Ç’punë ka BE-ja me Teatrin?!

236

Vangjush Saro

Në komedinë që ka të bëjë me prishjen dhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar, ka hyrë këto ditë, mbase për të luajtur një rol ekuilibrues, vetë Bashkimi Evropian(?!) Komisioni Evropian, si strukturë e BE-së, i thirrur për ndihmë nga institucione shqiptare, ka drejtuar gishtin mbi një çështje që mbajti ngrehur për një kohë të gjatë, por nuk dihet edhe sa më tej, mbarë opinionin shqiptar. Më e pakta, është folur për… garë. Por garë nuk ka dhe nuk do të ketë. (“Në se kështu thotë shoku Napoleon, atëherë kështu duhet të jetë…” G. Orwell “Ferma e kafshëve”) Ndërkaq, në shtyp, mund të lexosh se si palët në Shqipëri kanë filluar sakaq të marrin… mësimet dhe përfitimet e duhura nga kjo qasje. Si përherë, kur ato lypin një deus ex machina. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, A. Mazniku: “Komisioni Evropian i hoqi opozitës çdo alibi për ta kundërshtuar projektin, ndërsa sugjeroi që të ftohen edhe aktorë të tjerë të interesuar në garë…” Dhe më tej: “Ne kemi shprehur gatishmërinë, e cila përgëzohet nga KE, që të shohim mundësinë për të dhënë opsionin nëse ekzistojnë persona të tjerë në situatë të ngjashme, që të garojnë me një koncept të ngjashëm. Do të kemi një amendim të ligjit, i cili të përmbajë mundësinë që kompani, persona, apo institucione të tjera që kanë mundësi të konkurrojnë t’ia propozojnë këtë komisionit të shqyrtimit. Komisioni nuk do shqyrtojë vetëm projektin ekzistues, por edhe propozime alternative. Parlamenti shqiptar ka caktuar që të ketë një komision, duke përfshirë edhe artistët brenda, dhe i gjithë ky komision do të shqyrtojë këtë ofertë apo oferta të tjera. Më pas, komisioni do të marrë një vendim dhe këtë vendim do t’ia çojë prapë Parlamentit për vendim.” Siç shihet, kemi një kthim pas në këtë temë, përveçse një rrotullim në vend sa i takon atyre që i janë “përkushtuar” Teatrit Kombëtar; (kupto: truallit ku gjendet Teatri Kombëtar). Mbase bëj pyetjen e gabuar, por me të vërtetë: Ç’punë ka BE-ja me Teatrin?! Kam shkruar edhe më parë në këtë temë, duke sugjeruar që fjala e fundit t’u lihet ekspertëve: Për Teatrin, për kullat, për hapësirën publike, për një sërë çështje ekonomike, sociale dhe historike, që preokupojnë vendin. Natyrisht, e kam ditur dhe e shoh që, megjithatë, vendosin politikanët dhe pushtetarët për këto probleme tërësisht teknike, por që kullojnë miliona. Kurse, roli dhe funksioni i tyre duhej të ishte tjetër. (“Funksioni kryesor i saj (i qeverisë-V. S.) duhet të jetë mbrojtja e lirisë sonë… Të ruajë ligjin dhe rendin, të garantojë zbatimin e kontratave private, të nxisë tregjet konkurruese.” M. Friedman) Mendoj se jemi në një terren mjaft të njohur dhe që ka parë shumë komunikim me partnerët në këto tri dekada të tranzicionit. Ndoshta vij në përfundimin e gabuar, por druaj se gjatë gjithë kësaj historie me të huaj, ndodh shitblerja dhe shqipblerja e dinjitetit. E dinjitetit të vendit dhe të qytetarëve të tij, përfshi teknicienët e ndershëm, përfshi njerëzit e artit dhe publikun artdashës. Që nga fillimet e “demokracisë” e gjer më sot, të gjitha formacionet politike dhe shtetërore i kanë mbajtur sytë nga të huajt, le të themi… aleatët. Dhe kjo nuk ka ndodhur e nuk ndodh pse atyre iu “dogj barku” për ta. Aspak. Ka ndodhur dhe ndodh sepse fjalën e tyre (të aleatëve) palët e përdorin si armë për të arritur synimet e tyre. Kjo është e paprinciptë. Nga viti në vit, prania