Kosova në kurth: Fitoi luftën, por rrezikon paqen

577
Kosova në kurth. Ka rënë në kurthin e vetvetes. Me ndihmën e aleatëve të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës, (kjo e fundit e penduar për padrejtësitë historike ndaj Kombit Shqiptar), fitoi luftën, por tash, 16 vite pas fitores, 7 vite pas shpalljes së Pavarësisë, e dehur nga Liria, ka rënë në kurthin e vetvetes, po humbet Paqen. Kryearkitekti amerikan i betejës finale, që udhëhoqi kualicionin (de facto) Presidenti Bill Klinton, në agimin e Lirisë së Kosovës, ua pat lënë një mesazh kuptimplot shqiptarëve të Kosovës: “Ne e fituam Luftën, por dëgjoni-Paqen mund ta fitoni vetëm Ju”! Shkrimtari Ismail Kadare shkroi 12 vite pas lufte se: “Fraza e famshme e Presidentit Amerikan Klinton, të fitojmë Luftën, por të mos humbim Paqen, u tha pikërisht për Kosovën. Më shumë se një parandjenjë e keqe, ka qenë një paralajmërim, fatkeqësisht, i saktë”!
Përse nuk e dëgjoi Kosova këtë këshillë? Përse nuk e mori në sy këtë paralajmërim që vinte nga Atdheu i Presidentit Willson?
Ngrefosja e liderëve politikë
Duket se liderët e Kosovës, klasa politike, me naivitetin e saj, me padurimin e saj të skajshëm, me ngrefosjen burracake, me mllefin për kundërshtarin politik deri në urrejtje, po i bënë gropën lirisë në Kosovë, po e minon Paqen, duke e bërë të pasigurtë të tashmen e duke rrezikuar të ardhmen. Harresa është vetëvrasje. Duket se Kosova e harroi shpejt pushtuesin serb që për një shekull e robëroi dhe ia vrau lirinë. Tek përgatiste opinionin publik botëror që ta pranonte luftën e kualicionit SHBA- Europë; të pranonte bombardimet e NATO-s mbi Serbi, Presidenti Klinton, u qante hallin shqiptarëve dhe kësisoj bëhej avokat i popullit martir të Kosovës, që po kanosej nga një katastrofë shfarosëse, ku popullsia kishte marrë arratinë, kishte lënë shtëpitë dhe endej natë e ditë maleve, pyjeve, ku fëmijë, pleq, gra, mbanin mbi kokë rrezikun e vdekjes, dhe Presidenti jepte shpresa: “…Ata do të kthehen…dhe kur të kthehen do të jenë të sigurtë. Do të kenë mundësi t’i rihapin shkollat e tyre, të flasin gjuhën e tyre, të ushtrojnë fenë e tyre, të zgjedhin liderët e tyre (ndoshta jo këta që kanë sot-shënimi im D.G.) dhe farkëtojnë fatin e tyre. Nuk do të ketë më ditë të mbushura me kërkime ushqimesh në mes të ftohtit të maleve e të pyjeve; nuk do të ketë më net fshehjesh nëpër qilare, duke vrarë mendjen nëse e nesërmja do të sjellë vdekje apo shpëtim. Ata do të mësojnë se ushtria e Millosheviçit dhe forcat e tij paramilitare do të largohen; fushata e tij 10 vjeçare e shtypjes do të marrë fund…”. Presidenti Bill Clinton dhe Amerika e mbajtën fjalën, Millosheviçi me ushtrinë e tij vrasëse u përzunë nga Kosova, po ku është Liria? Atë po e vret përditë, pa mëshirë klasa e vet politike, që i mungon atdhedashuria dhe inteligjienca.
Mjete luftarake në tempullin e drejtësisë
Përdorimi i mjeteve luftarake në tempullin e Drejtësisë, ku hartohen Ligje për Paqen është dhunuar në ekstrem. Vendi është buzë greminës, ndërsa klasa politike, kërkon ta fundosë i t’i japë rrokullimën. Nuk mund të zgjidhen mospajtimet me akte terroriste në Parlamentin e Republikës. Klasa politike është e barrikaduar ekstremisht në mënyrë të papajtushme, pa lënë vend për mjetet demokratike siç është dialogu. Gjendja duket e pashpresë. Opozita i ka dekonspiruar mjetet e saj: bllokadë dhe protesta, në kundërshtim me katër marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Nga ana e saj, Qeveria e ka deklaruar publikisht se nuk tërhiqet nga marrëveshjet me argumentin se në to nuk ka tradhëti kombëtare dhe se janë nënshkruar në konsulencë me faktorin ndërkombëtar? Cila është e vërteta dhe cila e pavërteta? Ose Qeveria ka tradhëtuar Kosovën dhe i ka dhuruar tokat shqiptare Malit të Zi, përveç Asoscionit në komunat serbe, ose opozita ia fut kot duke manipuluar opinion publik, edhe me ndihmën e mediave. Natyrisht, njëra nga të dyja gënjen, ose qeveria ose opozita. Po cila është zgjidhja në këtë situatë kaosi? Gazilotsjellës? Dhuna? Natyrisht jo, demokracia ka mjetet e saj, ka foltoren e Kuvendit, ku debatohet, në asnjë mënyrë nuk janë mjetet e terrorizmit ato që çojnë në zgjidhjen e problemit, përkundrazi, ato vënë në kërcënim Paqen.
