Dalan Buxheli/ Tre Heronjtë e Shkodrës që bënë histori

1516
Çdo akt heroizmi i kryer nga bijtë e popullit shqiptar, mban karakteristika të përbashkëta. Luftohej për një qëllim dhe ideal të madh. Kjo i bëri ata trima të mos kursejnë as gjakun dhe jetën e tye për lirinë e vendit. Kështu mund të veçojmë një nga këto vepra madhore të demonstrimit të aktit heroik të Perlat Rexhepit me dy shokët e tij të të njëjtit ideal, Branko Kadia e Jordan Misja. Është fakt, që në këtë rast kemi një ballafaqim të drejtpërdrejt në mes të mejdanit të tre djemve heroikë. Tre shqiptarë të pamposhtur, tre komunistë e antifashistë u vunë në përleshje me një ushtri të tërë për t`u bërë sfidën më të madhe armiqëve të urryer dhe njëkohësisht për t`i thënë popullit që shikonte e dëgjonte thirrjen e tyre plot vendosmëri e guxim, se ne jemi zot të këtij vatani, se luftojmë për jetë a vdekje për lirinë e Shqipërisë.
Le të kthehemi në zhvillimin e ngjarjes më 21­22 qershor. Perlat Rexhepi pasi kalon pa shumë vështirësi, rrugët e rrugicat e qytetit, drejtohet për në shtëpinë e Jordan Misjes në Firej. Për të mos u diktuar bëri kujdes të mos binte në sy si ilegal, por spiunët nuk rrinin pa vëzhguar. Ata nuk flinin se edhe pagesën nga fashistët nuk e kishin të paktë. Dyshimet për levizje drejt shtëpisë së Jordanit kishin vënë me kohë në veprim njerëzit e fshehtë që informonin zyrat e kuesturës. Edhe hyrja e Perlatit, ndoshta nuk kishte mbetur pa u vënë re. Më pas aty shkon edhe Branko Kadia. Vëzhguesit sekretë e kishin plotësuar tani kuadrin e zbulimit me të dhëna të dyshimta, por shumë të rëndësishme për autoritetet fashiste.
Në shtëpinë e Misajve, përveç shokëve të ardhur, Perlatit dhe Brankos dhe 2­3 të tjerë, banonte e gjithe familja, nëna e Jordanit, motra e vogël, vëllai që ishte ushtar dhe atë natë ndodhej aty me një leje të shkurtër. Kuptohet që ky takim kish vlera të mëdha. Shokët takoheshin pak më shumë se dy javë shkëputjeje, për shkak të gjurmimit dhe plagosjes së Perlatit, që kish shpëtuar mrekullisht nga kapja ose vrasja në rrugën ku u plagos. Vëllai dhe motra e Jordanit, kujtojnë diçka që ju ka mbetur e fiksuar në mendje dhe pas gjithë atyre viteve të shkuara. Ata tregojnë me shumë emocion takimin e bisedën e ngrohtë të tre shokëve të pandarë, që ashtu siç nisën luftën bashkë, edhe e mbyllen sëbashku në ato ditë aq të tmerrshme për tërë familjen e Misajve. Ata biseduan gati tërë natën për detyrat e shumta që duheshin kryer në ditët e ardhshme, për mbledhjet e takimet, aksionet e organizimet e njësiteve jo vetëm në qytet, por edhe në fshatra. Ishin shumë entuziastë e kishin një besim të patundur në rrugën e nisur. Nuk mund të dinin se ç`ndodhte, nuk ndihej ndonjë zhurmë e dyshimte dhe as që mendonin çdo të ndodhte. Vonë ata ranë për të pushuar, tregojnë dëshmitarët okularë, vëllai dhe motra e Jordanit. Komanda fashiste në qytet i kishte marrë masat gjatë natës, kishte vënë në veprim gjithë arsenalin njerëzor, armët dhe teknikën e luftës për kapjen dhe likujdimin e ilegalëve të rrezikshëm. Herët në mëngjes sapo të zbardhte dita, kështu qenë më të sigurt, do të mund të realizohej misioni i tyre. Heronjtë pushonin të qetë, kurse milicia, karabineria, repartet ushtarake