apo verdikti i ambasadorëve të huaj të vendeve kryesore, i partnerëve, ka qenë njëlloj “prove” e asaj se kush është “më i mirë”, “kush ka të drejtë”… (Nga palët në konflikt, gjithnjë në konflikt.) Dhe s’ka ku të shkojë më keq. Nuk them se ka të bëjë me pavarësinë e vendit, as me devijimin e rrugës nëpër të cilën ai po ecën. Në disa raste, më vjen mirë që të huajt po përpiqen të drejtojnë disa reforma e, përgjithësisht, demokratizimin dhe këtu kam parasysh një sërë dokumente, raportet e përgjithshme, deri edhe procese të tilla si Vetting-u. Nga ana tjetër, kahjen perëndimore dhe pikësynimin për përfshirjen në BE, nuk i diskuton më askush. Këto janë zgjedhje që, në pamje të parë, i ka përqafuar çdo forcë politike, çdo institucion; edhe vetë qytetarët. Por kthimi i kokës nga të huajt orë e çast, kohë e pa kohë, për çdo detaj të këtij rrugëtimi, është një precedent i keq, që tregon sa pak vlejnë institucionet tona, klasa politike; edhe pse për rastet në fjalë, ajo nuk skuqet e nuk zverdhet dhe veç përpiqet të përfitojë aksione. Kjo shqipblerje e shqipshitje e interesave dhe e dinjitetit, po bëhet deri e rrezikshme. Këto kohë (sidomos përgjatë diskutimeve për memorialin në ish-Kampin e Tepelenës) një sërë gjakprishurish kanë hedhur teza të frikshme në lidhje me të shkuarën e këtij vendi, duke bërë njësh gjërat, madje janë botuar edhe shkrime me titullin: “Shqipëri Aushvic” (!) Unë mendoj se i duhet thirrur mendjes dhe duhen ndarë gjërat: Çfarë ishte punë, ndërtim, arsimim, sport, kulturë. Çfarë ishte politikë e mbrapshtë, izolim dhe përndjekje për një pjesë të mirë të popullsisë. Çfarë ishte variacion i zhvillimeve në ish-Kampin Socialist dhe çfarë ishte tejkalim i parimeve të rendit mbi të cilin u ndërtua jeta në ato dekada. Edhe rastin e cekur më sipër, u pa që dinjiteti dhe e vërteta u shitën; në mes, ishte paraja, si dhe prirja e qeverisë shqiptare për t’u shtirur… e distancuar nga Komunizmi, më mirë nga krimet e Komunizmit (!) Por kjo bëhet duke hedhur baltë mbi të vërtetën se ç’ishte ky vend në ato dekada, çfarë ndërtoi, nga se vuajti, ç’pjesë e popullsisë e mbajti mbi kurriz këtë shtypje ekstreme, etj. Ajo çka pozuan në mënyrë false qeveria shqiptare dhe Ministria e Kulturës, ishte një farsë; sepse ky proces, prej tri dekadash, ka sjellë pakgjë. Dhe pikërisht, një nga këto gjëra që nuk ka ndryshuar, është varësia nga të huajt, qëndrimi me “Lepe?” dhe “Peqe!” gjatë gjithë kohës dhe për çdo hap, përndryshe marrja e “lejës” prej tyre për çdo marrëzi apo edhe punë të mbarë… Janë vetëm dy argumente që vërtetojnë mungesën e koherencës dhe të ndershmërisë, mbase më mirë të paaftësisë, në disa hapa të rëndësishëm. Ndoshta kjo gjendje do të vazhdojë gjatë. Por ne kemi për detyrë të argumentojmë që me partnerët duhet prodhuar dialogu i duhur, për çështjet e duhura; përndryshe, le të jemi thjesht provincë e një fuqie a shteti a bashkimi shtetesh dhe e dimë që administrata, teknikët, zyrtarët, çdo hap e çdo punë, të gjitha këto pra, janë në dorën e tjetërkujt. Kështu, mbyllen shumë çështje të hapura dekadash dhe që mbajnë peng zhvillimin e vërtetë të shoqërisë e të vendit. Por e para: Nuk ka një zgjidhje të tillë; ata (partnerët) mjaftohen duke të këshilluar pafundësisht; dhe plot edukatë. E dyta: Kush e ka modestinë të flasë shtruar me njerëzit a të bëjë referendum, për konfliktet dhe historitë në fjalë!… Dhe e fundit: Komedia mbart dërgesa nga e gjithë përvoja jonë e pakorrigjueshme.