Personazhet e rrebelimit
Personazhet e rebelimit duket se vuajnë ca nga mllefi, ca nga padurimi, por ca edhe nga harresa. Ka ndodhë ajo që konstatonte shkrimtari Ismail Kadare tek “Mbi krimin në Ballkan”. Është harruar e djeshmja, nuk u zbardhën krimet, nuk u vunë para drejtësisë kriminelët. U harrua pushtuesi. Krimi mbeti i pandëshkuar. Kosova nuk arriti të bëjë transparencën e krimit dhe ai, krimi dhe kriminelët mbetën të pandëshkuar deri në fund. Tani krimi është në sulm. Serbët po përfitojnë. Beogradi po fërkon duart duke i tundur gishtin Amerikës dhe Europës: Ju thamë, ata(shqiptarët) nuk dijnë të bëjnë shtet….Mos e pranoni Kosovën në UNESCO se kosovarët po shkatërrojnë Parlamentin e tyre, e jo të ruajnë kishat tona!… Ramush Haradinaj, që duket inatçor, pasi fitoi Gjyqin e Hagës, nuk po fiton gjyqin e arsyes, gjyqin e paqës. Zoti Haradinaj duhet të çojë ndërmend edhe amanetin e dëshmorëve, që dhanë jetën për liri, jo për karriget e pushtetit. Dhuna revolucionare përbën aksion komunist, ndërsa gazi lotsjellës në Parlament, nuk është më pak se sa akt terrorist, i dënushëm nga ligjet që ka hartuar Parlamenti, ku është deputet edhe Ramushi, dhe Albini dhe Ftamir Limaj e Co!
Detyra e pakryer për zbardhjen e krimit shtetëror serb 
Kosova nuk e ka kryer detyrën në zbardhjen e krimit shtetëror serb dhe tash po kriminon veten. opinioni botëror, siç konstaton Ismail Kadare, pikërisht ai që kishte nxitë qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim që të kryhej dëshmia shqiptare kundër krimit, por ajo vonoi, edhe sot nuk është realizuar, sepse vetë Kosova ka rënë në kurthin e armikut pushtues, në kurthin e harresës dhe të inkriminimit të vetes.Inteligjencia e saj, akademikët, historianët, jo vetëm nuk kanë kryer detyrën, por përkundrazi, kanë pranuar edhe mënjanimin publik nga arena e ngjarjeve politike dhe kombëtare! Eshtë pozitiv fakti që në Kosovë kemi në krye të shtetit një grua, zonjën Atifete Jahjaga, (edhe pse burrat e opozitës nuk ia dëgjojnë fjalën). Po ashtu, përfshirja e disa femrave në radhët e Kuvendit, përbën shenjë emancipimi për shoqërinë konservatore kosovare, mirëpo ka ndër ato gra që tentojnë të bëjnë punët e burrave. Është një deputete grua në parlamentin e Kosovës, Deputetja e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, më e zellshmja në punët e burrave të fortë, të atyre që hedhin lëndë plasëse në Kuvend, që duket se i kaluar limitet e gjinisë. Është pritë tjetër gjë nga Donika apo dhe nga koelget e saj femra në Kuvend: Në mos mundeshin që të ngrinin dinjitetin e femrave në Kosovë edhe përmes Faltores së Parlamentit, të paktën të bëheshin avokate te femrave të përdhunuara në kohën e luftës nga kriminelët serbë, krime të pandëshkuar, edhe për faj të Kosovës. Një nga krimet më monstruoze të shekullit që shkoi, që ka tronditë botën e civilizuar. Si mund të ndjehet e qetë kjo deputete dhe koleget e saj, kur krimi serb i përdhunimit të rreth 20 mijë femrave kosovare mbetet i padenocuar, i pa dënuar, i pazbardhur? Ç’i duhet kësaj gruaje me lëndët plasëse dhe punët e rambove të Kuvendit? Kanë shumë halle femrat kosovare, që mund t’i zbusnin sado pak Donika me deputete femra të Kuvendit të Kosovës. Burrat e politikës së Kosovës duket se kanë harruar të djeshmen dhe vazhdojnë ta harrojnë çdo ditë. Paslufta i ka gjetë ata të etur për pushtet, për para dhe Lavdi. Ngrehosja se do t’ia përmbysin karrigen kundërshtarit me çdo mjet, i ka verbuar para fateve të shtetit të brishtë, që ende nuk ka njohjen e domosdoshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Burra dhe gra të Kosovës: Largojuni dhunës, kthejuni Demokracisë! Dialog, vetëm dilaogu të çon tek zgjidhja e problemit. Kjo aksiomë është vlerë e demokracisë dhe klasa politike e Kosovës duhet ta përvetësojë dhe ta praktikojë. Jo më dhunë!
Autori është kryeredaktor i gazetës “Dielli” në SHBA
Sigal