Dalip Greca: Farsa e kryeministrit me Samitin e Diasporës

630

Edhe pak
ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi “Samit i Diasporës” i kryeministrit të
Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, në respekt të qytetarëve
shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelektorale të
kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes,
që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, ku jetojnë së paku gjysmë
milion shqiptarë. Vendimi i Federatës “Vatra” për të mos marrë pjesë në Samitin
e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi
pjesëmarrjen ose jo në këtë samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan
kryeministri. Me vota të hapura u vendos që “Vatra” të mos bëhej pjesë e një
farse paraelektorale të kryeministrit me argumentin se pjesëmarrja dekorative
në atë samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por
vetëm partisë së kryeministrit. Edhe Këshilli Drejtues i “Vatrës”, i mbledhur
me 1 Tetor 2016, e la në fuqi vendimin e 
kryesisë për mospjesëmarrje në samitin e nëntorit, që po propagandon me
aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë. Natyrisht që ka dhe
vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që
mendojnë se “Vatra” duhet të marrë pjesë në samitin e Ramës, me qëllim që ajo
të mos ”vetizolohej” apo “vetpërjashtohej” nga samiti.  Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes
ishte që “Vatra” të ishte pjesëmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se
ky samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk
duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai
në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq por, ia
hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jorkut, kur kjo zyrë ka qenë e
pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar (Rama e mbylli ashtu siç
kishte bërë diktatori Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë
nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë
të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët
nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga
droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj. Por ku dhe si t’ia
thoje Ramës të gjitha këto në një 5 minutshin, që ai ka vënë në dispozicion si
për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine
apo fshati, po aq edhe për  organizatat
historike, siç është “Vatra” me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë
Ramës për 5 minuta në një samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë
vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në 2013? Përveç
fotografisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është
sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky
samit kanë për të mbetur pas: fotografite e Ramë (edhe në Fb), shëtitjet e
planifikuara në qytetet turistike dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të
tij. Serioziteti i këtij samiti duket që në formularin e propoganduar me aq zë
nga ambasada në Washington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA.
Sipas formularit në samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ,
ndërsa “Vatrës” i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe
me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një përfaqësuesi, kur secili person
mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?

 

Dështimi
që në nisje i samitit për Diasporën

 

Mënyra se
si po e organizon kryeministri samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç
qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë samit, pa e pyetur
Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në
raport me Diasporën, çfarë mendon ajo për keqeverisjen që e ka kthyer
Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeministri vetë
vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i
qeverisjes. Ka zëra që thonë se “Vatra” nuk shkon në Samitin e Ramës sepse
mbështet opozitën, të cilën kryeministri e ka përjashtuar nga samiti, ashtu siç
ka përjashtuar edhe institucionin e Presidencës së RSH. Secili ka mendjen e vet
dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por “Vatra” i ka dalë për
borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e partisë së
Idrizit (Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “Vatra më sheh si një njeri
të dyshimtë”…Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh
‘Vatrën’ me dyshim. “Vatra” e takoi Kryeminstrin Edi Rama më 26 shtator
2013  në hotelin “Four Sizen” në
Manhattan dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptarë. Kryetari i
saj, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të
ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka se “Për zgjedhjet e 23
qershorit, shumica e vatranëvet patën shprehur mendimin që proceset e
integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i
administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të persekutuarve, kanë
shprehur shqetësimin nga disa shenja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të
vërejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë,
kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani,
njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe kalimin paqësor të pushtetit tek
administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën
keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju
dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të mëparshme, arritje të
suksesshme në dobinë e vendit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet
për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe,
gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion
konstruktiv kur ta shohim të nevojshme”. “Vatra” i është përmbajtur fjalës së
dhënë, ndërsa kryeministri që premtoi bashkëpunim, jo. “Vatra” ka vazhduar ta
bëjë oponencë konstruktive, me deklarata e ka këshilluar kryeministrin në
pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e
Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si
ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që
të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta
ketë plotësuar formularin për samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të
pastrojë Kuvendin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka
kujtuar ato çfarë i kërkoi “Vatra” në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama
hesht. Ai ka ardhur shpesh në SHBA, pas atij takimi me “Vatrën”, por ndërkohë
që ka pasur kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje
konsujsh nderi të pa miratuar, por nuk ka pasur kohë që të vijë t’i hedhë një
sy “Vatrës”, nga e cila kanë dalë kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të
shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm…Nuk është “Vatra” që e sheh me
dyshim kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë saj. Në mbyllje të
këtij editoriali dhe një pyetje për kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë
biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për
Diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetur të qeverisë? Asgjë, veç do ta
kthejë këtë samit në një paradë paraelektorale, ku ai dhe ministrat e tij do të
bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo
të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojnë radhët e
Diasporës dhe pakësojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e
konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të
Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj).

 

Sigal