që ishin në përforcim, rrinin në gadishmëri në rrugët e rrugicat pa bërë zhurmë deri në çastin e fundit të veprimit. Rrethimi i tërë lagjes dhe shtëpisë ishte organizuar në disa radhë. S`kishte asnjë mundësi daljeje dhe çarje të rrethit të shumëfishtë. E vetmja rrugë e tyre ishte dyluftimi i tmerrshëm. Tre kundër qindra trupave të ngjashur pranë njeri­tjetrit, me armë të mbushura gati për të vjellë zjarr në drejtim të shtëpisë “Kala e kuqe” ku qenë vendosur ata të tre djem që do të bënin histori, që do të luftonin për vdekje dhe nuk do të thyheshin. Me moral të lartë, me vendosmëri dhe heroizëm të pashoq, ata do t`i tregonin gjithë Shqipërisë sesi mund të luftohet kundër armikut dhe si mund të vdesë shqiptari për atdheun. Herët në mëngjes, rreth orës 4 të ditës, fillojnë zhurmat përreth, lëvizje trupash, thirrje të alarmura, trokitje të parreshtura: “hapeni portën, jeni të rrethuar, dorëzohuni, s`keni nga të dilni, jeni të vdekur”! Thërriste më shumë një shqiptar i kuesturës, një i shitur kokë e këmbë, një tradhtar që kishte ngritur armën kundër vëllezërve të tij. Bashkë me kuestorin thërriste edhe kryeplaku i lagjes, një shqiptar i shitur si i pari. Në këto momente të rënda, tre heronjtë nuk e humbën toruan, por të tre, Perlati, Brankua dhe Jordani, i thanë fjalën e fundit nënës që qëndronte aty bashkë me ta dhe motrës që s`kish mbushur akoma 16 vjeç. Ato zemërngrira dëgjonin me pikëllim thirjet e fashistëve për dorëzim dhe betimin e Perlatit dhe dy shokëve të tij tek thoshnin: “Ne do të luftojmë dhe nuk dorëzohemi! Komunistët nuk dorëzohen të gjallë”! Koha kalonte, porta nuk hapej për të dalë tre heronjtë. Perlati me Jordanin e Brankon, kishin vendosur të nxirnin jashtë shtëpisë nënën, motrën dhe vëllain e Jordanit. Por nëna nuk pranonte. Edhe ajo e kishte bërë mendjen top, nuk mund të linte djemtë vetëm dhe të shpëtonë kokën e saj. Edhe ajo do të ishte një luftëtare dhe do të shuhej bashkë me ta. Ishin çaste tepër rrënqethëse, kur pritej në çdo sekondë fillimi i betejës, kur dihej mirë se kishte ardhur fundi, një fund, që do të mbulohej me lavdi. Pas shumë lutjesh e kërkesash këmbëngulëse, të Perlatit, nëna, vajza e vogël dhe vëllai i Jordanit u detyruan të pranoni me zemër të coptuar e me lot në sy, të bënin ndarjen e përjetshme e t`i linin luftëtarët e lirisë të benin atë që kishin vendosur për t`i treguar Shkodrës dhe tërë Shqipërisë, se në këto momente, nderi i çdo shqiptari patriot, shërbimi më i madh ndaj popullit dhe atdheut ishte vetëm vdekja me armë në dorë dhe jo nënshtrimi poshtërues. Vendimi tashmë ishte marrë, armët që kishin me vete, revolverët, bombat e dorës dhe një pushkë e gjatë italiane me pak fishekë ishin vënë në gadishmëri për nisjen e dyluftimit kundër një ushtrie të tërë. Por më parë duhej nxjerrë jashtë shtëpisë plaka, vajza dhe djali, ushtar Thomai. Për këtë iu kërkua rrethuesve të lejonin daljen e tyre me kusht që të mos hapej zjarr kundër tyre dhe t’u garantohej jeta. Fashistët e pranuan kërkesën, duke shpresuar se pas tyre do të bëhej edhe dorëzimi i tre komunistëve. Nëna e Jordanit, vëllai dhe motra, dolën nga shtëpia dhe mbahen të arrestuar përballë shtëpisë në rrugë nga ku edhe vrojtonin gjithçka ndodhte.
Lufta filloi. Vendi u ndez flakë nga krismat e armëve nga jashtë dhe brenda shtëpisë, bombat shpërthenin në oborr dhe jashtë. Në moment, zjarri i drejtuar nga gjithë anët, rrëzoi për tokë trimin Branko Kadia. Tani mbetën vetëm dy Perlati me Jordanin. Shoku i tyre i shtrenjtë dhe aq i ri në moshë dhe tepër i nevojshëm për rininë dhe luftën ishte ndarë prej tyre. Ishte i pari dëshmor i kësaj beteje. Presioni shtohet vazhdimisht, orët kalojnë drejt mesit të ditës, rezistenca nuk shuhej, por vazhdonte më e ndezur edhe pse kishin ngelur dy trima që luftonin pa pushim. Masa të tjera merren nga fashistët duke ndjerë rrezikun e natës, si dhe ndonjë veprim nga njësitet guerile që mund të vinin në ndihmë. Ishte vendosur të bombardohej shtëpia me avion si dhe të përdoreshin lëndë djegëse mbi shtëpin kala. Avioni që fluturonte mjaft ulët mbi shtëpi nuk hodhi bomba pasi do të rrezikonte forca e veta. Pas disa veprimeve të tilla, armiku detyrohet të hedhë lëndë djegësë në ndërtesë e oborr. Pas kësaj flaka shpërthen kudo. Por, këto veprime nuk dhanë përfundimet që priteshin. Perlati luftonte edhe pse flaka shpërthente brenda ndërtesës. Jordani kishte marrë një plagë deri sa përhapja e flakëve i mbështolli trupin. Ndihma nga Perlati qe e pamundur. Ai luftonte në dhomën tjetër me flakën që shpërtheu nga çatia dhe me fashistët e ndodhur jashtë ndërtesës. Edhe pse në gjendje kritike, kur çatia rrëzohej pjesë­pjesë dhe ai nga çasti në çast do të ndodhej poshtë zjarit, vazhdonte të qëndronte në këmbë, duke luftuar pa shokët e idealit pranë, duke zbrazur fishekët e fundit nga gryka e pushkës me të cilën luftoi për gjashtë orë pa ndërprerje.
Epopeja e tre heronjve në mbrëmjen e 22 qrshorit 1942 kishte përfunduar, por njerëzit që e ndiqnin në Shkodër me ankth të madh ndeshjen titanike të njerëzve të tyre me ushtrinë fashiste nuk mund të shmagnin emocionet e mëdha, dhimbjen për tre luanët e Shkodrës. Perlati me shokë dha shembullin e kushtrimit për të shpërthyer uragani popullor, që do të përfshinte e shfaroste pushtuesit e tradhtarët njëherë e përgjithmonë. Ajo betejë i dha paralajmërim serioz okupatorëve të huaj, se tani e tutje do të përballeshin me një popull të tërë kryengritës me qëllimin e vetëm, të çlironin Shqipërinë nga vargonjtë e huaj. Një shembull të madh të përjetësimit të aktit heroik të tre luanëve të Shkodrës, e dha shkrimtari i shquar antifashisti, shkodrani Kol Jakova. Ai do të shpërthente brenda mureve të qelisë me poemen madhore “Drita ka dalë kaherë” për heronjtë që i njihte e i donte aq shumë. Vargjet e tij bombë, në shpërthim të vazhdueshëm ngrenë në lartësinë e merituar Perlatin, Jordanin e Brankon, si simbole të rralla të luftës për liri. Kol Jakova kujton ato ditë të rënda dhe na thotë si u shkrua kënga e tre heronjve. “Shtëpia ku banoja unë, nuk ish as njëqind metra larg nga ajo e Jordan Misjes. Kam parë Jordanin gjysmë të vdekur, i plagosur dhe i djegur, kur e morën fashistët ku kish mbetur pa ndjenja. Kam parë Perlat Rexhepin të djegur e të coptuar dhe Brankon që po i dërgonin t`i varrosnin. Kur çdo gjë mori fund kam vizituar shtëpinë e djegur, pusin ku kish hyrë Jordani me flakë, për t`u shuar. Të gjitha këto mbresa të forta vlonin në shpirtin tim. E ndjeva veten borxhli kundrejt tyre. Duhet të bëja diçka për ta, medoemos të shkruaja një këngë. Kur po mendoja për këtë më arrestuan e më futën në burg. Në kushte e burgut, ku rrinim 40 shokë, shkrova këngën e tre heronjve dhe pasi kisha mandolinën e e kompozova. Pastaj ua mësova shokëve në kaushe”. Populli i Shkodrës, i derdhur nëpër rrugë më 29 nëntor 1944, tek priste çlirimtarët, kujton me mall e dhembshuri djemtë e vet që nuk ishin në radhët e atyre që parakalonin plot dinjitet e krenari të ligjshme për çka patën bërë gjatë gjithë viteve të luftës. Aty mungonin shumë e gjithkush sillte në mend për të mos harruar kurrë: Perlat Rexhepin, Branko Kadinë, Jordan Misjen e shumë të tjerë, rënë jo vetëm në Shkodër, por në çdo krahinë të vendit si Vasil Shanto, Reshit Rusi, Vasi Kadia, Shejnaze Juka, Fahri Ramadani, Ndoc Mazi, Ahmet Haxhia, Manush Alimani etj. Ata mbeten yje të pashuar në shekuj, midis popullit dhe në librin e historisë. 
Sigal